UBT mori pjesë në panairin më të madh në botë për fushën e stomatologjisë dhe teknologjisë dentare, IDS 2025, i cili u zhvillua në qytetin e Köln-it në Gjermani. Ky panair prestigjioz mblodhi në një vend kompanitë më të njohura globale, prodhuesit lider të pajisjeve dhe teknologjive stomatologjike, përfaqësues të universiteteve, instituteve kërkimore dhe profesionistë nga e gjithë bota.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi zhvilloi takime të rëndësishme me kompani dhe institucione ndërkombëtare, me qëllim të krijimit të bashkëpunimeve strategjike në fushën e stomatologjisë, teknologjisë mjekësore dhe inovacionit digjital.
Gjatë qëndrimit në panair, Rektori Hajrizi nënshkroi disa marrëveshje bashkëpunimi me kompani ndërkombëtare, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve kërkimore-shkencore, si dhe në avancimin e laboratorëve dhe programeve studimore të kësaj fushe.
Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjisë në stomatologji, duke përmendur zhvillimet më të fundit në fushat si inteligjenca artificiale, skanimi 3D, printimi i materialeve biokompatibile, kamera inteligjente për diagnozë të avancuar dhe sistemet e trajtimit digjital.
“Panairi i Köln-it është një platformë globale ku shpalosen arritjet më të reja dhe më inovative në fushën e stomatologjisë dhe teknologjisë dentare. Pata mundësinë të takohem me dhjetëra kompani dhe institucione që ofrojnë produkte dhe zgjidhje të sofistikuara, shumë prej të cilave do të jenë pjesë e bashkëpunimeve me UBT-në”, deklaroi Rektori Hajrizi.
Ai gjithashtu foli për përparimin që ka bërë Kosova në këtë fushë, duke theksuar se shumë klinika në vend tashmë janë të pajisura me teknologjitë më të fundit dhe ofrojnë shërbime të cilësisë së lartë, krahas atyre që ofrohen në vendet më të zhvilluara.
“Stomatologjia në Kosovë ka pësuar një zhvillim të ndjeshëm vitet e fundit, si në aspektin e pajisjeve ashtu edhe në nivelin profesional të mjekëve. Ky përparim ka ndikuar edhe në rritjen e turizmit dentar, ku një numër gjithnjë në rritje i qytetarëve nga diaspora dhe rajoni po vijnë për të marrë trajtime në klinikat tona”, shtoi ai.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe mundësitë për zhvillimin e industrisë vendore të prodhimit të pajisjeve dhe materialeve dentare në Kosovë, duke u bazuar në potencialin për ndërmarrësi, digjitalizim dhe aplikimin e teknologjive të avancuara si 3D printimi dhe inteligjenca artificiale.
Panairi IDS 2025 në Köln u cilësua si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit në fushën e stomatologjisë, dhe pjesëmarrja e UBT-së në këtë aktivitet përforcon pozicionin e tij si institucioni më aktiv në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë në Kosovë dhe më gjerë.
Ky angazhim i UBT-së është dëshmi e vizionit të tij për të sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare në Kosovë, duke krijuar ura bashkëpunimi me liderët globalë të industrisë dhe duke përgatitur gjenerata të reja të profesionistëve të gatshëm për tregun ndërkombëtar të punës.