Lajmet

Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit

Published

on

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim me të cilin ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vendimi është marrë më 10 tetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Trupi gjykues ka konstatuar se ka mungesë të informacioneve që do të justifikonin konstatimet se Thaçi mund t’i arratiset drejtësisë në rast që lirohet.

Por, trupi gjykues është bindur se i akuzuari mund të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi edhe në procedura paralele.

Po ashtu, paneli ka konstatuar se asnjë prej kushteve të tjera alternative nuk mund t’i zbusë mjaftueshëm këto rreziqe, raporton Betimi për Drejtësi.

Si rrjedhojë, u konstatua se paraburgimi ndaj Thaçit edhe për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast./D.B/EO

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara