Universi i UBT

Studentja e Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Riola Morina, publikon artikull në platformën e organizatës “International Service for Human Rights”

Riola ka publikuar një artikull në të cilin ka trajtuar temën e efektit të pakos së rimbëkëmbjes ekonomike të vitit 2021 për gratë në Kosovë.

Published

on

Studentja e vitit të tretë të Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Riola Morina, ka publikuar një artikull në platformën e organizatës “International Service for Human Rights”, organizatë kjo me seli në Gjenevë të Zvicrës.

Riola ka publikuar një artikull në të cilin ka trajtuar temën e efektit të pakos së rimbëkëmbjes ekonomike të vitit 2021 për gratë në Kosovë, si dhe përgjigjjen e qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj kësaj situate, duke përmendur aspekte të ndryshme të politikave ligjore për barazinë gjinore.

Përmes këtij artikulli, studentja e Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Riola Morina, ka përçuar zërin e saj rreth çështjes që ajo ka trajtuar, duke hapur rrugën edhe për publikime të tjera në kuadër të projekteve për të drejtat humanitare.

Platforma “Voices for Human Rights” iu ofron mundësinë studentëve nga universitete të mbarë botës që të shprehen dhe të publikojnë artikujt e tyre profesional për çështjet e të drejtave të njeriut.

Linku i artikullit: https://www.igfm.ch/studentenprojekte/

Lajmet nga UBT

Profesori i UBT-së, Edon Maliqi bashkëautor i studimit shkencor mbi “Analizat hapësinore dhe gjeovizualizimin e ndotjes me metale të rënda në Kosovë”

Published

on

Profesori i UBT-së, Edon Maliqi, është bashkëautor i një studimi shkencor të rëndësishëm, i cili është botuar së fundmi në revistën ndërkombëtare Environmental Monitoring and Assessment. Titulli i punimit është “Monitoring Heavy Metals and Spatial Analysis Using Pollution Indices and Cartographic Visualization: A Case Study in Kosovo”, dhe është realizuar në bashkëpunim me Kaltrina Jusufin, Almë Ejupin dhe Skender Demakun.

Ky studim trajton problemet mjedisore që përballen shqiptarët, duke nxjerrë në pah ndikimin e aktiviteteve antropogjenike në ndotjen e mjedisit dhe degradimin e burimeve natyrore. Pjesë e studimit është vlerësimi i ndotjes me metale të rënda në liqenin Henci dhe në tokat përreth tij, duke analizuar koncentrimet e metalëve të rënda të tilla si bakri (Cu), kadmiumi (Cd), plumbi (Pb), nikeli (Ni), kromi (Cr), manganezi (Mn) dhe hekuri (Fe) në ujin, sedimentet dhe tokat përreth liqenit.

Për matjen e këtyre metalëve, është përdorur teknologjia e avancuar Inductively Coupled Plasma-Optical Emission Spectrometry (ICP OES), një metodë që siguron rezultate të sakta dhe të besueshme. Studimi përfshin gjithashtu përdorimin e Indeksit të Metalëve të Rënda (HMI) dhe Faktorëve të Kontaminimit (CF), për të vlerësuar ndotjen në rajon në mënyrë të plotë.

Një nga elementët kyç të punimit është përdorimi i GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) për zhvillimin e hartave tematike, të cilat ilustrojnë shpërndarjen hapësinore të ndotjes, duke përdorur teknika interpolimi me një rezolucion hapësinor prej 10 metrash. Këto harta ofrojnë një analizë të detajuar të modeleve të ndotjes dhe mund të shërbejnë për ndihmën në hartimin e politikave dhe kuadrave rregullatorë për mbrojtjen e mjedisit.

Në përfundim, rezultatet e studimit tregojnë se uji i liqenit Henci ka një ndotje të lehtë me disa koncentrime të metaleve të rënda (Cu, Zn, Cd, Pb dhe Ni), të cilat kalojnë kufijtë e rekomanduar nga EPA (Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të SHBA) dhe WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë). Megjithatë, mostrat e sedimentit dhe tokës përreth liqenit nuk tregojnë nivele shqetësuese të ndotjes.

Këto gjetje theksojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe për zbatimin e masave rregullatore për të adresuar sfidat mjedisore. Siç theksohet në punim, studimi është një thirrje për autoritetet që të ndërmarrin veprime konkrete për të parandaluar ndotjen dhe për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve, duke garantuar një mjedis më të pastër dhe të shëndetshëm për qytetarët e Kosovës.

Ky studim është një kontribut i rëndësishëm në fushën e kërkimit shkencor për monitorimin mjedisor dhe përdorimin e teknologjive moderne në vlerësimin e ndotjes, duke ofruar një bazë të fortë për zhvillimin e politikave të qëndrueshme mjedisore në Kosovë dhe rajon./UBTNews/

Studimin shkencor mund ta lexoni në: https://doi.org/10.1080/15320383.2024.2430268 

 

Continue Reading

Aktualitet

Nën regjinë e profesoreshës së UBT, Marigona Ferati, shfaqja “Një vrasje e vogël aksidentale” arrin sukses në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Egjipt

Published

on

Shfaqja teatrale “Një vrasje e vogël aksidentale”, një produksion i Teatrit të Qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, ka arritur një sukses të madh ndërkombëtar duke u bërë pjesë e festivalit prestigjioz Sharm el-Sheikh International Theater Festival, një nga ngjarjet më të mëdha dhe të rëndësishme të teatrit në botë. Ky festival, i njohur për grumbullimin e teatrove më të mirë nga mbarë bota, ka radhitur këtë vit mbi 4000 aplikime, duke e bërë konkurrencën shumë të fortë dhe prestigjioze.

Shfaqja është bazuar në veprën e autorit të njohur Jean Pierre Martinez dhe është drejtuar nga regjisorja Marigona Bekteshi Ferati, profesoreshë në UBT. Me këtë shfaqje, Teatri i Qytetit “Muharrem Qena” po konkuron me teatro të njohura dhe me renome ndërkombëtare, duke e vendosur atë në një pozicion të shkëlqyer në skenën teatrale globale. Ky është një hap i rëndësishëm për teatrot e Kosovës, duke u bërë pjesë e një ngjarjeje kaq të madhe dhe prestigjioze.

Një moment i veçantë i këtij festivali ishte kur aktorja e talentuar Qendresa Kajtazi mori çmimin për “Aktoren më të mirë të festivalit”, një arritje që jo vetëm që e nderon atë, por është një sukses i madh për të gjithë Teatrin e Qytetit “Muharrem Qena” dhe për teatrin kosovar. Ky çmim tregon nivelin e lartë të performancës dhe profesionalizmit të aktorëve të shfaqjes, duke vërtetuar se artistët nga Kosova po arrijnë të shpërthejnë në skenat ndërkombëtare.

Përveç aktorëve të talentuar dhe regjisores, shfaqja ka një tjetër element të rëndësishëm që ka kontribuar në suksesin e saj: kostumet e shfaqjes, të cilat janë krijuar nga Profesoresha e UBT-së, Aferdita Statovci. Puna e saj ka sjellë kostume të ngjyrosura dhe tërheqëse, duke i dhënë shfaqjes një pamje vizuale të jashtëzakonshme dhe duke e bërë edhe më të veçantë këtë produksion.

Suksesi vjen si rezultat i angazhimit dhe punës së palodhur të gjithë ekipit të shfaqjes, i cili ka arritur të prezantojë një teatër cilësor dhe të fitojë vëmendjen e audiencës ndërkombëtare. Ky hap përpara është një arritje e madhe për zhvillimin e kulturës dhe artit teatror shqiptar, duke e vendosur Teatrin e Qytetit “Muharrem Qena” në hartën e teatrove më të njohur dhe të respektuar në nivel global./UBTNews/  

Continue Reading

Aktualitet

Studentët e UBT-së mësojnë për redaksinë dhe procesin e prodhimit të lajmit në Telegraf

Published

on

Kuadri i studimeve në drejtimin Media dhe Komunikim është shumë i gjerë dhe përfshin një mori temash që lidhin aspekte teorike, praktike dhe teknologjike të komunikimit. Ky program studimi përfshin lëndë të ndryshme, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e aftësive dhe njohurive në këtë fushë, dhe krahas leksioneve, studentët kanë mundësi të realizojnë dhe vizita studimore.

Në vazhdën e takimeve, studentët e vitit të parë të departamentit të gazetarisë, të monitoruar nga zyrtarja e UBT-së, Albina Zeneli, kanë realizuar një vizitë në portalin Telegrafi, ku janë mirëpritur nga kryeredaktori, Muhamet Hajrullahu.

Hajrullahu ka shpjeguar më në detaje ecurinë e punës së një redaksie. Studentët patën rastin të parashtrojnë pyetje, ku janë informuar rreth punës që zhvillohet nga desku informativ, por edhe nga dhoma teknike, ku bëhet montazha dhe dizajni final.

“Puna në ekip ka rëndësi të madhe dhe përfshin bashkëpunimin midis individëve që kanë aftësi dhe role të ndryshme, por që punojnë së bashku për të realizuar qëllime të përbashkëta. Puna në ekip është thelbësore për arritjen e suksesit në shumë fusha, përfshirë lajmin në web me burime, dizajnin, fotografitë dhe montazhën cilësore,” tha mes tjerash Hajrullahu.

Ai ka theksuar që, pavarësisht ndryshimeve teknologjike, lajmi në këtë medium online ka vlerë të madhe dhe pohon faktin që më mirë të jetë pak i vonuar, por kur të transmetohet tek masa, të ketë efekt në lexueshmëri.

Kjo përvojë e drejtpërdrejtë në një ambient profesional i ndihmoi studentët të kuptonin më mirë sfidat dhe mundësitë që ofron industria e medias digjitale, dhe si mund të aplikojnë në praktikë njohuritë që po përftojnë në kurset e gazetarisë. Vizita ishte një hap i rëndësishëm për ata, duke i ndihmuar të zhvillojnë një pasqyrë më të qartë për atë çfarë do t’i presë në tregun e punës pas përfundimit të studimeve.

Përndryshe, UBT ka partneritet me Telegrafin dhe në kuadër të studimeve, studentet kanë mundësi ta mbarojnë punën praktike në këtë portal e pastaj edhe  duke punuar me kontratë sepse kjo është jo vetëm një mënyrë për të siguruar një jetesë, por gjithashtu një mundësi për të zhvilluar aftësi, për të kontribuar në shoqëri dhe për të arritur qëllime personale dhe profesionale./UBT News/

Continue Reading

Aktualitet

Kosova ballë për ballë me Sulmet Kibernetike!

Published

on

Në një botë gjithnjë e më të lidhur dhe të digjitalizuar, ku informacioni dhe teknologjia janë jetike për funksionimin e shoqërive dhe shteteve, kërcënimet kibernetike kanë evoluar në një sfidë të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare. Kosova, një shtet i ri që po kalon faza të rëndësishme të zhvillimit dhe integrimit në komunitetin ndërkombëtar, është vendosur në një pikë kyçe. Kërcënimet kibernetike, që nga sulmet ndaj sektorëve kritikë si financat dhe energjia, deri te vjedhjet e të dhënave dhe manipulimi i informacionit, po e sfidojnë çdo hap të avancimit të vendit.

Kosova, si shumë shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, është e ekspozuar ndaj një mori rreziqesh që burojnë nga përdorimi gjithnjë e më i gjerë i internetit dhe platformave digjitale. Këto sulme nuk janë vetëm teknologji të avancuara që shfrytëzojnë hapësirat e errëta të rrjetit, por janë gjithashtu një luftë për informacionin, për të dhënat dhe për sigurinë e individëve dhe institucioneve. Rreziku që qytetarët e Kosovës të bëhen viktima të krimeve kibernetike, përfshirë vjedhjen e të dhënave personale, mashtrimet online dhe sulmet ndaj institucioneve të shtetit, është gjithnjë e më real. Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe teknologjike, kjo luftë po kërkon një reagim të shpejtë dhe të koordinuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë: nga qytetarët, institucioni dhe sektori privat, deri te partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst, një pyetje e thellë dhe filozofike lind, si mund të ruajmë sigurinë në një epokë ku kufijtë ndërmjet botës reale dhe asaj digjitale janë shkrirë? A mund të gjejmë ekuilibrin midis zhvillimit teknologjik dhe mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë? Si mund të mbrojmë një shtet që është ende në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, përballë kërcënimeve që janë globale, por që gjithashtu kanë natyrë shumë specifike dhe të ndjeshme për realitetin kosovar? Ky është një debat që kërkon përgjigje të thella dhe angazhim të vazhdueshëm për të ruajtur një rend të sigurt dhe të drejtë në këtë botë digjitale që po formohet me shpejtësi.

Përballë këtyre kërcënimeve, përgatitja e institucioneve, ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe krijimi i një mjedisi të besueshëm online janë më të rëndësishëm se kurrë. Kosova duhet të jetë e gatshme të reagojë ndaj këtyre sfidave dhe të ndërtojë një mbrojtje të fortë kibernetike, e cila nuk është vetëm mbrojtje teknologjike, por një angazhim moral dhe qytetar për të ruajtur lirinë, sigurinë dhe prosperitetin e një shteti të ri në botën digjitale.

Alban Maliqi: Kosova është një shtet i ri dhe ka kapacitete të kufizuara për të luftuar sulmet kibernetike

Në pyetjen se cilat janë kërcënimet më të mëdha kibernetike me të cilat përballet aktualisht Kosova, profesori Alban Maliqi, ekspert dhe profesor në Studimet e Sigurisë shpjegoi disa nga kërcënimet më të mëdha kibernetike që po sfidojnë Kosovën.

Maliqi theksoi se, aktualisht, Kosova është e ekspozuar ndaj një morie kërcënimesh kibernetike, të cilat prekin si sektorin publik, ashtu edhe atë privat. “Rreziku më i madh mbeten qytetarët e Kosovës”, deklaroi ai. Po ashtu, ai u shpreh se digjitalizimi i shërbimeve publike ka rritur ndjeshëm rrezikun nga sulmet kibernetike. “Çdo hap që bëjmë në përparimin e shërbimeve online, shërben si mundësi për sulme të reja, veçanërisht për ata që nuk janë të kujdesshëm”, tha Maliqi, duke paralajmëruar se këto sulme mund të kenë pasoja të rënda për qytetarët, si për jetën personale, ashtu edhe për atë profesionale.

Ai theksoi veçanërisht sektorin financiar si një nga më të ndjeshmit ndaj këtyre sulmeve. “Për shkak të rritjes së shërbimeve financiare online, qytetarët dhe institucionet bankare janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj sulmeve që mund të cenojnë integritetin e transaksioneve dhe të dhënave të ndjeshme”.

Profesori Maliqi shpjegoi gjithashtu se kërcënimet kibernetike në Kosovë janë shumëdimensionale dhe kërkojnë një përgjigje të përbashkët nga qeveria dhe shoqëria civile. Sipas tij, “Kosova duhet të ballafaqohet me këto kërcënime duke rritur kapacitetet e saj institucionale dhe duke investuar më shumë në mbrojtjen e sigurisë kibernetike”.

Sa i përgatitur është sistemi ynë i sigurisë kibernetike për t’iu kundërvënë sulmeve të avancuara, Prof. Maliqi ka një vlerësim të qartë, “Kosova ka krijuar një bazë ligjore dhe një strategji kombëtare për të përballuar kërcënimet kibernetike, por legjislacioni aktual është larg të qenurit i mjaftueshëm”. Ai shpjegon se, megjithëse ka pasur përpjekje për të krijuar një kuadër ligjor, ai nuk është ende në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe kërcënimet që evoluojnë vazhdimisht.

Maliqi ka vënë në dukje se sektori publik dhe privat duhet të investojnë më shumë në përmirësimin e sistemeve të sigurisë për të mbrojtur infrastrukturat kritike, duke theksuar se: “Mungesa e investimeve të mjaftueshme mund të ketë pasoja serioze për sigurinë e vendit”. Ky koment është një alarm për të gjithë ata që mendohen për sigurinë e shtetit të Kosovës dhe nevojën për një plan të fortë dhe afatgjatë për mbrojtjen e informacionit dhe resurseve të rëndësishme.

A ndikon zhvillimi i shpejtë teknologjik në Kosovë në rritjen e rrezikut për sulme kibernetike, përgjigja e Prof. Maliqit është një pohim i drejtpërdrejtë mbi sfidat që ka përballë Kosova në këtë drejtim: “Zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe digjitalizimi kanë sjellë përfitime, por ato gjithashtu kanë rritur ndjeshëm rrezikun për sulme kibernetike”. Ai argumenton se, ndërsa teknologjia i jep mundësi për avancimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit, ajo gjithashtu i bën vendet të tilla si Kosova të ekspozuara ndaj rreziqeve që vijnë nga kriminelët kibernetikë. Kosova është një shtet i ri dhe ka kapacitete të kufizuara për të luftuar këto sulme”, shton ai, duke theksuar se shpejtësia e zhvillimit të teknologjisë është një përballje me rreziqe të dyfishta për shtetet që nuk kanë burime të mjaftueshme.

Në këtë kontekst, profesori rekomandon një bashkëpunim më të ngushtë me shtetet aleate të Kosovës, duke përmendur modelin e shteteve më të zhvilluara që kanë krijuar një strategji të suksesshme për menaxhimin e këtyre kërcënimeve.

Si ndikon niveli i ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe institucioneve për rreziqet kibernetike në ruajtjen e sigurisë kombëtare, Profesor Maliqi thekson se ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe institucioneve është një element kyç për mbrojtjen e sigurisë kombëtare: “Një ndërgjegjësim i lartë mund të funksionojë si një preventivë e fuqishme”. Ai sugjeron që duhet të organizohen fushata të vazhdueshme edukative për qytetarët, pasi “Një pjesë e madhe e popullsisë nuk i kuptojnë pasojat që vijnë nga krimet kibernetike”, dhe si rezultat, ata janë më të predispozuar të bien viktima të mashtrimeve dhe sulmeve.

Sa të ekspozuar janë qytetarët kosovarë ndaj sulmeve kibernetike që synojnë të dhënat e tyre personale, Prof. Maliqi vë në dukje se qytetarët e Kosovës janë gjithashtu të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike që synojnë të dhënat e tyre personale, siç ndodh në çdo vend tjetër: “Edhe qytetarët e Kosovës nuk janë imun ndaj krimeve kibernetike“, theksoi ai.

Maliqi shpjegoi se, ndërsa ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale ekzistojnë, Kosova ka një sfidë të veçantë pasi “Nuk njihet nga disa platforma të mëdha sociale”, dhe kjo e bën më të vështirë mbrojtjen institucionale të qytetarëve të saj.

Profesori theksoi se, si pasojë e zhvillimit të teknologjisë, format dhe metodat e krimeve kibernetike po evoluojnë vazhdimisht: “Mashtrimet financiare online, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe private, si dhe shantazhi përmes materialeve të ndryshme, janë disa nga format më të reja që po shfaqen”.

Për të luftuar këto kërcënime, ai theksoi se Kosova ka krijuar një bazë ligjore dhe ka zhvilluar strategji institucionale për parandalimin e krimit kibernetik. Megjithatë, ai theksoi se “Nuk është i mjaftueshëm vetëm ligji, është e rëndësishme të investohet në mekanizma mbrojtës dhe të sigurohet zbatimi i plotë i legjislacionit”.

Mejreme Asllani: Mungesa e ndërgjegjësimit krijon një terren të favorshëm për krimin kibernetik

Mejreme Asllani, njohëse e fushës së sigurisë dhe eksperte e njohur në studimin e kërcënimeve kibernetike, diskutoi rreth sfidave të mëdha që Kosova po përballet në fushën e sigurisë kibernetike. Asllani theksoi se, “Avancimi i shpejtë i digjitalizimit dhe varësia e shoqërisë nga teknologjia po krijojnë një terren shumë të përshtatshëm për sulme kibernetike”. Ajo theksoi se, ndonëse shtetet më të zhvilluara janë gjithashtu të rrezikuara, për vendet më të vogla dhe ato në zhvillim, si Kosova, përballja me këto kërcënime është më e vështirë, pasi burimet dhe kapacitetet janë më të kufizuara.

Asllani nënvizon se kërcënimet që i kanosen Kosovës janë të natyrave të ndryshme, duke përfshirë phishing, malware, ransomware, dhe vjedhjen e të dhënave. “Përveç pasojave të drejtpërdrejta si shkeljet e privatësisë dhe vjedhja e të dhënave personale, këto sulme mund të çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut, rrezikimin e infrastrukturës kritike dhe rrezikimin e sigurisë kombëtare”, shpjegoi ajo. Sipas Asllanit, për të parandaluar dhe përballur kërcenimet kibernetike Kosova duhet të ketë zbatueshmëri të infrastrukturës ligjore dhe kordinim ndërinstitucional në nivel vendor, ndërsa bashkëpunim më të madh në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Sa i përgatitur është sistemi ynë i sigurisë kibernetike për t’iu kundërvënë sulmeve të avancuara, Asllani theksoi se Kosova ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim. “Kosova përballet me një numër sfidash të mëdha në fushën e sigurisë kibernetike, përfshirë mungesën e normave dhe rregulloreve të përshtatshme”. Ajo theksoi gjithashtu se mungesa e ndërgjegjësimit publik është një tjetër pengesë e madhe, që krijon një terren të favorshëm për krimin kibernetik. “Kur nuk ka informacion të mjaftueshëm dhe nuk krijohet një kulturë sigurie, qytetarët dhe organizatat janë më të predispozuar ndaj kërcënimeve”.

Mungesa e një legjislacioni të plotë dhe i infrastrukturës mbrojtëse është një tjetër shqetësim. “Nëse Kosova nuk e forcon më tej kapacitetin e saj institucional dhe ligjor, do të jetë shumë e vështirë të përballojë sulmet kibernetike të nivelit të avancuar”, shtoi Asllani. Ajo theksoi se “investimi në siguri kibernetike duhet të jetë prioritet i shtetit dhe të gjitha sektorëve që ofrojnë shërbime për qytetarët”.

Sa të ekspozuar janë qytetarët kosovarë ndaj sulmeve kibernetike që synojnë të dhënat e tyre personale, Asllani e theksoi se qytetarët e Kosovës janë shumë të ekspozuar ndaj kërcënimeve kibernetike që lidhen me vjedhjen e të dhënave personale, siç ndodh në shumë vende të tjera. “Të dhënat personale janë një objekt i lakmueshëm për kriminelët kibernetikë, dhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm kur përdorin platforma online”.

Ajo theksoi se, megjithëse ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale ekzistojnë, Kosova ka ende shumë për të bërë në zbatimin e tyre, duke përfshirë edhe një rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave të qytetarëve. Së fundmi,  Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka fituar statusin e Anëtarit Vëzhgues në Aktivitetet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), një hap i rëndësishëm ky që Kosova të harmonizojë politikat e saj me standarded Evropiane të GDPR (General Data Protection Regulation) për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë.

A po shfaqen forma të reja të krimit kibernetik në Kosovë, përgjigjja e Asllanit është një alarm për përhapjen e kërcënimeve të reja: “Me zhvillimin e vazhdueshëm të teknologjisë, krimi kibernetik është gjithnjë në evoluim. Kampanjat dezinformuese, si ato që janë sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia, janë një shqetësim serioz për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit”, shtoi ajo.

Për të luftuar këto kërcënime, Asllani theksoi rëndësinë e një baze ligjore të fortë dhe të investimeve në sisteme mbrojtëse. “Përveç krijimit të ligjeve, është e domosdoshme që ato të zbatohen në praktikë dhe që të investohet më shumë në teknologji dhe ndërtimin e kapaciteteve të tjera ndërlidhëse për të krijuar një hapsirë kibernetike sa më të qëndrueshme”.

Sumeja Veseli: Përfshirja e sigurisë kibernetike në shkollat e Kosovës është e domosdoshme

Sumeja Veseli, një profesioniste e certifikuar në Cyber Security dhe Software Engineering, si dhe përfaqësuese e grave në Sigurinë Kibernetike e vlerëson edukimin në sigurinë kibernetike si “thelbësore” për të rinjtë e Kosovës. Ajo thekson se “Përfshirja e sigurisë kibernetike në shkollat e Kosovës është e domosdoshme”, duke pasur parasysh faktin që shoqëria e sotme është gjithnjë e më shumë e digjitalizuar dhe se përdorimi i internetit dhe teknologjive është bërë një pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Sipas saj, “të rinjtë janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj kërcënimeve të ndryshme kibernetike si vjedhja e të dhënave, bullizmi online, dhe lajmet e rreme”, dhe kjo situatë është përkeqësuar nga njohuritë e pamjaftueshme që ata kanë në lidhje me sigurinë kibernetike.

Veseli thekson se pa një edukim të duhur, shumë të rinj janë të papërgatitur për të menaxhuar këto rreziqe. Ajo thekson gjithashtu se në një shoqëri gjithnjë e më të digjitalizuar, njohuritë për sigurinë kibernetike janë të rëndësishme edhe për zhvillimin e aftësive profesionale të të rinjve, të cilat janë shumë të kërkuara në tregun e punës. “Njohuritë për sigurinë kibernetike janë të rëndësishme për të ndihmuar të rinjtë të bëjnë dallimin mes informacionit të saktë dhe lajmeve të rreme, dhe t’i përdorin mediat dhe teknologjinë në mënyrë etike dhe të sigurt”.

Për Veselin, “integrimi i sigurisë kibernetike në arsim është një investim për një shoqëri të informuar, të sigurt dhe të përgatitur për të përballuar rreziqet e epokës digjitale”. Ajo nënvizon se kjo është një përpjekje për të përgatitur të rinjtë për sfidat e ardhshme dhe për t’i mundësuar ata të zhvillohen si qytetarë të përgjegjshëm që janë të vetëdijshëm për rreziqet e teknologjisë dhe mund të përdorin internetin në mënyrë të sigurt.

A mendon se kjo fushë është mjaftueshëm e mbështetur në sistemin arsimor aktual, Veseli është shumë kritike për situatën e aktuale të edukatës në sigurinë kibernetike në shkollat e Kosovës, duke theksuar se aktualisht kjo fushë nuk është “mjaftueshëm e mbështetur”. “Edhe pse ka përpjekje për përfshirjen e teknologjisë dhe edukatës mediatike, implementimi i sigurisë kibernetike mbetet ende në faza të hershme”, tha ajo. Ajo gjithashtu theksoi se shumë shkolla nuk kanë mësues të trajnuar për të dhënë mësime në këtë fushë, dhe nxënësit po humbin mundësi të mëdha për zhvillimin e aftësive të nevojshme për të mbrojtur veten në internet.

Një tjetër problem, sipas Veselit, është “infrastruktura digjitale në disa shkolla të Kosovës”, e cila është e pamjaftueshme për të integruar në mënyrë efikase temat e sigurisë kibernetike. Pa një përmirësim të infrastrukturës dhe investime të vazhdueshme, është shumë e vështirë të krijohet një mjedis mësimor që mund të mbështesë edukimin e sigurisë kibernetike.

Veseli theksoi se për të përballuar këtë sfidë, është e nevojshme që të bëhen “përpjekje më të koordinuara dhe të qëndrueshme” për të mbështetur këtë fushë dhe për të siguruar që të rinjtë të kenë njohuri të mjaftueshme për të mbrojtur veten dhe informacionin e tyre personal në një mjedis gjithnjë e më të digjitalizuar. Ajo theksoi rëndësinë e “përgatitjes së mësuesve”, duke theksuar se vetëm me mësues të trajnuar dhe resurse të nevojshme mund të sigurohet një arsim cilësor që do të ndihmojë të rinjtë të përballen me rreziqet e sigurisë kibernetike.

Në përfundim, Sumeja Veseli shprehu shqetësimin se “gjeneratat e ardhshme do të duan të jenë më të vetëdijesuar dhe të përgatitur për të mbrojtur veten, dhe ky është një detyrim që duhen mbështetur me investime të mëdha në arsim dhe teknologji”.

Në një botë që gjithnjë e më shumë po varet nga lidhjet digjitale dhe zhvillimi i teknologjisë, sfidat që na paraqiten për mbrojtjen e sigurisë kibernetike janë të paevitueshme dhe të shumëfishta. Kosova, si një shtet që ende po kalon fazat e konsolidimit të institucioneve dhe zhvillimit ekonomik, ka përballë një detyrë të madhe: ruajtjen e një balanci mes përdorimit të teknologjisë për avancim dhe mbrojtjes së privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve të saj.

Në këtë kontekst, filozofikisht mund të pyesim: A mund të ruhet një rend i drejtë dhe i sigurt në një realitet ku kufijtë mes botës fizike dhe asaj digjitale janë të mjegulluara? Kjo sfidë kërkon një reflektim të thellë për mënyrën sesi ne kuptojmë dhe ruajmë sigurinë dhe lirinë në epokën digjitale, duke balancuar nevojën për zhvillim me respektin për privatësinë dhe mbrojtjen e të drejtave individuale. Në fund të fundit, përpjekjet për një siguri të qëndrueshme dhe të përgjegjshme nuk mund të mbështeten vetëm në teknologji, por në një angazhim të thellë moral dhe qytetar, që kërkon një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë./UBTNews/

 

Artikulli i shkruar nga Dionesa Ebibi

 

 

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara