Aktualitet

Shtohen dyshimet për hakimin e telefonit të Liz Truss, kërkohet hetim

Këto raportime ende nuk janë konfirmuar.

Published

on

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përballet me thirrje për të hetuar pasi një raport i pakonfirmuar i një medias pretendonte se telefoni i ish-kryeministres britanike Liz Truss ishte hakuar gjatë kohës që ajo ishte sekretare e jashtme.

Gazeta e Mbretërisë së Bashkuar, Mail on Sunday raportoi se mesazhet private midis Truss dhe ministrave të jashtëm ndërkombëtar, përfshirë ato për luftën në Ukrainë, si dhe mesazhet me ish-ministrin e financave Kwasi Kwarteng ranë “në duart e të huajve”.

Gazeta pohoi gjithashtu se “agjentë të dyshuar se punonin për Kremlinin” ishin pas hakimit, duke cituar burime të paidentifikuara.

Këto raportime ende nuk janë konfirmuar.

Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar i tha CNN se qeveria “nuk komenton mbi rregullimet e sigurisë së individëve”, por shtoi se kishte “sisteme të forta për t’u mbrojtur nga kërcënimet kibernetike”.

Kryetari i Komitetit të Përzgjedhur të Mbrojtjes të qeverisë, deputeti konservator Tobias Ellwood, i tha Sky News të dielën se Rusia “po bëhet gjithnjë e më e mirë në këto sulme kibernetike dhe hakerime”./UBTNews/

Bota

Koreja e Veriut dhe Rusia pajtohen për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Published

on

By

Koreja e Veriut dhe Rusia kanë arritur marrëveshje të re për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, pas bisedimeve të nivelit të lartë në Phenian këtë javë, tha të enjten agjencia shtetërore e lajmeve e Veriut.

Agjencia e Lajmeve Qendrore e Koresë së Veriut (KCNA) nuk tregoi hollësi rreth marrëveshjes së nënshkruar të mërkurën mes zyrtarëve të lartë të tregtisë së Veriut dhe një delegacionit rus të udhëhequr nga Alexandr Kozlov, i cili është ministër i Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore të Rusisë.

Agjencia ruse e lajmeve, TASS, raportoi të martën se zyrtarët ranë dakord t’i rrisin numrin e fluturimeve çarter midis dy vendeve për ta promovuar turizmin.

Kozlov, i cili mbërriti në Korenë e Veriut të dielën, u takua me liderin koreanoverior, Kim Jong Un, dhe me zyrtarin e tij kryesor ekonomik, kryeministrin Kim Tok Hun, para se të kthehej në shtëpi të mërkurën, raportoi KCNA.

Gjatë vizitës së Kozlovit, presidenti rus Vladimir Putin ia dhuroi Kopshtit Zoologjik Qendror të Phenianit më shumë se 70 kafshë, përfshirë luanë, arinj dhe disa lloje zogjsh, sipas TASS-it, duke shfaqur shenja të reja se marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve po vazhdojnë të rriten.

Në muajt e fundit, Kim Jong Un i ka dhënë përparësi marrëdhënieve me Moskën në përpjekje për të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe për ta forcuar pozitën e tij, duke mbështetur vazhdimisht luftën e Putinit në Ukrainë, dhe njëkohësisht duke e paraqitur Korenë e Veriut si pjesëmarrëse në një front të bashkuar kundër Uashingtonit.

Kim ende nuk e ka pranuar drejtpërdrejt që ka furnizuar Rusinë me pajisje ushtarake dhe trupa për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës.

Në një seancë me dyer të mbyllur në Parlament, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut (NIS) tha të mërkurën se në fund të tetorit rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë u zhvendosën në rajonin Kursk të Rusisë – ku trupat ukrainase kanë marrë nën kontroll pjesë të territorit këtë vit – pasi u stërvitën fillimisht në verilindje të Rusisë.

SHBA-ja, Ukraina dhe vende të tjera kanë vlerësime të ngjashme mbi numrin e ushtarëve koreanoveriorë të Rusi.

Nis beson se ushtarët koreanoveriorë janë regjistruar në njësite të forcave ruse dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë tashmë në luftime përkrah rusëve, sipas deputetit Lee Seong Kweun, i cili mori pjesë në seancë.

Koreja e Veriut mund t’i fitojë mbase nga 320 milionë deri në 1.3 miliard dollarë në vit nga Rusia për dërgimin e trupave të saj në Ukrainë, duke marrë parasysh numrin e tyre dhe nivelin e pagesave që Rusia ka ofruar për mercenarët e huaj, sipas një studimi të fundit nga Lim Soo-ho, një analist koreanojugor në një institut kërkimor të drejtuar nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS).

Megjithëse ky do të ishte burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë e dëmtuar dhe të sanksionuar rëndë të Koresë së Veriut, fitimi mund të jetë më e ulët se ai që Veriu e fiton nga eksportet e paligjshme të qymyrit ose nga furnizimi me pajisje ushtarake për Rusinë, tha Lim.

Kjo sugjeron se dërgimi i trupave nga Koreja e Veriut ka më pak të bëjë me paratë dhe më shumë me marrjen e teknologjive të rëndësishme ruse për ta avancuar më tej programin e saj bërthamor dhe raketor, gjë që përbën shqetësim madhor në Seul, tha Lim.

Kim e ka shtuar trysninë ndaj Koresë së Jugut, duke hequr dorë nga synimi e kahershëm i vendit të tij për pajtim ndërkorean dhe duke kërcënuar verbalisht me sulme bërthamore ndaj Jugut, nëse provokohet.

Ai ka shfrytëzuar luftën e Rusisë në Ukrainë si shpërqendrim për të përshpejtuar zhvillimin e ushtrisë së tij të armatosur me armë bërthamore, e cila tani zotëron sisteme të ndryshme të armëve bërthamore dhe raketa balistike ndërkontinentale që mund ta godasin SHBA-në.

Continue Reading

Aktualitet

Frika nga gripi i shpendëve, Shqipëria ndalon importet nga shumë shtete evropiane

Published

on

Prekja e një sërë shtetesh evropiane nga sëmundja e gripit të shpendëve (H5N1) ka nxitur Shqipërinë të marrë masa për të mos hasur një tjetër epidemi në vend. Ministria e bujqësisë ka ndërmarrë masat e menjëhershme nëpërmjet urdhrave të posaçëm duke ndaluar importin e shpendëve nga shumë shtete evropiane si Bullgaria, Italia, Polonia, Hungaria, Sllovakia, Çekia, Suedia, etj.

Masat përfshijnë ndalimin e importit, e tranzitimit nëpërmjet territorit të Republikës së Shqipërisë, të: shpendëve të gjallë shtëpiakë; zogjve 24- orësh; shpendëve dekorativë; materialit biologjik të shpendëve; vezëve të shpendëve; mishit të shpendëve të pa trajtuar termikisht; nënprodukteve të shpendëve të pa trajtuar termikisht.

“Duhet të rritet shkalla e vigjilencës të zbulohen rastet, të merren masat të vendosen masa kufizuese në tregtimin e tyre por të gjurmohet edhe shëndeti i njeriut i cili ka një shkallë të ulët të kalimit tek njeriu. Ministria e Bujqësisë merr një sërë masash duke marrë parasysh sesi duhet të izolohet. Por është sëmundje e parandalueshme. Risku i shpërthimeve ekziston por ndalohet nëpërmjet masave të biosigurisë”, tha për A2 CNN, profesori i UBT-së, Xhelil Koleci.

Shqipëria u prek nga kjo sëmundje e influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve 2 vite më parë ku mbi 500 mijë krerë u asgjësuan në shumë qytete të Shqipërisë, shkruan A2 CNN.

“Dallohet nëse preken shpendët shohin prodhim të ulët apo fillojnë ngordhin më shumë se zakonisht. Por duhet njoftuar mjeku veterinar që të izolohet vatra që të bëhet eliminimi i krerëve. Për të mbrojtur më shumë edhe komplekset sepse transmetohet nga shpendët e egra”, shtoi Koleci.

Por si mund të dallohet një person i prekur nga gripi i shpendëve?

“Dallohen rastet nëse preken por risku i vogël. Shkakton pasoja të rënda në trupin e njeriut pasi hynë nga mushkëria por nëse preket ka medikamente të posaçme.”

Janë rreth 4.8 milionë krerë pula në Shqipëri ndërsa Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë masa në 2 mijë e 304 ferma, në të cilat mbarështohen 96,900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme.

Continue Reading

Aktualitet

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE në sirtarë të unionit

Published

on

Po bëhen pothuajse dy vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në BE dhe ende nuk ka shqyrtim të këtij aplikimi nga ana e presidencës së BE-së. bNjë zyrtar i BE-së tha se Presidenca e Këshillit Evropian është përgjegjëse për trajtimin e mëtejshëm të aplikimit.

“Mund të konfirmoj se një letër nga Kryeministri Kurti është dorëzuar  më 15 Dhjetor 2022 në Presidencën e Këshillit, në të cilën Kosova aplikon për t’u bërë anëtare e BE-së. Presidenca e Këshillit është përgjegjëse për trajtimin e mëtejshëm. Është në dorën e Këshillit të vendosë për hapat e ardhshëm”, tha një zyrtar i BE-së për RTV21.

Qeveria e Kosovës pret hapa konkret për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE me emërimet e reja në institucionet e BE-së  dhe me presidencën e ardhshme të Polonisë nga janari. Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislmi, Klisman Kadiu tha se Kosova e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe se për një gjë të tillë është e përgatitur.

“Ne qëndrojmë në pritje të pranimit të pyetësorit dhe vlerësimit në bazë të meritokracisë për avancimin në proces. Kosova e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë do ta dëshmojmë me të pranuar pyetësorin e plotësuar atë sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Mbetemi të përkushtuar maksimalisht në argumentimin e rëndësisë së këtij hapi dhe nivelit të përgatitjes së Kosovës, andaj edhe presim hapa konkretë me ardhjen e konstelacionit të ri në përbërjen e institucioneve në Bashkimin Evropian, dhe presidencën e ardhshme të Polonisë nga janari”, tha Kadiu.

Në opozitë ka skepticizëm për shqyrtim të aplikimi të Kosovës për anëtarësim në BE në një periudhë të afërt. Deputetja e PDK-së Blerta Deliu thotë se në rrethanat aktuale që gjendet vendi ynë nuk mund të pritet lëvizje pozitive në këtë drejtim.

“Do duhej të pritej shqyrtimi i aplikimi me forimimin e institucioneve të reja në BE megjithatë kam skepticizëm për shkak pozicionit që aktualisht është Kosova. Pozicioni i Kosovës në raport të sanksioneve dhe izolimit e ka zhvendosur vëmendjen e BE-së që ta trajtojnë me seriozitet edhe çështjen e aplikimit të Kosovës më BE. Kam dilemat e mia në faqen në të cilën është  e shoh aplikimin si të pamjaftueshëm sepse s’mjafton vetëm aplikimi përderisa Kosova ka sfida në partneritetin e saj më BE-së..”, tha Deliu.

Anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina thotë se pa zbatim të marrëveshjes bazike me Serbinë nuk do të ketë shqyrtim të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

“Për t’u anëtarësuar në BE janë një varg hapash që Qeveria duhet t’i bëjë në bashkëpunim me institucionet e BE-së por ne kemi një problem me të madh në BE sepse jemi ende nën masa për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve që Kurti i ka pranuar. Ne kemi edhe një kriter shtesë që është zbatimi i marrëveshjes së Ohrit”, tha Pantina.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, u bë gjatë kohës se presidencës së Çekisë në dhjetor të viti 2022. Që nga ajo kohë me BE-në kryesuan edhe Suedia, Spanja e Belgjika por asnjëra nga to nuk e shqyrtuan aplikimin. Kryesimin tani e ka Hungaria. Pas Hungarisë, nga 1 janari i viti të ardhshëm kryesimin e BE-së do ta merr Polonia.

Continue Reading

Aktualitet

Studentët e UBT-së mësojnë për redaksinë dhe procesin e prodhimit të lajmit në Telegraf

Published

on

Kuadri i studimeve në drejtimin Media dhe Komunikim është shumë i gjerë dhe përfshin një mori temash që lidhin aspekte teorike, praktike dhe teknologjike të komunikimit. Ky program studimi përfshin lëndë të ndryshme, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e aftësive dhe njohurive në këtë fushë, dhe krahas leksioneve, studentët kanë mundësi të realizojnë dhe vizita studimore.

Në vazhdën e takimeve, studentët e vitit të parë të departamentit të gazetarisë, të monitoruar nga zyrtarja e UBT-së, Albina Zeneli, kanë realizuar një vizitë në portalin Telegrafi, ku janë mirëpritur nga kryeredaktori, Muhamet Hajrullahu.

Hajrullahu ka shpjeguar më në detaje ecurinë e punës së një redaksie. Studentët patën rastin të parashtrojnë pyetje, ku janë informuar rreth punës që zhvillohet nga desku informativ, por edhe nga dhoma teknike, ku bëhet montazha dhe dizajni final.

“Puna në ekip ka rëndësi të madhe dhe përfshin bashkëpunimin midis individëve që kanë aftësi dhe role të ndryshme, por që punojnë së bashku për të realizuar qëllime të përbashkëta. Puna në ekip është thelbësore për arritjen e suksesit në shumë fusha, përfshirë lajmin në web me burime, dizajnin, fotografitë dhe montazhën cilësore,” tha mes tjerash Hajrullahu.

Ai ka theksuar që, pavarësisht ndryshimeve teknologjike, lajmi në këtë medium online ka vlerë të madhe dhe pohon faktin që më mirë të jetë pak i vonuar, por kur të transmetohet tek masa, të ketë efekt në lexueshmëri.

Kjo përvojë e drejtpërdrejtë në një ambient profesional i ndihmoi studentët të kuptonin më mirë sfidat dhe mundësitë që ofron industria e medias digjitale, dhe si mund të aplikojnë në praktikë njohuritë që po përftojnë në kurset e gazetarisë. Vizita ishte një hap i rëndësishëm për ata, duke i ndihmuar të zhvillojnë një pasqyrë më të qartë për atë çfarë do t’i presë në tregun e punës pas përfundimit të studimeve.

Përndryshe, UBT ka partneritet me Telegrafin dhe në kuadër të studimeve, studentet kanë mundësi ta mbarojnë punën praktike në këtë portal e pastaj edhe  duke punuar me kontratë sepse kjo është jo vetëm një mënyrë për të siguruar një jetesë, por gjithashtu një mundësi për të zhvilluar aftësi, për të kontribuar në shoqëri dhe për të arritur qëllime personale dhe profesionale./UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara