Lajmet

Shtyhet gjykimi për vrasjen me thikë në Fushë-Kosovë

U propozua që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, është shtyrë seanca fillestar e paraparë të mbahej të hënën, në rastin ku Musliu dhe Bajrami po akuzohen se në bashkëkryerje privuan nga jeta A.H. duke e goditur me thikë në kraharor.

Në fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Taulant Broqi ka deklaruar se nga prokurori Armend Hamiti ishte njoftuar të enjten se ishte ngritur aktakuza dhe që duhej të pajisen me shkresa të lëndës, por për shkak kohës së shkurtër të njoftimit nuk kanë mundur të pajisen, prandaj nuk ishin të gatshëm të deklarohen në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Andaj i njëjti i ka propozuar gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bajrami, avokati Valdet Zeqiri ka propozuar që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, përkatësisht CD.

Të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë mbështetur në tërësi propozimin e mbrojtësve të tyre.

Ndërkaq, prokurori Armend Hamiti fillimisht ka bërë një përmirësim teknik në aktakuzë, ashtu që Shqipe Kryeziu është edhe e dëmtuar dhe dëshmitare.

Ndërsa sa i përket CD, prokurori Hamiti ka sqaruar se nuk kanë mundur të barten për shkak se edhe në konsultim me IT, DVD nuk janë duke mundësuar që të barten materialet e që është provuar edhe DVD tjera por deri më sot ka qenë e pamundshme.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së mbrojtjes për shtyrje të seancës, i njëjti nuk e kundërshtoi.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Behar Ejupi tha se si palë e dëmtuar janë të interesuar që në këtë çështje penale të procedohet duke mos bërë shkelje të Kodit të Procedurës Penale. Ai tha se pala e dëmtuar është e interesuar që gjendja faktike të vërtetohet drejt dhe të merret parasysh parimi i ekonomizimit që çdo shkelje eventuale mund të rezultojë në prishje të aktgjykimit të shkallës së parë nga gjykata e shkallës së dytë, nëse ka ankesë.

Më pas, gjykatësi Ngadhnjim Arrni mori aktvendim, me të cilin aprovoi propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve që shqyrtimi fillestar të caktohet për një datë tjetër.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 5 shtator 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bairami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H, i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim e privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

Me këtë, akuzoehse në bashkëkryerjeje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.

Me këtë, Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Rajoni

Protestuesit sulmojnë objektin e Gjykatës së Apelit

Published

on

By

Protestuesit në Shqipëri kanë hyrë në objektin e Gjykatës së Apelit. 

Pasi kanë qëndruar për pak minuta aty, ata janë larguar. 

Kjo është hera e parë që është sulmuar objekti i Gjykatës së Apelit.

Pasi janë larguar protestuesit, në vendngjarje kanë arritur pjesëtarë të Policisë. Njëri prej protestuesve është shoqëruar në Polici.

Continue Reading

Vendi

Presidenti i Malit të Zi në vizitë në Kosovë

Published

on

By

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare, do të ndërmarrë masat e sigurisë si dhe do të kujdeset për rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të tij në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë – Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. 

Continue Reading

Rajoni

Alarm për bombë në disa institucione në Shqipëri

Published

on

By

Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.

Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/

Continue Reading

Lajmet

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.

Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.

Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara