Shëndeti

Si të shmangni tragjeditë në ujë: Paralajmërim dhe këshilla të rëndësishme për pushuesit

Published

on

Gjatë tërë vitit, e sidomos në muajt e nxehtë të verës, qëndrimi pranë ujit sjell kënaqësi e freski, por shpesh bart edhe rreziqe serioze, më i madhi prej tyre është rreziku nga mbytja.

Mbytja është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve nga lëndimet në të gjitha grupmoshat. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 236,000 njerëz humbin jetën çdo vit nga mbytja dhe pasojat e saj, ndërsa besohet se numri real është edhe më i lartë. 90% e rasteve të mbytjeve aksidentale ndodhin në vendet në zhvillim ose me zhvillim të mesëm. Faktorët kryesorë të rrezikut për mbytje janë mosha, gjinia dhe qasja në burimet ujore.

Mbytja është shkaku i vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç e ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve aksidentale te fëmijët e moshave tjera. Fëmijët më të vegjël mbyten në rezervuarë të vegjël artificialë (vaska, pishina), ndërsa fëmijët më të rritur në ujëra të hapura si lumenj, liqene apo dete.

Meshkujt janë më të rrezikuar, me një shkallë vdekshmërie dy herë më të lartë se femrat. Ata kërkojnë trajtim spitalor për pasoja serioze nga mbytjet jo fatale.

Kjo lidhet me ekspozimin më të madh në ujë e sjelljet më të rrezikshme, si notimi jashtë zonave të mbikëqyrura, konsumimi i alkoolit para notit apo vozitjes me barkë. Në rrezik janë edhe ata që punojnë shpesh pranë ujit, si peshkatarët, dhe fëmijët që jetojnë afër burimeve të hapura të ujit – kanale, puse, rezervuarë.

Faktorë shtesë të rrezikut janë përmbytjet, mosha e re, mungesa e mbikëqyrjes, epilepsia, përdorimi i alkoolit, droga, mungesa e njohjes së rreziqeve lokale.

Si ta parandaloni mbytjen?

▪ Vendosni pengesa mbrojtëse për të kufizuar qasjen në ujë (p.sh., mbuloni puset, rrethoni pishinat).
▪ Mësoni fëmijët e vegjël bazat e notit dhe sigurisë në ujë.
▪ Zbatoni ligje dhe politika për sigurinë në ujë (rregulla për lundrim të sigurt, përdorimin e pajisjeve shpëtuese etj.).
▪ Planifikoni menaxhimin e përmbytjeve dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm.
▪Zhvilloni strategji kombëtare të sigurisë në ujë për të rritur ndërgjegjësimin.

Çfarë mund të bëjë secili prej nesh?

▪ Mos pini alkool ose substanca që ndryshojnë vetëdijen. Pengojnë gjykimin, koordinimin e rrisin rrezikun e mbytjes.
▪ Mos hyni në ujë menjëherë pas ushqimit. Prisni të paktën 2 orë.
▪ Nëse nuk dini mirë të notoni, mos hyni vetëm dhe përdorni pajisje shpëtuese.

Ndërsa jeni në ujë:

▪ Hyni ngadalë, kontrolloni thellësinë.
▪ Mos kërceni në ujë me thellësi të panjohur.
▪ Mos e teproni me vetëbesimin, notoni me dikë dhe brenda zonave të shënuara.
▪ Mos u largoni nga bregu, notoni paralelisht me të.
▪ Pushoni nëse lodheni, dilni ose qëndroni në zonë të cekët.
▪ Nëse keni vështirësi, qetësohuni, shtrihuni mbi shpinë, ngrini dorën e sinjalizoni ndihmë.

Kujdes i veçantë për ujërat e hapura

Zhytja në liqene, lumenj a det është ndryshe nga notimi në pishinë: njihuni me rrymat, temperaturën e ujit, gjallesat ujore e rreziqet lokale. Nëse ju zë një rrymë, mos u përpiqni të notoni kundër saj! Qëndroni të qetë e notoni anash, diagonalisht drejt bregut.

Rregulla për zhytjen

▪ Zhytuni gjithmonë me dikë tjetë.
▪ Mos e mbani frymën shumë gjatë.
▪ Mos hiperventiloni para zhytjes.

Siguria në barka dhe mjete ujore:

▪ Jeleku shpëtues është i detyrueshëm, duhet të jetë i madhësisë së duhur dhe i vendosur mirë.

▪Alkooli është shkaktar i shumicës së aksidenteve në ujë – mos konsumoni!

Mësoni bazat e notit dhe shpëtimit:

▪ Ushtrohuni të mbani veten mbi ujë, të ktheheni nga shpinë në bark dhe të notoni të paktën 25 metra.
▪ Shikoni rreth vetes dhe ruani vigjilencën, sidomos kur keni fëmijë në ujë.
▪ Mësoni të dalloni dikë që po mbytet, është  proces i qetë, pa britma e pa spërkatje.

Të parandalosh një tragjedi është më e lehtë se të shpëtosh një jetë! Kujdesuni për veten, fëmijët dhe miqtë, që verës t’ia gëzoheni në mënyrë të sigurt!

Shëndeti

Zbulim i ri për hipertensionin: Ilaçi inovativ që mund të mposhtë ‘vrasësin e padukshëm’

Published

on

Ky ilaç është shpallur si përparimi më premtues në trajtimin e hipertensionit gjatë dekadave të fundit, pasi ndihmon pacientët te të cilët presioni i gjakut mbetet rrezikshëm i lartë pavarësisht terapisë standarde.

Ilaçi ul ndjeshëm tensionin te pacientët me nivele të rrezikshme, edhe pse marrin ilaçe ekzistuese. Ky është hap që ndihmon në trajtimin e rasteve dhe rezistente ndaj trajtimit. Rreth gjysma e 1,3 miliardë rasteve me hipertension në botë konsiderohen rezistente ndaj trajtimit.

Këta pacientë përballen me rrezik shumë më të madh për infarkt, goditje në tru, sëmundje të veshkave dhe vdekje të parakohshme.

Studiuesit kanë treguar se një pilulë e re e quajtur është në gjendje të ulë tensionin arterial dhe redukton rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Rezultatet e provës klinike

Në një studim klinik të fazës III, me 800 pacientë nga 214 klinika në mbarë botën, u vërtetua se pas 12 javësh, pacientët që morën baxdrostat – 1 mg ose 2 mg një herë në ditë, kishin ulje të presionit sistolik prej rreth 9-10 mmHg më shumë se grupi placebo.

Rreth 40% e pacientëve arritën vlera të shëndetshme të tensionit, krahasuar me më pak se 20% te ata që morën placebo.

“Arritja e një uljeje të presionit sistolik prej pothuajse 10 mmHg me baxdrostat në provën BaxHTN është emocionuese, sepse ky nivel uljeje lidhet me rrezik dukshëm më të vogël për infarkt, goditje në tru, insuficiencë kardiake dhe sëmundje të veshkave”, theksoi dr. Brian Williams, bashkautor i studimit nga University College London.

Ai shtoi: “Te pacientët me hipertension rezistent, shtimi i baxdrostatit 1 mg ose 2 mg një herë në ditë mbi terapinë standarde solli një ulje klinikisht të rëndësishme të presionit sistolik, e cila u ruajt deri në 32 javë, pa efekte anësore të paparashikuara.”

Roli i hormonit aldosteron

Studimi nxori në pah rolin e një hormoni kyç në raste të hipertensionit të vështirë për t’u kontrolluar. Aldosteroni ndihmon veshkat të ruajnë ekuilibrin e kripës dhe ujit, duke rregulluar presionin e gjakut.

Tek disa pacientë prodhohet tepricë aldosteroni, gjë që bën trupin të mbajë më shumë lëngje e të rritet tensioni. Për dekada, kontrolli i këtij hormoni me ilaçe ishte sfidë. Baxdrostat vepron duke bllokuar prodhimin e aldosteronit dhe kështu ndikon drejtpërdrejt në një nga shkaktarët kryesorë të tensionit të lartë rezistent.

“Rreth gjysma e pacientëve me hipertension nuk e kanë nën kontroll; kjo është vlerësim konservativ, sidomos se objektivi për presion optimal tani është më i ulët se më parë. Rezultatet tregojnë se ky ilaç potencialisht ndihmon gjysmë miliardi njerëz në botë dhe rreth 10 milionë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar”, shtoi dr. Williams.

Ky zbulim konsiderohet një nga hapat më të rëndësishëm në dekada për trajtimin e hipertensionit, duke ofruar shpresë për miliona pacientë që nuk arrijnë ta kontrollojnë presionin e gjakut me terapinë standarde.

Continue Reading

Shëndeti

Studimi: Ananasi ndihmon kundër plakjes

Published

on

Për të përfituar vlerat e tij ushqyese duhet ta konsumojmë të freskët. Ananasi i takon familjes Bromeliaceae, me origjinë nga vendet e Amerikës së Jugut, Tajlandës dhe Filipineve. Sot gjendet lehtësisht në të gjitha dyqanet dhe supermarketet dhe në çdo sezon.

Ananasi ka shumë vlera ushqyese: është i njohur për efektet e dobishme në tretje, kundër mbajtjes së ujit dhe riaktivizimit të mikrocirkulacionit lokal, me efekte të rëndësishme për të luftuar celulitin.

Megjithëse ka shije të ëmbël, fruti përmban pak kalori vetëm 42 për 100 gram tul, dhe për këtë arsye është i përshtatshëm për dietat me kalori të ulët. I pasur me ujë dhe ka furnizim të caktuar të karbohidrateve në formën e sheqernave – Glukozës, saharozës dhe fruktozës.

Ndërkohë, është i varfër me fibra, ndërsa është burim i mirë i vitaminës C dhe kaliumit dhe magnezit.

Ananasi është i dobishëm për shkak të bromelain, grup enzimash që luajnë një funksion të rëndësishëm të stimulimit të tretjes dhe metabolizmit. Kjo substancë gjendet te fruti, por sidomos në kërcell.

Ananasi ka veti të mira anti-plakje e përdoret në kozmetikë, duke shfrytëzuar vetitë hidratuese dhe zbutëse, në preparatet për të zbutur lëkurën dhe për disa produkte pastrimi.

Vlera e tij më e njohur është e lidhur me vetitë anti-inflamatore të bromelainit në luftimin e mbajtjes së ujit dhe në neutralizimin e celulitit.

Continue Reading

Shëndeti

Si ndikon aktiviteti fizik te rrudhat?

Published

on

Aktiviteti fizik ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shëndetin e lëkurës e mund të ndihmojë në parandalimin e rrudhave duke përmirësuar qarkullimin e gjakut e rritur furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese për qelizat e lëkurës.

Ushtrimi i rregullt stimulon prodhimin e kolagjenit, një proteinë që mban lëkurën të fortë dhe elastike, duke reduktuar shfaqjen e linjave të holla dhe rrudhave.

Po ashtu, aktiviteti fizik ndihmon në uljen e stresit, duke parandaluar rritjen e niveleve të kortizolit, një hormon që mund të dëmtojë kolagjenin dhe elastinën e lëkurës, duke kontribuar në plakjen e parakohshme.

Ushtrimet aerobike, si vrapimi e noti, rrisin qarkullimin e gjakut, duke ndihmuar në shpërndarjen e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese në të gjithë trupin, përfshirë lëkurën, dhe mund të rrisin ndjeshëm pamjen e lëkurës.

Aktiviteti fizik ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, duke parandaluar glikacionin, proces që dëmton fibrat e kolagjenit dhe përshpejton plakjen. Ndërsa ushtrimet janë të dobishme për shëndetin e lëkurës, është e rëndësishme të kujdeseni për të pas aktivitetit, duke aplikuar produkte hidratues dhe mbrojtës nga dielli për të parandaluar dëmet nga ekspozimi i tepërt ndaj kushteve të jashtme.

Aktiviteti fizik ndihmon në kontrollin e peshës trupore e reduktimin e inflamacionit, faktorë që ndikon në shëndetin e lëkurës dhe formimin e rrudhave.

 

Continue Reading

Shëndeti

Nervoza dhe zemërimi: Jo vetëm shoqërues të depresionit, por edhe shenja të dëmtimeve tjera

Published

on

Ndryshimet e humorit nuk janë pasojë e frikës apo tekave tona. Nervoza, edhe zemërimi pa arsye, janë pjesë përbërëse e disa sëmundjeve. Mjekët thonë se këto ndryshime të humorit nuk janë gjithmonë rezultat i frikës apo tekave të pacientit, por edhe i mekanizmave të caktuar që ndonjëherë formojnë gjendjen tonë shpirtërore.

Këto simptoma nuk janë domosdoshmërisht pjesë e sëmundjeve psikiatrike. Irritimi dhe shpërthimet e zemërimit, kur personi i sëmurë është i ashpër edhe ndaj vetes, mund të jenë shenja të dëmtimeve serioze organike.

Goditja në tru

Deficit neurologjik për shkak të dëmtimit të enëve të gjakut në tru, që pengon furnizimin me oksigjen dhe ushqyes në pjesë të trurit. Ajo shfaqet papritur; personi nuk është i vetëdijshëm për atë që ndodh dhe është normale që pacienti të ndihet i shqetësuar kur kalon faza akute e fillon rehabilitimi. Përveç frikës nga një goditje e dytë, nuk është e pazakontë që pacienti të përjetojë ndryshime të papritura të humorit, sidomos nëse goditja ka dëmtuar pjesë të trurit që kontrollojnë emocionet. Pacienti mund të ndihet i shqetësuar, i frustruar, i dekurajuar, por edhe të reagojë me zemërim të madh, ndonjëherë pa një “arsye të dukshme.”

Sëmundja e Alzheimerit

Forma më e shpeshtë e demencës është e Alzheimerit, e cila shoqërohet me ndryshime të personalitetit. Një person që ka qenë i qetë dhe me shumë takt, papritmas bëhet i irrituar, i shqetësuar dhe nervoz pa një shkak të qartë. Nervoza nuk është shenja e parë e kësaj sëmundjeje, e cila dobëson aftësitë intelektuale dhe shkathtësitë sociale. Shenjat e hershme janë të fshehura në mënyrën e të folurit të pacientit.

Autizmi

Autizmi është një çrregullim kompleks i zhvillimit që zakonisht vihet re gjatë tre viteve të para të jetës. Personat me këtë çrregullim reagojnë shumë keq ndaj situatave të paparashikuara. Ata preferojnë rutinën e përditshme, dhe çdo ndryshim i befasishëm mund të shkaktojë pakënaqësi të madhe, zemërim, madje edhe vetëdëmtim.

Depresioni

Një gjendje komplekse psikike që në disa raste dobëson sistemin imunitar. Stresi i përditshëm, në punë, financiar dhe familjar, ndikon fuqishëm në organizëm. Nervoza pa arsye apo zemërimi nuk janë vetëm pasojë e stresit, por maskë për depresionin. Gjendja e shqetësimit, pagjumësia, irritimi i ndërruar me lot që pengojnë funksionimin normal mund të jenë arsye për të kërkuar ndihmën e një specialisti.

Diabeti

Një sëmundje kronike që kërkon disiplinë të lartë dhe angazhim të pacientit, që mund të jetë burim stresi dhe ankthi. Rënia e papritur e sheqerit në gjak ndikon në sjellje e manifestohet me nervozizëm dhe zemërim Një problem i veçantë është se simptomat e rënies së sheqerit si: nauzea, rrahje të shpejta të zemrës, ndjenja e uri, djersitje, dridhje, marramendje e dobësi, shfaqen papritur dhe pa paralajmërim.

Dështimi i mëlçisë

Kur mëlçia nuk është në gjendje të largojë toksinat në mënyrë efikase, grumbullohen në trup e ndikojnë në tru. Kjo shkakton ndryshime të humorit dhe nervozizëm. Simptomat më të zakonshme të dështimit akut të mëlçisë janë lodhje e madhe, humbje oreksi, nauzea, dhimbje në pjesën e sipërme të djathtë të barkut dhe urinë me ngjyrë të errët.

Menopauza

Periudhë ndryshimesh në trupin e gruas, që përjetohen në mënyra të ndryshme nga çdo femër. Shfaqen valë të nxehtësisë, pagjumësi e shtim peshe. Disa gra mund të mos kenë asnjë nga këto simptoma, ose mund të jenë të lehta dhe të padukshme. Ndryshimet hormonale në menopauzë shkaktojnë reagime emocionale të forta, nervozizëm dhe shpërthime të papritura të zemërimit.

Përgatiti: A.Z. /UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara