Një mundësi e jashtëzakonshme për studime të doktoratës në fushën e sigurisë është bërë e mundur nga UBT, përmes arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me Institutin e Mbrojtjes “Profesor Tsvetan Lazarov”, me seli në Sofje të Bullgarisë.
Ky institucion shkencor i mbrojtes me ekspertizë të pasur në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë dhe mbështetet nga strukturat shkencore në kuadër të NATO-s dhe BE-së duke ofruar një gamë të madhe bashkëpunimi me mbi 100 institucione të ndryshme shkencore në Bullgari dhe jashtë.
Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni solemne nga Rektori i UBT-së, Prof.Dr. Edmond Hajrizi dhe Drejtori i Institutit të Mbrojtjes, Kol. Dr. Dimitar Kirkov, në prani të Ambasadorit të Kosovës në Bullgari, z.Delfin Pllana.
Me marrëveshjen e arritur në mes të UBT-së dhe Institutit të Mbrojtjes “Profesor Tsvetan Lazarov” të gjithë ata që duan të vazhdojnë studimet post-diplomike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes do t’i vijojnë ato në nëntë fusha të cilat janë deficitare për Kosovën.
Instituti ofron programe të karakterit mësimor-shkencor për marrjen e titujve Doktor dhe Doktor i Shkencave në këto fusha:
Dinamika, balistika dhe kontrolli i fluturimit të aeroplanëve;
Radiolokimi dhe radio-navigimi;
Pajisjet radio-transmetuese dhe radio-pranuese;
Sistemet e automatizuara të procesimit dhe kontrollit të informacionit;
Pajisjet dhe metodat optike laserike;
Dizajnimi dhe projektimi i automjeteve dhe aeroplanëve;
Metodat për kontrollin dhe testimin e materialeve, pajisjeve dhe makinerisë;
Teknologjika kimike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes;
Teknologjia e informacionit dhe siguria kibernetike.
Marrëveshja e Bashkëpunimit midis UBT-së dhe Institutit “Profesor Tsvetan Lazarov” është një hap i radhës i UBT-së për rritjen e ekspertizës për edukimin dhe kërkimin shkencor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Instituti “Profesor Tsvetan Lazarov” duke funksionuar në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë, gëzon një ekspertizë të rëndësishme në shkencat e mbrojtjes e sigurisë. Duke marrë parasysh perspektivën Euro-Atlantike të gjithë vendit, UBT vazhdon të jetë institucion pararojë në promovimin dhe mbështetjen e kësaj perspektive në vend.
Prof.Dr. Edmond Hajrizi dhe Kol. Dr. Dimitar Kirkov duke nënshkruar marrëveshjen
Marrëveshja midis dy institucioneve do të mundësojë praktikat e shkëmbimit të stafit për programe me interes të përbashkët si edhe shkëmbim të studentëve midis tyre. Përmes kësaj marrëveshjeje do të synohet rritja e bashkëpunimit shhkencor dhe edukativ jo vetëm midis UBT-së dhe Institutit të Mbrojtjes, por edhe midis studentëve dhe akademikëve të Kosovës dhe Bullgarisë.
Marrëveshja midis dy institucioneve, po ashtu, synon të promovojë:
Shkëmbimin e stafit në programe të interesit të përbashkët;
Shkëmbimin e studentëve në programe studimi me interes të përbashkët;
Bashkëpunim në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe zhvillim dhe shërbime konsultimi;
Shkëmbimin e materialeve shkencore dhe akademike të publikuara;
Ofrimin e mundësive për rritjen e kapaciteteve kulturore dhe intelektuale për stafin dhe studentët e të dyja palëve.
Që nga viti 2009 në Institutin e Mbrojtjes është e vendosur edhe Akademia CISCO për trajnim të personelit ushtarak dhe civil për sisteme të Ministrisë së Mbrojtjes në teknologji të lartë të informacionit. Ekspertiza tjetër e Institutit është certifikimi i kualitetit të sistemeve dhe produkteve që kanë të bëjnë me fushën e mbrojtjes, regjistrimi dhe certifikimi i mjeteve dhe pajisjeve ushtarake dhe atyre policore. Ndër të tjera, Instituti ka tri laboratore të akredituara nga Agjencia Kombëtare e Bullgarisë e Shërbimeve të Akreditimit.
Rektori i UBT-së, z.Hajrizi, e vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje, duke e parë atë si kontribut të madh për avancimin e përgjithshëm të Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si një prej shtyllave të shtetit dhe të çdo institucioni tjetër të rëndësishëm në vend.
“Kosova do të ketë mundësinë tani që të ketë njerëz të kualifikuar me tituj të lartë shkencor në nëntë fusha të ndryshme që ndërlidhen me sigurinë dhe mbrojtjen”, u shpreh ai.
“Nga kjo mundësi e re do të mund të përfitojnë, gjithashtu, punonjësit e çdo institucion të sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë për të avancuar dijen e tyre në këto fusha e për ta rritur performancën dhe ekspertizën e institucionit ku ata punojnë“, shtoi Hajrizi tutje.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes, Rektori Hajrizi, Koloneli Kirkov dhe Ambasadori Delfin Pllana
Nga ana e tij, Drejtori i Institutit të Mbrojtjes, z. Kirkov njoftoi se ofrojnë programe shkencore edhe për kandidatë nga vendet e tjera dhe se janë të hapur për bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës për të ofruar mundësi trajnimi dhe shkollimi për kandidatë të interesuar nga Republika e Kosovës.
Programet e Institutit ofrohen në gjuhën angleze dhe të gjithë kandidatët e interesuar do të kenë qasje në mentorim profesional sipas kërkesës dhe temës specifike të cilën duan ta hulumtojnë.
Në orët e fundit para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, Kryeministri Albin Kurti ka bërë një lëvizje të re drejt PDK-së.
Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të votojë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – një kërkesë kjo e kahershme e PDK-së.
Përmes kësaj oferte, Kurti i ka bërë thirrje PDK-së që të hyjë në seancë, duke propozuar si kandidate për presidente ish-deputeten dhe ish-ministren nga radhët e PDK-së, Justina Shiroka-Pula.
Ky propozim vjen pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, refuzoi emrat e propozuar më parë, si Feride Rushiti dhe Glauk Konjufca. Kurti iu drejtua opozitës me thirrjen për bashkëpunim në Kuvend për të votuar së pari ligjin e kërkuar dhe më pas kandidaturën e Shiroka-Pulës për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i është përgjigjur negativisht propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.
Në një konferencë për media, Hamza ka kritikuar qasjen e deritanishme, duke thënë se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është përgjegjësi vetëm e PDK-së.
Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen”, është shprehur Hamza.
Ai ka thënë se kjo çështje, sipas tij, po tentohet të përdoret për pazare politike në momentet e fundit.
“Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit. Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së. Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar ai.
Hamza ka theksuar se pjesëtarë të UÇK-së janë të lidhur me subjekte të ndryshme politike, ndërsa ka akuzuar për tentim të përdorimit të kësaj çështjeje për arritjen e qëllimeve politike.
“UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik. Qëllimi politik është që me pasë një president politik dhe me e përmbyllë njëqind për qind kapjen e institucioneve”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se ka marrë pjesë në takime për tejkalimin e situatës, por ka kritikuar ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve politike.
“Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike”, ka deklaruar Hamza.
Kryeministri Albin Kurti ka shpalosur një propozim të ri politik drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me qëllim zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.
Sipas këtij propozimi, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të kalojë në lexim të dytë Projektligjin për Gjykatën Speciale, me kushtin që PDK-ja të zotohet publikisht dhe zyrtarisht se do të marrë pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Në kuadër të kësaj oferte, Kurti ka përmendur dy emra konkretë si kandidatë potencialë për postin e Presidentit Glauk Konjufcen dhe Feride Rushiti
Tutje Kurti tha se i kërkon publikisht kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza që ti pergjigjet kesaj kërkese nëse duan që të shkojn tutje këto procese.