Lajmet

Si mund të çahet bllokada ruse ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi?

Ukraina furnizon një pjesë të konsiderueshme të tregut global të grurit.

Published

on

Nga James Stavridis

“Bloomberg”

Kur drejtoja operacionet në një destrojer të pajisura me raketat “Aegis” në fundin e viteve 1980, na u dha një mision në Gjirin Arabik. Ndërsa ishin të përfshirë në të ashtuquajturën Lufta e Tankerëve kundër Irakut, iranianët po përpiqeshin që të bllokonin Ngushticën e Hormuzit që ka një rëndësi strategjike në atë rajon.

Pjesa tjetër e botës kishte dëshpërimisht nevojë të garantonte transportin e naftës prej andej, ndaj zgjodhi një zgjidhje shumë dramatike: shoqërimin e autokolonave me cisternat e naftës, të cilat mbanin flamurin amerikan, si kur ndodheshin brenda ashtu edhe kur dilnin nga ngushtica.

I quajtur me emrin e koduar “Earnest Will” (Vullneti i sinqertë), misioni ishte në përgjithësisht i suksesshëm. Ai vazhdoi nga vera e nxehtë e vitit 1987 deri në vjeshtën e vitit 1988. (Gjithsesi në atë kohë ndodhi një tragjedi e madhe, rrëzimi i një avioni iranian që shkaktoi 290 viktima).

“Earnest Will” garantoi furnizimin e rregullt të botës me naftën arabe dhe u hoqi iranianëve një mekanizëm të fortë shantazhi. Kryqëzori që drejtoja unë “Valley Forge”, zhvilloi një dislokim të suksesshëm, dhe misioni pati një ndikim të rëndësishëm në gjeopolitikën globale dhe furnizimet me energji.

Ndërsa bota përballet sot me mungesa ushqimore për shkak të bllokadës së paligjshme të Ukrainës nga Rusia, SHBA dhe aleatët e saj duhet të marrin në konsideratë një përgjigje të ngjashme. Ukraina furnizon një pjesë të konsiderueshme të tregut global të grurit (afërsisht 7 për qind të eksporteve globale), të vajit të lulediellit dhe produkteve të tjera bujqësore të rëndësishme.

Veprimet e Rusisë nuk janë vetëm të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Por ato mund të shkaktojnë uri në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, që janë tashmë vatra të nxehta të destabilitetit. Presidenti rus Vladimir Putin zotëron kontrollin e bregdetit verior të Detit të Zi, pasi flota e tij, me më shumë se dhjetëra anije luftarake të mëdha, është deri tani më e fuqishmja në atë rajon.

Me 25.000 marinarë dhe rreth 40 anije luftarake dhe 7 nëndetëse, flota ruse është ende e frikshme edhe pas humbjes së anijes së saj të madhe “Moskva”, pas një sulmi me raketa ukrainase në muajin prill. Ndërsa aleatët e NATO-s, Turqia, Rumania dhe Bullgaria kanë forca të afta në Detin e Zi, Ukraina nuk ka praktikisht asnjë flotë të marinës për ta sfiduar bllokadën ruse.

Forcat ruse janë pozicionuar përgjatë bregdetit të saj, ndaj janë në gjendje që ta asfiksojnë ekonominë ukrianase, duke penguar produktet e saj bujqësore që të arrijnë në tregjet e tyre të synuara. Moska po përdor një strategji që të kujton atë të përdorur nga ushtria e Unionit kundër Jugut agrar në Luftën Civile të SHBA-së.

I quajtur “Plani Anakonda”, sipas gjarprit gjigant që i mbyt viktimat e tij, Unioni e privoi Konfederatën nga pasja e valutës së fortë, duke ia bllokuar eksportin e pambukut. Disa vende evropiane e sfiduan disi bllokadën detare, por pa ndonjë sukses domethënës.

Putin po kopjon sot një pjesë të strategjisë së Lincoln, dhe kjo ka një efekt. Rusët kanë propozuar tani zhvillimin e negociatave për të lejuar eksportin e grurit ukrainas në këmbim të heqjes së sanksioneve perëndimore, gjë të cilën ShBA dhe aleatët e saj nuk do ta pranojnë.

Dhe kjo na sjell tek ideja e thyerjes së bllokadës nëpërmjet shoqërimit të anijeve tregtare. Sfida e parë është më e dukshme: Kush do të bëjë shoqërimin? Kjo mund të bëhet nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, nga NATO apo një koalicion vendesh të gatshme të ndërmarrin atë që do të jetë një mision provokues dhe i rrezikshëm.

Qasja më e mundshme do të ishte që ajo të drejtohet nga ShBA, ndoshta duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën, dhe ndoshta vendet e Detit të Zi, Turqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Një sfidë e dytë do të jetë pastrimi i minave, pasi si ukrainasit ashtu edhe rusët i kanë përdorur ato në përpjekje për të kontrollojnë zonat përgjatë bregdetit ukrainas. NATO ka një forcë të përhershme të çminimit, pikërisht për këtë qëllim. Kjo flotilje është sot nën komandën e njërit prej pasardhësve të mi si komandant suprem i aleatëve, gjeneralit Tod Wolters.

Së treti, vendet që kanë ndërmarrë çdo lloj bllokade, janë të detyruara të bashkëpunojnë me vendet kryesore të transportit detar dhe tregtarët ndërkombëtarë që zotërojnë grurin dhe produkte të tjera. Kjo mund të organizohet nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO), me seli në Londër. Pjesë e OKB-së, IMO luajti një rol të ngjashëm në organizimin e reagimeve ndërkombëtare ndaj piraterisë në brigjet e Afrikës Lindore, gjatë kohës që unë isha komandant i NATO-s.

Së fundmi, Perëndimi duhet ta vërë në dijeni Rusinë mbi planin, dhe të sigurohet që Moska ta kuptojë mirë se koalicioni që do të marrë përsipër operacionin nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje, por nga ana tjetër nuk dëshiron të hyjë në luftime me flotën ruse të Detit të Zi. Moska ka të ngjarë të zemërohet, por mundësia që ajo të sulmojë direkt anijet luftarake të NATO-s në ujërat ndërkombëtare mbetet e ulët. Në rast se përkundër të gjitha gjasave, rusët do të bënin ndonjë veprim të çmendur, ata do të përballeshin me një përdorim proporcional të forcës.

Ne gjendemi aktualisht në një moment kyç të këtij konflikti: eksportet e grurit janë ndërprerë, ekonomia ukrainase është e rrënuar, dhe duhet shmangur kriza e ardhshme globale e ushqimit. Aleatët demokratikë duhet të eksplorojnë një qasje të ngjashme si ajo e operacionit “Earnest Will”. Ne nuk mund ta lejojmë Putinin të vazhdojë me bllokadën e tij detare.

Shënim: James Stavridis, admiral në pension i Marinës së ShBA–së, ish-komandant suprem itrupave aleate të NATO-s në Evropë./Bota.al

lajme

UBT nesër organizon bashkëbisedim me Ministrin Ejup Maqedonci për mundësitë e angazhimit të studentëve në industrinë e mbrojtjes

Published

on

By

UBT do të organizojë më 23 qershor 2026, nga ora 14:00, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, në Lipjan, (Biblioteka), një bashkëbisedim me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me mundësitë e angazhimit profesional të studentëve në fabrikën e parë të municionit në Kosovë.

Ky takim synon të informojë studentët dhe të rinjtë për projektin strategjik të industrisë së mbrojtjes, i cili pritet të fillojë prodhimin gjatë këtij viti dhe që konsiderohet një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike të vendit.

Gjatë aktivitetit, Ministri Maqedonci do të prezantojë mundësitë konkrete të angazhimit profesional për studentët dhe të diplomuarit në fusha të ndryshme teknike dhe inxhinierike, duke përfshirë inxhinierinë mekanike, elektroteknike/elektrike, metalurgjike, kimike, hidraulike, si dhe profile të tjera të ngjashme.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të diskutojnë nga afër për rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, rolin e të rinjve në këtë proces, si dhe perspektivat për zhvillim profesional dhe avancim teknologjik në kuadër të këtij projekti.

UBT vazhdon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, industrisë dhe studentëve, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përfshirje në projekte me rëndësi strategjike për vendin.

Continue Reading

Vendi

Rektori Edmond Hajrizi priti në takim Alaa Garad, nga Stirling Centre në Mbretërinë e Bashkuar

Published

on

By

UBT mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik një delegacion nga Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation, nga Mbretëria e Bashkuar, të kryesuar nga Alaa Garad – Kryetar i Bordit Këshillëdhënës.

Delegacioni u prit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me ç’rast u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional, ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimit të praktikave të mira në sigurimin e cilësisë.

Palët theksuan rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në avancimin akademik dhe institucional.

Continue Reading

lajme

Rektori Hajrizi priti në takim delegacionin e Institutit Yunus Emre në Kosovë

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti në takim një delegacion nga Instituti Yunus Emre në Kosovë, të kryesuar nga drejtori Ramazan Yılmaz.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre në fushën e gjuhës, kulturës dhe arsimit, me fokus të veçantë në gjuhën turke, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Gjatë takimit, u theksua roli i Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, i cili synon të zgjerojë gamën e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në gjuhë të ndryshme për studentët dhe qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Institutin Yunus Emre pritet të kontribuojë në avancimin e ofertës për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.

Palët shqyrtuan mundësinë e organizimit të kurseve të gjuhës turke, punëtorive tematike, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, të cilat do t’u mundësonin studentëve të njihen më nga afër me gjuhën, traditën dhe kulturën turke.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në pasurimin e ofertës akademike dhe ndërkombëtare të UBT-së, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi me institucione partnere nga Turqia.

Continue Reading

Lajmet

PZAP refuzon ankesat për rinumërim, KQZ pret afatin për ankim në Gjykatën Supreme

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se do të presë përfundimin e të gjitha procedurave ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesat e paraqitura nga kandidatët për deputetë, Bekim Haxhiu nga PDK-ja dhe Qëndrim Kryeziu nga LDK-ja, të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave.

Sipas vendimit të PZAP-it, ankesat janë vlerësuar si të pabazuara dhe nuk është urdhëruar rinumërim shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se institucioni është njoftuar me vendimet, por ka theksuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor prej 48 orësh.

Sipas KQZ-së, vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ekzistojnë obligime konkrete për zbatim nga ana e institucionit. Nëse nuk do të ketë vendime të tjera që ndikojnë në proces, atëherë KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Kujtojmë se Bekim Haxhiu kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, duke argumentuar se gjatë rinumërimeve të deritanishme janë evidentuar mospërputhje në numërim dhe se diferencat e ngushta mes kandidatëve mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare. Megjithatë, PZAP nuk e ka mbështetur këtë kërkesë. /A.K/

 

Continue Reading

Të kërkuara