Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka sqaruar se aktualisht nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë.

Sipas një njoftimi të lëshuar në rrjetin social Facebook, thuhet se me qëllim që të sigurohet transparencë dhe të krijohet mundësia e një dialogu të hapur nga të gjitha palët e interesuara, ZRRE-ja ka vendosur të ndajë për konsultim publik Raportin Konsultativ për të Hyrat e Lejuara Maksimale.
“Në kuadër të përpjekjeve për të garantuar një proces të hapur dhe transparent, ZRRE-ja fton të gjitha palët e interesuara – përfshirë konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, që të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre mbi raportin e publikuar deri më 28 mars. Ky proces është një mundësi për të siguruar që çdo vendim të marrë të bazohet në mendime të shumta dhe të ndihmojë në krijimin e një sistemi të drejtë dhe të balancuar për të gjithë”, thuhet në njoftim.
ZRRE-ja është shprehur e angazhuar për të siguruar informacion të plotë, të saktë dhe të qartë dhe për të mbajtur një komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm me publikun për çdo zhvillim që mund të ndikojë në tarifat e energjisë.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se bazuar në rezultatet e raportit të tij konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, rritja mesatare e tarifave për konsumatorët pritet të jetë 15 për qind.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kundërshtuar nga qytetarët, bizneset e partitë opozitare.
Rritja e faturave të energjisë, konsiderohet se do ti dëmtojë qytetarët dhe bizneset derisa thuhet se ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e mirëqenies së tyre.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e ka pritur me shqetësim të madh paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.
Ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje te prodhuesit vendës.