Kjo është nata e fundit që Ermonela Jaho interpreton këtë rol, në Hamburg, pas 6 netësh të tjera në fund të marsit.
“Dhe kështu, ne arrijmë performancën tonë përfundimtare. Ky produksion ka qenë më shumë se një seri shfaqjesh. Ka qenë një rrahje zemre e përbashkët, një vend ku muzika dhe arti na kanë lidhur në mënyra që fjalët nuk mund të arrijnë kurrë”, shprehet sopranoja, në një postim në rrjetet sociale.
Maria Stuarda (Mary Stuart) është një opera tragjike në dy akte, nga Gaetano Donizetti dhe libret nga Giuseppe Bardari, bazuar në dramën e Schiller-it.
Opera trajton jetën e Marisë, mbretëreshës së Skocisë (Mary Stuart) dhe kushërirës së saj mbretëresha Elizabeth I. Schiller kishte shpikur përballjen e dy mbretëreshave, të cilat në fakt nuk u takuan kurrë.
Sopranoja Jaho, e vlerësuar ndërkombëtarisht, ndau me ndjekësit e rrjeteve sociale edhe një galeri të pasur fotografike nga shfaqjet e tjera të “Maria Stuarda-s”, ku ajo shfaqet me një “look” goditës e mbresëlënës.