Lajmet

Sulmi ndaj policëve në Leposaviq, njohësit e sigurisë: Ja cili është synimi i ekstremistëve serbë

Jeta e disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është rrezikuar të hënën në një pikë kontrolli.

Published

on

Serbë me të kaluar kriminale po sulmojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri të vendit me qëllim që të largojnë prezencën e policisë në atë pjesë të territorit të Kosovës, vlerësojnë njohës të çështjeve të sigurisë. Duke folur për incidentin e së hënës në Leposaviq ku policia ka shtënë me armë zjarri në mënyrë që të neutralizojë rrezikun, konsiderojnë se ky veprim ishte i duhur nga ana e zyrtarëve policorë dhe plotësisht legjitim.

Jeta e disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është rrezikuar të hënën në një pikë kontrolli në veri të vendit derisa po realizon detyrat e tyre.

Sipas policisë rreziku ka ardhur nga persona me të kaluar kriminale të cilët kanë tentuar t’i ndalin për kontroll në Bistricë të Leposaviqit.

Siç ka njoftuar policia, vetura gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e policisë ndërsa zyrtarët policorë kanë shtënë me armë zjarri.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se reagimi i pjesëtarëve të PK-së në rastin në Leposaviq ka qenë i duhur dhe konform të ligjit.

“Në bazë të informatave që i kam, reagimi i policisë ka qenë konform ligjit të policisë dhe procedurave administrative që i kanë ata, pra procedurave të brendshme, sidomos çështjes së përdorimit të armës së zjarrit, gjithmonë duke pasur parasysh që të dyshuarit kanë tentuar që me veturën e tyre t’i godasin policët, pra fillimisht nuk u janë ndalur policisë dhe pastaj kanë tentuar që me veturën e tyre t’i godasin policët, pra ka qenë për mua një tentim vrasje të dyshuarve ndaj policëve të Kosovës dhe policët e Kosovës kanë obligim ligjor të reagojnë konfrom kërcënimeve që i kanë. Në këtë rast meqë jeta e tyre ka qenë në rrezik ata është dashur të ndalin kërcënimin dhe ndalja e kërcënimit ka qenë mënyra e vetme me përdorimin e armëve të zjarrit”, thotë ish-drejtori i Policisë së Kosovës.

Këto veprime ndaj Policisë së Kosovës, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi po bëhen me qëllim që të largojnë prezencën e pjesëtarëve të policisë nga veriu i vendit.

“Qëllimi i tyre ka qenë që të provokojnë situatën, të sulmojnë policët, e pranojnë qartë, po i referohem mediave që kanë publikuar në Serbi, po mundohen me çdo kusht që t’i largojnë prezencën e Policisë së Kosovës dhe ata po thirren çdo herë në ROSU apo njësi të specializuara, qëllimi përfundimtar i ekstremistëve serbë është të largojnë prezencën e policisë së Kosovës nga kjo pjesë e vendit, siç është edhe në mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror por njëkohësisht edhe mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike në pjesën e brendshme, gjegjësisht katër komunat në veri”, thotë ai.

Sipas tij, këta persona me të kaluar kriminale veprojnë me direktiva të Beogradit zyrtar.

“Ato inkurajohen dhe urdhërohen të veprojnë, të injorojnë këto kontrolle dhe të sulmojnë në këtë rast siç është në këtë rast sulm me automjet, kanë dashur të shkelin zyrtarët policorë, në këtë rast kanë aksidentuar automjetin zyrtar, në këtë rast policia ka vepruar me qëllim të neutralizimit të sulmit… Vazhdimësi janë këto provokime, çdo herë të urdhëruara (nga Beogradi zyrtar) që kanë individë të caktuar plot dosje kriminale dhe ata edhe vetë nuk hezitojnë të ndërmarrin këto veprime”, shton Ibishi.

Sipas ish-policit Rashit Qalaj, sot deputet i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike, rreziku ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është më i theksuar në kohët e fundit.

Megjithatë, ai shton se bandat kriminale në atë pjesë gjithmonë kanë praktikuar sjellje të tilla ndaj Policisë së Kosovës.

“Në pjesën veriore policia është sulmuar shpesh, që nga themelimi i saj, pjesëtarët e saj janë sulmuar, kemi edhe policisë të plagosur. Kemi pasur me herët, kemi tash, ka qenë një sfidë që nga fillimi, tash e kemi një situatë pak më specifike për shkak se stacionet policore atje janë pa pjesëtarë të komunitetit serb të cilët jetojnë në ato pjesë dhe unë mendoj që realisht nëpër stacione policore duhet të gjendet mënyra të kemi edhe pjesëtarë të komunitetit serb të cilët i zbatojnë ligjet e Kosovës. Mendoj që Ministria e Brendshme, Qeveria, duhet të bëjë përpjekje që të bindë qytetarët e komuniteteve atje që të jenë pjesë e policisë ndërsa policia të vazhdojë të zbatojë ligjin dhe asgjë tjetër”, shton deputeti i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Incidenti i ndodhur në Bistricë të Leposaviqit erdhi pasi një njësi e Policisë së Kosovës ishte caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qellim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimit të krimit dhe kontrabandës.

“Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri. Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka njoftuar për rastin Policia e Kosovës.

Tutje, policia ka njoftuar se ka identifikuar dy persona të dyshuar të cilët kanë rezultuar të jenë me të kaluar kriminale dhe përfshirje në dhjetëra vepra penale dhe kundër vajtje.

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje. Po ashtu, i dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Aktualitet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Vendi

Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

Published

on

By

Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së

Published

on

By

Misioni i Fakultetit të TurizmitUBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.

Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.

UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.

Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.

Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.

Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.

Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.

Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Të kërkuara