Lajmet

Srategjia e energjisë, brenda tri viteve planifikohet prodhimi i 500 MW nga energjia e ripërtëritshme

Kështu ka thënë të martën ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Published

on

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të aplikojë një qasje të re planifikimi për të adresuar sfidat aktuale dhe për të vendosur themelin për një të ardhme të sektorit të energjisë të vendit e cila gjithnjë e më shumë po përpiqet të ofrojë siguri të furnizimit me energji elektrike, energji të pastër, efiçiencë të energjisë, dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve e përkrahje për grupet e cenushme. Kështu ka thënë të martën ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me rastin e hapjes së Konsultimeve Publike për Strategjinë e Energjisë 2022-2031.

Rizvanolli tha se në tri vitet e ardhshme do të arrihet kapaciteti deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.

“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, dhe gjatë tri viteve të ardhshme do të arrijmë kapacitete prodhuese prej 500 megavat të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të arrihet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021. Ndërsa, deri në vitin 2031 do të arrijmë 1400 megavat nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore. Integrimi i këtyre burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavat ose 340 megavat orë rezerva. Deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 përqind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotjen nga termocentralet ta ulim për së paku 32 përqind”, theksoi Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli theksoi në konferencën për media se kjo strategji paraqet rrugën e re nëpër të cilën Kosova do të ecë për ta bërë sistemin energjetik më të pastër, më të besueshëm e më të decentralizuar.

Madje, sipas saj në këtë draft-strategji janë dhënë edhe zgjidhje të reja për rivitalizimin e njësive të TC “Kosova A”.

“Siguria e furnizimit do të përforcohet duke investuar për t’i bërë kapacitetet tona ekzistuese më të besueshme, por edhe më miqësore për ambientin. Në TC “Kosova B” do të bëhen investime për të arritur efiçiencën dhe për të ulur ndotjen. Një njësi e TC “Kosova A” do të rivitalizohet, për këtë procedurat do të fillojnë sa më shpejt që është e mundur dhe përderisa ky investim është duke u realizuar, do të merret vendimi sa i përket rivitalizimit të një njësie tjetër të këtij termocentrali. Ndërkohë do të punohet intensivisht për të ndërtuar kapacitete të reja me burime të ripërtëritshme të energjisë nga dielli dhe nga era, në mënyrë që nga vitit 2028 njësitë e rivitalizuara të “Kosovës A” të kenë nevojë të punojnë vetëm gjatë muajve të dimrit kur kërkesa për energji elektrike të rritet për shkak të nevojës për ngrohje”, theksoi Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, tha po ashtu se integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është prioritet për Kosovën.

“Integrimi i tregut me Shqipërinë, është prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për shtetin tonë. Hapi i parë në këtë drejtim do të jetë funksionimi i plotë I bursës shqiptare të energjisë Alpex, gjë që pritet që nga fillimi i vitit 2023. Qeveria jonë është po ashtu e përkushtuar të rrisë planifikimin e përbashkët në sistemin energjetik me Shqipërinë, me bashkë investim në termocentralin me gaz natyror për qëllim të mbulimit të kërkesë bazë ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoni Veriore dhe në Greqi, ku do të shqyrtohen me qëllim të ndërtimit gjatë viteve në vijim. Qeveria është e përkushtuar që transformimi i sektorit energjetik të bëhet duke pasur drejtësi sociale. Për herë të parë, qytetarët e Kosovës do të vendosen në qendër të së ardhmes energjetike, duke u siguruar që ata të kenë qasje në energji me kosto të përballueshme”, theksoi ajo.

Objektiv strategjik sipas kësaj draft strategjie mbetet dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme. Derisa analiza teknike e këtij drafti është bërë nga një grup i ekspertëve të pavarur.

Lajmet

MINT dënon KEDS-in edhe me 25 mijë euro gjobë për njehsorët elektrikë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon aksionin për mbikëqyrjen dhe verifikimin e njehsorëve elektrikë në territorin e Kosovës.

Gjatë kontrolleve të realizuara së fundmi, inspektorët kanë identifikuar pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për shkak të kësaj shkeljeje, ndaj operatorit ekonomik KEDS është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 25 mijë eurosh.

MINT dhe AMK kanë bërë të ditur se verifikimet e matësve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të rrymës, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe respektimit të ligjit.

“Institucionet përgjegjëse mbeten të përkushtuara për të siguruar që çdo njehsor elektrik në përdorim të jetë i verifikuar dhe në përputhje me kërkesat ligjore, duke garantuar transparencë dhe besueshmëri në procesin e matjes”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë dyshime apo dëshmi lidhur me funksionimin e njehsorëve të tyre elektrikë, t’i adresojnë ankesat përmes numrit të telefonit +383 46 311 000 (në Viber) ose në adresën elektronike: [email protected]. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Rutte në Shtëpinë e Bardhë: Takim me Trumpin për të zbutur tensionet

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë këtë të mërkurë një takim me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim vjen si një përpjekje për të ulur tensionet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë, përpara samitit të rëndësishëm të aleancës që do të mbahet në korrik.

Marrëdhëniet mes administratës Trump dhe vendeve evropiane janë përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit, veçanërisht pas mospajtimeve të thella lidhur me luftën në Iran dhe kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së që aleatët të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje.

Sipas burimeve të “Euronews”, Rutte do të paraqesë të dhëna që dëshmojnë një rritje rekord të investimeve ushtarake nga vendet anëtare. Ai pritet të argumentojë se presioni i ushtruar nga vetë Trump ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë rritje financiare, duke theksuar se shpenzimet e përgjithshme të aleancës kanë prekur shifrën prej një trilion dollarësh. Po ashtu, Rutte do të vërë në dukje se rritja e prodhimit ushtarak ka hapur vende të reja pune edhe në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, pakënaqësia e administratës amerikane tashmë është reflektuar në hapa konkretë. Pentagoni ka njoftuar një sërë masash që reduktojnë pjesëmarrjen afatgjatë të SHBA-së në aleancë.

Pas kritikave të hapura të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, ndaj strategjisë ushtarake amerikano-izraelite në Iran, Presidenti Trump njoftoi menjëherë tërheqjen e pesë mijë trupave amerikane nga territori gjerman.

Samiti i ardhshëm i NATO-s, i cili është planifikuar të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë, pritet të fokusohet kryesisht në sigurinë evropiane dhe atë arktike, si dhe në zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit ushtarak. /Euronews/ /E.A/

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Madonna: Filmi biografik për jetën time u anulua për shkak të mosmarrëveshjeve për buxhetin

Published

on

Këngëtarja e njohur amerikane Madonna ka zbuluar se filmi biografik për jetën e saj u anulua pas mosmarrëveshjeve me studion Universal Pictures lidhur me buxhetin e projektit.

Në një intervistë për revistën Interview, artistja tha se historia e jetës së saj kërkonte një prodhim të madh dhe, rrjedhimisht, një buxhet të konsiderueshëm.

Madonna tregoi se kishte propozuar zhvendosjen e xhirimeve në Serbi për të ulur kostot, por ideja nuk u mbështet nga studioja. Sipas saj, drejtuesit e projektit nuk ishin të bindur se ajo do të qëndronte atje për realizimin e filmit.

Projekti u njoftua fillimisht në vitin 2020, me Madonnën në rolin e regjisores. Aktorja Julia Garner ishte përzgjedhur për të interpretuar këngëtaren pas një procesi të gjatë audicionesh.

Megjithatë, në vitin 2023 u raportua se filmi, i cili mbante titullin e përkohshëm “Who’s That Girl”, ishte anuluar.

Madonna zbuloi gjithashtu se kishte shqyrtuar mundësinë e realizimit të historisë së saj si serial për Netflix, por hasi në pengesa ligjore pasi të drejtat e skenarit mbetën në pronësi të Universal Pictures.

Artistja tha se zhvillimi i një seriali rezultoi më i ndërlikuar sesa kishte parashikuar, duke kërkuar bashkëpunim me skenaristë të shumtë dhe gjetjen e ekipit të duhur krijues për ta çuar projektin përpara./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hapet ekspozita e Hazir Rekës kushtuar rezistencës së minatorëve të Kosovës

Published

on

Është hapur ekspozita e fotografit të njohur Hazir Reka, e cila sjell në vëmendje një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, vitet 1988–1989 dhe rezistencën e minatorëve të Trepçës.

Në këtë ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja e Kulturës Saranda Bogujevci, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit kulturor.

Fotografitë e ekspozuara dokumentojnë protestat dhe grevat e minatorëve, veçanërisht grevën historike në Stantërg të Trepçës, duke dëshmuar për përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë, dinjitetit dhe barazisë.

Sipas organizatorëve, fotografitë nuk paraqesin vetëm momente historike, por edhe kujtesë të gjallë të sakrificës dhe qëndresës qytetare.

Përmes objektivit të tij, Hazir Reka ka krijuar një arkiv të rëndësishëm të kujtesës kolektive, duke ruajtur dëshmi të vlefshme të rrugëtimit historik të Kosovës.

Ekspozita është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara