Lajmet

SPAK godet një organizatë kriminale, heton si të përfshirë edhe zyrtarë e gazetarë

Published

on

Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) njoftoi të martën se e ka shkatërruar një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës, në të cilën dyshohet se ishin përfshirë edhe ish-zyrtarë dhe gazetarë.

Në një njoftim për media, SPAK-u tha se kjo organizatë e kishte bazën në Elbasan, qytet në qendër të Shqipërisë, dhe shtrihej në vendet e Bashkimit Evropian dhe Amerikës Latine. Hetimi është bazuar në komunikimet e koduara në aplikacionin SKY/ECC, sipas saj.

Me kërkesë të SPAK-ut, gjykata ka caktuar masën e sigurisë për 21 persona, ndërsa për 18 persona paraburgim, në mesin e të cilëve edhe drejtuesi dhe anëtarë të grupit, një ish-zyrtar i lartë policie dhe një ish-gjyqtare.

Ish-zyrtari i policisë, Dedan Gjoni, është duke vuajtur dënimin për një tjetër rast bashkëpunimi me elementë kriminalë. Ndërsa ish-gjyqtarja, Pajtime Fetahu, ndodhet në arrest shtëpiak, pasi po hetohet për korrupsion.

Për një avokat është urdhëruar arrest shtëpiak, ndërsa për 2 gazetarë detyrim për t’u paraqitur në polici.

Drejtuesi i kësaj organizate është Suel Çela, i cili pavarësisht masës së sigurisë së dhënë ndaj tij, ndodhet prej vitesh në kërkim.

Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale. Organizata kishte si synim kryesor eliminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal, i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit“, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Sipas SPAK-ut, e gjithë veprimtaria e tyre financohej nga paratë që përfitoheshin nga trafikimi i lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Prokuroria ka dokumentuar disa ngjarje kriminale ku është i përfshirë ky grup, duke nisur nga tentativa për vrasjen e një prej kundërshtarëve, sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e dy vrasjeve në vitin 2020, tentativa për trafikimin e rreth 930 kilogramëve kokainë nga Ekuadori në Evropë, në dhjetor të vitit 2020, si dhe të 466 kilogramëve kokainë në të njëjtën linjë, në janar të 2021.

Kjo organizatë ka ndikuar përmes korrupsionit në sistemin e drejtësisë, policisë dhe medias, tha SPAK.

Prokuroria thekson se drejtuesit e kësaj organizate kishin korruptuar funksionarë të policisë dhe gjyqësorit, të cilët “duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”.

Gjithashtu, përmes këtyre lidhjeve ndikonin tek gjykatësit me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit ndaj anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

Drejtuesit e organizatës kanë synuar manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik përmes bashkëpunimit me dy gazetarë, vlerëson SPAK.

Prokuroria thotë se “kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme, dy gazetarët kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”.

Në lidhje me trafikimin e kokainës, SPAK nënvizon se organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës.

Kokaina transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte evropiane me destinacion shtetet si, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës në tregun e narkotikëve në Evropë. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, Roterdam etj“, sipas SPAK-ut.

Prokuroria thekson se ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Paratë që përfitoheshin nga trafiku i kokainës investoheshin në blerjen e lëndës narkotike, ndërsa një pjesë në biznese që në dukje ishin të ligjshme.

Operacioni është kryer në bashkëpunim me Europol, Eurojust si dhe me autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane.

Lajmet

Çfarë pritet nga samiti BE-Ballkani Perëndimor?

Published

on

By

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 18 dhe 19 dhjetor me një detyrë të vetme: sigurimi i fondeve për Ukrainën për dy vjetët e ardhshëm.

Me më shumë shtete, përfshirë Bullgarinë, Maltën dhe Italinë, që po rreshtohen me Brukselin për vënien në pikëpyetje për realizueshmërinë e një kredie për Kievin për reparacione si metodë e preferuar, shumica e përpjekjeve diplomatike këtë javë do të përqendrohen në tentimin për të zgjidhur këtë çështje, shkruan REL.

Por, një ditë para takimit, më 17 dhjetor, kryeqendra e BE-së është mikpritëse e një samiti tjetër që krejtësisht është lënë në hije nga zhvillimet që lidhen me Ukrainën: udhëheqësit e gjashtë vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) takohen me homologët e tyre të BE-së në Bruksel.

Kosova, në këtë samit, përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Samiti vjetor BE-Ballkani Perëndimor është bërë një lloj formaliteti viteve të fundit, me pak ose aspak rezultate konkrete, dhe ky takim nuk përbën përjashtim.

Draft-deklarata e samitit, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, dokument që do të miratohet nga udhëheqësit e BE-së, pohon se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bllokun tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”.

Në realitet, shumica e gjashtë shteteve janë të bllokuar në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, dhe vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në bllok. Por, përgatitjet për samitin dhe lëvizjet politike ofrojnë një shembull të qartë se edhe ky përparim është i brishtë.

Gjatë vjeshtës, ideja ishte që Mali i Zi do të mbyllte pesë kapituj politikë – një hap i madh për Podgoricën. Kjo ndodhi më 16 dhjetor dhe shteti tani ka mbyllur 12 nga 33 kapituj gjithsej.

Draft-konkluzat, të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë, thonë se deri javën e kaluar Parisi ka kërkuar që të mbylleshin vetëm tre kapituj. Më pas, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kishte biseduar përmes telefonit me homologun francez, Emmanuel Macron, për këtë çështje dhe arriti ta binte që të pajtohej për mbylljen e pesë kapitujve.

Problemi që kishte Franca nuk kishte të bënte me të vërtetë me Malin e Zi, por më shumë me Serbinë, një aleate e ngushtë politike e Francës, e cila nuk do të hapë asnjë kapitull të anëtarësimit. Beogradi ka ngecur në rrugën evropiane që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 2022, me disa shtete të tjera anëtare të BE-së që nuk janë të kënaqura që shteti nuk po rreshtohet me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe se ka bërë përparim të pamjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit.

Duke qenë se hapja dhe mbyllja e kapitujve kërkon konsensus të 27 shteteve anëtare, Franca po e përdor një taktikë që është e zakonshme në Bruksel, atë të lidhjes së përparimit të shtetit kandidat (ose mungesës së përparimit) me të një shteti kandidat tjetër.

Përderisa Franca u tërhoq nga Mali i Zi, ajo mori atë që donte sa i përket Kosovës. BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës më 2023, përfshirë ngrirja e qindra milionave eurove, pasi Kosova njohu rezultatet e zgjedhjeve lokale në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.

Përderisa ekziston një pajtim i gjerë se Kosova ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për të shtensionuar situatën dhe masat duhet të hiqen gradualisht, Franca ka udhëhequr përpjekjet për të ngadalësuar këtë proces.

Nga Presidenca e Kosovës thanë se gjatë samitit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime me udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe liderët pjesëmarrës dhe tema kyç do të jenë masat.

“Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, tha Presidenca e Kosovës.

I mbështetur nga Hungaria, Italia, Spanja dhe Sllovakia, Parisi është siguruar që asnjë masë të mos hiqet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 28 dhjetor. Këto shtete kanë qenë po ashtu instrumentale që Serbia të shmangë sanksionet e BE-së dy vjet më parë, pasi militantët serbë, që dyshohet se janë mbështetur nga Beogradi, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic.

Në draft-deklaratën, të cilën e ka parë REL-i, përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Brukseli. Aty thuhet se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.

“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, veçmas Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj. Mbështetja nën Reformën për Ballkanin Perëndimor dhe Rritjen është e kushtëzuar me angazhimin konstruktiv të partnerëve dhe përparimin e matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e raporteve të tyre”, thuhet në dokument.

Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel. Marrëveshja që përmendet në draft-deklaratë është arritur më 2023, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë. BE-ja e vlerëson se marrëveshja është e detyrueshme për Beogradin dhe Prishtinën dhe vazhdimisht kërkon zbatimin e saj dhe të aneksit.

Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Në draft-deklaratë përmendet edhe Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në këmbim të zbatimit të reformave që lidhen me bllokun. Ky plan, sipas BE-së, ka potencial që të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon në dekadën e ardhme, pasi vendet do të marrin këtë shumë parash për reforma dhe investime.

“Kjo shumë është shtesë e 29 miliardë eurove që po zbatohen përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. BE-ja bën thirrje për shfrytëzim maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes përmes zbatimit me kohë të reformave”, thuhet në draft-deklaratë.

Përtej çështjes së zgjerimit, nuk ka shumë pika të tjera ku BE-ja mund t’i shtyjë përpara në Ballkanin Perëndimor vitin e ardhshëm, përveç integrimit gradual në tregun e BE-së në disa fusha.

Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia gjatë këtij viti iu bashkuan Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që thjeshton dhe redukton transferet bankare në euro. Ideja është që edhe dy shtetet e tjera, Kosova dhe Bosnja, të bashkohen së shpejti.

Ngjashëm, qëllimi i Brukselit për vitin 2026 është që të përfshijë të gjithë rajonin në regjimin e tij të telefonisë mobile, që do t’iu mundësojë qytetarëve nga gjashtë republikat të thërrasin, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin duke përdorur tarifat e brendshme të telefonisë të BE-së.

Ky do të ishte një hap drejt uljes së tarifave të roamingut mes BE-së dhe shteteve kandidate në Ballkanin Perëndimor, që hynë në fuqi më 2023. Ky hap do të pasonte Moldavinë dhe Ukrainën, të cilat do t’i bashkohen zonës së roamingut të BE-së më 1 janar./REL

Continue Reading

Lajmet

Ditë e natë në terren, forcat e NATO-s dërgojnë mesazh stabiliteti

Published

on

By

Ushtarët gjermanë të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, po vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditën dhe natën në disa komuna brenda zonës së përgjegjësisë.

Sipas njoftimit, këto patrullime sigurojnë një prani të dukshme dhe qetësuese në terren, rrisin ndërgjegjësimin situativ dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e stabilitetit rajonal. Patrullat janë pjesë thelbësore e misionit të vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

KFOR-i thekson se vazhdon zbatimin e mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë, në çdo kohë.

Po ashtu, KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë, duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

Continue Reading

Lajmet

Nesër samiti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Rama niset drejt Brukselit

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama është nisur pasditen e kësaj të marte drejt Brukselit. Rama nesër do të marrë pjesë në samitin mes BE dhe vendeve te Ballkanit Perëndimor.

Takimi pritet të përqëndrohet në gjetjet më të fundit të paketës së zgjerimit 2025. Gjatë takimit do të dikutohet edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliard eurosh.

Ndërkaq, nga Kosova europianët i çuan ftesë presidentes Vjosa Osmani, e cila ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë samit.

Continue Reading

Lajmet

Spiropali në Greqi, rihapet dialogu për kufirin detar

Published

on

By

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali nisi sot një vizitë dyditore në Greqi me ftesë të homologut grek, George Gerapetritis. Vizita e Ministres Spiropali nisi në Presidencën greke, ku u prit nga Presidenti Konstantinos Tasoulas.

Gjatë takimit Spiropali theksoi se “Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane”.

Më pas Spiropali zhvilloi një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në konferencën për shtyp, Spiropali tha se Greqia duhet të heqë ligjin e luftës, duke theksuar se dy vendet janë pjesë e NATO-s.

“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha Spiropali.

Ministrja theksoi se Shqipëria është e hapur për dialog për çështjen e detit dhe shtoi se duan të vijojnë negociatat për njohjen e pensioneve.

“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, shtoi ajo.

Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09.00, Spiropali do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias. Në orën 09.45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Continue Reading

Të kërkuara