Lajmet

Stalini dhe Putini, ngjashmëritë dhe dallimet midis 2 diktatorëve

Sipas autorit të njohur britanik, Simon Sebag Montefiore.

Published

on

Nga Simon Sebag Montefiore

“New Statesman”

Kur të ftuarit e vizitonin Vladimir Putin në zyrën e tij në Kremlin, ai u tregonte raftet e librave dhe i kërkonte të zgjidhnin një libër nga biblioteka e Josif Stalinit. Gjysma e librave të Stalinit – zakonisht të shënuara nga vetë udhëheqësi sovjetik me stilolaps të kuq ose jeshil – mbeten në zyrën e Putinit.

Siç më tha një nga ministrat e tij, Putin u kërkonte vizitorëve të hapnin librin, dhe ata do të shihnin së bashku shënimet që kishte lënë Stalini. Tek disa kishte ndonjë pasthirrmë ironike:“Ha-ha-ha”. Ndonjëherë ndonjë shprehje përbuzjeje. Dhe tek të tjerët kishte vetëm një fjalë. Kështu Stalini kishte shkruar fjalën “mësues” në biografinë e Ivanit të Tmerrshëm.

Sot njerëzit në mbarë botën po pyesin nëse Putini është Stalini i ri. Karl Marksi tha dikur me shaka se “historia përsëritet dy herë, herën e parë si tragjedi dhe pastaj si një komedi”. Në fakt nuk është, por çdo sundimtar rus përballet me disa nga të njëjtat çështje si carët e mëparshëm Romanov dhe sekretarët e përgjithshëm të Partisë Komuniste.

Shumica e liderëve rusë kanë aspiruar të imitojnë arritjet e dy sundimtarëve më të shquar modernë, Pjetrit të Madh dhe Stalinit, të dy carë revolucionarë, dhe që të dy vrasës brutalë. Unë shpresoj që një ditë Rusia të qeveriset nga dikush që nuk e admiron asnjërin prej tyre. Megjithatë Putini nuk është një Stalin. Stalini ishte marksist, ndërsa Putini është një tiran i shekullit XXI, që ndonëse ka kopjuar elementë të Romanovëve dhe imperializmit sovjetik, është një populist dhe nacionalist, një praktikues i politikave të identitetit të këtij shekulli, që e përdor ende armët e modës së vjetër, po ashtu edhe armët e reja të teknologjisë së lartë si mediat sociale.

Megjithatë ndikimi i Stalinit është i çimentuar kudo në strukturën shtetërore të Rusisë. Represioni i Putinit në Rusi i ngjan gjithnjë e më shumë tiranisë staliniste, në kultin e saj të frikës, në tubimet e shfaqjeve patriotike, shtypjen e protestave, gënjeshtrat e pacipa dhe kontrollin total të medias, edhe pse pa internime dhe pushkatime masive.

Deri më sot. Dhe kjo nuk është diçka e habitshme pasi shteti modern rus që formoi Stalini në fillimin e viteve 1920, nuk u shpërbë kurrë në turbulencat demokratike të viteve 1990. Pavarësisht nga fasada e tij demokratike, ekzekutivi rus mbeti një autokraci në të cilën presidentët – të ngjashëm me carët e hershëm – zgjodhën pasardhësit e tyre siç kanë bërë Boris Jelcin dhe Putin.

Organizata e sigurisë e themeluar nga Lenini, ÇEKA, e formuar dhe e mikromenaxhuar nga Stalini, e njohur me një sërë shkurtesash të zymta – OGPU, NKVD, MGB, KGB, FSB, u nda nga presidenca në kohën e Jelcinit, por nuk u çmontua asnjëherë.

Si një ish-nënkolonel i KGB-së, Putin është një “çekist” krenar. Pastaj është Ukraina, një vend që u shtyp brutalisht nga Stalini, dhe që sot është sulmuar nga Putin. Presidenti rus ndan një pjesë të vendosmërisë së Stalinit për të likuiduar me çdo kusht kombësinë dhe pavarësinë e Ukrainës.

Dallimet midis të dyve janë po aq të mëdha sa edhe ngjashmëritë. Por ndoshta janë ngjashmëritë, ato që kanë sot rëndësi. Në shumë aspekte Stalini e ka lënë në hije jetën e Putini. Në vitin 1952, kur Stalinit i kishte mbetur një vit jetë, Putini lindi në Leningrad në një Bashkim Sovjetik multi-etnik të skalitur nga Stalini, arritjet e të cilit e dominuan botën e Putinit.

Me një kosto njerëzore të tmerrshme, Stalini e shndërroi pa mëshirë BRSS në një forcë të industrializuar, mundi Hitlerin, sulmoi Berlinin, pushtoi Evropën Lindore dhe e bëri Rusinë një superfuqi bërthamore. Fitorja e vitit 1945 u bë ngjarja që e justifikon autokracinë e Putinit sot.

Putini i ka lavdëruar arritjet e Stalinit, duke theksuar se “që nga viti 1924 deri në vitin 1953, vendi që sundoi Stalini, ndryshoi nga një shoqëri agrare në një shoqëri industriale”. Sa i përket Luftës së Dytë Botërore ai është shprehur se “askush tani nuk mund të hedhë gurë mbi ata që organizuan dhe qëndruan në krye të kësaj fitoreje”.

Ai e sheh Stalinin si një titan me të meta, i lindur për revolucione si Oliver Kromuelli apo dhe Napoleoni. “Stalini ishte një produkt i kohës së tij”- i tha Putin regjizorit të Hollivudit, Oliver Stoun. “Historia angleze ka Kromuellin… Napoleoni është pothuajse një zot në Francë. Historia është e mbushur plot me personazhe të tillë”- shtoi ai.

Stalini dhe Putin ndajnë besimin se autokracia, e mbështetur nga imponimi, është mënyra më e mirë për të menaxhuar Rusinë. “Rusët kanë nevojë për një Car”- thoshte Stalini. Edhe Putin bie dakord me të. Të dy janë të fiksuar pas historisë. Sa herë që Putin takon historianët, ai i pyet “Si do të më gjykojë historia?”.

Historia është vazhdimisht e pranishme për të dy. Kur ish-ambasadori amerikan në Bashkimin Sovjetik, U.Averell Harriman, e uroi Stalinin për pushtimin e Berlinit, ai u përgjigj:“Po, por Aleksandri I pushtoi Parisin”. Por edhe dallimet janë mbresëlënëse. Stalini ishte një gjeorgjian, i lindur me mbiemrin Xhugashvili. Putin, i lindur në Leningrad, e theksoi që në ditët e para të pushtimit të Ukrainës “Unë jam një rus!”. Stalini ishte një marksist fanatik internacionalist; ndërsa Putin beson në “botën ruse”, duke filluar që me konvertimin ortodoks të Vladimirit të Madh në vitin 1918.

Ai e përbuz ideologjinë marksiste, duke besuar se revolucioni leninist shkatërroi perandorinë ruse. Duke iu shmangur komunizmit, ai promovon kapitalizmin Kremlin-KGB. Stalini, i cili nuk kishte asnjë interes për paratë dhe kishte vetëm disa uniforma (megjithëse i pëlqente përdorimi i pallateve të rehatshme) do të ishte i neveritur nga vulgariteti i jahteve dhe avionëve të ultra të pasurve rusë.

Stalini jetoi për 20 vjet si revolucionar i fshehtë, brenda dhe jashtë burgjeve dhe Siberisë. Putin i ngjiti shkallës e karrierës si një operativ i vogël i KGB-së në kohën e stanjacionit monumental të burokracisë sovjetike.

Stalini besonte se socializmi mund të përhapej vetëm përmes vrasjeve dhe terrorit. Stalini vrau deri në 20 milionë njerëz të pafajshëm; 18 milionë u futën në në gulagët e tij; dhe shumica prej tyre nuk u kthyen më kurrë në shtëpitë e tyre.

Putin përdor atentate kirurgjikale, edhe pse shpeshherë spektakolare, duke preferuar helmet ekzotike. Edhe pse arritjet e Stalinit, u shoqëruan me një kosto të papranueshme, Putin tha në vitin 2017 në dokumentarin e Stoun se “demonizimi i tepruar i Stalinit, është një mjet për të sulmuar Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë”.

Edhe pse komunizmi nuk ekziston më, forcat e policisë sekrete të Stalinit janë të paprekura dhe mbeten një element qEndror në mbretërimin e Putinit. Stalini kooptoi qëllimisht kulturën kriminale ruse në ÇEKA, duke e personifikuar vetë lidhjen gangster-bolshevik.

Ai fitoi mbështetjen e Leninit duke organizuar grabitje bankash me një bandë mafiozësh dhe psikopatësh për të financuar Partinë Komuniste. Kur një marksist idealist iu ankua Leninit për dhunën e Stalinit, ai u përgjigj:“Ky është lloji i njerëzve që na duhet!”.

Putin ka një lidhje të veçantë me shërbimet sekrete. Gjyshi i tij Spiridon Putin ishte një kuzhinier që filloi punë në hotelin Astoria në Shën Petersburg, ku gatuante për Rasputinin. Më pas iu bashkua “stafit të shërbimit” të OGPU/NKVD që punonte në vilat shtetërore, duke i shërbyer Leninit dhe Stalinit.

Si një student i ri në fakultetin juridik, Putin iu bashkua KGB-së në vitin 1975. Gjatë mbretërimit sklerotik të Leonid Brezhnjevit (1964-1982), KGB nën drejtimin e të talentuarit Juri Andropov ishte e vetmja organizatë që e ruajti prestigjin e saj. Në vitin 1991 Putin ishte duke punuar si nënkolonel i KGB-së në Drezden të Gjermanisë Lindore kur u shemb Bashkimi Sovjetik.

Ai u rikthye në shtëpi i dëshpëruar. Kur u ngjit në pushtet si kryeministër në dhjetorin e vitit 1999, ai u besoi mbi të gjitha “çekistëve”. Miku i tij i vjetër dhe ish-drejtori i FSB-së, Nikollai Patrushev, që tani është sekretar i Këshillit rus të Sigurimit, ka deklaruar në një rast se oficerët e KGB-së:“nuk janë në punë për paratë… ata janë fisnikëria e re”.

Por është një fisnikëri me etikën e një gangsteri. Siç e pranoi edhe Putin kur sulmoi çeçenët: “Ne do t’i vrasim ata edhe në shtëpitë e tyre!”. Ata që e tradhtuan këtë “urdhër fisnik”, si Aleksandër Litvinenko dhe Sergei Skripal do të likuidoheshin, ashtu si Stalini vrau Trockin dhe shumë të tjerë.

Libri i vizitorëve të Stalinit, zbulon se ai kalonte çdo ditë shumë orë me shefat e tij të policisë sekrete. Të dy diktatorët u dehën nga fitoret. Asnjëri nuk ishte i çmendur, por bindja e të qenit i pagabueshëm është një patologji e rrezikshme.

Në moshën 69-vjeçare, Putin është në të njëjtën moshë me Stalinin kur ai bllokoi Berlinin. Edhe në një epokë kur informacioni është i disponueshëm lirisht në internet, Putin është po aq i izoluar sa idhulli i tij. Pas 20 viteve të suksesshme diktaturë, i fshehur në rezidencën e tij në Novo-Ogaryovo, i tmerruar nga Covid-i, i distancuar nga miqtë e tij dikur të besuar, dhe i mashtruar nga një fiksim i deformuar fetishist nacionalist ndaj Ukrainës, Putini e ka keqkuptuar fatalisht patriotizmin pasionant dhe rezistencën e guximshme të ukrainasve.

Por në Rusi, të rinjtë modernë rusë, të mësuar prej kohësh me udhëtimet ndërkombëtare dhe mediat sociale, janë më pak tolerantë ndaj imperializmit irredentist. Ata po protestojnë me guxim. Mijëra prej tyre janë arrestuar; madje edhe elita e ka denoncuar luftën.

Dhjetëra mijëra rusë po nxitojnë të largohen nga vendi. Vendimi i Putin është “racional” brenda botëkuptimit të tij të shtrembëruar. Por ai është pjesë e një loje të madhe për të siguruar trashëgiminë e tij, për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe për të rivendosur një perandori ruse në këtë botë të re të ndërlidhur nëpërmjet teknologjisë së lartë.

Ndërsa kjo luftë mizore dhe sanksionet perëndimore po e dërmojnë shoqërinë ruse, terrori stalinist do të bëhet thelbësor për qëndrimin e Putinit në pushtet. Nëse humbet, ai mund të rrëzohet nga oborrtarët e tij – Carët dhe sekretarët e përgjithshëm janë rrëzuar zakonisht nga grushtet e pallatit dhe jo nga protestat – por ai edhe mund të mbijetojë, siç bëri Sadam Huseini pas dy humbjeve. Nëse do të fitojë, Putin do t’i bashkohet Pjetrit të Madh dhe Stalinit në histori. “Fitimtarët nuk gjykohen asnjëherë”- thoshte dikur Stalini.

Marrë me shkurtime

Shënim: Simon Sebag Montefiore, historian i njohur britanik. Autori i librave bestseller si “Stalini: Në oborrin e Carit të Kuq”./bota.al

lajme

30 për qind bursë për ish-studentët e UBT-së në programet më inovative Master – regjistrohu sot!

Published

on

By

UBT po u ofron të gjithë të diplomuarve të tij një mundësi të veçantë për të vazhduar rrugëtimin akademik dhe profesional, duke përfituar 30% bursë për studimet Master në UBT.

Në një treg pune që po ndryshon me shpejtësi, avancimi i vazhdueshëm profesional po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Për këtë arsye, ish-studentët e UBT-së kanë mundësinë të rikthehen në universitet për të thelluar njohuritë, fituar specializime të reja dhe zhvilluar kompetenca të avancuara, tashmë me një përfitim të veçantë prej 30% bursë.

Kjo mundësi vlen për programet Master të UBT-së, të cilat përfshijnë disa nga fushat më të kërkuara dhe inovative të tregut bashkëkohor, duke u dhënë të diplomuarve mundësinë të zgjedhin një program që përputhet me profesionin, interesat dhe objektivat e tyre të karrierës.

Programet Master në UBT përfshijnë:

  • Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi
  • FinTech dhe Menaxhimi i Inovacionit
  • Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri
  • Sistemet e Informacionit dhe Menaxhment
  • Inxhinieri e Mekatronikës
  • Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë
  • Inxhinieri e Trafikut dhe Transportit
  • Inxhinieri e Energjisë dhe Mjedisi
  • Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor
  • E Drejta Penale
  • E Drejta Civile dhe Pronës
  • E Drejta Komerciale
  • Gjuhë, Media dhe Komunikim
  • Politika Publike dhe Menaxhim
  • Shkenca Politike
  • Studime të Sigurisë
  • Psikologji
  • Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit
  • Shëndet Publik dhe Menaxhim
  • Biokimi
  • Shkencat Paramjekësore
  • Agrikulturë dhe Mjedis
  • Shëndet dhe Aktivitet Fizik

Përmes programeve të orientuara drejt inovacionit dhe nevojave të tregut, UBT synon që studentët Master të fitojnë jo vetëm njohuri të avancuara akademike, por edhe kompetenca profesionale të aplikueshme në praktikë.

Për ish-studentët e UBT-së, kjo është mundësia për ta vazhduar aty ku e nisën – duke e kthyer përvojën universitare në një nivel të ri profesional.

Regjistrohu sot dhe përfito 30% bursë!

Continue Reading

Vendi

PDK paralajmëron veprime jashtë Kuvendit pas refuzimit të kërkesës për seancë

Published

on

By

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se refuzimi për thirrjen e seancës më 12 gusht është një model i sjelljes politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryesuesi Avni Dehari, e jo thjesht një incident procedural. Sipas saj, shkelja e afatit 30-ditor dhe shpërfillja e rregullit për vazhdimin e seancës çdo 48 orë përbëjnë zbatim selektiv të Kushtetutës dhe bllokim të mandatit të deputetëve të zgjedhur më 7 qershor.

Ajo i bëri thirrje Albin Kurtit që ta kthejë vendin në binarë kushtetues, duke theksuar se PDK-ja nuk kërkon pushtet apo marrëveshje partiake, por funksionalizimin e shtetit. Gjithashtu, ajo bëri me dije se PDK-ja do të dorëzojë sërish kërkesë zyrtare për seancë pas 48 orësh dhe do të jetë çdo ditë në Kuvend.

Paralelisht me punën në Kuvend, ajo paralajmëroi zhvendosjen e aktivitetit politik edhe jashtë tij, përmes bashkëbisedimeve me qytetarë dhe grupe të ndryshme shoqërore. Në fund, ajo denoncoi edhe cënimin e integritetit fizik të disa deputetëve të PDK-së nga mbrojtja e afërt, duke njoftuar se për këtë rast do t’i drejtohen Inspektoratit Policor të Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte në Vushtrri

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.S., i cili akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S.S., më 6 prill 1999 në fshatin Reznik të Vushtrrisë, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, mori pjesë në vrasjen e nëntë civilëve shqiptarë. Në këtë ngjarje përfshihet edhe S.T., i cili tashmë është i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale bën me dije se dërgimi i lëndës në gjykatë është hap i rëndësishëm drejt drejtësisë: “Sjellja e përgjegjësve para drejtësisë mbetet prioritet yni kryesor për të vendosur të vërtetën dhe për të sjellë lehtësim për familjarët e viktimave.”

Rasti tanimë i është kaluar Organeve të Drejtësisë për shqyrtim të mëtejshëm gjyqësor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Etnofest përmbyll edicionin e 16-të me ndarjen e 21 çmimeve artistike

Published

on

By

Mbrëmë është mbyllur edicioni i 16-të i EtnoFest-it, ku janë ndarë çmimet për 21 performanca dhe kategori të ndryshme artistike.

Para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, publiku pati mundësinë të ndiqte performancën artistike “Echoes of Origin”, me Flaka Gorancën, e cila solli këngë të njohura shqiptare në një ndërthurje mes traditës dhe muzikës klasike.

Juria profesionale e përbërë nga Bislim Muçaj (kryetar), Artan Arifi (anëtar) dhe Agron Gerguri (anëtar), ndau çmimet në kategoritë e mëposhtme:Etnoperformanca më e mirë: “Echoes of Origin” – Flaka Goranci, për trajtimin artistik të rrënjëve, ku zëri unik dhe ndërthurja e traditës me modernen krijuan një lidhje të veçantë me kujtesën kulturore.

Etnoansambli më i mirë: “Vullkani i Istogut” – Istog, për energjinë, autenticitetin dhe ruajtjen e traditës së Istogut përmes një interpretimi të fuqishëm skenik.

Instrumentisti më i mirë: Blerim Grubi, për mjeshtërinë e lartë në interpretim dhe stilin e veçantë që i jep muzikës tradicionale.

Instrumentistja më e mirë: Lule Elezi, për teknikën e sigurt në piano dhe interpretimin e përpunuar, duke përcjellë melodinë me qartësi, finesë dhe emocion.

Kostumografia më e mirë: Ansambli “Devolli” – Korçë, për kostumet tradicionale të Korçës, të pasura me ngjyra, ornamente dhe të punuara me kujdes.

Koreografia më e mirë: Gjergj Prevazi me “Void”, për kombinimin e lëvizjes, ritmit dhe hapësirës në një koreografi të saktë dhe të fuqishme skenikisht.

Valltaret më të mira: Katerina Gogadhe dhe Chiara Xoxi, për harmoninë e rrallë skenike, sinkronizimin dhe komunikimin e natyrshëm përmes lëvizjes.

Valltari më i mirë: Vasjar Hysa me ansamblin “Afërdita” – Belsh, për ritmin e sigurt, lëvizjet e fuqishme dhe prezencën e spikatur skenike.

Këngëtarja më e mirë: Arta Jashari, për zërin me ngjyra unike, interpretimin dhe ndjeshmërinë e veçantë që përcjell këngën me origjinalitet.

Këngëtari më i mirë: Mustafë Ramaj, për vokalin e fuqishëm dhe interpretimin emocionues, të realizuar me mjeshtëri skenike.

Orkestra më e mirë: Ansambli “Dardanus” nga Tetova, për harmoninë instrumentale dhe interpretimin elegant të trashëgimisë muzikore.

Koncerti artistik më i mirë: Grupi “Tavera” – Izrael, për koncertin që solli në skenë tingujt e traditës së tyre muzikore, duke krijuar një atmosferë të veçantë për publikun.

Shfaqja më e mirë: “Pylli”, produksion i Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, për realizimin mbresëlënës skenik dhe trajtimin e thellë të emocioneve njerëzore.

Regjia më e mirë: Ilir Bokshi, me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, produksion i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, për vizionin e ndërtuar me mjeshtëri dhe ndjeshmëri të thellë regjisoriale.

Aktori më i mirë: Adrian Morina, me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, për interpretimin bindës, emocionet e fuqishme dhe thellësinë psikologjike të rolit.

Aktorja më e mirë: Hajat Toçilla, me shfaqjen “Pylli”, për interpretimin plot emocione dhe vërtetësi që i dha personazhit.

Skenografia më e mirë: Bekim Korça, me shfaqjen “Pylli”, për konceptin pamor origjinal dhe krijimin e një universi skenik funksional e domethënës.

Çmimi për inovacion artistik: “Soloist of GOB” nga Bolonja, Itali, për trajtimin artistik dhe inovativ të motiveve të frymëzuara nga okarina e Runikut, një prej instrumenteve më të hershme të gjetura në trojet shqiptare.

Çmimi special i EtnoFest-it: Armend Baloku me performancën “Lahuta e Malcís”, për një performancë të jashtëzakonshme që përcolli fuqinë e trashëgimisë epike shqiptare dhe mbajti publikun të përfshirë.

Çmimi i karrierës: Selman Jusufi, për një karrierë mbi katër dekada, më shumë se 200 role dhe një kontribut të çmuar në skenën artistike, duke lënë gjurmë të veçanta në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Me këtë ceremoni, edicioni i 16-të i EtnoFest-it u përmbyll duke vlerësuar artistë, ansamble dhe krijues nga Kosova, Shqipëria e vende të tjera, të cilët përmes artit dhe performancës kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. /A.M/

 

Continue Reading

Të kërkuara