Studimi i ri tregon se beta-HPV mund të integrohet në ADN dhe të nxisë zhvillimin e kancerit, veçanërisht tek personat me imunitet të dobësuar.
Shkencëtarët kanë arritur në një zbulim që mund të ndryshojë mënyrën si e kuptojmë një nga format më të shpeshta të kancerit në botë.
Një tip i zakonshëm i virusit human papilloma, i njohur si beta-HPV, mund të jetë më i rrezikshëm se sa mendohej. Deri tani besohej se ky virus përkeqësonte dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga rrezatimi UV. Një studim i ri tregon se mund të marrë kontrollin mbi qelizat dhe të nxisë zhvillimin e kancerit.
Informacionet dolën nga rasti i një gruaje 34-vjeç, e cila po luftonte me karcinomën e qelizave skuamoze në ballë. Pavarësisht operacioneve, tumoret i riktheheshin. Një analizë zbuloi një fakt tronditës: beta-HPV ishte integruar në ADN-në e qelizave të kancerit, duke prodhuar proteina që përshpejtonin përparimin e sëmundjes. Ky është rasti i parë i konfirmuar ku beta-HPV është integruar në ADN-në qelizore dhe ka marrë pjesë aktive në ruajtjen e kancerit.
Pacientja kishte një çrregullim të rrallë imunitar të trashëguar, që pengonte qelizat T, mbrojtësit kryesorë kundër infeksioneve të sulmonin HPV-në.
Edhe pse trupi riparonte me sukses dëmtimet nga rrezatimi UV, imuniteti i dobët i lejoi virusit të përhapej e të merrte kontrollin, ajo vuante edhe nga simptoma tjera të HPV-së, si lythat në lëkurë dhe në gojë.
“Kjo tregon se mund të ketë edhe persona tjerë me formë agresive të cSCC-së, që kanë defekte bazë imunitare e që mund të përfitojnë nga terapitë e fokusuara tek sistemi imunitar,”-theksoi Andrea Lisco, specialiste e imunologjisë në Institutin Kombëtar Amerikan për Alergji dhe Sëmundje Infektive.
Trajtimi pati sukses, jo vetëm që agresiviteti i kancerit të lëkurës u zhduk, por u zhdukën të gjitha simptomat e tjera të HPV-së. Gjatë tre viteve të ndjekjes, nuk pati asnjë shenjë rikthimi të sëmundjes.
“Kjo arritje s’do të ishte e mundur pa bashkëpunimin e virusologëve, imunologëve dhe ekspertëve të transplantit, që punuan nën të njëjtin çati,”-tha Lisco.
Edhe pse rrezatimi UV mbetet shkaktari kryesor i kancerit të lëkurës, ky studim tregon se në raste të rralla, viruse si beta-HPV mund të kenë rol vendimtar, veçanërisht tek individët me sistem imunitar të dobësuar.
Zbulimi thekson rëndësinë e qasjes së personalizuar në trajtimin e kancerit, e cila rezulton më efikase se metodat standarde e jep shpresë për përmirësimin e luftës kundër viruseve si alfa-HPV, që shkakton kancerin e qafës së mitrës, sidomos duke pasur parasysh se vaksinimi ka ulur ndjeshëm vdekshmërinë