Lajmet

Hamza kritikon Kurtin: Papërgjegjësi dhe mungesë serioziteti me institucionet

Published

on

Lajm në zhvillim: 
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar si të papërgjegjshme kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime, gjë që çoi në shtyrjen e seancës ku pritej të propozohej emri për kryeparlamentar.
Hamza ka theksuar se LVV-ja po tregon mungesë të theksuar serioziteti përballë konstituimit të institucioneve të vendit.
“Siç e vërejtët, kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve. Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme me institucionet. Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin dhe në fund dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër, e shtyjnë propozimin e emrit të kryetarit dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional”, ka deklaruar Hamza.
Kurti kërkon kohë shtesë për marrëveshje, Dehari ndërpret seancën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë kohës sa u ftua për të propozuar emrin për Kryetar të Kuvendit, ka kërkuar kohë shtesë me qëllim që të arrihet një marrëveshje politike.

Pas kësaj kërkese, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka aprovuar propozimin e Kurtit dhe ka ndërprerë punimet, duke bërë të ditur se deputetët do të njoftohen me kohë për vazhdimin e seancës së radhës.

Betohen deputetët e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës
Deputetët e zgjedhur për legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës kanë bërë betimin zyrtar gjatë seancës konstituive.

Pas rikthimit në sallë, deputetët votuan raportin e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, duke i hapës rrugë vazhdimit të punës për konstituimin e plotë të institucionit legjislativ.

 

Formohet komisioni i përkohshëm, seanca në pushim të shkurtër

Deputete e sapo zgjedhur te legjislaturës se re të Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve

Pas formimi të këtij komisioni, seanca ka shkuar në pauzë për 30 minuta dhe me pas pritet të vazhdoj me rendin e ditë i cili është i paraparë për sot.

 

Nis seanca konstituive

Kryesuesi i seancës kunstituive Avni Dehari ka nisur seancën e parë pasë zgjedhjeve të mabjtura me 7 qershor.

Tani deputetët duhet ta formojnë Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

 

Hamza: PDK-ja e nuk e ka prioritet ndarjen e posteve

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se seanca e konstituimit duhet të procedojë pa pengesa dhe se partia e tij nuk ka garuar për pozita.

“Atëherë nëse flasim për seancën sot, sot është seanca e konstituimit të kuvendit, ku pritet të zgjedhet kryetari apo kryetarja e kuvendit, nënkryetarët, të jepet betimi dhe kjo është rëndësia e ditës, për seancën e sotme, unë nuk shoh arsye që seanca mos të ketë mbarëvajtje, mos të konstituohet, të gjitha kushtet janë që seanca të konstituohet dhe ne të procedojmë tutje dhe normalisht partia me numrin më të madh të ulëseve, të kryejnë detyrat e veta, përgjegjësitë e veta, të japë vendet në institucione”, tha ai.

Sa i përket posteve, Hamza shtoi: “Jo, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është konsistent, do të thotë ne kemi shkuar në takim, nuk kemi pasur, nuk kemi garuar ne kush të bëhet, kush në cilën pozitë të bëhet. Kemi garuar edhe kemi kërkuar votat e qytetarëve të Kosovës me një program çka për ekonominë, çka për drejtësinë, çka për energjinë, çka për infrastrukturën, çka për anëtarësimet, këto kanë qenë temat.” I pyetur për bisedime rreth pozitave, ai shkurt u përgjigj: “Nuk kemi diskutuar fare.”

Abdixhiku: Kemi afrime, por ende jo marrëveshje për presidentin

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se bisedimet me LVV-në po vazhdojnë për të shmangur zgjedhjet e reja, por theksoi se mbeten dallime te pozita e presidentit. “Po përpiqemi t’i shmangim zgjedhjet e reja. Duhet kohë, duhet përpjekje. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët.

Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam të shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, u shpreh ai, duke shtuar: “Do të jem në takime të vazhdueshme. Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye të mos konstituohet. Meqë po takohemi, është shenjë e mirë”, deklaroi Abdixhiku.

 

Haziri: Takimet me LVV-në do të jenë 24/7

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë pa ndërprerje për të arritur një marrëveshje qeverisëse. “Duhet të normalizohet jeta në Kosovë, të punohet në mënyrë më agresive, në një agjendë më zhvillimore dhe që Kosovës i jep mundësi. Takimet janë të hapura, do të vazhdojnë në çdo kohë.

Nuk ka orar determinues dhe 24/7 do të punohet për të arritur këtë qëllim. Krejt në fund është vullnet politik”, ka thënë Haziri.

 

Seanca konstituive sot, ngërçi për presidentin mbetet

Sot nga ora 10:00, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të do të mblidhen për seancën konstituuese të Kuvendit, ku rendi i ditës përfshin formimin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Konstituimi i këtij institucioni hap zyrtarisht afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri, çka përbën edhe pikën më kritike të përplasjeve politike. Ndërkohë, afati 15-ditor për votimin e qeverisë fillon vetëm pasi ushtruesja e detyrës së presidentit të mandatojë kandidatin e propozuar nga shumica parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur një marrëveshje koalicioni për formimin e institucioneve të reja. Edhe takimi i tretë i zhvilluar të mërkurën në ndërtesën e Kuvendit mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.
Pas takimit, Kurti konfirmoi mungesën e marrëveshjes duke deklaruar se do të njoftojnë mediat vetëm kur të arrihet një finale, ndërsa Abdixhiku shmangu deklaratat duke dalë nga dera e pasme e ndërtesës. Më herët, deputetët e zgjedhur të LDK-së kishin rikonfirmuar qëndrimin se nuk do të ketë marrëveshje nëse partisë së tyre nuk i garantohet posti i presidentit.
Zgjedhjet e fundit parlamentare ishin të tretat me radhë brenda një periudhe prej një viti e gjysmë, ku LVV-ja doli sërish fituese me 58 mandate. Së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ajo i ka votat e nevojshme prej 61 deputetësh për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar Qeverinë.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, proces ky që kërkon kuorum prej 80 deputetësh në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota për zgjedhjen e kandidatit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Specialja cakton datat për deklaratat përmbyllëse në rastin e Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve për pengim të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar mesin e muajit shtator për mbajtjen e seancave të deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit të gjykatës, deklaratat përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se, në periudhën nga prilli deri në nëntor të vitit 2023, kanë tentuar të ndikojnë te dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria në procesin gjyqësor për krime lufte kundër Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërkaq, ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut është ngritur nga një akuzë për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe nga një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi më 27 shkurt, ndërsa Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 13 mars.

Ndërkohë, aktgjykimi në rastin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pritet të shpallet më 16 shtator.

Ata akuzohen për vrasje, torturë, përndjekje dhe vepra të tjera që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm për veprat që lidhen me rreth 155 viktima.

Prokuroria ka kërkuar që secili prej tyre të shpallet fajtor dhe të dënohet me nga 45 vjet burgim.

Gjatë procesit, mbi 130 dëshmitarë kanë dëshmuar para trupit gjykues, ndërsa janë pranuar edhe 160 deklarata me shkrim të dëshmitarëve të tjerë. Gjyqi përfundoi në muajin shkurt, ndërsa të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në vitin 2020.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime dhe kundërshtime në Kosovë, ku shumë e kanë cilësuar atë si të njëanshëm, duke argumentuar se nuk trajton krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar protesta dhe janë vendosur pankarta me mesazhin “Liria ka emër” në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë”, të mbajtur më 17 shkurt të këtij viti në Prishtinë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto Lufta në Bosnje dhe Hercegovinë përcillej me interes të madh në Kosovë (Sarajeva)

6 gusht 1993

Shqiptarët në Mal të Zi duhet t’i gëzojnë të drejtat që i gëzojnë edhe malazezët

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, me kërkesën e tij, u takua në Ulqin me prof. dr.Slobodan Vujaçiq, ish-anëtar i Kryesisë së Malit të Zi dhe tash anëtar i Këshillit Republikan për Mbrojtjen e të Drejtave të pjestarëve të grupeve etnike e nacionale, të cilin e formoi Kuvendi i Malit të Zi në mbledhjen e fundit.

Vujaçiqi u interesua për qëndrimin e Lidhjes Demokratike për këtë Këshill, duke thënë se kjo është një iniciativë e mirë dhe njëherësh tregon vullnetin e pushtetit republikan për mbrojtjen e të drejtave të grupeve etnike e nacionale.

Kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, theksoi se formimi i këtij Këshilli pa konsultimin e LD në MZ, të vetmes parti legjitime të shqiptarëve në Mal të Zi dhe pa përfaqësuesit e vërtetë legjitim të shqiptarëve në Mal të Zi, është për të satën herë deri tash, veprim për të mashtruar shqiptarët në Mal të Zi dhe opinionin e gjerë.

Që në qershor të vitit 1992, kur u zhvilluan bisedimet me përfaqësuesit e partive parlamentare dhe me Qeverinë së Malit të Zi, me ç’rast partitë opozitare parlamentare në Malin e Zi, në mesin e tyre edhe Lidhja Demokratike, kërkuan nga Qeveria dhe partia në pushtet që të formohet qeveria e bashkimit qytetar. Qeveria e Malit të Zi, në fakt, partia në pushtet, si përgjigje dhe për të qetësuar opozitën, para së gjithash shqiptarët dhe myslimanët dhe për të kënaqur opinionin ndërkombëtar, propozoi që të formohet Këshilli Republikan i Malit të Zi për paqë e qetësi qytetare dhe barazi nacionale, si trup këshillues. Që atëherë Lidhja Demokratike në Mal të Zi, theksoi se një trup i tillë nuk është i pranueshëm, ngase nuk ka kurrfarë ingjerencash për vendosje.

Lidhja Demokratike në Mal të Zi, përpiqet për pjesëmarrje proporcionale në pushtet në të gjitha nivelet dhe për definimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin e definuan me Memorandumin për Statusin special në Mal të Zi (me Kushtetutë apo me Ligj kushtetues), shtoi Mehmet Bardhi.

Pushteti i Malit të Zi, në vend që të vendos dialogun demokratik dhe të fillojë të zgjidhë çështjet e hapura, ai me veprimet e veta ndaj shqiptarëve në Mal të Zi po sillet në mënyrë injoruese, mospërfillëse, sikur të mos ekzistonin. Shqiptarët në Mal të Zi jetojnë në trojet e veta, përkujtoi Mehmet Bardhi dhe shtoi se Lidhja Demokratike në Mal të Zi edhe njëherë thekson se shqiptarët në Mal të Zi duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, krejtësisht si malazezët dhe të tjerët në të gjithë lëmejtë e jetës. Mu për këtë LD në MZ, është e gatshme për dialog demokratik e konstruktiv për zgjidhjen e problemeve, të cilat sot janë më të mëdha dhe më të theksuara se kurrënjëherë më parë.

Kryetari i LD të MZ përmendi dhe një numër çështjesh tjera të hapura, që nuk janë të zgjidhura si çështja e shkollimit, kërkesën e prindërve nga Plava që të hapet klasa e parë fillore në gjuhën shqipe që është kërkuar qe dy vjet me radhë, por të cilën Ministria e arsimit nuk e ka lejuar; për shkollimin e lartë të nxënësve shqiptarë, për qeverisjen lokale, shërbimin e inspekcionit, heqjen e vizave dalëse për Shqipëri, hapjen e pikës kufitare etj.

 

6 gusht 1994

NATO bombardoi pozicionet serbe në rrethinë të Sarajevës

Mbrëmë në orën 18,35, avionët e NATO-s me kërkesën e UNPROFOR-it, bombarduan pozicionet e izioluara tokësore të serbëve të Bosnjës të vendosura në malin Igman, që shtrihet në zonën e ndaluar prej 20 km, në rrethinë të Sarajevës, njoftojnë burimet zyrtare diplomatike dhe ushtarake nga selia e Aleancës së Atlantikut Verior në Bruksel.

Ky akcion i NATO-s, është një lloj ndëshkimi ndaj forcave të serbëve të Bosnjës, që kohëve të fundit i përsëritën sulmet ndaj ushtarëve të UNPROFOR-it e veçanërisht kur dje në mëngjes (të premten) në afërsi të Ilixhës i detyruan helmetkaltërit ukrainas t’u dorëzojnë një tank T-55, dy qerre të blinduara M-0, një bateri topash kundërajror dhe dy tri orë më vonë e sulmuan helikopterin “Puma” të kontigjentit francez, që kërkonte materialin e “vjedhur”.

Në bombardimet e NATO-s ndaj pozicioneve serbe morën pjesë avionët amerikanë “A10”, mirazhët francez, jaguarët britanikë dhe gjuajtësit holandez. Me këtë rast, komandanti i UNPROFOR-it, gjenerali Lapresle deklaroi “misioni është kkkkryer me sukses, janë qëlluar objektivët në tokë”. Në lidhje me bombardimet dhe “objektivët e qëlluar”, burimet e NATOs theksojnë se “janë shkatërruar disa nga armët e rënda të vjedhura nga forcat serbe”.

Ky aksion ndëshkues i NATO-s, edhe pse i limituar (kufizuar), është një formë presioni drejtuar serbëve të Bosnjës e posaçërisht liderit të tyre Karaxhiq, pas refuzimit të Planit Paqësor të Grupit të kontaktit (SHBA, Anglia, Franca, Gjermania dhe Rusia).

Sot, të gjitha radio e tv programet dhe gazetat në Evropën Perëndimore po i kushtojnë rëndësi të veçantë bombardimeve të NATO-s ndaj pozicioneve të serbëve të Bosnjës.

 

6 gusht 1997

U shpallën fituesit e Çmimit Letrar Kombëtar

Dje në Tiranë u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të Konkursit Letrar Kombëtar për botimet e vitit 1996.

Kryetari i jurisë së këtij konkursi ishte dr. Aurel Plasari. Me çmimin për prozën e gjatë më të mirë të vitit 1996 u vlerësua shkrimtari Zija Çela për romanin “Monedha e dashurisë”, për poezinë Frederik Rreshpja me përmbledhjen “Lirika të zgjedhura” dhe për tregime Faruk Myrtaj me librin “Nudo zyrtare”. Libri më i mirë i përkthyer nga letërsia e huaj u cilësua “Obelisku” i autorit gjerman Erih Maria Remark, i shqipëruar nga Robert Shvarci. Çmimet për librat e parë në poezi dhe prozë i fituan autorët debutues, Ani Spahivogli dhe Andrea Hila.

Vlera e shpërblimit të sivjetshëm të Çmimit Letrar Kombëtar është 150-200 mijë lekë të rinj.

Më pas, studiuesi Ramadan Musliu, anëtar i jurisë, foli për rrjedhat e letërsisë shqipe të viteve 90-të, duke evidencuar veçoritë dhe prirjet karakteristike të saj, të shfaqura kryesisht në fushën e koncepsioneve dhe të teknikave letrare.

Ndërsa, aktorë të teatrit recituan pjesë nga krijimtaria më e mirë e paraqitur në këtë konkurs të ilustruara me muzikë të zgjedhur, njofton “Bujku”.

 

6 gusht 1998

Klinë: Mbi 10 mijë banorë shqiptarë janë buzë katastrofës humanitare

Më 3 gusht të këtij viti, forcat e ushtrisë dhe policisë serbe, pas granatimeve të parreshtuara, hynë në fshatin Çeskovë dhe e dogjën e shkatërruan në tërësi fshatin. Nga kjo ditë, nga kodrinat e këtij fshati forcat srbe po e granatojnë parreshtur Jabllanicën e Gjakovës, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Klinë.

Njoftohet se edhe më tej nën qiellin e hapur vazhdojnë të jetojnë rreth 10 mijë banorë shqiptarë të fshatrave të granatuara të komunës së Klinës.

Gjendja shëndetësore dhe humanitare e këtyre banorëve shqiptarë që tashmë kanë mbetur pa kulm mbi kokë është buzë katastrofës, pasi ata kanë mbetur pa ushqime, ilaçe e gjësende të tjera më elementare për jetë.

 

Vushtrri: Gjatë sulmit serb në Pantinë u vra Jeton Tërstena (24)

Forca të ushtrisë serbe granatuan sot fshatin Pantinë të Vushtrrisë.

NMDLNJ i Vushtrrisë njofton se si pasojë e granatimeve u vra Jeton Tërstena (24) dhe u plagosën dy shqiptarë të tjerë, jeta e të cilëve nuk është në rrezik.

Nga granatimet gjithashtu u dëmtua shtëpia e Ramadan Mehmetit.

Pas sulmit forcat serbe u tërhoqën në drejtim të fshatit Frashër. Varrimi i Jeton Tërstenës bëhet sot në orën 18 në fshatin Oshlan.

 

Zhur: U varrosën dy të varë nga forcat serbe

Më 3 gusht të këtij viti, në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, në afërsi të fshati Buqe të Dragashit u gjet trupi i pajetë i Nexhat Qazim Fanajt (31) nga Grazhdaniku, ndërsa më 5 gusht u gjet trupi i pajetë i Behamir Rrustem Memajt (28) nga Zhuri, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Zhur.

Njoftohet se kufomat e dy të rinjëve shqiptarë janë varrosur në vendlindjet e tyre.

Bëhet e ditur se dy të rinjët shqiptarë janë vrarë më 28 korrik të këtij viti nga forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, derisa po bombardonin mbi kodrat e fshatrave Buqe e Brazne të Dragashit.

 

Prizren: Teki Ramshaj vdiq nga torturat në polici

KI i Degës së LDK-së në Prizren, duke cituar disa dëshmitarë, njofton se nga torturat e rënda fizike në policinë e Prizrenit, pardje ka vdekur Teki Ramshaj (26), i cili është varrosur në qytetin e Rahovecit.

Gjendja në Prizren e rrethinë vazhdon të jetë e rëndë. Mbi qytet fluturojnë shpesh helikopterë ushtarakë, ndërsa sot në magjistralin Prizren-Kukës sot forcat serbe kanë vendosur katër postblloqe të reja.

 

Në spitalin e Tiranës vdiq Brahim Krasniqi nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë

Brahim Krasniqi nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë vdiq në spitalin ushtarak të Tiranës, pasi ditë më parë ishte plagosur në kufirin Kosovë-Shqipëri, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Varrimi i tij u bë në Tiranë.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Folklor, energji epike dhe balet modern në natën e dytë të “Etno Fest-it”

Published

on

By

Nata e dytë e edicionit të 16-të të “Etno Fest-it” nisi me Ansamblin “Devolli” nga Korça, i cili solli për publikun valle tradicionale devolliane, veshje autoktone dhe harmoninë e lojës instrumentale ku dominonte klarineta.

Programi vazhdoi me aktorin Armend Baloku dhe shfaqjen e tij mbështetur në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Permes një interpretimi me ekspresivitet e temporitëm dinamik, ai përcolli fuqishëm historinë dhe mesazhin aktual të Fishtës “Lidhnju bashkë si kokrrat në shegë”, duke i shtuar mbrëmjes dozën e adrenalinës kombëtare.

Më pas, kompania Dance Theatre nga Gjergj Prevazi prezantoi shfaqjen e baletit “Void” (Bosh). Lëvizjet e precizuara të balerinave Katerina Goga dhe Chiara Xoxi përcollën përmes gjuhës së trupit përpjekjen për të mposhtur apatinë e zbrazëtinë përmes artit. Mbrëmja u përmbyll te “Qilimi fluturues i gjyshes” me performancën e grupit “NA” dhe DJ Cabo, duke gërshetuar muziken tradicionale me atë moderne. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bie për disa centë çmimi i naftës sot në Kosovë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat do të vlejnë gjatë ditës së sotme, 6 gusht.
Sipas vendimit të MINT-it, çmimet tavan të caktuara për tregun janë: Nafta: 1.72 euro për litër, Benzina: 1.45 euro për litër, Gazi 0.60 euro për litër
Ministria bën të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe janë të detyrueshme për zbatim nga të gjithë operatorët e naftës në vend.

Continue Reading

Të kërkuara