Lajmet

Shtyhen për vitin 2022 dy filmat e aktorit Tom Cruise

Published

on

Për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 po shtyhet lansimi i dy filmave të shumëpritur të aktorit Tom Cruise.

Paramount njoftoi të mërkurën se filmat e Tom Cruise, “Top Gun: Maverick” dhe“Mission: Impossible 7” do të jepen premierë në vitin 2022, ndonëse ishte paraparë që të shfaqen premierë këtë vit.

Filmi i Tom Cruise, “Top Gun: Maverick” do të lansohet më 27 maj 2022, kurse filmi tjetër i tij “Mission: Impossible 7” do të lansohet më 30 shtator 2022.

Studiot e filmave kanë ndryshuar vazhdimisht datat e lansimit të filmave, ndërsa përpiqen të vlerësojnë kur turmat do të kthehen në kinema./UBTNews

Lajmet

UBT në vitin 2025: Arritjet, sfidat dhe perspektivat për të ardhmen

Published

on

By

UBT vazhdon të jetë lider dhe një nga institucionet më inovative dhe të avancuara të arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon. Me fokus në teknologji, kërkim shkencor, zhvillim të qëndrueshëm dhe lidhje të ngushta me industrinë, UBT është bërë një qendër e ekosistemit të dijes dhe inovacionit. Në këtë intervistë të fundvitit 2025, me Presidentin dhe Themeluesin, Rektorin, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, diskutohet zhvillimi i institucionit, roli i tij në edukimin dhe përgatitjen e studentëve për sfidat globale, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe iniciativat që e bëjnë UBT një model të suksesshëm në arsim dhe shoqëri.

  1. Rektor Hajrizi, këtë fundvit ju u nderuat me Medaljen e Artë të Meritave nga Presidenti i Austrisë, një çmim i lartë shtetëror me peshë të madhe ndërkombëtare. Çfarë përfaqëson për ju personalisht kjo dekoratë dhe çfarë do të thotë për Kosovën?

Po, ishte një çmim jetësor, mund të themi, sepse bëhet fjalë për një nga çmimet që shteti austriak ka dhënë historikisht – që nga koha e monarkisë e deri më sot. Austria vlerëson personalitete që kanë kontribuuar në ndërtimin, zhvillimin dhe promovimin e vlerave, inovacionit dhe kulturës austriake.

Në këtë pikë, jam shumë i lumtur që më është njohur angazhimi im tashmë 30-vjeçar në bashkëpunim me Austrinë, për Austrinë dhe për Kosovën. Është diçka që natyrisht të bën të ndihesh mirë kur një shtet me vlera të konsoliduara, siç është Austria, i konsideron angazhimet e tua si vlera të këtij niveli dhe të këtyre standardeve.

Për mua, kjo është edhe një kënaqësi e veçantë, duke pasur parasysh se vij nga Kosova, dhe një dëshmi se edhe ne shqiptarët mund të gjenerojmë vlera që vlerësohen nga shtete me një traditë të lashtë në konfirmimin e rezultateve dhe kontributeve shkencore e akademike, në fushën e inovacionit, teknologjisë, bashkëpunimit ndër­shtetëror dhe ndër­institucional, si dhe në aspektin e arritjeve personale.

Kështu që, mendoj se kjo përfaqëson një përmbledhje dhe përmbyllje të denjë të këtij angazhimi 30-vjeçar, duke mbetur gjithmonë me një vullnet dhe përgjegjësi të madhe për implementimin e këtyre vlerave edhe në UBT, natyrisht.

  1. Gjatë vitit 2025, ju keni marrë edhe disa vlerësime të tjera madhore, si “Doctor Honoris Causa” në Tiranë, anëtarësimin në Akademinë Evropiane të Shkencave, si dhe mirënjohje ndërkombëtare për paqe dhe inovacion. Si reflektoni mbi këtë vit të jashtëzakonshëm të kontributeve dhe njohjeve ndërkombëtare?

Unë mendoj se tashmë kemi një përvojë dhe një kontribut, i cili, fatmirësisht, vlerësohet. Mbi këtë bazë, jam shumë i lumtur që në këtë përvjetor kemi arritur që institucione dhe organizata të ndryshme, me kritere të ndryshme, të na vlerësojnë për punën tonë. Jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë, sepse ka qenë një vit me shumë mirënjohje. Duke filluar nga përzgjedhja si lider botëror i udhëheqjes universitare, kjo është një ndjenjë shumë e mirë. Modeli që kam implementuar dhe zhvilluar gjatë këtyre viteve është vlerësuar si një nga udhëheqjet më të mira të universiteteve në botë.

Mendoj se kjo është një kënaqësi jo vetëm për ne, por edhe një dëshmi se praktikat e mira të lidershipit nuk gjenden vetëm në universitetet me reputacion qindravjeçar, por edhe në struktura dhe institucione të reja, në vende në tranzicion. Ju e dini që nuk ka qenë e lehtë të ndërtoj një institucion nga zero, por gjithmonë kemi punuar me një strategji dhe model të qartë, inovativ, me praktika të mira, të lidhura me realitetin dhe me vizion. Në këtë mënyrë, kemi arritur të krijojmë një model që tashmë është shumë i njohur dhe i qasshëm në botë, i njohur për publikimet shkencore, çmimet e ndryshme dhe njohjen ndërkombëtare.

Organizata botërore që merret me vlerësimin e lidershipit konfirmon këtë, dhe ne gjithmonë kemi pasur mision për Kosovën dhe për ne si shqiptarë. Kjo bën që kënaqësia të jetë edhe më e madhe, sepse nuk është vetëm çmimi personal, por fakti që Kosova arrin të pozicionohet në këtë nivel.

Gjithashtu, kemi kontribuuar shumë në vlera humane, promovimin e paqes, bashkëpunimin ndër-etnik, ndër-kulturor dhe ndërkombëtar. Kjo është një vlerësim i rëndësishëm për kontributin tonë në krijimin e një mendimi paqësor, për fëmijët dhe të rinjtë, dhe për bashkëpunimet me organizatat ndërkombëtare të paqes, siç janë ato të OKB-së. Si shqiptarë, kemi parime themelore, si familja, respekti ndaj tjetrit dhe ndihma kur ka nevojë, dhe kjo konfirmon kulturën dhe atributet tona të natyrës paqësore dhe proaktive.

Përvoja jonë përfshin edhe faza të vështira kur nuk kemi pasur liri, kur kemi përjetuar pushtim dhe shumë sfida. Këto përvoja kanë krijuar reziliencë dhe kanë mundësuar që të ndihmojmë të tjerët të kuptojnë rëndësinë e paqes dhe sigurisë.

Çmimi ishte një konfirmim i shkëlqyer, dhe pranimi im në dy akademi evropiane – Akademinë Evropiane të Shkencave dhe Akademinë Evropiane të Shkencave dhe Arteve – është një rrugëtim që kërkon konfirmim të punës shkencore dhe akademike me vite, bazuar në kritere të caktuara dhe vlerësim nga komuniteti ndërkombëtar. Jam shumë falënderues që këto institucione prestigjioze kanë njohur kontributin tim, duke më mundësuar të jap edhe vetë kontributin tim në këto organizata. Për mua, kjo përfaqëson kulminacionin dhe konfirmimin e angazhimit tim akademik.

Gjatë viteve kemi fituar çmime për lidership, shkencë, inovacion dhe përgjegjësi sociale, një diversitet i bukur që pasqyrohet dhe konsolidohet në një vit. Marrja e Medaljes së Artë nga Austria është një mesazh i rëndësishëm për të rinjtë dhe për të gjithë ata që punojnë me konsistencë dhe angazhim. Vlerat, kontributi dhe parimet e mira gjithmonë do të njihen. Njerëzimi e vlerëson angazhimin e sinqertë, edhe pse ndonjëherë mund të hasë burokraci ose pengesa. Por, në përgjithësi, njerëzit vlerësojnë ata që punojnë me sinqeritet dhe përkushtim – që ndërtojnë sisteme akademike dhe kontribuojnë në mirëqenien, zhvillimin e të rinjve dhe zhvillimin nacional përmes edukimit, inovacionit, kërkimit shkencor dhe ndërmarrësisë.

  1. UBT u rendit këtë vit me çmime globale si Engaged University of the Year në Triple E Awards. Çfarë tregon ky për pozicionin e UBT-së në hartën botërore të arsimit të lartë?

Edhe UBT tashmë vitin e ardhshëm do të festojë 25-vjetorin, një çerek shekulli në ndërtimin e një institucioni, i cili me rezultatet e tij 25-vjeçare po demonstron qasje dhe koncepte unike të zhvillimit, si dhe impakte të veçanta në shoqëri, akademi dhe zhvillim të qëndrueshëm. Natyrisht, këto rezultate po pasqyrohen edhe në rangime ndërkombëtare dhe, bazuar në këto të dhëna, kemi filluar të marrim rangime dhe çmime në Evropë dhe në botë.

Edhe sivjet, UBT është renditur shumë mirë në fusha të ndryshme: në inovacion, në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në impaktin social, në aspektin shkencor – për shembull në fushën e inxhinierisë UBT është institucioni më i lartë – në teknologji, në inteligjencë artificiale, dhe gjithashtu ka marrë një vlerësim të veçantë si universiteti më i mirë në botë për angazhimin aktiv të universitetit në aktivitete dhe në shoqëri në përgjithësi.

Kjo do të thotë se, përveç angazhimit akademik dhe shkencor si elemente bazë funksionale, universiteti ka shkuar edhe më tej për të ndihmuar shoqërinë në zhvillimin e saj – jo vetëm në edukim, shkencë dhe trajnime, por edhe në krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik të Kosovës, rritjen e eksporteve, promovimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe ndërtimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe humane të shtetit të Kosovës. Këto janë disa nga mekanizmat që e kanë bërë UBT-në shumë unik në relacion me konkurrencën globale, duke u zgjedhur si universiteti më i mirë në botë.

Duke marrë parasysh se kemi një histori relativisht të shkurtër, vetëm 25 vjet, UBT ka arritur vepra shumë të mëdha dhe të veçanta, të cilat komisioni i përbërë nga rreth 50 anëtarë i ka vlerësuar duke na dhënë këtë pozicion si universiteti më i mirë në botë sivjet. Kjo është një kënaqësi e madhe, dhe mendoj se Kosova ka hyrë përmes UBT-së në shumë mekanizma dhe pika të rëndësishme botërore, duke u bërë një referencë e veçantë.

Natyrisht, gjëra të tilla nuk janë të lehta për t’u arritur. Konkurrenca ka qenë me universitetet më të njohura në botë, si ato në Kanada apo vende të tjera, të cilat kanë buxhete të konsiderueshme dhe mbështetje të fortë nga shteti. Ndërsa ne, me një financim të vetë-ndërmarrë dhe strukturë organike, kemi arritur të dalim jashtë kërkesave klasike të një universiteti, duke u fokusuar jo vetëm në edukim dhe shkencë, por edhe në fusha të tjera që nuk janë pjesë e definicioneve klasike, por që kanë qenë pjesë e misionit tonë.

UBT ka synuar të ndërtojë një institucion që ndihmon një vend që ka dalë nga lufta, një vend që ka nevojë të zhvillohet dhe të transformohet me shpejtësi, në mënyrë inovative, duke u lidhur me praktikat dhe standardet më të mira botërore. Misioni i UBT-së ka qenë shumë i veçantë, dhe kjo është arsyeja që këto çmime vazhdimisht vijnë dhe organizatat botërore po na vlerësojnë.

Si rektor dhe themelues i UBT-së, jam shumë i lumtur dhe krenar. Me gjithë stafin po punojmë shumë për të arritur dhe ruajtur një pozicion të tillë, i konfirmuar gjithashtu edhe nga organizata me renome botërore. Kjo për ne është një validim i angazhimit, dëshirës dhe pritshmërisë tonë, duke treguar se puna dhe kontributi i sinqertë gjithmonë vlerësohen.

  1. Në vitin 2025 keni pasur një numër të madh vizitash dhe bashkëpunimesh ndërkombëtare në vende si Italia, Spanja, Portugalia, Gjermania, ShBA. Cilat prej këtyre bashkëpunimeve do t’i veçonit si më domethënëset për UBT-në?

Është e vështirë të veçosh një aspekt të vetëm, sepse të gjitha kanë unicitetin dhe veçantinë e tyre, si dhe vlerat që lidhen me zhvillimin tonë të përgjithshëm dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Duhet marrë parasysh se fryma e ndërtimit tonë ka qenë gjithmonë në partneritet dhe bashkëkrijim të vlerave me universitete partnere, që tashmë arrijnë numrin mbi 500. Këto institucione janë shumë aktive, po ashtu edhe ne, në mirëpritjen e organizatave dhe universiteteve që vijnë për të na vizituar. Ju e dini që kemi dhjetëra e qindra vizita, por edhe ne kemi ftesa të shumta për të qenë prezent, sidomos vitet e fundit, ku rreth 100 vende dhe institucione na kanë ftuar të prezantojmë UBT-në dhe modelin e saj, qytetin mësimor të UBT-së dhe modelet e reja të teknologjisë të avancuar në edukim.

Kemi pasur kënaqësinë të prezantojmë dhe njëkohësisht të krijojmë bashkëpunime në fusha të ndryshme me universitete, kompani prestigjioze, organizata shtetërore dhe organizata joqeveritare. Me Italinë kemi ndërtuar një bazë shumë të fortë bashkëpunimi; vitet e fundit kemi vendosur gjuhën italiane si gjuhë zyrtare studimore në kuadër të UBT-së – një iniciativë unike për herë të parë në Kosovë. Po ashtu, kemi krijuar qendrën e parë të certifikimit të gjuhës italiane dhe kemi hapur Italian Hub, për të mbështetur kompanitë dhe institucionet italiane që dëshirojnë të investojnë në Kosovë, duke u ofruar infrastrukturën dhe kompetencat tona.

Në këtë bazë kemi ndërtuar shumë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e edukimit, për diplomë të dyfishta, por edhe në aspektet e bashkëpunimit industrial dhe teknologjive të avancuara, qoftë për dronë, siguri kibernetike, ushqim, turizëm dhe fusha të tjera që karakterizojnë Italinë. Me Portugalinë kemi krijuar gjithashtu një lidhje shumë të fortë, duke vizituar shumë institucione dhe universitete prestigjioze, duke lidhur marrëveshje bashkëpunimi, dhe duke kontribuar në shkëmbime studentësh dhe stafesh, ndërtimin e forumeve ekonomike dhe shkencore, si dhe në anëtarësime të ndryshme globale. Lidhja me Portugalinë përforcohet edhe nga ngjashmëria kulturore dhe funksionale, përfshirë teknologjinë dhe ushqimin, duke krijuar mundësi të shkëmbimit reciprok.

UBT luan një rol të ngjashëm me atë të një ambasadori, duke përfaqësuar Kosovën dhe praktikat e saj të mira. Në Gjermani, Austri dhe shumë vende të tjera, kemi pasur vizita të veçanta. Në Bullgari kemi zhvilluar projekte shumëdimensionale për ngritjen e kapaciteteve kërkimore, bashkëpunuar me Technical University of Sofia dhe partnerë të tjerë për publikime shkencore dhe organizimin e konferencave dhe shkollave verore.

Në Shqipëri, Angli dhe Britaninë e Madhe kemi bashkëpunuar me universitete prestigjioze, si Universiteti i Cambridge-it, duke krijuar qasje dhe formate të reja, si cooperation labs, të njohura për inovacionin në nivel botëror. Nga ana tjetër, kemi arritur akreditime dhe formate të reja në bashkëpunim me institucione britanike.

Po ashtu, kemi bashkëpunime me vende të tjera, përfshirë Azinë, Amerikën Latine (p.sh. Kolumbi dhe Panama) dhe Afrikën. Këtë vit, UBT ka pasur një shtrirje globale në pothuajse të gjitha kontinentet, duke vizituar institucione dhe duke pritur delegacione ndërkombëtare. Një vizitë e veçantë ishte edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Sam Houston State University në Teksas, ku përveç programeve akademike dhe shkëmbimit, kemi krijuar edhe ide inovative për US Texas American Study në UBT, për të ndërtuar një ndërlidhje të vazhdueshme dhe të shkëmbimit të përvojave. Kjo do të shërbejë gjithashtu si qendër komunikimi për institucionet amerikane në pjesën akademike dhe shkencore, edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto shkëmbime kanë qenë jashtëzakonisht të veçanta dhe kanë ndikuar në ngritjen e cilësisë së studimeve tona, konfirmimin e cilësisë së programeve, si dhe në zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit tonë. Dua t’i falënderoj të gjithë për mikpritjen, ftesën, prezantimin dhe bashkëpunimin. Është një ndjenjë shumë e mirë të shohësh një angazhim kaq të madh dhe rezultate konkrete. Në javën tjetër do të kemi vizita të veçanta në Itali, në Universitetin e Torinos dhe në Gjenevë, ku do të marrim pjesë në një konferencë të Akademisë Evropiane të Shkencës.

Kështu, po përmbyllet një cikël i madh bashkëpunimesh ndërkombëtare, që është me të vërtetë unik dhe shumë dinamik, duke kontribuar në ngritjen e cilësisë së studimeve, zhvillimin e stafit dhe studentëve, si dhe në aspektin shkencor dhe profesional.

  1. Cilat janë marrëveshjet ose projektet më të rëndësishme strategjike që UBT ka nënshkruar këtë vit me institucione ndërkombëtare?

Unë mendoj se kemi pasur dhjetra partneritete me universitete të ndryshme në botë, me të cilat kemi lidhur marrëveshje. Përveç marrëveshjeve klasike të bashkëpunimit, këtë vit kemi qenë shumë më specifikë, duke përfshirë diploma të përbashkëta, shkëmbimin e stafit dhe krijimin e qendrave të përbashkëta. Për shembull, me Turqinë dhe vende të tjera kemi krijuar edhe zona teknologjike të përbashkëta, zona virtuale teknologjike, si dhe hubs, domethënë qendra të bashkëpunimit. Po ashtu, kemi lidhur marrëveshje me industri të ndryshme për zhvillimin e produkteve të reja të përbashkëta.

Me Zvicrën, për shembull, kemi lidhur një marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi me kompani globale, si dhe me kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, Turqia, Evropa, Austria, dhe vende të tjera. Thjesht, kemi shpërndarë shumë marrëveshje të reja, ku futemi me iniciativa inovative. Nuk po hyj në detaje specifike sepse merr kohë, por sidoqoftë, ato kanë qenë strategjike dhe kanë ndihmuar në krijimin e një “qyteti” me diversitet shumë të madh, siç është UBT.

  1. UBT shënoi një rritje rekord të regjistrimeve në studime, në të gjitha nivelet dhe sidomos në programe të reja. Ku e bazoni këtë rritje të madhe dhe pse mendoni se gjithnjë e më shumë të rinj po e zgjedhin UBT-në?

Unë mendoj që, fatmirësisht, në të gjitha këto formate ekziston një ndjenjë shumë e mirë dhe pozitive, gjë që reflektohet edhe në indikatorët e studentëve, ku kemi rritje të vazhdueshme çdo vit. Kemi filluar me 20 studentë, ndërsa sot kemi mijëra studentë që vijnë dhe regjistrohen, dhe çdo vit është shënuar rritje. Kënaqësia është shumë e madhe që edhe këtë vit kemi një rritje të theksuar, duke u mbuluar plotësisht numri i vendeve që kemi pasur në dispozicion sipas akreditimit, përkundër faktit që sivjet kemi pasur kërkesa edhe më të larta. Aktualisht po punojmë që këta numra dhe programet të rriten edhe më tej.

Unë mendoj që oferta e UBT-së është një ofertë unike dhe e veçantë, për shkak se ka një diversitet shumë të madh të programeve inovative. Çdo program në UBT është ndër programet më të reja dhe më të përditësuara në nivel botëror. Kjo na konfirmon edhe fakti që ne kemi diploma që njihen në Amerikë, kemi bashkëpunime me universitete në Evropë dhe më gjerë, si dhe akreditime të ndryshme ndërkombëtare. Kjo bën që realisht studenti dhe studimet e përfunduara në UBT të jenë të bazuara në atë që quhet state of the art.

Në këtë rast, nuk ka arsye të mendohet se ka mbetur ndonjë mangësi në përmbajtje, në tematika të reja apo në emërtimet moderne të programeve që ofron UBT. Me mbi 100 specializime të ndryshme, të gjitha shumë të afërta me tregun e punës dhe me kompetencat e së ardhmes, mendoj që kjo ofertë është shumë atraktive dhe e veçantë krahasuar me institucionet e tjera, gjë që reflektohet edhe në interesimin e lartë të studentëve.

Një pjesë tjetër shumë e rëndësishme është infrastruktura moderne. UBT ka arritur t’u ofrojë studentëve një qytet të tërë universitar, duke ndërtuar qytetin e vet – Qytetin e Mençur të UBT-së – i cili përveç edukimit dhe jetës për të gjitha gjeneratat, përmban mbi 200 laboratorë funksionalë, unikë dhe të kompletuar në një standard që rrallë gjendet në rajon. Përveç kësaj, janë ndërtuar mbi 80 kompani dhe funksione reale të kompanive, ku studentët kanë mundësinë të mësojnë dhe të përjetojnë aspektin industrial para se të hyjnë në tregun e punës, gjë që i bën ata shumë më të përgatitur dhe më të shpejtë në integrimin në kompetencat që kërkon tregu i punës.

Edhe nga aspekti statistikor, kënaqësia e industrisë me të diplomuarit e UBT-së është shumë e lartë. Industria jep vazhdimisht mesazhe pozitive për cilësinë e tyre, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt edhe tek familjet dhe të rinjtë, të cilët ndërlidhen me këtë komunikim dhe shprehin interes për bashkëpunim dhe studim në UBT.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm është se ne kemi dashur ta mbajmë koston sa më të ulët për studentët tanë, sepse kemi ndërtuar një universitet për ta, të përballueshëm me një kosto minimale. Kjo kosto është e pakrahasueshme me cilësinë që ofrojmë në nivel botëror dhe shpeshherë është shumë herë më e ulët, madje e përafërt ose nganjëherë edhe e krahasueshme me institucionet publike të vendit. Kur ofrohet njëkohësisht edhe cilësia edhe përballueshmëria financiare, krijohet një mundësi reale për talentët dhe të rinjtë që të marrin atë që e meritojnë: një shkollim cilësor në vendin e tyre, pa pasur nevojë të largohen nga familja dhe pa shpenzime enorme.

Fatmirësisht, sot të gjitha ato që të rinjtë i ëndërrojnë mund t’i gjejnë në UBT, dhe pikërisht mënyra se si UBT renditet në pozitat më të larta ndërkombëtare dëshmon se kjo është ajo që konsiderohet state of the art në arsimin e lartë.

Përveç kësaj, një rol kyç ka edhe stafi. Ne kemi një staf shumë të dedikuar, të edukuar në nivelet më të larta akademike, në universitetet dhe qendrat më të mira botërore. UBT ka raportin më të lartë dhe më cilësor të stafit të rregullt në raport me numrin e studentëve në Kosovë, duke u afruar shumë me modelet e universiteteve më të mira në botë. Kemi ndërtuar një ekip me mbi 400 doktorë të shkencave të rregullt, si dhe qindra specialistë të tjerë: magjistra, asistentë të rinj, doktorë të mjekësisë nga klinika të ndryshme, inxhinierë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Njëkohësisht, kemi ftuar edhe ekspertë nga industria, të cilët sjellin përvojën e tyre praktike, si dhe profesorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke garantuar një ndërkombëtarizim të vërtetë të kompetencave akademike. Studentët i kanë këto kompetenca pranë vetes, në vendin e tyre, me një përkushtim të veçantë, sikur të ishin fëmijët tanë, për t’i ndihmuar të zhvillohen dhe të punësohen. Një pjesë e madhe e tyre punësohen edhe brenda ekosistemit të UBT-së, por edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Të gjitha këto bëjnë që UBT të ketë një interesim gjithnjë e më të madh nga studentët vendorë, por edhe nga rajoni dhe më gjerë. Ka një rritje të ndjeshme të studentëve që vijnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, por edhe nga Turqia dhe Italia, ku numri i tyre ka filluar të rritet ndjeshëm, pikërisht për shkak të cilësisë, ndërkombëtarizimit dhe kushteve të mira të studimit.

Sidomos këtë vit kemi pasur një rritje të konsiderueshme, madje të dyfishuar, të interesimit për studime në nivelin master. Të rinjtë po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se kompetencat e nivelit bachelor nuk janë gjithmonë të mjaftueshme, duke marrë parasysh kompleksitetin dhe tranzicionet e mëdha globale. Ata kërkojnë ekspertizë dhe dije më të avancuar, që fillon pikërisht në nivelin master dhe doktoratë. Kjo është edhe një shenjë shumë pozitive dhe një mesazh i mirë për stabilitetin e Kosovës, duke pasur parasysh interesimin e të rinjve për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim të vazhdueshëm të kompetencave.

  1. Në aspektin e komunikimit dhe marketingut, UBT në mediat sociale arriti më shumë se 40 milionë shikime në total këtë vit, një shifër rekord. Si e shihni këtë performancë dhe sa përkthehet në ndikim real për studentët dhe institucionin?

Vetë kjo shifër tregon se ekziston një shpërndarje enorme e aktiviteteve dhe e punës. Mendoj se mund të flisnim me ditë të tëra për angazhimet e UBT-së dhe për rezultatet e arritura. Vetë grupi i mediave bën një punë të jashtëzakonshme, po ashtu edhe qendrat e informimit dhe orientimit, si dhe grupi i marrëdhënieve me publikun, të cilët gjenerojnë dhjetëra informacione për televizion, radio dhe platformat e UBT-së. Fatmirësisht, këto janë lajme pozitive dhe interesante, të cilat rrisin kureshtjen e shikuesve.

Falënderoj të gjithë ata që janë angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen, duke bërë një punë të jashtëzakonshme dhe duke arritur që UBT të njihet dhe të lidhet me publikun, jo vetëm në nivel vendor, por edhe ndërkombëtar. Kjo konfirmon se bëhet fjalë për një punë me vlerë dhe se ekziston interes për ta përcjellë këtë punë.

Në këtë mënyrë, ka njerëz që na ndjekin dhe na tregojnë se na përcjellin në rrjetet sociale, duke e konsideruar këtë një përgëzim për ekzistencën e institucioneve të tilla, të cilat vazhdimisht gjenerojnë suksese. E gjithë kjo punë realizohet në bashkëpunim me gjithë ekosistemin e UBT-së, i cili reflektohet përmes gjithë stafit në gjenerimin e sukseseve për studentët, dhe më pas, përmes angazhimit të grupit të mediave dhe promovimit, këto suksese kanalizohen në një rrugëtim sa më të qartë dhe komunikueshëm.

Kështu, qytetarët arrijnë të kenë informacion dhe një perceptim pozitiv, i cili shpresoj se mund t’i ndihmojë në orientimin e tyre. Kosova ka shumë nevojë për lajme pozitive, dhe UBT është gjeneruesi më i madh i lajmeve dhe rezultateve pozitive në vend. Nuk ka krahasueshmëri në mënyrën se sa punohet për sukseset akademike, si dhe për arritjet ku përfaqësohet flamuri i Kosovës në nivel botëror.

Në çdo garë, pozicion dhe proces ndërkombëtarizimi, UBT është lider sa i përket angazhimit dhe përgjegjësisë sociale. Unë mendoj se publikut i ofrojmë informacione dhe dije të vlefshme, të cilat, bazuar në statistika shumë të mira, tregojnë një trend të qartë rritjeje nga viti në vit.

  1. UBT është bërë model i inovacionit, sipërmarrjes dhe impaktit shoqëror jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Cilat iniciativa të vitit 2025 do të theksonit si më transformative?

Ne jemi në një strategji për periudhën 2027–2030, në kuadër të së cilës kemi vendosur modelin UBT 5S, një sistem që synon të konfirmojë arsyen dhe rëndësinë e ekzistencës së një ekosistemi inovativ dhe të vetëqëndrueshëm, si në aspektin e ndërmarrësisë, ashtu edhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Ky ekosistem përfshin të gjitha teknologjitë moderne që rrisin cilësinë e jetës së njeriut, produktivitetin, rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, sigurinë dhe shumë komponentë të tjerë pozitivë.

Ky model është duke u kompletuar dhe gjatë vitit 2025 kemi pasur shumë arritje. Vetë qyteti që kemi ndërtuar në zonën e kampusit ka dhënë rezultate të shumta. Gjatë këtij viti kemi hapur fabrika të reja, përfshirë fabrikën për përpunimin e ujit të pijshëm dhe të distiluar, fabrikën e materialeve pastruese, si dhe një farmaci. Po ashtu, kemi vazhduar me investime në ndërtimin e kapaciteteve të reja klinike dhe spitalore, si dhe kemi hapur Institutin e Mjekësisë Sportive, një nevojë e rëndësishme për Kosovën.

Kemi vazhduar gjithashtu me hapjen e qendrave të ndryshme të shkencave humane dhe sociale, si dhe instituteve të ndryshme kërkimore. Është rritur numri i kapaciteteve të teknologjive moderne dhe të avancuara. Po ashtu, këtë vit kemi përmbyllur të gjithë ekosistemin dhe platformën e lidhur me Inteligjencën Artificiale, me të cilën kemi arritur të pozicionohemi si institucioni më i kompletuar për sa i përket ndërlidhjes dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale në të gjitha funksionet e ekosistemit tonë. Për këtë arsye, jemi vlerësuar edhe në aspektin ndërkombëtar.

Gjatë kësaj periudhe kemi hapur programe të reja studimi, kemi ndërtuar infrastrukturë dhe qendra të reja inovacioni. Kemi aktivizuar UBT-në në Londër, Vjenë dhe Shqipëri, duke shënuar një rritje të strukturuar të UBT-së gjatë këtij viti. Përveç risive të reja, kemi pasur edhe rritje të stafit akademik dhe administrativ.

Edhe këtë vit kemi zhvilluar aktivitete të shumta në shërbim të komunitetit. Kemi ndihmuar komunat në hartimin e planeve zhvillimore urbane dhe të politikave publike. Po ashtu, kemi kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të komunitetit për integrim dhe zhvillim. Njëkohësisht, kemi mbështetur kompanitë e Kosovës që të shfrytëzojnë ekosistemin e UBT-së për të rritur efikasitetin e tyre dhe për të krijuar mundësi zhvillimi më të shpejtë.

  1. Një nga lajmet më të rëndësishme të këtij viti ishte hapja e Shkollës së Futbollit të S.L. Benfica në Prishtinë, në partneritet me UBT-në. Si erdhi ky partneritet dhe çfarë do të thotë për të rinjtë në Kosovë?

UBT ka një rol të rëndësishëm për Kosovën dhe luan një funksion të veçantë si ambasador për promovimin e saj, përmes potencialit që zotëron. Përmes kompetencave të saj, ne jemi një institucion atraktiv, i cili tërheq institucione dhe kompani që vijnë dhe investojnë në Kosovë. Ju e dini se deri më tani kemi arritur të kemi mbi 100 kompani që, falë UBT-së, kanë ardhur dhe janë pozicionuar në Kosovë.

Një prej tyre është edhe Akademia e Futbollit e Benfica, e njohur si akademia më e mirë dhe më e zhvilluar në botë, me një traditë të jashtëzakonshme. Ne u kemi ofruar atyre bashkëpunim dhe një vlerë që ndërlidhet drejtpërdrejt me misionin, vizionin dhe strategjinë e tyre. Në nivel rajonal, ata e kanë parë UBT-në si institucionin me të cilin mund të bashkëpunojnë pa i humbur vlerat e tyre, përkundrazi, duke i implementuar ato sa më mirë dhe sa më shpejt.

Vlerat e akademisë nuk lidhen vetëm me futbollin në kuptimin klasik – fushën dhe individin – por përfshijnë edhe teknologjinë, shëndetin, mjekësinë, analizat e ndryshme, ushqyerjen, menaxhimin dhe lidershipin. Të gjitha këto platforma, UBT ua ofron partnerëve për të krijuar një rrugë të lehtë, të drejtë dhe të ndërtuar mbi standarde të larta.

Jam shumë i lumtur që, si UBT, po sjellim këtë akademi në Kosovë, duke bërë që Kosova të mbetet qendër e zhvillimit të talenteve mbi praktikat më të mira në botë. Duke marrë parasysh faktin se Benfica ka zgjedhur të vijë në Kosovë dhe jo në një vend tjetër, kjo përbën një konfirmim të qartë se është bërë një punë e mirë dhe pozitive. Në vitin 2026 do të startojmë zyrtarisht me akademinë.

Ardhja e Benfices është një lajm shumë i mirë për Kosovën, sepse është rezultat i një pune dhe angazhimi shumëvjeçar për të konfirmuar dhe validuar këtë bashkëpunim. Edhe ata kanë qenë proaktivë në afrimin me ne, duke ndërtuar së bashku një balancë të shëndoshë dhe të qëndrueshme të bashkëpunimit.

  1. UBT këtë vit u bë institucioni i parë në rajon që integroi në mënyrë të plotë inteligjencën artificiale në sistemin arsimor, qoftë në mësimdhënie, mësimnxënie, kërkim shkencor apo shërbime studentore. Si e vlerësoni këtë hap transformues dhe çfarë ndikimi konkret ka pasur në cilësinë e studimeve dhe përgatitjen e studentëve për tregun e së ardhmes?

Mendoj se ju e dini që një prej fjalëve më të përdorura në vitet e fundit, sidomos pas zhvillimit të modeleve gjenerative të Inteligjencës Artificiale (AI), është pikërisht AI-ja. Kjo është një temë që nuk mund dhe nuk duhet të neglizhohet. Po jetojmë në një periudhë ku AI ka filluar të zbatohet dhe të ketë një ndikim gjithnjë e më të prekshëm në jetën e njeriut. Fatmirësisht, për UBT-në kjo ka ndodhur në kohën e duhur, sepse UBT gjithmonë ka punuar vazhdimisht në ndërtimin e kapaciteteve të veta, duke zhvilluar struktura që e ndërlidhin, e zhvillojnë dhe e zbatojnë Inteligjencën Artificiale në të gjitha funksionet e saj.

Funksionet tona përfshijnë edukimin, trajnimet e stafit dhe të qytetarëve, krijimin e kompetencave të reja në ndërmarrësi, zhvillimin softuerik dhe aplikacionet e reja, si dhe fushën e sigurisë kibernetike. Ne kemi krijuar UBT AI Factory, një terminologji e njohur në teknologji, e cila përfaqëson një zonë dhe qendër prodhuese të aplikacioneve të AI-së në fusha të ndryshme.

Në këtë bazë, kemi arritur të zhvillojmë aplikacione të ndryshme në fushën e gjuhës, përfshirë përkthimin automatik nga gjuha shqipe në anglisht, testime shëndetësore, matjen e parametrave shëndetësorë përmes zërit dhe kollitjes, analiza të qelizave njerëzore dhe konfirmimin e gjendjes së tyre aktuale për raportim dhe ndërhyrje të saktë, si dhe parandalimin e zjarreve. Po ashtu, kemi zhvilluar shumë funksione të digjitalizimit dhe zgjidhje të tjera që përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë të UBT-së në risitë e përdorimit të AI-së në fusha të ndryshme të jetës.

Përveç kësaj, kemi krijuar edhe platformën tonë dhe, në bashkëpunim me EON, kemi zhvilluar një platformë të bazuar në teknologjinë cloud, e cila mundëson qasje të vazhdueshme të studentëve dhe profesorëve për trajnim, mbështetje, edukim dhe vlerësim, pavarësisht se ku ndodhen. Kjo platformë është diçka unike në botë dhe, përmes saj, kemi adresuar edhe dilemat rreth mënyrës së përdorimit të AI-së, nivelit të shfrytëzimit dhe ndikimit të saj. Kemi konstatuar se AI është një vlerë e shtuar për njerëzimin, pasi rrit produktivitetin dhe kreativitetin dhe ndihmon në shumë aspekte të jetës, por përdorimi i saj duhet të jetë gjithmonë etik dhe profesional.

UBT ka ndërtuar një pozicion shumë të mirë në këtë drejtim dhe kjo nuk është rastësi. Ne kemi marrë edhe çmime të larta ndërkombëtare, duke u renditur në vendin e 26-të në botë për kategorinë “Generative AI Application” dhe në vendin e 5-të për kategorinë “Support for Global Resilience”. Po ashtu, kemi marrë pjesë në dhjetëra konferenca ndërkombëtare, ku jemi ftuar të flasim për ndikimin, rolin dhe mënyrën e implementimit të Inteligjencës Artificiale, bazuar në përvojën konkrete të UBT-së në fusha të ndryshme.

  1. Gjatë vitit 2025, UBT ka marrë role të rëndësishme edhe në diplomaci akademike dhe projekte ndërkombëtare. Si e shihni rolin e UBT-së në avancimin e imazhit të Kosovës në arenën globale?

Unë mendoj se UBT, që nga fillimi, ka qenë shumë e angazhuar. Ne kemi qenë shumë të angazhuar dhe unë, personalisht, shumë i përkushtuar. Mendoj se rreth 50% e kohës i takon promovimit të Kosovës përmes vlerave akademike, rezultateve shkencore dhe inovacioneve që zhvillojmë, me qëllim që të sjellim Kosovën në nivele të ndryshme dhe në organizata, qendra, çmime të ndryshme, dhe për ta konfirmuar se Kosova është një vend i zhvilluar, inovativ, me talent, demokratik dhe të interesuar të jetë pjesë e frymës demokratike dhe të vlerave euro-atlantike.

Besoj se me kohë, dije dhe financa do të bëjmë maksimumin që kjo punë të jetë prioriteti ynë, sepse për ne kjo është prioritet. Ju jeni dëshmitarë të veprave tona që i zhvillojmë në këtë drejtim. Ne kemi dhjetra anëtarësime të Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe edhe sivjet kemi bërë anëtarësime të reja, si për Kosovën, jo vetëm si UBT, por edhe përfaqësim në nivel profesional dhe të Akademisë së Kosovës.

Pjesëmarrja jonë në gara robotike, në gara të ndryshme, prezenca, çmimet tona, gjithë organizimi dhe financimi, si dhe marrja e përgjegjësisë, tregojnë se UBT ka një fokus të madh. Ftesat nga organizatat botërore për të organizuar aktivitetet e tyre janë gjithashtu dëshmi e këtij fokusi. Në tetor, për shembull, organizata botërore e mjekësisë sportive erdhi për herë të parë në Kosovë dhe për herë të parë u organizua një konferencë e rangut botëror. Po ashtu, International Federation for Control and Automation, një organizatë me nivel botëror, është sjellë falë përpjekjeve tona, si dhe shumë mekanizma të tjerë, të cilët gjatë vitit 2025 kanë qenë relevantë dhe të vendosur nga UBT.

Të gjitha këto pozita dhe vizita, të cilat i përmenda më lart, kanë qenë po ashtu në funksion të promovimit të Kosovës dhe të ndërlidhjes së saj me botën. Edhe anëtarësimi ynë në organizatën botërore të institucioneve të ndërmarrësisë ka qenë një risi sivjet, ndërsa anëtarësimet e mia në Akademinë e Shkencave dhe në shumë organizata të tjera i dedikohen gjithashtu promovimit të Kosovës dhe funksionit të saj ndërkombëtar.

  1. Si ka evoluar bashkëpunimi i UBT-së me sektorin privat dhe industrinë gjatë vitit 2025, dhe si ka ndikuar kjo në përgatitjen praktike të studentëve?

Po, siç thashë, ne kemi punuar shumë edhe në këtë pikë, sepse bashkëpunimi ynë me industrinë është jetësor, pa të cilin nuk mund të funksionojmë. Për ne, ndërmarrësia, industria dhe sektorë të ndryshëm, por edhe Qeveria, janë shumë të rëndësishme. Dëshirojmë që ky bashkëpunim të jetë sa më i madh, sa më i afërt dhe me komunikime të vazhdueshme. Ne kemi pasur bashkëpunime të tilla me oda të ndryshme dhe përfaqësues të bizneseve, por sivjet kemi bërë një hap më të madh: kemi krijuar ekosistemin tonë industrial në UBT.

Ky ekosistem i dedikohet një lidhjeje direkte me kompanitë, duke zhvilluar bashkëpunime të përbashkëta, trajnime të përbashkëta, programe të përbashkëta dhe panaire të përbashkëta. Po ashtu, kompanitë kanë kontribuuar edhe në këshillat mbikëqyrës dhe këshillat këshilldhënëse industriale të çdo fakulteti apo programi studimi në UBT. Tani kemi me qindra dhe mijëra kompani me të cilat kemi një bashkëpunim të mirëfilltë, si përmes marrëveshjeve formale, ashtu edhe përmes një ndërlidhjeje të veçantë.

Gjithashtu, ato kanë ndihmuar edhe në sponsorizime të ndryshme të eventeve tona, për të cilat dua t’i falënderoj në mënyrë të veçantë dhe t’i ftoj të gjithë që të përfitojnë nga ky ekosistem. Ne u kemi ofruar mundësi për të përdorur kuadrot tona, stafin e ri dhe të përgatitur, si dhe laboratorët dhe qendrat tona testuese për të testuar prototipet dhe zhvillimet e tyre. Realisht, UBT është një qendër testuese për zhvillime inovative, dhe i ftoj të gjithë ata që ende nuk e kanë përdorur këtë mundësi që dyert tona janë të hapura, për t’u arritur sa më shpejt rezultatet konkrete të zhvillimit të produkteve apo koncepteve që ata dëshirojnë.

Pra, ky ekosistem industri – UBT është tanimë një realitet që po natyralizohet përmes mënyrës se si komunikojmë me partnerët tanë. Besoj se sivjet ka pasur një rritje të madhe të këtij bashkëpunimi dhe uroj që në vitin e ardhshëm të konkretizojmë edhe projekte shumë më të mëdha.

  1. Duke qenë se viti 2026 shënon 25-vjetorin e themelimit të UBT-së, çfarë simbolizon ky jubile për ju personalisht dhe për institucionin? A keni planifikuar aktivitete ose projekte të rëndësishme?

Ne, natyrisht, 25-vjetorin nuk mund ta lëmë pa reflektuar, pa u ndalur pak. Është një kënaqësi, një lumturi, një moment që na detyron të vlerësojmë punën 25-vjeçare që është bërë, dhe kemi mjaftueshëm për të treguar. Nga fundi i këtij muaji dhe fillimi i vitit të ri, e deri në fund të vitit, do ta shënojmë vitin e 25-të, një çerek shekulli të angazhimit të UBT-së.

Puna që ka filluar në vitin 2001 ka krijuar një rrugëtim që tani po kurorëzohet me një çerek shekulli rritjeje të vazhdueshme, një rritje organike që në shumë raste është unike në nivel botëror. Është e nevojshme që të kthehemi pak pas dhe të themi se çfarë kemi bërë, si është zhvilluar dhe ndërtuar UBT-ja, duke ndërtuar veten, duke ndihmuar ndërtimin e shtetit, kapaciteteve shtetërore, duke anëtarësuar Kosovën, duke ndërtuar kuadro të reja, si dhe duke krijuar të vetat. Ky ka qenë një rrugëtim natyror që ka sjellë shumë përgjegjësi, dhe fatmirësisht ka ndodhur me sukses.

Kemi vendosur që 25-vjetorin ta shënojmë jo vetëm me një aktivitet, por me një seri aktivitetesh gjatë vitit 2026. Do të ketë konferenca të ndryshme dedikuar 25-vjetorit, aktivitete kulturore, një ceremoni madhështore ku ftojmë partnerët tanë nga e gjithë bota, publikime të ndryshme të librit të 25-vjetorit, dhe aktivitete artistike dhe kulturore që prezentojnë këtë përvjetor. Edhe brendimi ynë do të jetë i veçantë, për të konkretizuar diçka shumë të lumtur, të bukur dhe me vërtetë kënaqësi.

Ky 25-vjetor është një ndjenjë e plotësuar, duke marrë parasysh thënien e Kennedy-t: “Mos prit çfarë bën shteti për ty, por çfarë ti mund të bësh për shtetin”. Këtu kemi mjaft konfirmime: kur i shohim të rinjtë tanë që janë bërë profesorë dhe vazhdojnë të kontribuojnë, kur i shohim në kompanitë që kanë ndërtuar, në qendrat botërore dhe në politikë. Po ashtu, shohim një rritje të vazhdueshme të kompanive të Kosovës, të cilat me studentët dhe stafin tonë gjenerojnë eksporte të ndryshme dhe krijojnë prezencë të vazhdueshme.

UBT-ja dhe Kosova janë tashmë qendra inovative e arsimit, me kërkesa gjithnjë e më të mëdha për shkëmbime, bashkëpunime dhe ardhjen e studentëve për studime. Këto do të reflektohen në formate të ndryshme: muze të shtuar me vlerat e 25-vjetorit, galeri të pasuruara, teatro me shfaqje të veçanta për këtë përvjetor, koncerte të shumta dhe publikime që dokumentojnë dhe kultivojnë të dhënat dhe informacionet e këtyre viteve.

Natyrisht, do të bëjmë një falënderim dhe reflektim të gjithë atyre që kanë kontribuar: familjeve, partnerëve, stafit, studentëve, prindërve të studentëve, industrisë, shtetit të Kosovës dhe shteteve të tjera që kanë qenë pjesë aktive, si dhe parlamentarëve dhe shumë kontribuesve të tjerë. Ata kanë marrë pjesë me kënaqësi dhe janë bashkuar me misionin dhe vizionin tonë.

Kjo nuk është një mbyllje, por një reflektim dhe vazhdimësi, sepse një institucion i tillë duhet të qëndrojë për qindra e mijëra vjet, si universitetet e tjera që ekzistojnë dhe janë aktive për shekuj me radhë. UBT do të punojë që të mbetet gjallë dhe aktive përgjithmonë.

  1. Me gjithë këto arritje të vitit 2025, cilat janë pritshmëritë, vizionet dhe objektivat strategjike të UBT-së për vitin 2026, sidomos në prag të 25-vjetorit?

Ne jemi duke elaboruar dhe pozicionuar UBT-në në nivel global. Kemi arritur të pozicionohemi mjaft mirë dhe të përmbyllim konceptin e qytetit të mençur, i cili është një proces i vazhdueshëm. Transformimet digjitale, teknologjitë e gjelbra dhe të tjera na japin hapësirë të madhe për zhvillim në pesë vitet e ardhshme.

Njëkohësisht, jemi duke punuar që qendrat tona botërore të zhvillohen edhe më tej, në mënyrë që të krijojmë satelite më të mëdha të prezencës së UBT-së në nivel global. Tashmë, me prezencën tonë në Evropë, besojmë se do ta kemi edhe në Amerikë, Azi dhe Afrikë. Ky model i ri, tashmë i stabilizuar dhe konfirmuar, ka shumë kërkesa për të u bartur edhe në zona të tjera, dhe ne do të jemi aktivë në globalizimin dhe ndërtimin e formateve të tilla.

Do të rrisim edhe më shumë pjesën shkencore dhe produktivitetin akademik, në mënyrë që të pozicionohemi më mirë, si dhe do të krijojmë qendra të përbashkëta hulumtimi dhe inovacioni. Në këtë mënyrë, besojmë se rritja do të vazhdojë po aq dinamike sa deri më tash.

Kemi një strategji deri në vitin 2030 dhe gjithashtu një strategji që shikon deri në vitin 2035. Bazuar në këto strategji, me qëllime shumë të qarta dhe objektiva të mirëfillta për çdo dyvjeçar, besojmë se do të arrijmë një formësim të qëndrueshëm. Edhe me rastin e 25-vjetorit, mund të bëjmë një shpalosje apo reflektim më specifik për dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Vija dhe vizioni janë të qarta: të vazhdojmë me rritje organike, të kemi një qasje të vazhdueshme ndaj ndërmarrësisë dhe përgjegjësisë shoqërore, dhe mbi të gjitha, të konfirmojmë edhe më tej rolin e inovacionit, teknologjisë dhe edukimit.

Mesazhi për fundvit nga Rektori Hajrizi

Në fund të vitit, një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që kanë kontribuuar dhe bashkëpunuar me ne: studentët tanë dhe familjet e tyre, stafin tonë të nderuar, partnerët, universitetet, komunitetin tonë, bizneset, qeveritë lokale dhe qendrore, si dhe universitetet botërore. Të gjithëve, një falënderim i veçantë për bashkëpunimin e deritanishëm.

Nga ana tjetër, urojmë festat e fundvitit dhe Vitin e Ri, duke ju dëshiruar të gjitha të mirat që çdo individ dhe partner i dëshiron në misionin dhe vizionin e tij. Dëshirojmë që ato dëshira të plotësohen, duke qenë sa më të lumtur, të suksesshëm, të shëndetshëm, humanë, me qetësi shpirtërore, të lidhur me paqen personale, familjen dhe shoqërinë, pa ndjerë pasiguri, por me energji pozitive për një të ardhme të ndritshme.

Ne besojmë dhe urojmë që vitin e ardhshëm ta shohim të gjithë më pozitiv, dhe që e ardhmja të jetë sa më e mirë. Deri më tani, njerëzimi ka pasur zhvillim të vazhdueshëm dhe një jetë më të mirë, dhe unë jam fuqishëm i bindur se edhe e ardhmja do të jetë e tillë.

Ju dëshiroj të gjithëve një rrugëtim sa më të mbarë në vitin e ardhshëm dhe në vitet që vijnë.

Faleminderit të gjithëve!

 

Edona Sulejmani, Jehonë Kapllani, Driton Hyseni

Continue Reading

Lajmet

Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.

Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.

Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.

Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.

Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.

Prokuroria tha se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.

Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, tha Prokuroria.

Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.

Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës./REL

Continue Reading

Lajmet

Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë

Published

on

By

Dy persona janë gjetur të vdekur në një vilë në Pejë.

Rasti e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Rreth orës 15:00 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore. Këto janë detajet që për momentin i kemi nga terreni”, deklaroi Gashi.

Continue Reading

Lajmet

Gati 50 për qind të numëruara, ky është rezultati i votave për deputetë

Published

on

By

Është duke vazhduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga votimet e 28 dhjetorit.

Deri më tani janë numëruar 46,27 për qind e këtyre votave.

Në përditësimin e fundit nuk ka ndryshim të madh në këto votat, ku top 5-shet e partive kanë mbetur të njëjta.

Në Vetëvendosje po prinë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili.

Ndërkaq, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës po prinë Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku.

Continue Reading

Të kërkuara