Lajmet

Sot mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Një seancë e tillë ishte paraparë të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.

Ata thanë se duke mos pasur shkresat e nevojshme, nuk mund të këshillojnë klientët e tyre si të deklarohen për aktakuzën. Gjyqtarja u kërkoi që në seancën e 31 janarit, ekipet mbrojtëse të jenë të përgatitura.

Të akuzuar në këtë rast janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, dhe tre të tjerë, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.

Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, deklaroi më 15 janar se jatë kohës që çifti jetonte në Suedi – së bashku me dy fëmijët e tyre – ata kishin pasur “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.

“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore“, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.

Deri te ky informacion, sipas prokurores, autoritetet erdhën pas bashkëpunimit me shtetin e Suedisë, pasi Prokuroria në Prishtinë kishin kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore.

“Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim“, deklaroi Përlinçeviq.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë konferencës për media më 15 janar deklaroi se vrasja e kryer nga “anëtari i familjes” u krye në “mënyrë dinake”, prandaj shtoi se pret dënim kapital nga gjykata.

Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast, përkatësisht ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim, ndërkaq Dodaj po mbrohet në liri.

Vrasja e Liridona Ademajt kishte shkaktuar zemërim në publik edhe për faktin që bashkëshorti i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit.

Familja e Liridonës kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, në mënyrë që ajo të varrosej vranë varrezave të prindërve të saj, ndërkaq aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.

Sipas të dhënave, që nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë afër 60 gra. Në të shumtën e rasteve, dorasit kanë qenë bashkëshortët.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”./REL/

Vendi

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë — e akredituar me pikë të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional

Published

on

By

Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së do të jetë nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë, e cila do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore e profesionale u ofron stomatologëve, teknikëve dhe asistentëve dentarë mundësinë e avancimit profesional dhe njohjes me trendet më të fundit në fushën e shëndetësisë dentare.

Konferenca është akredituar zyrtarisht nga Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) dhe Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) si aktivitet i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Pjesëmarrësit do të shpërblehen me pikë kredituese si vijon.

Pjesëmarrësit aktivë: 20 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)

Pjesëmarrësit pasivë: 15 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)

Në këtë ngjarje, profesionistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të shkëmbejnë përvojat, njohuritë dhe arritjet më të fundit teknologjike në stomatologji.

Procedura e regjistrimit dhe pagesës

Për stomatologët: Regjistrimi bëhet përmes platformës digjitale të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK). Pas aplikimit, konfirmimi dhe udhëzimet e pagesës dërgohen me e-mail. Pagesa bëhet në xhirollogarinë e UBT-së në TEB Bank (2011000003927958).

Për asistentët dhe teknikët dentarë: Tarifa e pjesëmarrjes është 40 €, ndërsa pagesa realizohet drejtpërdrejt në xhirollogarinë e UBT KNBT SHPK (1300 0015 0000 5275), duke shënuar në përshkrim: “Pjesëmarrje në konferencën e UBT”.

Pas përfundimit të pagesës, dëshmia bankare me të dhënat personale duhet të dërgohet në adresën zyrtare elektronike të konferencës: [email protected].

UBT fton të gjithë profesionistët e fushës që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje madhore shkencore dhe të sigurojnë vendin e tyre nëpërmjet aplikimit me kohë.

 

Continue Reading

Vendi

UBT rangohet i pari në Kosovë nga GreenMetric 2026

Published

on

By

UBT është ranguar i pari në Kosovë nga UI GreenMetric World University Rankings 2026, duke konfirmuar sërish lidershipin në implementimin e praktikave të qëndrueshme institucionale dhe në zhvillimin e modelit universitar që ndërthur arsimin, inovacionin, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit.

Ky rezultat dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për të shndërruar qëndrueshmërinë nga një objektiv strategjik në praktika konkrete, të cilat reflektohen në infrastrukturën, menaxhimin e resurseve, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative për të ardhmen.

Në këtë edicion, UBT ka arritur 5,122 pikë nga 10,000 pikë të mundshme, duke u vlerësuar në disa kategori. Ndër rezultatet më të spikatura është kategoria Energjia dhe Ndryshimet Klimatike, ku UBT ka siguruar 80% të pikëve të mundshme, duke dëshmuar rëndësinë që këto fusha kanë në vlerësimin e performancës së tij institucionale. Rangimi vlerëson institucionet e arsimit të lartë përmes kritereve që përfshijnë infrastrukturën dhe hapësirat universitare, energjinë, menaxhimin e mbeturinave, burimet ujore, transportin, si dhe arsimin, kërkimin shkencor, qeverisjen dhe digjitalizimin.

Në përputhje me vizionin dhe misionin e tij për të avancuar arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, UBT ka ndërtuar një model universitar që ndërthur dijen, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit. Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit.

Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës. Kështu, qëndrueshmëria bëhet pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e kampuseve moderne dhe krijimin e zgjidhjeve inovative për sfidat e së ardhmes.

 

Continue Reading

Aktualitet

UBT organizon edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore

Published

on

By

UBT do të organizojë edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një platformë akademike që bashkon studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Konferenca do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke vazhduar traditën e kësaj platforme ndërdisiplinore, e cila u mundëson studiuesve dhe profesionistëve të prezantojnë punën e tyre shkencore, të diskutojnë zhvillimet e fundit në fushat përkatëse dhe të krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim akademik.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash, ndër të cilat mjekësia dhe infermieria, shkencat farmaceutike dhe natyrore, stomatologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, mekatronika, robotika, siguria e informacionit, arkitektura, planifikimi hapësinor, drejtësia, shkencat politike, gazetaria, media dhe komunikimi, menaxhmenti, ekonomia, psikologjia, arsimi, bujqësia, shkenca dhe teknologjia e ushqimit, arti, dizajni dhe muzika.

Përmes këtij programi të gjerë, konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet disiplinave të ndryshme, duke nxitur dialogun shkencor dhe duke promovuar qasje të reja për adresimin e sfidave bashkëkohore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu mbështetjes së studiuesve në fillim të karrierës akademike dhe stafit të ri akademik, duke u ofruar mundësi për prezantimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e aftësive për publikim sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë edicioneve të deritanishme, konferenca ka krijuar një bazë të gjerë ndërkombëtare të pjesëmarrjes dhe prezantimeve shkencore, me pjesëmarrje të mbi 1 mijë folësve dhe prezantuesve, dhe përfaqësim nga mbi 30 shtete të botës.

Përmes edicionit të vitit 2026, UBT synon të vazhdojë forcimin e profilit të tij si institucion i arsimit të lartë me orientim drejt kërkimit shkencor, transferimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për ide të reja, rezultate shkencore dhe partneritete që lidhin universitetet me profesionistët dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

Continue Reading

Lajmet

Kosova mirëpret Kongresin Botëror të Cilësisë, ekspertë nga të gjitha vendet e botës vijnë në UBT

Published

on

By

UBT do të jetë nikoqir i Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), i cili do të mbahet më 21–23 tetor 2026 në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke sjellë në Kosovë profesionistë, akademikë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Kongresi organizohet nga Quality Kosova, organizatë kombëtare dhe anëtare e rregullt e EOQ-së.

Kongresi, me temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”, do të shërbejë si platformë ndërkombëtare për diskutimin e së ardhmes së menaxhimit të cilësisë, transformimit digjital, inteligjencës artificiale, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të institucioneve në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Përgjatë punimeve, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet ndikimit të inteligjencës artificiale në sistemet e cilësisë, akreditimit, arsimit, shëndetësisë, financave, industrisë dhe zhvillimit të qyteteve të mençura. Diskutimet do të trajtojnë gjithashtu rëndësinë e besimit, vlerave njerëzore dhe reziliencës në ndërtimin e sistemeve dhe institucioneve të qëndrueshme.

Përmes kongresit të saj, EOQ krijon një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, prezantimin e kërkimeve dhe praktikave të mira, si dhe zhvillimin e bashkëpunimeve ndërmjet komunitetit akademik, sektorit privat dhe institucioneve publike.

E angazhuar në bashkëpunimin me EOQ që nga viti 2008 dhe anëtare e rregullt e saj që nga viti 2013, Quality Kosova ka luajtur rol në promovimin e menaxhimit të cilësisë, certifikimit profesional dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare në Kosovë.

Organizimi i këtij kongresi në Kosovë përbën një mundësi të rëndësishme për prezantimin e potencialit akademik, profesional dhe inovativ të vendit, si dhe për zgjerimin e lidhjeve me rrjetet ndërkombëtare të cilësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Përmes mikpritjes së këtij aktiviteti ndërkombëtar, UBT krijon hapësirë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërkombëtare, duke kontribuar në lidhjen e ekspertizës akademike me nevojat e institucioneve, industrisë dhe shoqërisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara