Published
3 years agoon
By
UBT newsParimi i salçiçes thotë se nëse kemi përpara diçka të mirë apo të bukur, është më mirë të mos e dimë se si është bërë ajo. Zakonisht kjo vlen për ligjet dhe politikën: më mirë të mos investigosh se çfarë fshihet pas marrëveshjeve, kompromiseve dhe shtrëngimeve të duarve.
Por mesa duket kjo vlen edhe për botën e futbollit, dhe konkretisht për FIFA-n. Për një kohë të gjatë tifozët dhe spektatorët e thjeshtë i injoruan, zgjodhën që të mos u jepnin rëndësi skandaleve në lidhje me qeverisjen e futbollit, edhe kur ishin në qendër të lajmeve së kronikës së zezë.
Tek e fundit, nëse pjata është e mirë, është mirë të mos bëni shumë pyetje sesi është gatuar ajo. Megjithatë, fillimi i botërorit të Katar ndryshoi çdo perspektivë. Faktet skandaloze që në fillim u përhapën në rrjetet sociale dhe më pas në media, e kanë zbehur interesin për ngjarjen më të rëndësishme futbollistike, duke e varrosur bukurinë sportive të kompeticionit nën një mal kalbësie, korrupsioni dhe vdekjesh të pandëshkuara.
Katari është përgatitur për gati 2 dekada për këtë botëror, dhe nuk ka arritur të ofrojë ende një organizim të krahasueshëm me edicionet e mëparshme. Nga ana tjetër FIFA, duket se ka bërë ciklin e plotë, në fund të një rruge dhe të një rënieje politike, por edhe morale dhe njerëzore, e cila i ka rrënjët që shumë kohë më parë.
“Në rast se doni ta menaxhoni FIFA-n me një kod etik, atëherë duhet të keni shumë fat!”-thotë Zherom Valcke, ish-sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, në pjesën e fundit të dokumentarit të Netflix-it “FIFA: Zbulimi i gjithë skandaleve”.
Në 4 episode, seriali i publikuar pak para fillimit të Kupës së Botës, paraqet një panoramë të frikshme: 4 orë intervista me gazetarë, ish-zyrtarë të FIFA-s, agjentë sportivë, hetues dhe njerëz të përfshirë në hetime, janë një përzierje shkeljesh ligjore dhe neverie, që e bëjnë rrëfimin e një historie futbolli, një seri mbi perversionin kriminal të pushtetit, dhe mbi pashmangshmërinë e së keqes.
“Unë nuk jam i sigurt nëse është e mundur të ndiqet një kod etik në këtë institucion”– thotë Valcke. Për dekada me radhë, FIFA kishte qenë vetëm një organizatore aktivitetesh sportive me një vizion thjesht idealist të një futbolli jofitimprurës, dhe me qëllimin përfundimtar për të shfaqur para botës lojën e bukur.
Në vitin 1974 kreu i FIFA-s u bë Zhoao Havelanzh. Ishte viti në të cilin nisi të zbehej ideja romantike e organit drejtues të futbollit botëror: fushata elektorale e ish-notarit brazilian ishte ambicioze. Ai foli për një futboll të përhapur global, për një flamur në çdo pëllëmbë të hartës së botës.
Politikisht ishte një strategji e shkëlqyer. Në një sistem në të cilin çdo federatë kombëtare vlen një votë, organizatat kontinentale të Amerikës së Veriut (CONCACAF) dhe Afrikës (CAF) do të kishin një peshë të madhe në votë, pavarësisht se kishin tregje margjinale në lidhje me lëvizjen botërore të futbollit.
Por për të siguruar vazhdimësinë në detyrë, ai duhet të bindte drejtuesit e atyre federatave. Dhe suksesi i Havelanzh filloi pikërisht me zarfet me para që do t’u shpërndaheshin presidentëve të federatave, të cilëve do t’u kërkojë votën: është momenti historik në të cilin korrupsioni në FIFA shndërrohet në një element sistemik, shtylla mbi të cilën mbështetej pushteti.
Një vizion që nuk mund të materializohet me burimet e pakta të një organizate, që deri atëherë ishte e krahasueshme me një OKB të futbollit. Pra futbolli duhej të vdiste, i zëvendësuar nga një vizion i lojës si produkt, si një mall për t’u shitur pas ofertën më të mirë.
Fytyra dhe mendja prapa këtij transformimi ishte një zviceran me origjinë nga Visp, një qytezë me 7 mijë banorë në luginat e Kantonit Valais. Një njeri i dashuruar pas futbollit që mezi priste të kishte një rol në këtë histori.
Ishin hapat e parë në ndërtimin e një perandorie, të cilën që Sep Blater do ta sundonte më pas për shumë vite. Ideja ishte revolucionare, por shumë e thjeshtë: duheshin sponsorë. Dhe i pari është kompania Coca Cola, që në vitin 1976 u bë partnere në projektet e futbollit për të rinjtë. “Dy organizata të mëdha mund dhe duhej të kishin punuar së bashku”– mendon Blater. Por duhej një furnizues i pajisjeve sportive, dhe kompania e dytë e njohur me të cilën u firmos marrëveshje ishte ADIDAS. Më pas do të pasojnë marrëveshjet e tjera me Phillips, Canon, Gillette.
Nëse ka një shpërblim, cilido mund të organizojë Kupën e Botës. Havelanzh mbështet ofertën e Argjentinës për organizimin e Kupën së Botës së vitit 1978. Kjo do të thoshte të shpërbleje Videlën dhe juntën e tij ushtarake, por nga pikëpamja e futbollit si produkt, gjithçka u vendosnë plan të dytë.
Ato mund të duken si histori të një të kaluare më të errët se e tashmja. Në realitet gjithçka është ende aty, sikur disa parime të ishin gdhendur në gur. Të dielën e kaluar presidenti aktual i FIFA-s, Xhani Infatino – që fatkeqësisht u la jashtë dokumentarëve të Netflix, por qëvitet e fundit ka shtrënguar dorën me Vladimir Putin dhe sheikët e Katarit – tha se çdokush mund të presë Kupën e Botës, madje edhe Koreja e Veriut.
Pjesa kryesore shfaqet në episodin e tretë, dhe ka të bëjë më akuzat për korrupsion të anëtarëve të FIFA-s nga Katari, dhe me kryqëzimin mes futbollit dhe interesave gjeopolitike, të cilën e nxitën Blaterin ta shpallte me njëfarë hezitimi vendin e vogël të Gjirit si organizatoren e botërorit të këtij viti.
Informatorja Fedra Almaxhid, shefe e marrëdhënieve me mediat ndërkombëtare në FIFA, zbulon se ishte dëshmitare e ryshfeteve të dhëna në këmbim të votave për Katarin. Hasan Al Tauadi, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Suprem përgjegjës këtë botëror, u ofroi para delegatëve nga Kameruni (Isa Hajatu), Bregu i Fildishtë (Zhak Anuma) dhe Nigeria (Amos Adamu) për të siguruar votën e tyre.
Skandali duket shumë më real dhe më mizor këto ditë, kur lojtarët më të mirë në botë po dalin të luajnë në stadiumet që ndodhen në mesin e shkretëtirës, mes tifozëve të rremë dhe menjë ndjenje të përgjithshme “se gjithçka është e rreme, shumë, shumë e rreme“, siç tha për Linkiesta agjenti i një lojtari, që preferon të mbetet anonim dhe që zbarkoi në Katar dy ditë para ndeshjes hapëse.
Hetimi i FBI-së çoi në vitin 2015 në ngritjen e 47 akuzave, përfshirë ato të mashtrimit dhe pastrimit të parave; në arrestimin e 7 drejtuesve të lartë; vënien në hetim të 4 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv; dhe dorëheqjen e Sepp Blater.
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara – që koordinoi hetimet me FBI-në – e kishte përcaktuar atë si një rrjet të dendur korrupsioni të lidhur që kishte ndikuar në marrëveshjet e marketingut, të drejtave televizive dhe në përcaktimin e organizatorëve të Kupës së Botës, për shifra që arrijnë në qindra miliona dollarë, gjatë një periudhe kohore prej rreth 2 dekadash. / “Linkiesta” – Bota.al
Vendi
Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së
Published
8 minutes agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Misioni i Fakultetit të Turizmit në UBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.
Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.
UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.
Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.
Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.
Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.
Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.
Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.
Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.
Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.
Vendi
Kuvendi ratifikon shtatë marrëveshje ndërkombëtare
Published
1 hour agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës pas një pauze rreth njëmujore, deputetët ratifikuan shtatë marrëveshje ndërkombëtare nga 12 sa ishin paraparë në rendin e ditës.
Në sallë ishin të pranishëm 81 deputetë, të cilët votuan pro shtatë marrëveshjeve të para. Mirëpo, seanca u përcoll me debate dhe largime, pasi deputetët e PDK-së lëshuan sallën në fillim të punimeve, meqë u refuzua kërkesa e tyre që draft-rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës historike të vendosej si pikë e parë e rendit të ditës.
Nga ana tjetër, edhe pse ishin në sallë, deputetët e Listës Serbe nuk votuan as për prezencë e as për marrëveshjet në fjalë.
Ndërkaq, katër marrëveshjet e mbetura nuk u votuan nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me arsyetimin se ato kishin nevojë për shqyrtim paraprak.
Ndër vendimet më të rëndësishme që kaluan këtë të enjte ishte edhe marrëveshja e kredisë prej 33 milionë eurosh ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, e dedikuar për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Marrëveshjet e ratifikuara:
- Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
- Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
- Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
- Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
- Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
- Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
- Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.
Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.
Vendi
Studentët e Mekatronikës në UBT përfitojnë përvojë praktike në teknologjitë më të avancuara në ITP Prizren
Published
2 hours agoon
April 2, 2026By
ubtnews
Fakulteti i Inxhinierisë së Mekatronikës në UBT vazhdon të dëshmojë qasjen e tij moderne dhe të orientuar drejt praktikës, duke organizuar aktivitete që i lidhin studentët drejtpërdrejt me industrinë dhe teknologjitë më të avancuara.

Në këtë kuadër, studentët e vitit të tretë realizuan një vizitë studimore në qendrën ITP në Prizren, të udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Betim Shabani dhe Ass. Ylli Rexhaj, MSc Cand., ku patën mundësinë të njihen nga afër me proceset më të reja të prodhimit dhe inovacionit teknologjik.
Gjatë vizitës, studentët u njohën në mënyrë të detajuar me teknologjinë e printimit 3D, duke ndjekur të gjithë ciklin e zhvillimit, nga skanimi dhe modelimi digjital i objekteve, deri te realizimi i tyre fizik dhe procesi i post-procesimit si fazë përfundimtare.
Kjo eksperiencë praktike përfaqëson një nga elementet kyçe të programit të Mekatronikës në UBT, i cili është i ndërtuar mbi ndërthurjen e teorisë me praktikën, duke përgatitur studentët për sfidat reale të industrisë moderne.
Përmes aktiviteteve të tilla, UBT synon të zhvillojë te studentët aftësi konkrete profesionale, mendim inovativ dhe gatishmëri për tregun e punës, duke e bërë programin e Mekatronikës një nga drejtimet më atraktive dhe të kërkuara për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë në teknologji, automatizim dhe industri të avancuara.
Vizita në ITP Prizren është vetëm një nga shumë aktivitetet praktike që organizohen në kuadër të këtij programi, duke e pozicionuar UBT-në si një institucion lider në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes në fushën e mekatronikës dhe teknologjisë.




Lajmet
Gjermania ndan 3 milionë euro donacion për FSK-në
Published
2 hours agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Gjermania ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e saj të palëkundur për transformimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes një donacioni të ri prej 3 milionë eurosh.
Ministri i Mbrojtjës Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ky donacion vjen në kuadër të programit gjerman “Enable and Enhance”, i cili do të fokusohet në pesë projekte jetike, me synim kryesor fuqizimin e flotës së transportit ushtarak dhe ngritjen e kapaciteteve për mbështetje mjekësore brenda forcës.
Gjatë ceremonisë së zyrtarizimit të kësaj mbështetjeje, Ministri Maqedonci, priti ambasadorin gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin diskutoi mbi ecurinë e reformave në mbrojtje dhe nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Ministri Maqedonci e vlerësoi lart kontributin e qeverisë gjermane, duke theksuar se ky investim ndikon drejtpërdrejt në gatishmërinë operacionale të FSK-së.
“Republika Federale e Gjermanisë po vazhdon të mbështesë zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës,” u shpreh ministri Maqedonci, duke shtuar se ky donacion është i dedikuar për projekte konkrete që përmbushin standardet më të larta ushtarake.
Sipas krerëve të mbrojtjes, bashkëpunimi mes dy vendeve pritet të thellohet edhe më tej në të ardhmen, duke u fokusuar në trajnime të përbashkëta dhe asistencë teknike për të siguruar një forcë moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë.
Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së
Kuvendi ratifikon shtatë marrëveshje ndërkombëtare
Promovohet libri “Rrugëtimi drejt lirisë 1941-1991”, dëshmi e rëndësishme historike për Kosovën
Zendaya dhe Tom Holland shmangin zërat për martesë, theksojnë privatësinë e lidhjes
Petrit Halilaj prezantohet në Berlin me “Një Operë Jashtë Kohës”
Studentët e Mekatronikës në UBT përfitojnë përvojë praktike në teknologjitë më të avancuara në ITP Prizren
Macron kritikon Trump-in: E pamundur të hapet ngushtica e Hormuzit me forcë
Gjermania ndan 3 milionë euro donacion për FSK-në
Studentet e masterit në Psikologji në UBT, Shqipe Shala dhe Drenusha Krasniqi mbajnë ligjëratë mbi autizmin
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
