Sport

Sonte do t’i jepet një tjetër rast Muriqit, mundësi për t’u shfrytëzuar

Published

on

Sulmuesi kosovar e ka realizuar vetëm një gol këtë sezon në Serie A me Lazion. Nëse nuk e shfrytëzon mundësinë e sontme, si të tjerat paraprake, ai mund të largohet nga Lazio gjatë verës.

Vedat Muriqi do ta ketë sonte njërën prej mundësive të fundit për ta treguar veten në Lazio. Trajneri Simone Inzaghi do t’ia japë rastin sulmuesit kosovar të luajë nga minuta e parë me Parmën.

Në fakt, trajneri italian e ka ndërmend të bëjë rotacion sonte duke e pasur parasysh se pas tri ditësh do ta zhvillojë derbin me Romën. Dhe, prizrenasi duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi, nëse dëshiron ta vazhdojë eksperiencën në kryeqytetin italian.

Atij i janë dhënë disa raste deri tash, por nuk ka arritur të lërë gjurmë tek “Biancocelesti”. Andaj, nëse një rast të tillë nuk e shfrytëzon edhe sonte, atëherë me gjasë ish-futbollisti i Rizesporit dhe Fenerbahçes mund të largohet nga Lazio gjatë verës.

“Muriqi riprovon. Mundësi për t’u shfrytëzuar”. Ky është titulli i të së përditshmes së njohur italiane “La Repubblica” rreth rastit që do t’i jepet sonte sulmuesit shtatlartë.

“Ky është rast me të cilin do të diskutohet dhe vlerësohet sulmuesi, i cili pikërisht kundër Parmës, në Kupën e Italisë, kishte gjuajtur me kokë, që më pas u shndërrua në autogol të portierit në fitoren 2:1”, e vazhdoi shkrimin mediumi italian.

“Muriqi ka qenë mjaft i kritikuar nga tifozët sepse paraqitjet nuk kanë qenë në lartësi të çmimit (u ble për afro 20 milionë euro). Sonte Pirati duhet t’ia japë një kontribut konkret skuadrës”, përfundon shkrimi i “La Repubblicas”.

Në Serie A, Muriqi e ka realizuar vetëm një gol, atë ndaj Atalantas.

Lajmet

​PSG me mungesa të mëdha ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve

Published

on

Paris Saint-Germain do të zbresë në fushë në transfertë kundër Barcelonës me disa mungesa të rëndësishme.

Trajneri Luis Enrique nuk do të ketë në dispozicion Khvicha Kvaratskhelia, i cili u lëndua në ndeshjen e fundit kundër Auxerre dhe u detyrua të largohej për shkak të një problemi në pjesën e sipërme të kofshës.

Përveç tij, jashtë mbeten edhe Ousmane Dembélé dhe Désiré Doué, të dy ende në fazën e rikuperimit nga dëmtimet.

Këto mungesa pritet të ndikojnë në zgjedhjet e trajnerit spanjoll për një nga përballjet më të rëndësishme të sezonit në Ligën e Kampionëve./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdon sot procesi gjyqësor në Hagë

Published

on

E përditësuar:

07:45

Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë seancë do të vazhdojë paraqitja e provave, nga dëshmitarët që janë ftuar nga ana e mbrojtjes.

Seanca parashihet të nisë nga ora 09:00.

Gjatë dy javëve të kaluar kanë dëshmuar tre dëshmitarë të thirrur nga Mbrojtja. John Duncan ishte dëshmitari i tretë i cili ishte një ish-punonjës i shërbimit diplomatik të Britanisë së Madhe, ku ai dha dëshmi kryesisht në seancë publike.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për krime lufte, Trupi Gjykues më 18 shtator urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.

Trupi Gjykues gjykoi se lirimi i të akuzuarve në posedim të informacionit të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi tashmë ose të atyre që mund të dëshmojnë në procese paralele. Në rastin e z. Selimi, Trupi Gjykues rikujtoi se duket se z. Selimi nxori informacion konfidencial për palë të treta të paautorizuara, çka përforcoi konstatimin e Trupit Gjykues se ekziston rreziku që z. Selimi të pengojë ecurinë e procesit.

Sipas mendimit të Trupit Gjykues, rreziqet e identifikuara mund të zvogëlohen vetëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

​Flet drejtori i KH Rahovecit: Vendimi për të na përjashtuar nga palestra i pakuptimtë

Published

on

Klubi i hendbollit Rahoveci ka njoftuar se të dyja ndeshjet ndaj ekipit nga Luksemburgu, Dudelange, në kuadër të garave evropiane, do të zhvillohen në Luksemburg.

Shkak për këtë është bërë fakti se palestra Mizahir Isma në Rahovec, për shkak të zgjedhjeve, kalon nga nesër në menaxhim të KQZ-së dhe rrjedhimisht nuk mund të shfrytëzohet për ndeshje sportive.

Drejtori Sportiv i këtij klubi, Afrim Deliu, thotë se vendimi për t’i përjashtuar klubet nga palestrat është krejtësisht i pakuptueshëm.

“Sigurisht që është problematike, tereni është një lojtar shtesë në fushë, ajo nuk diskutohet por përveç kësaj janë edhe shumë probleme të tjera sepse palestra kalon në menaxhimin e KQZ-s nga nesër dhe përveç tereni që duhet të zhvillohet ndeshja jashtë, ne e kemi problem edhe stërvitjet t’i vazhdojmë. DO të thitë është shumë problem kjo pjesa dhe sinqerisht nuk e kuptoj se si mund të merret një vendim që palestra të lirohen nga klubet ose të mos kenë mundësi t’i zhvillojnë stërvitjet. Pra përveç lojës, problem tjetër shumë i madh është edhe stërvitjet ku do t’i zhvillojmë”, tha Deliu.

Ai ka shtuar se me këtë problematikë përballen sa herë që në Kosovë ka zgjedhje.

“Edhe në zgjedhjet e kaluara ka qenë i njëjti problem dhe e kemi ditur që nuk ka mundësi të arrihet asgjë nga kjo marrëveshje dhe menjëherë kemi kontaktuar me ekipin kundërshtar dhe kemi kërkuar që t’i zhvillojmë dy ndeshjet sepse e dimë që kjo nuk mund të realizohet, nuk është problem vetëm Rahoveci por e gjithë Kosova…Nuk është se kemi tentuar të shkojmë edhe ne KQZ direkt por e kemi ditur se është e pamundur sepse jo vetëm për Rahovecin por edhe për të gjitha klubet tjera ka qenë e pamundur”, shtoi Deliu.

Përveç hendbollit, me telashe të njëjta po përballet edhe sporti i volejbollit dhe ai i basketbollit./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Bashkimi kërkon suksesin historik në Evropë

Published

on

Bashkimi pas fitores shumë të rëndësishme përballë Anwil-it kërkon për herë të parë të jetë pjesë e grupeve në FIBA Europe Cup.

Për të arritur suksesin historik për klubin më të vjetër në Kosovë, prizrenasit duhet të ruajnë epërsinë e pikëve nga fitorja e parë.

Sfida në Prizren përfundoi 80:75 për Portokallezinjtë, derisa në grupe do të hyjë skuadra që është më e mirë nga dy ndeshjet.

Nënkampionët për herë të parë janë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, ndërsa nëse kalojnë pengesën në Poloni, atëherë do t’i bashkoheshin kampiones së Kosovës, Trepçës, si dhe PAOK-ut të Greqisë dhe Braunschëeig të Gjermanisë në Grupin F.

Anwil është një nga skuadrat më të forta polake në vitet e fundit, ku para dy vitesh kishte triumfuar në FIBA Europe Cup, kurse edicionin e kaluar ishte ndalur në Raundin e 1/16-tes.

Ndeshja zhvillohet të mërkurën në Poloni nga ora 18:30./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara