Jorgani që reperi i njohur A$AP Rocky veshi në ngjarjen e madhe të modës Met Gala, ishte bërë i gjithi nga duart e stërgjyshës së dikujt!
Mbesa e krijueses origjinale ka ndarë historinë e veshjes së reperit, pasi ajo e kishte njohur punën e dorës së stërgjyshes së saj në tapetin e kuq të Met Gala-s, transmeton UBT News.
Rihanna dhe A$AP Rocky nuk ishin as të sigurt se do të shkonin në Met Gala 2021, por me sa duket ata kishin planifikuar veshjet e tyre për çdo rast!
Rihanna dhe A$AP Rocky në Met Gala 2021.
Këngëtarja zgjodhi një veshje nga koleksioni i Demna Gvasalia Balenciaga Couture, ndërsa reperi zgjodhi ERL, duke hedhur mbi kostumin e tij një jorgan shumëngjyrësh lara-lara.
Kurse jorgani i veshur nga reperi i referohej një tradite të punuar me dorë, që përfshin historinë e kombit.
Sidoqoftë, një aspekt edhe më personal i historisë së tij është zbuluar së fundi, përcjell UBT News.
Në një postim të fundit në Instagram, një grua e quajtur Sara pretendon se jorgani ishte projektuar nga stërgjyshja e saj, dhe ajo ka ndau edhe dëshmi për këtë!
“Mbulesa e stërgjyshes sime iu dhurua një dyqani antik pak kohë më parë”, shkruan Sara në postim. “Kur pashë foton e Met Gala-s kuptova menjëherë se duhej të ishte i njëjti jorgan. Lexova artikullin e Vogue për projektuesin që gjeti jorganin në Kaliforninë Jugore dhe me zyrën e tij jo shumë larg nesh në Venecia California, kërkova që nëna ime të shkonte të kërkonte fotot e saj në shtratin tonë të vjetër”.
Duke sqaruar se ajo është në bord me transformimin e punës së stërgjyshes së saj, ajo vazhdoi: “M’u duk e mahnitshme që diçka që stërgjyshja ime e bëri nga dashuria për nënën time që të përdorej për ta mbajtur të ngrohtë dhe u dhurua në mënyrë që mund të mbajë dikë tjetër të ngrohtë ose për t’u shitur për të mbledhur fonde për një bamirësi të bukur, përfundoi duke u përdorur për një vepër arti të mahnitshme nga njerëz jashtëzakonisht të talentuar që e çuan atë në një nivel tjetër”.
Sigurisht, ky nuk është “obsesioni” i parë i A$AP Rocky me ‘veshjet e gjysheve’. Ai edhe më herët ishte parë me një shall, pas vendosjes së të cilit ishte kthyer në figurë qendrore të meme-ve në internet./UBTNews
Kosova ka zënë vendin e parë në kategorinë e edukimit joformal në kuadër të Çmimit Rajonal për Vullnetarizmin Edukativ, në mesin e nëntë shteteve pjesëmarrëse.
Çmimi iu nda Klubit të Super-Vullnetarëve “Dituria”, nga shkolla “Dëshmorët e Kombit” në Suharekë, për kontributin në promovimin e vullnetarizmit dhe edukimit joformal.
Vlerësimi u bë gjatë ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare, të organizuar nga TOKA, Instituti i Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës dhe New Horizons Foundation. Konferenca mblodhi përfaqësues institucionalë, organizata dhe profesionistë nga Kosova dhe rajoni, me fokus promovimin e vullnetarizmit, edukimit joformal dhe mirëqenies së të rinjve.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe zëvendësministri i Sportit dhe Rinisë, Sejnur Veshall, zëvendësudhëheqësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alexis Hupin, ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Lirim Daci, si dhe drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe Çmimet Rajonale për Shëndetin Mendor, me të cilat u vlerësuan nismat që kontribuojnë në mirëqenien dhe mbështetjen e të rinjve.
Ndërkaq, zëvendësministri Veshall ndau edhe Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit 2026 në kategorinë e rinisë. Për punën dhe ndikimin e tyre përmes angazhimit vullnetar u vlerësuan Hekuran Mustafa, Ernest Dula dhe Mjalta Lezi.
Ky vlerësim nënvizon kontributin e të rinjve nga Kosova në promovimin e solidaritetit, aktivizmit dhe përgjegjësisë shoqërore./A.K/
Ekspozita “Rikthim në traditë – Veshjet popullore të shqiptarëve” është hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Kosovë–Shqipëri.
Ekspozita është organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ku janë prezantuar fotografi historike nga fondet arkivore të të dy institucioneve.
Përmes këtyre fotografive, publiku pati mundësinë të shohë larminë dhe veçantinë e veshjeve tradicionale shqiptare, si dhe të njihet me aspekte të jetës së përditshme dhe figura të njohura të historisë, artit e kulturës shqiptare.
Përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dr. Denald Prifti, vlerësoi kontributin e fotografëve të hershëm shqiptarë, përfshirë edhe fotografët e familjes Marubi, për dokumentimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kombëtare.
Ai theksoi rëndësinë e fotografive historike në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës te brezat e rinj, si dhe vlerën e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, i cilësoi veshjet popullore si një nga shprehjet më të pasura të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke veçuar xhubletën si dëshmi të rrallë të mjeshtërisë tradicionale.
Ekspozita synon të kontribuojë në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore shqiptare./A.K/
Biblioteka e UBT-së në kampusin universitar është pasuruar me një donacion të ri nga Ambasada Italiane, i cili përfshin romane, novela dhe DVD.
Materialet e dhuruara do të jenë në dispozicion të studentëve të fakulteteve të UBT-së, si dhe të nxënësve të shkollave të mesme, duke u ofruar atyre mundësi shtesë për lexim, mësim dhe njohje me kulturën italiane.
Me këtë rast, rektori i UBT-së ka pritur ambasadorin italian dhe përfaqësuesit e Ambasadës Italiane në ambientet e kampusit. Gjatë takimit është bashkëbiseduar rreth donacionit dhe rëndësisë së pasurimit të fondit bibliotekar me materiale të reja edukative dhe kulturore.
Ky donacion kontribuon në promovimin e leximit, edukimit dhe shkëmbimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Italisë, duke krijuar më shumë mundësi për studentët dhe gjeneratat e reja.
Seriali humoristik “Familja moderne”, një ndër prodhimet më të ndjekura të publikut në Kosovë, rikthehet në ekranin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) me cilësi të lartë të figurës, në formatin HD. Njoftimi u dha nga televizioni publik përmes rrjeteve sociale, duke ftuar shikuesit të rijetojnë momentet komike që kanë shoqëruar breza të tërë.
Për vite me radhë, seriali mblodhi familjet para ekranit me batutat, personazhet e veçantë dhe situatat e përditshme që mbeten të paharrueshme në historinë televizive vendore. Rikthimi i tij pritet të sjellë nostalgji për shikuesit e hershëm, por edhe t’u japë mundësi brezave të rinj ta zbulojnë për herë të parë.
“Ju mungonte? Edhe neve. ‘Familja moderne’ kthehet në RTK, tani në HD. Të njëjtat qeshje, më shumë pikselë”, thuhet në njoftimin e RTK-së. Sipas televizionit publik, transmetimi do të nisë çdo të diel nga ora 20:05. /E.A/