Merita Voca është një qytetare me nevoja të veçanta dhe jeton në Mitrovicë. Sikur Voca, edhe shumë persona tjerë të kësaj kategorie të shoqërisë, nuk e kanë të lehtë të përmbushin nevojat e përditshme ditore. Mitrovica, ka shumë për të bërë, që të përshtasë kushtet fizike, që Voca dhe qindra qytetarë të kësaj komune të mund të përballen më lehtë me sfidat e përditshme të jetës.
Florinda Kelmendi-studente e vitit të dytë në Media dhe Komunikim
53-vjeçarja Voca, thotë se personave me aftësi të kufizuara në Mitrovicë u mungojnë kushtet bazike për jetë normale.
“Kushtet që na ofrohen nuk janë në nivel të duhur. Nëpër insitucione mungojnë nevojat bazë si p.sh pjerrinat të cilat janë vetëm në katin përdhesë ndërsa zyrat janë lartë. Edhe ato pjerrina që janë prezente janë të papërshtatshme. Ashensorët nuk punojnë. Në bankë bankomati është shumë lartë, ndërsa për neve që jemi me karroca nevojitet të jetë në nivel më të ulët. Kështu, në vend që t’i kryejmë vetë shërbimet tona na nevojitet gjithmonë të kërkojmë ndihmë nga dikush tjetër”, thotë Voca.
UBTNews sjell rrëfimin e 53-vjeçares, e cila thekson se edhe ndihmën financiare institucionale nuk e kanë të mjaftueshme.
“Nëse unë dua të udhëtoj jashtë qytetit tim, më duhet të paguajë 100 euro në mënyrë që të më ofrohen kushtet adekuate. Unë e kam të pamundur të udhëtojë me autobusë sepse nuk ma zë karrocën brenda. Po ashtu, autobusët nuk kanë pjerrina në hyrjen të tyre. Kështu që, ose ose duhet ta paguaj vetë udhëtimin, ose të qëndroj në shtëpi”, thotë ajo.
Për shkak të pamundësisë për ta vazhduar shkollimin, Merita Voca ka arritur të përfundojë vetëm shkollimin fillor.
“Mirëpo unë vazhdova me shkollim autodidakt. Nuk më është ofruar ndonjë punë nga institucionet publike apo private. Kam punuar aktiviste në shoqatën ‘Handikos’. Aktualisht nuk jam e punësuar, ndërsa të ardhurat e mia janë nga pensioni”, përmend Voca një nga problemet shtesë me të cilin ajo ballafaqohet.
Ajo mendon se për persona me aftësi të kufizuara, mund të ofrohen punë adekuate të cilat janë të zotët t’i kryejnë me përgjegjësi.
“Natyrisht varet nga kategoritë, mirëpo disa persona mund të punojnë në zyrë, agjent të thirrjeve, fizioterapeut, etj”, thotë Voca.
Në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, nuk pranojnë të flasin për shqetësimet që ngritin kjo shtresë e shoqërisë sonë.
Voca, thotë se integrimin në shoqëri nuk e ka fare problem dhe përkundër vështirësive që ka, e do jetën dhe dëshiron të plotësojë epitetin e një qytetareje të dobishme.
“E dua shoqërinë, marr pjesë në panaire të ndryshme, në ndeshje basketbolliste dhe futbollistike. Më respketojnë dhe më ndihmojmë të gjithë”, shton ajo.
Në Mitrovicë, vepron edhe Shoqata “Handikos”, e cila mbulon interesin e personave me aftësi të veçanta, paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës. Qëllimi i saj shoqate është përmirësimi i të drejtave dhe i standardit të jetesës së personave me aftësi të kufizuara.
Drejtoresha e “Handikos” në Mitrovicë, Myrvete Hasani tha se në këtë komunë përfshirë numërohen 510 persona me aftësi të kufizuara. Ajo tregon si veprojnë në kushte jo të favorshme, dhe nuk kanë mundësi të ndihmojnë mjaftueshëm të gjithë nevojtarët.
“Komuna na ka përkrahur shumë rrallë, pajisje nuk na kanë dhuruar. Ndihma e vetme që na kanë ofruar kanë qenë projekte të vogla si “Dita e fëmijëve.”. Shërbimet adekuate ofrohen nga vetë shoqata Handikos, dhe nga donatorët e huaj”, thotë Hasani.
Ajo tregon se “Handikos” ka bashkëpunim me organizatën “Save the Children”, me “Rrjetin e grave” dhe Departamentin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që funksionin brenda Ministrisë së Financave.
“Bashkëpunimi me ‘Save the Children’ përfshin aktivitetet për fëmijë deri në moshën 16-vjeçare. Janë të punësuara psikologia, edukatorja, logopedia dhe ergoterapeutia”, thotë ajo.
Myrvete Hasani tha se për shkollimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, ekzistojnë mundësi solide, porse më pas këta të rinj kanë shumë telashe për gjetjen e një vendit të punës.
“Fëmijëve me aftësi të kufizuara u ofrohen mundësi të shkollimit në shkollë speciale. Gjithashtu një kategori e tyre mund edhe të mësojnë në shkollë normale. Përderisa një person me aftësi të kufizuara e ka intelektin e zhvilluar, nuk e ka problem të aftësohet si të gjithë fëmijët e tjerë në shkollë normale. Ndërsa nëse flasim për punësim, mundësitë janë të pakta”, shtjellon ajo.
Një numër nga këta persona, përfitojnë një ndihmë sociale e cila shpesh quhet si një pension, ndërsa drejtori Rajonal i Zyrës së Pensioneve, Mensur Beqiri tha se janë mjekët ata që e vlerësojnë se cilës kategori nga këta qytetar mund të përfitojnë këtë mbështetje financiare.
“Një person i cili ka të meta, që nga mosha 18-vjeçare deri në moshën 65-vjeçare merr pension. Ndërsa në momentin që kalon në moshën 65-vjeçare kalon në pensionin e pleqërisë që është i barasvlefshëm me pensionin invalidor. Këta persona vijnë aplikojnë, i dorëzojnë dokumentet, marrin formularin që duhet ta plotësojnë, i dorëzojnë raportet mjekësore dhe caktohet seanca nga ministra. Dalin para mjekëve pastaj ata e vlerësojnë se u takon apo jo pensioni këtyre personave. Nëse i takon e merr për një vit, tri vite dhe pesë vite varësisht nga shkalla e invaliditetit”, thotë Beqiri, duke thënë se në rajonin e Mitrovicës, përfshirë Vushtrrinë, Skenderajn, Leposaviqin, Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, janë mbi 4 mijë persona me aftësi të kufizuara që marrin pension./UBTNews/
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka mbajtur mbledhjen e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila pas diskutimeve publike ka vijuar punimet prapa dyerve të mbyllura.
Kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit i ka dorëzuar zyrtarisht raportet e kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim institucional rreth përgjegjësive në këtë rast.
Mirëpo, dorëzimi i dokumenteve ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, akuzoi ekzekutivin për pengim të hetimit dhe tentim të mbulimit të dështimeve të shtetit.
“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha Rrahmani.
Nga ana e tij, kryetari Burim Ramadani është zotuar para mediave se procesi hetimor do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe mbi bazën e fakteve zyrtare. /E.A/
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka cilësuar si të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në hapësirat e Presidencës.
Përmes një reagimi zyrtar, LDK-ja theksoi se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Sipas kësaj partie, trajtimi i simboleve të tilla historike si thjesht elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe cënon vazhdimësinë institucionale.
LDK-ja ka kërkuar rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova të vendosur nga ish-Presidentja Osmani si dhe të Deklaratës së Pavarësisë të vendosur nga ish-Presidenti Sejdiu në vendet e tyre zyrtare të nderit. /E.A/
Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.
Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.
Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.
Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.
Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/
Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.
Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.
Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:
“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/