Heqja dorë nga mishi dhe produktet e qumështit rezulton më efekase për rënien në peshë, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Frontiers in Nutrition.
Studiuesit zbuluan se personat që ndoqën një dietë vegane me pak yndyrë humbën mesatarisht rreth 6 kilogramë në vetëm 16 javë, dukshëm më shumë se ata që ndoqën dietën mesdhetare. Dieta mesdhetare, e njohur për përfitimet afatgjata për shëndetin, përfshin mish të bardhë, vaj ulliri e perime të freskëta.
Por, në këtë krahasim të drejtpërdrejtë, vegjetarianët peshuan më pak.
“Konsumimi i ushqimeve që prodhojnë acid në trup, si mishi, vezët dhe produktet e bulmetit, rrit ngarkesën acidike në organizëm, duke shkaktuar inflamacion që lidhet me shtimin në peshë”, shpjegon autorja kryesore e studimit, doktoresha Hana Kahleova.
Ajo shton se zëvendësimi i produkteve shtazore me ushqime si perimet jeshile, manaferrat e bishtajoret, ndihmon në rënien në peshë e përmirësimin e florës bakteriale të zorrëve. Në studim morën pjesë 62 të rritur mbipeshë, u ndanë në dy grupe; njëri ndoqi një dietë mesdhetare, tjetri dietë vegane me pak yndyrë.
Personat që ndoqën dietën vegane kishin ulje të madhe të ngarkesës acidike në trup, te grupi mesdhetar nuk pati ndonjë ndryshim të dukshëm.
“Dieta alkaline është lidhur me disa përfitime shëndetësore, përfshirë rënien në peshë, ndjeshmërinë e përmirësuar ndaj insulinës dhe uljen e tensionit të gjakut”, thuhet ne raportin e studimit.
Ushqimet më të mira vegane dhe alkaline për humbje në peshë:
Spinaqi
Kale (lloj i sallatës së gjelbër)
Brokoli
Avokado
Manaferrat
Mollët
Bananet
Qiqrat
Thjerrëzat
Kinoa
Patatet e ëmbla
Bajamet
Djathi tofu
Trangujt
Specat e ëmbël