Lajmet

Si do të stabilizohet klima e planetit? Studiuesit janë duke e analizuar si ndodhi në të kaluarën

Kriza mund të kaloj në një ekuilibër të ri.

Published

on

Për shkak të emetimeve të shfrenuara të gazeve serrë, planeti ynë po përjeton një krizë klimatike serioze. Ne ende kemi akull nga periudhat më të ngrohta të Pleistocenit edhe pse temperatura e globit po i afrohet niveleve më të ngrohta të Pliocenit 3 milionë vite më parë.

Ndërkohë, niveli aktual i dioksidit të karbonit (CO2), është i ngjashëm me atë në periudhën midis Pliocenit dhe Miocenit rreth 10 milionë vite më parë, teksa rrezikojmë te kemi një epokë të re Eocenike të temperaturave shumë të larta e cila nuk është parë në 40 milionë vjet.

Në një moment, kjo krizë do të kalojë në një ekuilibër të ri. Por kur do të ndodhë kjo?

Si do të duket ky ekuilibër? Pjesa më e madhe varet nga njerëzit, bazuar tek ajo se sa shpejt do të arrijmë të reduktojmë emetimet e gazeve serrë.

Por nga ana tjetër varet gjithashtu nga sa planeti ynë është“i ndjeshëm” ndaj gazeve serrë, dhe sa shpejt reagon ndaj ndryshimeve.

Zbulimi i ndjeshmërisë së planetit tonë ndaj gazeve serrë, është dokumentuar nga shkencëtarët që nga vitet e 70-ta, por vendet i kanë rezistuar me kokëfortësi përpjekjeve për t’i kufizuar këto emetime.

Nëse dyfishohen nivelet e CO2, mund të kemi një rritje temperaturash në nivelin 1.5 deri në 4.5° C. Ky është një diapazon i gjerë dhe ka të ngjarë që ne të dyfishojmë nivelet para industriale të CO2 brenda këtij shekulli, ndonëse duam të shmangim ngrohjen mbi nivelin 2°C.

Një pjesë e pasigurisë që kemi mbi këtë çështje buron nga fakti se instrumentet tona arrijnë të gjurmojnë vetëm një pjesë të shkurtër të epokës me klimë të ftohtë që kemi lënë pas. Deri në vitin 2100, temperaturat globale mund të rriten midis 2.7-3.6°C krahasuar me epokën para industriale.

Kjo temperaturë do të jetë më e lartë sesa gjatë gjithë Holocenit, periudha gjeologjike që nga akullnajat e fundit, në të cilën lulëzoi shoqëria përmes bujqësisë, qyteteve dhe industrisë.“Po flasim për një ngrohje të ngjashme me epokën e Pliocenit” thotë dr. Xhesika Tiernej e Universitetit të Arizonës.

Gjatë Pliocenit, paraardhësit tanë ishin australopitekët, të cilët nuk ishin ende plotësisht të gatshëm të jetonin larg pyjeve. Shumica e akullit që ndodhet aktualisht në Grenlandë dhe Antarktidën Perëndimore nuk ishte aty dhe nivelet e detit ishin midis 5-25 metra më të larta se sa në vitin 1900.

Ndërkohë gjatë epokës akoma më të ngrohtë të Miocenit, nivelet e detit ishin ndoshta 48 metra më të lartë dhe pjesë të Antarktidës ishin të pyllëzuara. “Klimat e epokave të lashta, janë konteksti ynë i vetëm mbi atë se si mund të jetë një Tokë më e ngrohtë”– shton Tirnej.

Meqë në atë kohë nuk kishte termometra apo spektroskopë me rreze infra të kuqe, shkencëtarët përdorin matjet indirekte apo objekte“përfaqësuese”, që e ndryshojnë përbërjen e tyre kimike, izotopike ose fizike, në proporcion me ndryshimet në temperaturë, nivelet e CO2 apo edhe reshjet.

Vlerësimet për temperaturat gjatë Eocenit ndryshojnë shumë. Dihet që ajo ka qenë një nga periudhat më të nxehta të historisë së planetit tonë, me kushte që mendohet se përputhen me të ardhmen tonë në një klimë ekstreme. Por vlerësimet sesa më shumë nxehtë ishte në krahasim me epokën tonë para industriale variojnë nga 9 në 23°C.

Dr. Gordon Inglis i Universitetit të Sauthempton-it në Angli, analizoi me kujdes me ndihmën e kolegëve një koleksion të madh objektesh “përfaqësuese”. Vlerësimi i ekipit mbi temperaturat e hershme të Eocenit, sugjeron se ajo epokë ishte midis 10-16°C më ngrohtë, se sa epoka para industriale.

Por ndryshe nga sot, Plioceni, Mioceni dhe pjesa më e madhe e Eocenit nuk ishin klima që u shfaqën shumë shpejt në kohë. Përkundrazi, ato ishin rezultat i miliona viteve përshtatjeje dhe kur emetimet vullkanike të CO2 balancoheshin nga “varrosja” e CO2 nën Tokë.

Bimësia, akulli dhe temperaturat, ishin të gjitha në harmoni me nivelet e CO2 dhe ndikimin periodik të lëkundjeve orbitale që pësonte Toka. Klima jonë ka sot më shumë të përbashkëta me ndryshimet e dikurshme të CO2, të shkaktuara nga emetimet jashtëzakonisht të mëdha vullkanike.

Një shembull relativisht i moderuar është Maksimumi Termik Paleocen-Eocen (PETM), 56 milionë vjet më parë, kur gjatë disa mijëvjeçarëve në atmosferë vërshuan sasi të mëdha të CO2 dhe të gazit metan, duke e ngrohur globin me 5°C shtesë.

Ajo ishte një kohë që të kujton atë të sotmen, me acidifikimin e oqeanit, detet e “uritura” për oksigjen, zhdukjet e specieve dhe përmbytjet e mëdha. Ngrohja globale aktuale, po prodhon tashmë një mot ekstrem të paprecedentë: rrebeshe të forta shiu, valë të gjata të të nxehtit ekstrem, thatësira dhe zjarre, të cilat pritet të përkeqësohen.

Kjo është ajo që ne shohim edhe në klimat e dikurshme. Nga këto më e frikshme është rritja e nivelit të deteve.

Nëse do të kemi një situatë të ngjashme si në epokën e Pliocenit, niveli i deteve do të jetë rreth 5-25 metra më i lartë mbi nivelin aktual, gjë që do të sillte përmbytjen e pjesës më të madhe të bregdetit lindor të SHBA-së.

Sesa kohë do të duhet që të mbërrihet në këtë pikë, kjo do të varet nga fakti nëse akujt do të shkrijnë ngadalë apo me më shumë shpejtësi./ArsTechnica – Bota.al

Lajmet

Evropianët janë ngopur me rritjen e çmimeve, protesta në shtatë vende

Published

on

Sipas të dhënave nga zyra evropiane e statistikave, çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 3,8 për qind në shtator, rritja më e madhe në tri vjetët e fundit. Energjia dhe ushqimet e freskëta kanë shënuar rritje veçanërisht të ndjeshme të çmimeve

 

Në tetor, besimi i konsumatorëve në Eurozonë ra në nivelin më të ulët në pesë muajt e fundit, sipas një sondazhi të Komisionit Evropian.

Qytetarët janë gjithnjë e më të shqetësuar për koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, i cili po gërryen fuqinë e tyre blerëse. Ndërkohë, në disa vende evropiane janë zhvilluar protesta për shkak të rritjes së çmimeve, si dhe për çështje që lidhen me sektorët e arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

Indeksi që mat pritjet e konsumatorëve në Eurozonë ra me 1,1 pikë në tetor krahasuar me shtatorin, duke arritur në minus 17,9 pikë, tregon raporti mujor i Komisionit Evropian, raporton KosovaPress.

Një rënie u regjistrua gjithashtu në të gjithë Bashkimin Evropian, ku indeksi ra me 1,2 pikë, në minus 17,3 pikë. Kjo tregon se besimi i konsumatorëve është larguar sërish edhe më shumë nga mesatarja afatgjatë e BE-së, vëren Komisioni.

Qytetarët janë veçanërisht të shqetësuar për koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, i cili po ul fuqinë e tyre blerëse.

Sipas të dhënave nga zyra evropiane e statistikave, çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 3,8 për qind në shtator, rritja më e madhe në tri vjetët e fundit. Energjia dhe ushqimet e freskëta kanë shënuar rritje veçanërisht të ndjeshme të çmimeve.

Për shkak të rritjes së çmimeve, krizës së banesave dhe infrastrukturës së amortizuar në arsim dhe kujdesin shëndetësor, qytetarët kanë dalë në rrugë në Francë, Belgjikë, Austri, Spanjë, Greqi, Itali dhe Portugali.

Komisioni Evropian kreu një sondazh midis 1 dhe 21 tetorit në 26 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, të gjitha vendet anëtare, me përjashtim të Estonisë.

Sondazhi mbulon 99,8 për qind të konsumit total përfundimtar në BE dhe në Eurozonë.

Komisioni do të publikojë një raport gjithëpërfshirës mbi pritjet ekonomike për Bashkimin Evropian dhe eurozonën në fund të muajit.

Continue Reading

Lajmet

Kush është talenti 17-vjeçar me rrënjë shqiptare që po shkëlqen në futbollin amerikan

Published

on

Adri Mehmeti, 17-vjeçari me prejardhje shqiptare, po konsiderohet një nga talentet më premtuese të futbollit në Amerikën e Veriut, pasi brenda një kohe të shkurtër ka arritur të depërtojë në ekipin e parë të New York Red Bulls dhe të debutojë me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një artikull të publikuar nga CNN Sports, Mehmeti përshkruhet si një nga emrat e rinj që mund të ndihmojnë në ngritjen e nivelit të futbollit amerikan në vitet e ardhshme.

Mesfushori mbrojtës, i cili është vetëm 17 vjeç, ka fituar vend të rëndësishëm te New York Red Bulls, ndërsa zhvillimi i tij i shpejtë ka tërhequr vëmendjen edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Mehmeti debutoi me ekipin e parë të klubit në shkurt, në moshën 16-vjeçare, ndërsa në prill shënoi golin e tij të parë në Major League Soccer (MLS).

Talenti i ri, të dy prindërit e të cilit janë nga Shqipëria, e nisi rrugëtimin e tij në futboll që në fëmijëri, duke luajtur me të atin në oborrin e shtëpisë. Në vitin 2019, rreth moshës 10-vjeçare, ai iu bashkua akademisë së New York Red Bulls, ku nisi të ngjitej gradualisht drejt ekipit të parë.

“Për mua, babai im është ndikimi më i madh në fushë dhe jashtë saj gjithashtu”, ka thënë Mehmeti për CNN Sports.

Ai ka treguar se lidhja me futbollin nisi shumë herët, duke kujtuar kohën kur godiste topin me të atin që në moshën dyvjeçare.

Të dy prindërit e tij janë me origjinë nga Shqipëria, ndërsa babai i tij kishte luajtur futboll edhe në rini, duke përfaqësuar vendin në nivelin e të rinjve. Mehmeti vetë kishte përfaqësuar Shqipërinë në kategoritë e reja, përpara se të debutonte me përfaqësuesen e seniorëve të SHBA-së.

Debutimi i tij me kombëtaren amerikane erdhi në shtator, në fitoren 4:1 ndaj Perusë. Ai u inkuadrua në minutën e 88-të, duke zëvendësuar Tyler Adamsin, një tjetër futbollist që është zhvilluar në sistemin e New York Red Bulls.

Përzgjedhja e Mehmetit nga trajneri Mauricio Pochettino është një tjetër dëshmi e besimit që po i jepet brezit të ri të futbollistëve amerikanë.

Pavarësisht suksesit të hershëm, 17-vjeçari vazhdon shkollimin nga distanca, ndërsa jashtë fushës merret me videolojëra dhe golf. Megjithatë, pjesën më të madhe të kohës së lirë e kalon duke analizuar ndeshje dhe paraqitjet e tij, me synimin për t’u përmirësuar vazhdimisht.

Ndër futbollistët që admiron janë Rodri, Pedri dhe Elliot Anderson, nga të cilët përpiqet të mësojë për mënyrën e lojës në mesfushë.

CNN raporton se talenti i tij ka tërhequr interesimin e klubeve evropiane, megjithëse për momentin Mehmeti mbetet i përqendruar te zhvillimi i tij me New York Red Bulls dhe kombëtaren amerikane.

Ai pritet të rikthehet në fushë këtë fundjavë, kur New York Red Bulls do të përballet me Inter Miamin e Lionel Messit.

(Kosovapress)

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Të largohet Rama, po kush duhet të vijë?

Published

on

“Rama, jep dorëheqjen!” është thirrja që prej rreth pesë muajsh jehon në Tiranë. Por, kë duan në vend të tij të rinjtë që protestojnë?

Tre të rinj me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë nuk përmendin një kandidat për kryeministër, por kërkojnë më shumë llogaridhënie dhe përfaqësim më të mirë politik, duke mbështetur kërkesat e protestave për një qeveri teknike dhe reformimin e Kodit Zgjedhor, që do të mundësonin konkurrencë më të barabartë zgjedhore.

Prej nëntë ditësh, protestat me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë përshkallëzuar dhe janë shoqëruar me episode dhune. Rama ka ofruar dialog, por ftesa e tij për takim është refuzuar.

Pa një emër, por me kërkesa të qarta

Emir Leçini, student në vitin e parë të masterit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, thotë se largimi i Ramës është kërkesë e panegociueshme. Por, sipas tij, protesta synon edhe krijimin e një kulture politike ku qytetarët mund t’i largojnë drejtuesit që nuk e kryejnë detyrën siç duhet.

Ai thotë se protesta bashkon qytetarë me bindje dhe interesa të ndryshme, të cilët ndajnë pakënaqësinë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi, pa mbështetur një pasardhës të caktuar të Ramës.

“Protesta nuk ka artikuluar diçka të tillë, që të heqim Ramën për të çuar këtë individ apo atë. Mund të ketë individë që frymëzojnë, por kjo protestë nuk promovon një emër apo një parti konkrete. Unë mendoj se ka hapësirë për të rregulluar përfaqësimin politik, pasi shumë qytetarë nuk ndihen të përfaqësuar. Dhe kjo nuk zgjidhet edhe nëse nesër ikën Rama”, tha ai për REL.

Ky qëndrim është shprehur edhe nga folësit në protestat paqësore të quajtura “Revolucioni Flamingo”, që nisën në fund të majit: kundërshtimi ndaj Qeverisë Rama nuk nënkupton mbështetje për opozitën aktuale.

Edhe Hana Spahia, e cila ka përfunduar studimet e larta në Shtetet e Bashkuara dhe është kthyer në Tiranë, e vendos llogaridhënien përpara emrit të kryeministrit të ardhshëm.

“Më e rëndësishmja është të kemi një person që do të ketë frikë nga populli dhe respekt për të. Pas 13 vitesh në pushtet, Rama nuk ka as transparencë, as llogaridhënie. Është mësuar me karrigen dhe mendon se mund të veprojë si të dojë. Kjo nuk mund të ndodhë”, thotë ajo.

Hana mbështet një parti të vogël, por mendon se sistemi zgjedhor i pengon partitë e tilla të sigurojnë përfaqësimin që meritojnë.

“Personalisht kam votuar për një parti të vogël dhe do ta votoj sërish, por Shqipëria ka mbi 120 parti dhe njerëzit duhet të zgjedhin kë të duan, përmes zgjedhjeve vërtet të lira dhe demokratike”.

Qeveri teknike dhe zgjedhje më të drejta

Për Hanën, hapi i parë pas largimit të Ramës duhet të jetë një qeveri teknike tranzitore, e cila do të përgatiste kushtet për zgjedhje më të drejta.

Ajo thotë se emrat mund të diskutohen më vonë; fillimisht duhen krijuar kushtet që qytetarët të zgjedhin lirisht dhe partitë të konkurrojnë në mënyrë të barabartë.

Shqipëria ka sistem zgjedhor proporcional rajonal, me 140 deputetë të zgjedhur në 12 qarqe. Sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të miratuara më 2024, me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, një e treta e listës së kandidatëve është e mbyllur, ndërsa dy të tretat janë të hapura. Në pjesën e mbyllur, renditjen e përcaktojnë partitë, ndërsa në pjesën e hapur qytetarët mund të votojnë për kandidatët e parapëlqyer.

Edhe Emiri kërkon ndryshimin e mënyrës se si pushteti fitohet dhe ushtrohet.

“Kodi Zgjedhor është një nga arsyet kryesore pse kemi këtë politikë aktuale. Ky Kod shtyp çdo opsion që nuk është parti e madhe dhe lejon partinë në pushtet të ketë një avantazh të padrejtë ndaj çdo partie tjetër”, thotë ai për REL.

Në raportin për zgjedhjet e 11 majit 2025, OSBE/ODIHR i vlerësoi ato si konkurruese, por konstatoi se garuesit nuk kishin kushte të barabarta dhe rekomandoi reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore.

Por të rinjtë presin ndryshime edhe përtej reformës zgjedhore. Livia Dedej, studente e Psikologjisë klinike, thotë se mosbesimi ndaj klasës politike e shtyn të mbështesë një qeveri teknike të përbërë nga ekspertë, e cila do të niste reforma në bujqësi, arsim, shëndetësi dhe drejtësi.

Këto pritshmëri pasqyrojnë pakënaqësitë e shprehura nga protestuesit për koston e jetesës, cilësinë e arsimit dhe të shërbimeve shëndetësore, mungesën e mundësive për punësim dhe atë që ata e cilësojnë si përqendrim të përfitimeve ekonomike në duart e një pakice.

“Demokracia nuk njeh rrugë të tjera”, thotë gazetari dhe analisti Bledar Zaganjori, duke shpjeguar se, nëse Rama largohet, ka dy mundësi: Partia Socialiste të zgjedhë një kryeministër tjetër për të përfunduar mandatin, ose një qeveri e përkohshme ta çojë vendin në zgjedhje.

Gjatë kësaj periudhe, qeveria ka miratuar bonuse financiare për familjet në nevojë dhe dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre. Ka premtuar gjithashtu përmirësimin e kushteve në konviktet studentore dhe rritjen e pagave për punonjësit e policisë. Megjithatë, të rinjtë thonë se protestat do të vijojnë dhe se kërkesa për dorëheqjen e Ramës mbetet e panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

DW: Merz dënon dhunën në protesta dhe retorikën përçarëse

Published

on

Samiti i Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor u zhvillua në Mal të Zi. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, dënoi dhunën në protesta dhe retorikën përçarëse që kanë përfshirë Shqipërinë dhe disa vende të Evropës.

Në një nga gjiret më piktoreske të Shën Stefanit, në Mal të Zi, liderët e Ballkanit Perëndimor u ulën sërish përballë njëri-tjetrit në tryezën e Samitit të Procesit të Berlinit. Takimi u drejtua nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili e nisi fjalën e tij me një mesazh të qartë për përgjegjësinë që vendet e rajonit duhet të marrin në përmbushjen e reformave drejt Bashkimit Evropian.

“Ndryshimi duhet të vijë nga ju, nga brenda vendeve tuaja. Ne kërkojmë që vendet e Ballkanit të ulen në tryezë, por progresi dhe reformat duhet të realizohen nga vetë këto vende” – u shpreh kancelari gjerman.

Për protestat që kanë përfshirë Shqipërinë dhe disa vende të Europës, Merz u tregua i prerë, duke dënuar dhunën dhe retorikën përçarëse. “Kur përballemi me protesta, qoftë në Bashkimin Evropian apo këtu në rajon, dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion për asnjërën palë. Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk do të na çojnë drejt një Evrope më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë” – deklaroi Merz.

 

Ballkani Perëndimor në BE, domosdoshmëri gjeopolitike

Në konferencën për shtyp, përkrah kancelarit austriak Christian Stocker dhe kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, Friedrich Merz e cilësoi integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE si një domosdoshmëri gjeopolitike. Ai tha se rajoni nuk duhej të kthehej në një arenë rivaliteti për ndikim mes fuqive të mëdha.

“Ballkani Perëndimor nuk duhet të shndërrohet në një vend ku fuqitë e mëdha rivalizojnë për ndikim. Është në interesin tonë të përbashkët që rruga e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian të jetë e pakthyeshme” –  deklaroi Merz.

Kancelari vlerësoi përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por paralajmëroi se përçarjet politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe tensionet mes Kosovës e Serbisë mbeten pengesa për stabilitetin e rajonit.

Përpara nisjes së samitit, kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti folën për mediat, por me qëndrime të ndryshme. Rama u mjaftua me një përshëndetje për takimin e përvitshëm të Procesit të Berlinit, pa paraqitur kërkesa apo objektiva konkrete për Shqipërinë.

“Është kënaqësi të jem sërish këtu për Procesin e Berlinit, në këtë takim që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme dhe që këtë herë zhvillohet në Mal të Zi” – u shpreh Rama.

Pas përfundimit të samitit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi edhe një takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Ndryshe prej tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbërriti me një kërkesë konkrete: Kosovës t’i jepej statusi i vendit kandidat për anëtarësim. “Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Pikërisht për këtë do të bëj thirrje ndaj liderëve të BE-së, që të kërkojnë opinionin e Komisionit Evropian në lidhje me këtë çështje” – deklaroi Kurti. Ai ngriti gjithashtu çështjen e personave të pagjetur gjatë luftës, duke kërkuar përmbushjen e zotimeve të marra në Samitin e Londrës në vitin 2018.

Çfarë është Procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit, i iniciuar në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe afrimin e tyre me BE-në. Përmes kësaj nisme, vendet e rajonit u angazhuan për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, lehtësimin e lëvizjes së lirë, zhvillimin e infrastrukturës dhe kapërcimin e mosmarrëveshjeve që pengonin bashkëpunimin mes tyre. Austria do të marrë kryesimin e Procesit të Berlinit në vitin 2027.

Continue Reading

Të kërkuara