Prokurori James Pace para trupit gjykues ka paraqitur një hartë për qendrat e pretenduara të ndalimit të UÇK-së. Sipas ZPS-së, aty, të ndaluar u paraburgosën në mënyrë arbitrare, u keqtrajtuan, u zhdukën dhe u vranë.
Në periudhën prill 1998 deri në gusht 1999 janë regjistruar 437 incidente të ndalimit, tha ZPS-ja, duke shtuar se këto incidente janë pjesë e aktakuzës.
“Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në kohën e arrestimit të tyre”, tha një prokuror i specializuar.
Sipas prokurorisë në Hagë, në mesin e të ndaluarve kishte edhe forca kundërshtare, por edhe anëtarë të UÇK-së. Viktimat, sipas ZPS-së ishin “shqiptarë të Kosovës, serbë, romë, malazezë boshnjakë, maqedonas, burra, gra dhe fëmijë”, që u mbajtën në qendra me orë, ditë, javë apo muaj.
Tutje Pace tha se “Disa prej viktimave janë arrestuar në shtëpitë e tyre ose në pikat e kontrollit, në post blloqe nga persona të maskuar dhe të armatosur. Shumë raste anëtaret e UÇK-së nuk ju kanë dhënë të ndaluarve ndonjë arsye për arrestimin e tyre përveçse akuzave të përgjithshme. Disa u arrestuan pasi u urdhëruan apo u thirren që të paraqiteshin në shtabet e UÇK-së”.
Kryeprokurorja Kimberly West nga Prokuroria e Hagës ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e UÇK-së.
“ZPS-ja kërkon vendim dënimin e personave konkret, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjithë pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale, të kryera prej secilit prej personave. Këto krime janë lufte, krime kundër njerëzimit, e janë të rënda në natyrë, e këto akuza, nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës. Mbeten shumë të rënda”, tha ajo.
Gjithashtu, Kryeprokurorja e Hagës, Kimberly West, ka theksuar se dëshmitarët e mbrojtjes, duke aluduar në dëshmitarët ndërkombëtarë si Clark e Rubin, nuk kishin informacione për UÇK-në.
“Këto krime janë kryer, dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për to. Gjykata ka dëgjuar dëshmi drejtpërdrejtë nga disa dëshmitarë, 7 të mbrojtjes, ndërkombëtarë, të cilët ishin përfshirë në përpjekje për të sjellur paqe dhe administrim të Kosovës. Por, ndërkohë që përfshirja e tyre në këtë çështje, konstatimet e tyre kanë vlerë, puna e gjykatës është e ndryshme. Shtatë ndërkombëtarët kanë pasur pak informacion, nuk e kanë folur gjuhën, kanë ndërpveruar vetëm për pak herë me aktorët kryesorë, nuk kanë parë asnjëherë rregullore e komunikata të UÇK-së”, tha West.
Sot nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë.
Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces, shkruan KosovaPress.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregon se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ky vit pritet të jetë vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.
Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare./KosovaPress/