Aktualitet

Sot në Hagë merret vendimi për ish-shefat e policisë sekrete serbe, Jovica Stanisiq e Franko Simatoviq

Published

on

Rasti më i gjatë gjyqësor për krime lufte pritet të marrë epilog të mërkurën me një vendim në Tribunalin e Hagës për dy ish-shefat e policisë sekrete serbe, Jovica Stanisiq e Franko Simatoviq. Ata akuzohen për krime në Bosnjë dhe Kroaci.

Ky rast po cilësohet historik, jo vetëm për shkak të kohës së gjatë të trajtimit nga drejtësia, por edhe për atë që do të thuhet rreth rolit të fshehtë të Beogradit në Luftën e Bosnjës në vitet 92-95 dhe rreth llogaridhënies ligjore të sponsorëve të fshehtë shtetërorë të grupeve paramilitare, shkruan The Guardian.

“Ky rast i gjykuar në mënyrë shteruese kundër dy zyrtarëve të lartë serbë është një test vendimtar për ta dëshmuar orkestrimin e spastrimit etnik të Beogradit në Bosnjë e Kroaci gjatë viteve të nëntëdhjeta. Lidhja me udhëheqësinë e Beogradit do të ishte goditëse”, tha David Scheffer, ish  i dërguar i Shteteve të Bashkuara për çështjet e krimeve të luftës dhe nënkryetar i Shoqërisë Amerikane për Ligj Ndërkombëtar.

Jovica Stanisiq, ish-drejtor i shërbimit shtetëror të sigurisë (DB) dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, i njohur edhe me nofkën “Frenki”, u akuzuan për herë të parë më 2003 nën dyshimin për armatosjen dhe drejtimin e grupeve paramilitare që ishin përgjegjëse për krime lufte në luftërat në Bosnjë e Kroaci. Këta dy persona dikur ishin figurat më të fuqishme në Serbi. Raportohet se Stanisiqi gjithashtu ishte informator i CIA-s dhe agjencia amerikane kishte bërë një hap të pazakontë, duke dorëzuar një dokument të klasifikuar në tribunal për ta përshkruar ndihmën që i ka dhënë ky person.

Dy serbët ishin liruar nga akuzat në vitin 2013, pasi shumica e gjykatësve të rastit kishin vlerësuar se nuk ka dëshmi për të vazhduar hetime kriminale. Megjithatë, në vitin 2015, Dhoma e Apelit vendosi që gjykatësit e kanë keqinterpretuar pragun ligjor për ta dëshmuar bashkëfajësinë.

Stanisiqi dhe Simatoviqi ishin anëtarë kyçë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i cili ishte përpjekur që të krijonte një Serbi më të madhe nga gërmadhat e Jugosllavisë. Përderisa Stanisiqi ishte në përgjithësi përgjegjës për policinë sekrete, DB (Drzavna Bezbednost), Simatoviqi i udhëhiqte njësitë speciale operuese të saj.

Ndërkohë Stanisiqi duket se luante lojë të dyfishtë. Zyrtarët e CIA-s i kishin thënë gazetës “Los Angeles Times” në vitin 2009 se ai u kishte dhënë hollësi të punëve të brendshme të regjimit, vendndodhjen e pengjeve të NATO-s dhe vendet e varrezave masive.

Vladimir Dzuro, oficer i policisë çeke që i kishte marrë në pyetje këta dy persona përderisa shërbente si hetues për Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për ish-Jugosllavinë, tha se vendimi i së mërkurës do të jetë moment kritik për dorën e fshehtë të Beogradit pas krimeve në Kroaci e Bosnjë.

“Këto njësi speciale ishin, për shembull, Tigrat e Arkanit, Skorpionët apo Beretat e Kuqe, që u bënë famëkeqe për brutalitetin e tyre, dhe krimet e tyre ishin të dokumentuara mirë në aktakuzë”, tha ai.

Bota

Von der Leyen: Evropa duhet të forcojë mbrojtjen, të pranojë Ukrainën në BE

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se Evropa duhet të mbrojë pavarësinë e saj duke rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe duke integruar Ukrainën në Bashkimin Evropian.

Ajo ka përmendur katër detyrat kryesore që BE-ja duhet të realizojë për të arritur këto synime, duke përfshirë forcimin e kapacitetit të mbrojtjes, rritjen e inovacionit për rritjen ekonomike, zgjerimin e BE-së dhe forcimin e demokracisë për të mbrojtur shtetet anëtare nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme.

Sipas von der Leyen, një nga arritjet më të mëdha është angazhimi për të ofruar deri në 800 miliardë euro fonde për mbrojtjen, një veprim që, siç tha ajo, ishte i pamundur vetëm pak vite më parë.

Fakti që tani po ofrojmë deri në 800 miliardë euro fonde për mbrojtjen ishte i pamundur vetëm pak vite më parë,” theksoi Presidentja e Komisionit Evropian. “Po e bëjmë këtë sepse duam të mbrojmë paqen me të gjitha forcat tona.

Von der Leyen paralajmëroi gjithashtu se një rend i ri ndërkombëtar do të shfaqet deri në fund të kësaj dekade, dhe se Evropa duhet të luajë një rol aktiv në formësimin e këtij rendi të ri për të shmangur pasojat e tij për kontinentin dhe për botën.

Ajo theksoi se zgjerimi i BE-së është një detyrë kyçe, duke e konsideruar anëtarësimin e Ukrainës, Moldavisë, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Gjeorgjisë si një hap të rëndësishëm për forcimin e Bashkimit Evropian.

Jam thellësisht e bindur se historia tani po na thërret. Ashtu si në vitin 1989, kur era e ndryshimit përfshiu Evropën,” përfundoi von der Leyen, duke sugjeruar se momenti aktual është një mundësi për ndryshime thelbësore në rajon.

Continue Reading

Bota

Meloni vizitë në Kazakistan, nënshkruhen marrëveshje në vlerën 4 miliardë euro

Published

on

By

Italia dhe Kazakistani kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh me vlerë 4 miliardë euro gjatë një vizite të kryeministres italiane Giorgia Meloni në Astana.

Marrëveshjet ishin në një sërë sektorësh, duke përfshirë naftën dhe gazin, energjinë e rinovueshme dhe menaxhimin e ujit.

Meloni tha se nuk e konsideronte vizitën e saj “thjesht një formalitet, por thelbësor”.

Italia ishte vendi i parë i BE-së që vendosi të investonte në marrëdhëniet me Azinë Qendrore dhe shtetet anëtare të saj individuale, duke krijuar një format të qëndrueshëm për shkëmbimin e ideve”, vazhdoi Meloni.

Kryeministrja italiane shtoi se Samiti BE-Azi Qendrore i mbajtur në prill kishte rritur marrëdhëniet midis rajoneve.

Continue Reading

Bota

Kina: SHBA të shmangë tensionet dhe të ndalojnë shitjen e armëve Tajvanit

Published

on

By

Çështja e Tajvanit është në thelb të interesave themelore të Kinës dhe është vija e parë e kuqe që nuk duhet të kalohet në marrëdhëniet Kinë-SHBA, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian.

Jiang komentoi mbi disa raporte të mediave ndërkombëtare se Uashingtoni synon të rrisë shitjet e armëve në Taipei përtej 18,3 miliardë dollarëve të arritur gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Pekini kundërshton fuqimisht shitjet e armëve amerikane në rajonin e Tajvanit pasi kjo çon në një përshkallëzim”, theksoi ai.

Shtetet e Bashkuata të Amerikës duhet të shmangin faktorët e rinj të tensionit me ne”, theksoi Jiang./atsh

Continue Reading

Bota

Kina do të rifillojë importet e produkteve të detit nga Japonia

Published

on

By

Kina ka rënë dakord të fillojë procedurat për të rifilluar importet e produkteve të detit nga Japonia, tha një zyrtar japonez të premten, sipas raporteve të mediave lokale.

Të dy vendet kanë rënë dakord për ‘kërkesat teknike për rifillimin e eksporteve të produkteve të detit’ drejt Kinës“, citoi Agjencia e Lajmeve Kyodo Sekretarin e Përgjithshëm të Kabinetit, Yoshimasa Hayashi.

Sipas saj, pritet që Kina të lëshojë gjithashtu një njoftim për lehtësimin e ndalimit të përgjithshëm, i cili është në fuqi që nga viti 2023.

Kina vendosi një ndalim të plotë të importeve të produkteve të detit nga Japonia menjëherë pasi filloi lëshimi i ujit radioaktiv të trajtuar nga centrali bërthamor i dëmtuar në Fukushima, në gusht të vitit 2023.

Ndalimi u vendos për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe për të parandaluar ndotjen e mundshme, shkruan Anadolu.

Në shtatorin e kaluar, Kina ra dakord të rifillojë importet e produkteve të detit nga Japonia me kusht që vende të treta, përfshirë edhe vetë Kinën, të marrin pjesë në monitorimin e shkarkimit të ujit të trajtuar radioaktiv nga centrali i Fukushima-s në det./kosovapress

Continue Reading

Të kërkuara