Aktualitet

Si mund të fitojë Perëndimi kundër Rusisë

Rusia është në shumë aspekte një shtet fashist funksional.

Published

on

Nga Eliot A. Cohen

“The Atlantic”

Në fillim u shfaq tronditja:imazhet e raketave dhe predhave të artilerisë që përplaseshin mbi godinat e banimit, helikopterë në flakë, mijëra refugjatëve që kalonin përtej kufirit, një president i sfilitur dhe i parruar që i lutej për ndihmë udhëheqësve politikë në Perëndim, burra me uniformë që pozonin para tankeve dhe autoblindave të djegur, policia ruse që kontrollon celularët e qytetarëve në rrugët e Moskës për biseda disidente.

Shqetësimi dhe zemërimi ishin reagime të natyrshme. Por ka ardhur koha të mendohet në mënyrë strategjike, duke pyetur se çfarë duhet të bëjë Perëndimi – dhe veçanërisht SHBA – në këtë krizë por dhe më gjerë. Marshalli francez Ferdinand Foch, thoshte dikur se detyra e parë është t’i përgjigjemi pyetjes ‘De quoi s’agit-il?” (Për çfarë bëhet fjalë?).

Edhe përgjigja në lidhje me luftën në Ukrainë, ashtu si me shumicën e problemeve të tjera strategjike, është më pak e drejtpërdrejtë sesa mund të mendohet. Në nivelin më bazik, një autokrat rus po punon të nënshtrojë me mjetet më brutale të mundshme një vend të lirë dhe të pavarur, pavarësinë e të cilit ai nuk e ka pranuar asnjëherë.

Por këtu ka çështje edhe më të gjera. Luftërat e tjera të epokës së pas-Luftës së Ftohtë mund të kuptohen ose interpretohen si pasojë e luftës civile dhe e lëvizjeve separatiste, apo e kundërpërgjigjeve të vogla ndaj agresionit. Por jo sulmi rus në Ukrainë. Ky sulm ishte i paprovokuar, i pakufizuar në objektivat e tij, dhe i pakufizuar në mjetet që po përdor. Prandaj, është një sulm jo vetëm ndaj atij vendi, por ndaj të gjitha normave ndërkombëtare.Në rrezik është i gjithë rendi botëror. Putin nuk e ka fshehur kundërshtimin e tij të fortë ndaj NATO-s dhe pavarësisë së ish-republikave sovjetike. Dhe duhet pritur që pas Ukrainës, ai do të tentojë diçka të ngjashme (edhe pse me më pak intensitet) në shtetet baltike.

Ai e ka rikthyer luftën në formën e saj më të ashpër në një kontinent, që ka lulëzuar kryesisht në mungesë të tij për gati 3 breza. Dhe lufta e tij përbën një kërcënim edhe për integritetin dhe vetëbesimin e demokracive liberale të botës. Pra ajo çka po luhet është shumë e madhe, dhe bashkë me të edhe rreziqet.

E megjithatë ka një lajm të mirë në solidaritetin dhe vendosmërinë e jashtëzakonshme të demokracive liberale, në Evropë dhe jashtë saj. Roli që po luan Australia dhe Japonia në përgjigjen ndaj pushtimit rus, nuk është më pak i rëndësishëm se ai Britanisë apo Francës. Në këtë aspekt, Ukraina e vitit 2022, nuk është Çekosllovakia e vitit 1938. Jo vetëm sepse po lufton fort kundër pushtuesit, por sepse demokracitë janë me të, materialisht dhe moralisht. Po ashtu dallimi këtë herë është se agresori nuk është ekonomia më e përparuar e Evropës, por një nga më të dobëtat.

Ushtria e saj nuk është si Wehrmacht-i tejet efektiv, por një turmë burrash të keq-udhëhequr, gjysmë kompetentë, edhe pse të mirë-armatosur, më të përshtatshme dhe të prirur për të masakruar civilët, sesa për një luftë kundër një ushtrie profesioniste të një vendi perëndimor.

Dështimi i Rusisë për të dominuar hapësirën ajrore ukrainase, kolonat e saj të blinduara të bllokuara, tanket e saj nën flakë, janë dëshmi e dobësisë së ushtrisë ruse. Në këto kushte, koalicioni i shteteve liberal-demokratike, kryesisht evropiane, i udhëhequr nga SHBA-jaduhet të ketë tre objektiva.

Synimi më i dukshëm i strategjisë perëndimore është çlirimi i Ukrainës, rivendosja e qeverisë dhe institucioneve të saj të lira, rindërtimi i ekonomisë, dhe garantimi i pavarësisë së saj,duke e vendosur atë në një pozicion sigurt, dhe duke qenë e mirë-armatosur kundër një sulmi të ngjashëm në të ardhmen.

Kjo do të përfshijë një ankorim të këtij vendi në Bashkimin Evropian. Tek e fundit, kjo mund të përfshijë edhe hyrjen e saj në NATO, aleancë që ka shpëtuar shumë nga fqinjët e saj nga një fat i ngjashëm. Por që të ndodhë kjo, duhet të ndodhë më parë mposhtja në terren e trupave ruse.

Por objektivat përballë Rusisë, duhet të shkojnë përtej kësaj. Në mënyrë ideale, ky konflikt do të përfundojë me rrëzimin nga pushteti të Vladimir Putin, njeriun që mban përgjegjësi të veçantë për këtë luftë, jo vetëm moralisht, por edhe politikisht. Rënia e tij mund të ndodhë si rezultat i pakënaqësisë së elitës, e cila çon në një grusht shteti, apo nga trazirat popullore masive.

Megjithatë, asnjë rezultat nuk mund të parashikohet, dhe për momentin, asnjë nga këta skenarë nuk duket i afërt. Për më tepër, ndonëse disidentët rusë kanë treguar një guxim tëjashtëzakonshëm, regjimi po shfrytëzon me mjeshtëri ksenofobinë dhe shovinizmin përmes kontrollit të plotë të mediave ruse.

Në këtë aspekt, Rusia është në shumë aspekte një shtet fashist funksional, duke kontrolluar një ideologji nacionaliste, në shërbim të një lideri të plotfuqishëm. Për këtë arsye, dhe duke përjashtuar një revolucion të ri rus, objektivi i Perëndimit duhet të jetë dobësimi i madh i Rusisë nga kjo luftë, që ajo të jetë e paaftë në të ardhmen për të përsëritur një sulm të ngjashëm, e izoluar dhe e përçarë brenda vendit, deri në pikën që një autokrat i plakur të bjerë nga pushteti.

Por nuk mjafton vetëm vënia në shënjestër e Putinit. Kina po e vëzhgon me vëmendje pushtimin e Ukrainës. Po ashtu edhe Irani dhe regjimet më pak autoritare, po vlerësojnë nëse mundësi të tilla janë të disponueshme për ta, apo janë tepër të rrezikshme për t’u ndërmarrë.

Me sukseset që do të arrijnë fuqitë perëndimore, duhet t’i detyrojnë ato të arrijnë në përfundimin, se diçka e tillë bart shumë rreziqe. Në këtë aspekt strategjia perëndimore duhet të mbështetet në 3 shtylla kryesore:mbështetje e fuqishme ushtarake për forcat e rregullta dhe të parregullta ukrainase; për sanksionet që do të dëmtojnë ekonominë ruse; dhe së treti për ndërtimin e një aleance evropiane të fuqishme ushtarakisht, që mund të sigurojë kufirin me Rusinë për sa kohë që ky vend do të vazhdojë të mbetet një kërcënim.

Armatimi i Ukrainës, që tashmë ka filluar, është një detyrim moral. Kur njerëzit janë të gatshëm të luftojnë për lirinë e tyre kundër një armiku, metodat dhe synimet e të cilit janë qartësisht kaq shumë të liga, Perëndimi e ka për detyrë t’i mbështetë. Një imperativ strategjik, që synon të pengojë ushtrinë ruse dhe të dobësojë pozicionin e Putinit.

Mbështetja për ushtrinë ukrainase, edhe nëse bien qytetet ukrainase, për kryengritjen e vazhdueshme, ka perspektivën të garantojë në fund një sukses të jashtëzakonshëm. Një vend më i madh në madhësi se sa Franca, me shumë zona urbane, me pyje, dhe në perëndim memale, me qindra mijëra burra dhe gra të armatosura, dhe me ndihmën e mijëra luftëtarëve të huaj, është praktikisht i pamposhtur nëse armatoset si duhet.

Këtë e tregon edhe historia e pushtimit sovjetik të Afganistanit në vitet 1980, ku ndihma nga CIA amerikane, bëri që muxhahedinët të mposhtnin një superfuqi globale. Carl von Clausewitz thoshte dikur se përdorimi maksimal i forcës, nuk është aspak i papajtueshëm me përdorimin e njëkohshëm të intelektit. Kjo vlen për Ukrainën.

Vladimir Putin ka vetëm një avantazh. Si oficer i KGB-së ai ka mësuar të luajë blofin me armiqtë e tij, qofshin këta disidentë apo fuqi të huaja. Frika është arma kryesore e Moskës,dhe udhëheqësit rusë janë të aftë në përdorimin e saj.

Por frika është gjithashtu e ndjeshme ndaj “ilaçit”, që po përdoret sot nga ukrainasit dhe nga shumë të tjerë në të kaluarën. Siç tha dikur Churchill, guximi është virtyti që bën të mundur të gjitha virtytet e tjera. Pa guxim, Perëndimi nuk mund të ketë sukses, por me të nuk mund të dështojë.

Marrë me shkurtime/Bota.al

Shënim: Eliot A.Cohen, është profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, SHBA. Në vitet 2007–2009, ka qenë Këshilltar i Departamentit të Shtetit.

Continue Reading

lajme

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

lajme

Rektori i UBT-së uron Presidenten e re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke i dëshiruar suksese në përgjegjësinë e re institucionale dhe në angazhimin e saj për të ardhmen e vendit.

Në urimin e tij, Prof. Dr. Hajrizi ka vlerësuar rëndësinë që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të ndërtojnë një kulturë të bashkëpunimit, dialogut dhe partneritetit, duke bashkuar potencialin e institucioneve publike, akademisë, sektorit privat dhe shoqërisë civile.

Sipas tij, zhvillimi i Kosovës kërkon angazhim të përbashkët dhe një vizion të qartë për të ardhmen, veçanërisht në fusha si arsimi, shkenca, inovacioni, teknologjia dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor, të cilat përbëjnë bazën e një shoqërie konkurruese dhe të orientuar drejt së ardhmes.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, akademia dhe të gjithë akterët e shoqërisë duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë, për të fuqizuar dijen dhe inovacionin dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë. Vetëm përmes një angazhimi të përbashkët mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për vendin”, ka theksuar Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Në këtë drejtim, ai ka shprehur gatishmërinë e UBT-së për të vazhduar kontributin në zhvillimin e vendit dhe për të thelluar bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës, duke vënë në funksion ekspertizën akademike, kapacitetet kërkimore-shkencore dhe potencialin inovativ të UBT-së.

Continue Reading

lajme

Ekipi i Kosovës mbërrin në Kore të Jugut, gati për FIRST Global Challenge 2026

Published

on

By

Ekipi i Kosovës, First Kosova, i përfaqësuar nga UBT, ka mbërritur në Incheon të Koresë së Jugut, ku nga 7 deri më 10 tetor do të marrë pjesë në FIRST Global Challenge 2026, një prej garave më prestigjioze ndërkombëtare të robotikës për të rinj.

Në mesin e ekipeve nga mbi 190 vende të botës, gjashtë të rinjtë që përfaqësojnë Kosovën janë tashmë të gatshëm për sfidën e madhe ndërkombëtare, e cila këtë vit zhvillohet me temën “Igniting Innovation” dhe fokusohet në përdorimin e teknologjisë dhe inxhinierisë për parandalimin, menaxhimin dhe rimëkëmbjen nga zjarret e egra.

Ekipi kosovar përbëhet nga Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani, nën udhëheqjen e mentoreve Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi.

Continue Reading

Lajmet

Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara