Lajmet

Si njoftuan mediat në shqip për zhvillimet në Prekaz më 5 mars 1998

Published

on

Lufta në Prekaz zuri vendin dominant në lajmet e datës 5 mars 1998. E kuptueshme. Përballë propagandës së Serbisë, gazetarët shqiptarë kryen me shumë sukses punën e tyre, duke njoftuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm për çfarë po ndodhte në Kosovë.

Lajmi i parë, me shenjën URGJENT, u dha që në orët e para të mëngjesit.

Qendra për Informim e Kosovës solli këtë ditë të gjitha lajmet për zhvillimet në Prekaz e në krejt Drenicën, duke përdorur kryesisht burimet e saj nga terreni.

 

Edicioni i parë (ora 7:30)

URGJENT! GJENDJE DRAMATIKE NË LLAUSHË E NË PREKAZ

 Forcat serbe ua kanë mësyrë fshatrave

Forca të mëdha serbe po bëhen gati për të sulmuar fshatrat Prekaz dhe Llaushë të Skënderajt.
Një dëshmitar i besueshëm në Llaushë i tha QIK-ut se forcat serbe, në formacione ofanzive këmbësorie po i afrohen fshatit të tij nga tri anë të malit. Depërtimi ka filluar në orën pesë të mëngjesit.
Burimet e LDK-së njoftojnë për një gjendje të njëjtë edhe në fshatin Prekaz i Ulët.
Ndërkohë nga Mitrovica e Gllogoci njoftohet se forca të mëdha serbe po shkojnë në drejtim të Skënderajt.
Një burim i LDK-së në Gllogoc i tha QIK-ut në orën 6,30 min se drejt Skënderajt ishin nisur disa autoblinda me picgauerë dhe xhipa.
Në orën 7 po ky burim tha se në Gllogoc kishin arritur tre autobus me policë dhe disa kamionë.
Në orën 7, 20 një burim nga Skënderaj tha se forca të mëdha serbe me tanke e me autobus po arrijnë vazhdimisht për rreth fshatit Llaushë.
Një burim nga Prekazi tha në orën 7:25 se në moment po dëgjoheshin krisma armësh.
Burimet e LDK-së në Skënderaj thonë se pas masakrave të forcave serbe në Likoshan e Qirez, fshatarët e LLaushës e të Prekazit do të vetorganizohen në mbrojtje të familjeve dhe të shtëpive të veta.
Dega e LDK-së në Skënderaj dhe qytetarët e Drenicës u drejtojnë apel dramatik faktorëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë urgjentisht për të evituar një masakër të re të forcave serbe. /Ora: 7:30/

Edicioni i dytë u botua në orën 8:30.

Lajmet ishin: URGJENT! Në Prekaz shtihet me topa, në Llaushë u plagos me armë zjarri Miftar Rrecaj; Në Shipol të Mitrovicës nuk lejohet qarkullimi i njerëzve; Efekte katastrofale të luftës speciale.

Edicioni i tretë erdhi në orën 9:15: URGJENT! Nga Fabrika e Municionit në Skënderaj po shtihet me topa mbi Prekaz;

Në edicionin e katërt (ora 10:00) njoftohej se “Prekazi vazhdon të gjuhet me topa”. Njoftohej edhe për vendosjen e snajperistëve serbë rreth Presidencës dhe QIK-ut

Edicioni i pestë (ora 10:30) njoftonte për “Sulm masiv serb në një zonë të gjerë të Drenicës”.

Në edicionin e gjashtë (ora 11:50) njoftohej për një konferencë për shtyp, mbajtur nga këshilltari për informim i Kryetarit Rugova, Xhemajl Mustafa.

Lajmet e tjera të këtij edicioni ishin: Popullsia e Drenicës lëviz drejt Vushtrrisë; Kontakte të vështirësuara me fshatrat e Skënderajn; Radio Beogradi njoftoi për plagosjen e dy policëve afër Skënderajt.

Në edicionin e shtatë (ora 13:00) njoftohej se, pas gjuajtjeve nga larg, forcat serbe po u afrohen këmbë fshatrave të sulmuara.

Në edicionin e tetë ishin këta tituj: Dr. Rugova do të bisedojë me z. Robin Kuk; Përfaqësuesit e LDK-së takohen me z. Robin Kuk; Anëtarët e Kryesisë së LDK- së u nisën për në Vushtrri, Mitrovicë e Skënderaj; Situata në Drenicë e pandryshuar; Të larguarit nga vatrat e tyre po lëvizin në drejtim të Mitrovicës dhe të Gllogocit; Nga Spitali i Mitrovicës janë larguar të sëmurët shqiptarë; Gjendje e rëndë në Klinë; Në Prishtinë gjendje e tensionit; KMDLNJ: Lëvizje të forcave serbe në Junik; Të larguarit nga vatrat e veta arritën në Magurë të Lipjanit; Në Mitrovicë arriti Nikollas Hill; Këshilli për Organizimin e Protestave (KOP) shndërrohet në organ të përhershëm; Ollbrajt e Kinkel do të diskutojnë për Kosovën; Kinkel: Kosovën duhet ta bëjmë temë kryesore ndërkombëtare; Toni Bler foli për Kosovën; “Tajms”: NATO është shumë e shqetësuar për Kosovën; “Izvestia” shkruan se Millosheviqit duhet t’i lihen duart e lira në Kosovë; Apel i shtatë organizatave studentore nga Beogradi dhe Novi Sadi; AFP: Kronologji e ngjarjeve në Kosovë; Forca të mëdha policore po parakalojnë rrugëve të Podujevës; Në Bruksel 11 të rinj shqiptarë në ditën e tretë të grevës së urisë; Punëtorët e Institutit të Historisë apelojnë për pengimin e masakrës shtetërore serbe mbi shqiptarët në Kosovë; Shoqata e Intelektualëve të Drenicës apelon për për ndërprerjen e flakës në Drenicë; Akademia e Kosovës dënon ashpër masakrën policore në Drenicë; Policia dhe ushtria serbe kanë rrethuar disa fshatra të Vushtrrisë; Situatë e rëndë edhe në Pejë; “Human Rights Ëatch” kërkon hetime për masakrën e Drenicës; Rojteri njofton për të shtëna mbi policinë serbe dje në Prishtinë; Ndërpriten të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë; Trajkoviqi dhe peshkopi Artemije paralajmëruan një vizitë në Tiranë?

Në edicionin e nëntë (ora: 16:00) botoheshin lajmet: Apel i kryetarit Rugova dërguar Klintonit, Blerit, Shirakut dhe Kolit të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit; Kryetari Rugova bisedoi me telefon me ministrin britanik Kuk; Dr. R. Gjergji e B. Musmurati po qëndrojnë në Vushtrri; Në Prishtinë pasdite u mbyllën dyqanet; Podujevë: Policia u tërhoq nga qyteti i boshatisur nga njerëzit që në mesditë; Reagim i PSHDK-së për ngjarjet e sotme në Drenicë; Agjencia Rojter raportoi për sulmin e sotëm serb në Drenicë; “Kosovë, ne jemi me ty” është motoja e protestës që mbahet sot në Tetovë; PPD, PDSH, PRUP, PAD, RV dhe LGSH nesër në sheshin qendror të Shkupit organizojnë protestë;  Kiro Gligorov: Milosheviqi pret që të përzihet Shqipëria;  Qeveria shqiptare kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB‑së për situatën në Kosovë; Të veprojmë si një komb i vetëm në mbrojtje të interesave kombëtare; Ministri i jashtëm shqiptar kërkon zgjidhjen e problemit të Kosovës në rrugë paqësore;

Edicion i dhjetë (Ora 17,30) kishte këto lajme:  Përfaqësuesit e LDK-së u takuan me Ministrin Robin Kuk; Vazhdon sulmi në Prekaz, Vojnikë e Açarevë; Kumtesë e KI të LDK-së: Serbia po zhvillon luftë speciale propaganduese; Delegacioni i FG të LDK-së u prit në Zyrën amerikane në Prishtinë; Korrespondenti i “Rilindjes” arriti paradite deri në Prekaz të Poshtëm; Apel i PEN-Qendrës Shqiptare PEN-it Ndërkombëtar; Apel i Institutit të Historisë; Apel i Shoqatës së Intelektualëve të Drenicës; Apel i Kryqit të Kuq të Kosovës; Policia pengoi protestën e grave para Zyrës Amerikane në Prishtinë; Disa familje janë vendosur në Miradi të Epërme; Subjektet politike në Mitrovicë kërkojnë ndërhyrje për të shpëtuar popullin e Drenicës; Parlamenti shqiptar sonte mban një mbledhje të jashtëzakonshme; “Human Rights Ëatch” kërkon hetime për masakrën e Drenicës.

Në edicionin e njëmbëdhjetë (Ora 19,30) botohen lajmet: Shtrëngohet rrethimi i fshatit Llaushë; Qeveria e Malit të Zi kërkon dialog serbo- shqiptar me ndërmjetës ndërkombëtar; Në Tetovë u mbajt miting përkrahjeje për shqiptarët në Kosovë; Protestë në Preshevë kundër terrorit serb në Kosovë; KMDLNJ apelon për ndihmë te organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Suedia orvatet ta ngrisë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit;

Ndërsa, edicioni i dymbëdhjetë kishte këto lajme: Në Skënderaj e rrethinë kanë pushuar të shtënat; Dr. Rexhep Gjergji: Lagja Jasharaj digjet flakë nga artileria serbe; Policia serbe pranon se i vrau sot së paku 20 shqiptarë; R. Gjergji e B. Musmurati qëndruan në Vushtrri; Komunikatë e Këshilltarit për Arsim të Kryetarit të Republikës së Kosovës, Dr.Zejnullah Rrahmani; Komesariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë akuzon Beogradin se po i armatos refugjatët serbë në Kosovë.

Continue Reading

lajme

UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë

Published

on

By

Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.

“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.

Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:

“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.

Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.

 

Continue Reading

Vendi

Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT

Published

on

By

Nesër, më 21 tetor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (ICSM 2026), e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference do të jetë edhe Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe një nga figurat e njohura ndërkombëtarisht në mjekësinë sportive dhe shëndetin olimpik.

Pjesëmarrja e tij i jep konferencës një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.

Në kuadër të programit të konferencës, si ligjerues kryesor do të jenë:

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe President i UBT-së, me fokus në inovacionin në arsim, teknologji dhe zhvillimin e shoqërisë inteligjente.

Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Prof. Dr. Norbert Bachl, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe specialist i fiziologjisë së ushtrimeve dhe mjekësisë sportive,

Prof. Dr. Ilir Ahmetgjekaj, profesor dhe specialist i radiologjisë;

Christian Stammel, Drejtor Ekzekutiv i Wearable Technologies;

Dr. Arian Bujupi, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë.

Konferenca do të trajtojë tema kyçe që ndërlidhin mjekësinë sportive me shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe rolin e inovacionit në praktikën klinike dhe sportive. Aktiviteti është i akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Regjistrimi bëhet përmes Platformës Digjitale të OMK-së, ndërsa detajet e plota të konferencës gjenden në ueb-faqen zyrtare: icsm.ubt-uni.net/2026/.

 

 

Continue Reading

Rajoni

Nisin përplasjet në protestën në Tiranë

Published

on

By

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë nisur në Tiranë, pas përshkallëzimit të situatës gjatë marshimit drejt Ministrisë së Arsimit.

Protesta fillimisht ishte e qetë, me studentët dhe mësimdhënësit që marshuan në mënyrë paqësore nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, situata u tensionua kur protestuesit hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së ministrisë.

Policia reagoi duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por protestuesit nuk u larguan nga Rruga e Durrësit. Ata vazhduan të qëndronin pranë efektivëve të policisë, duke kërkuar rikthimin para Ministrisë së Arsimit.

Tensionet vijnë pas disa ditësh protestash në Shqipëri, gjatë të cilave janë përdorur gaz lotsjellës, ujë, gurë dhe, në disa raste, edhe plumba gome.

Foto: REL

D.L

Continue Reading

Lajmet

Konferenca e MBE-së në UBT: Fokusi në transformimin digjital

Published

on

By

Këtë fundjavë më 24 tetor, do të mbahet Konferenca e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE), në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të bëjë bashkë hulumtues, akademikë dhe ekspertë nga Kosova dhe bota për të diskutuar prirjet e reja ekonomike, financiare dhe menaxheriale.

Dekani i Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT, Muhamet Gërvalla, njoftoi se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se programi sjell një larmi tematike.

“Për ne është e rëndësishme që konferenca të jetë jo vetëm një mundësi për prezantimin e rezultateve shkencore, por edhe një hapësirë për diskutim, shkëmbim përvojash dhe krijim të bashkëpunimeve të reja akademike. Temat kryesore përfshijnë transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, zhvillimin ekonomik, financat, inovacionin dhe ndërmarrësinë”, ka thënë Gervalla.

Hulumtimet e prezantuara nga akademikët vendorë u kushtojnë vëmendje të veçantë sfidave konkrete të tregut vendas, si përdorimi i inteligjencës artificiale në biznese, zhvillimi i NMM-ve, turizmi, politikat tatimore dhe pjesëmarrja e grave në menaxhment.

Lidhur me dobinë e kërkimeve vendore, dekani Gërvalla nënvizoi se këto punime lidhen me sfidat konkrete të Kosovës dhe përpjekja për të ofruar analiza që mund të ndihmojnë në përmirësimin e vendimmarrjes.

Përveç studiuesve kosovarë, konferenca ka tërhequr edhe pjesëmarrës ndërkombëtarë nga vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Maroku, Kameruni, India, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të ndryshme evropiane, të cilët do të trajtojnë tema të tregjeve financiare, rritjes së gjelbër dhe teknologjisë.

Dekani Muhamet Gërvalla e vlerësoi lart këtë ndërthurje përvojash ndërkombëtare:

“Konferenca e MBE-së synon të lidhë hulumtimet që trajtojnë sfidat konkrete të Kosovës me perspektiva dhe përvoja ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik”, shprehet Gervalla.

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara