Lajmet

Shtimi i masave të BE-së shihen si serioze, qeveria thotë se do ta thellonin padrejtësinë

Published

on

Paralajmërimet e Bashkimit Evropian se mund të ketë zgjerim të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, siç kanë thënë nëse vazhdohet me hapa të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri po shihen si serioze nga analistë politikë. Mirëpo, një mundësi të tillë e kualifikojnë si thellim të padrejtësisë në qeverinë e Kosovës.

Sipas tyre, masat nuk janë zgjidhje, derisa theksojnë se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektim të marrëveshjeve të dala nga Brukseli.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se BE dhe SHBA duhet të mbështesin Kosovën, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Sipas tij, mbyllja e nëntë zyrave të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencës dhe në mënyrë ilegale në veri është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes dhe kontribut i drejtpërdrejt i integrimit të mëtejmë të qytetarëve.

“Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmori BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon? Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Mbyllja e nëntë zyrave të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencës dhe në mënyrë ilegale, është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015, përveçse kontributi i drejtpërdrejt i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

Mirëpo, analisti politik, Albinot Maloku, thotë se paralajmërimet e BE-së për shtim të masave ndëshkuese duhet të trajtohen seriozisht nga Qeveria e Kosovës.

“Nuk është në nevojën e Kosovës të prish raporte në këtë situatë, kur kemi vetëm izolim dhe kemi masa të Bashkimit Evropian, të cilat janë paralajmëruar se mund të shtohen. Ky shtim i masave nga BE-ja është në vazhdën e kritikës së BE-së si faktor ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi dhe që i bën dëme Kosove dhe synimeve të saj integruese”, thekson ai.

Ai shton se ura e Ibrit duhet të hapet, mirëpo në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtare të Kosovës dhe veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Insistimi i qeverisë për të funksionalizuar për lëvizje të automjeteve të urës mbi lumin Ibër është më shumë për konsum politik. Për çështjen e urës ka pasur një marrëveshje dhe është dashur të insistohej dhe të thirrej edhe Republika e Kosovës, që e njëjta mos të krijojë konflikt mes Kosovës dhe faktorit ndërkombëtarë me theks të veçantë”, deklaron Maloku.

Gjatë kësaj jave janë bërë testimet e fundit të fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.

Bashkësia ndërkombëtare ka kundërshtuar hapjen e urës së Ibrit, të cilët kanë kërkuar një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi për hapjen e saj.

Ndërkohë, pjesëtarët e komunitetit serb në veri kanë protestuar të mërkurën duke kundërshtuar hapjen e urës.

Lajmet

Sunny Hill Festival nis sot në Prishtinë, Katy Perry ylli kryesor i mbrëmjes së parë

Published

on

Prishtina do të jetë sonte në qendër të vëmendjes së skenës muzikore ndërkombëtare, pasi nis edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival, një prej festivaleve më të mëdha të muzikës në rajon.

Mijëra adhurues të muzikës nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës pritet të marrin pjesë në natën e parë të festivalit, i cili edhe këtë vit sjell emra të njohur të industrisë muzikore.

Ylli kryesor i mbrëmjes së hapjes është superylli amerikan i muzikës pop, Katy Perry, e cila do të performojë hitet e saj më të njohura para publikut në Prishtinë. Pritjet janë që performanca e saj të jetë kulmi i natës së parë të festivalit.

Përveç Katy Perry, festivali do të ofrojë edhe performanca të artistëve të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke e kthyer Prishtinën në një qendër të argëtimit dhe muzikës gjatë ditëve në vijim.

Sunny Hill Festival vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe muzikore në Kosovë, duke promovuar vendin në arenën ndërkombëtare dhe duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

32 vjet burgim për katër të akuzuarit në rastin “Toka 2”, konfiskohen 45 ngastra kadastrale

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve në rastin “Toka 2” – Mehmet Prishtinës, Dukagjin Emërllahut, Avni Maxhunit dhe Nexharije Hotit. Të akuzuarit janë dënuar me gjithsej 32 vjet burgim dhe 230 mijë euro gjoba për veprën penale “Krim i organizuar”.

Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues në përbërje të Vesel Ismailit, kryetar i trupit gjykues, si dhe gjyqtarëve Kushtrim Shyti dhe Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”. Mehmet Prishtina është dënuar me 10 vjet burgim dhe 100 mijë euro gjobë për veprën penale “Krim i organizuar”.

Dukagjin Emërllahu dhe Nexharije Hoti janë dënuar me nga 8 vjet burgim për të njëjtën vepër penale. Emërllahu është dënuar edhe me 80 mijë euro gjobë, ndërsa Hoti me 20 mijë euro gjobë. Ndërkaq, Avni Maxhuni është dënuar me 6 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë. Gjykata i ka liruar të akuzuarit nga akuza për veprën penale “Shpëlarje e parave”.

Ndërkaq, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e 45 ngastrave kadastrale, si dhe të mjeteve financiare që gjenden në llogaritë bankare në emër të të akuzuarve Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu.

Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë fillimisht për 28 korrik 2026, por u shty për 31 korrik, pasi trupi gjykues vlerësoi se për shkak të dosjes voluminoze, numrit të madh të provave, kompleksitetit të çështjes dhe angazhimeve të gjyqtarëve në seanca të tjera nuk kishte arritur ta përfundonte vendimmarrjen.

Rasti “Toka 2” lidhet me dyshimet për përvetësimin e kundërligjshëm të rreth 36 hektarëve tokë në territorin e Prishtinës dhe Graçanicës, përmes një skeme që sipas Prokurorisë ishte organizuar nga viti 2009 deri në vitin 2014.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Fillimisht në këtë rast ishin të akuzuar 24 persona, por gjatë procedurës numri i të akuzuarve u zvogëlua pas vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Në fund të procesit gjyqësor, para trupit gjykues mbetën katër të akuzuar – Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Avni Maxhuni dhe Nexharije Hoti – të cilët ngarkohen me vepra që lidhen me krimin e organizuar dhe vepra të tjera penale.

Aktakuza ishte ngritur në mars të vitit 2017 nga një prokuror i EULEX-it, ndërsa më pas lënda ishte bartur në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Fillon procesi “Reçaku”, lexohet aktakuza me të akuzuarit në mungesë

Published

on

Ka filluar gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për kryerjen e masakrës së Reçakut, ku u vranë 42 civilë shqiptarë më 15 janar 1999

Sipas aktakuzës për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, akuzohen: Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.

Prokurori special, Ilir Morina tha se në këtë rast janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë ndaj të akuzuarve.

“Parashihen kushtet ligjore të cilat duhet të plotësohen para se të ngritet aktakuza në mëngesë dhe ato kushte janë thirrja, urdhërarresti, kërkimi i adresës së të pandehurve në territorin e Kosovës dhe fletrreshtim kombëtar dhe ndërkombëtar. Në rastin konkrek prokurori i ka plotësuar këto kushte për ngritje të aktakuzës në mungesë. Në këtë drejtim ne kemi dërguar gjatë vitit 2021 përmes ndihmës juridike ndërkombëtare mbi bazën e një ligji i cili në atë kohë ka qenë por nuk kemi pranuar as një përgjigje, Në bazë të kësaj, gjyqtari i procedurës parapake ka lëshuar urdhërarrest për të pandehurit. Kushti i tretë, kërkimi i adresës dhe nga raporti i policisë –  rrjedh që asnjëri nga të pandehurit nuk gjenden në adresat e kohës së paraluftës ku kanë jetuar dhe në territorin  e Kosovës…, tha ai.

Edhe kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani Hajra, tha se Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së të pandehurve, përfshirë publikimin e njoftimeve dhe thirrjeve në ueb-faqen e gjykatës, të Prokurorisë së Shtetit dhe në Gazetën Zyrtare, si dhe kërkimin e adresave përmes komunave dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ajo bëri të ditur se, meqë nuk është arritur të sigurohet prania e tyre dhe gjykata është bindur se janë bërë përpjekje të mjaftueshme, andaj është marrë aktvendim qe gjykimi për krime lufte të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi janë përmbushur kushtet ligjore.

“Nuk prezentojnë të pandehurit e lartcekur për të cilët gjykataa themelore në Prishtinë me qëllim të përmbushjes ka ndërmarrë veprime si në vijim: në ëeb e gjykatës themelore në Prishtinë me datë 20.05.2026, në ëeb faqen e prokurorisë së shtetit dhe në gazetës zyrartare të Kosovës me datën e njëtë u pubikua njoftimi për mbajtjen e kësaj seance si dhe ftesa për këtë senacë, aktakuza si dhe thirrja për të gjithë personat që mund të kenë informta për vendoshjen e të pandehurve që të njoftojn policinë e Kosovës”, tha ajo.

Më pas, prokurori special Morina lexoi aktakuzën, sipas së cilës 21 të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe forcave policore serbe, akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në Reçak të Shtimes.

Fillimisht ai i përmendi njësitë ku ata bënin pjesë

“Në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, me dashje, në bashkkryerje dhe individualisht dhe në përgjëgjësinë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘243 të Mekanizuar’, Armatës së III-të e quajtur ‘Korpusi i Prishtinës’, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Veçanta të Policisë të njohura si ‘PJP’, Njësitë Speciale Antiterroriste të njohura si ‘SAJ’, Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore të njohura si ‘RDB’, Njësitë e Divizionit për Siguri Publike të njohura si ‘RJB’ dhe Njësitë Rezervë”, tha ai.

Prokurori lexoi emrat dhe funksionet e të gjithë 21 të akuzuarve, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të MUP-it, komandantë të ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe pjesëtarë të njësive speciale dhe rezervë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit akuzohen se kanë kryer vrasje, trajtim çnjerëzor dhe shkatërrim të pasurisë civile gjatë operacionit në Reçak më 15 janar 1999.

“Kanë shkelur rëndë të drejtat elementare duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë në atë mënyrë që në një vrasje me datë 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak. Rreth orës 06:00 të mëngjesit e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht granatuan nga distanca prej vendeve të njohura si ‘Pishat’, ‘Gështenjat’, ‘Çesta’ dhe ‘Guri i Shpum’, pastaj me automjete të blinduara hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi. Me këtë rast, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashitit fillimisht e vrasin Banush Kamerin, të cilit pastaj ia presin kokën, kurse në vendin e quajtur ‘Vrella’, i vrasin Haki Metushin, Sabri Sylën dhe Arif Metushin. Në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij, Hajriz Jakupin. E në afërsi të shtëpisë së Zyk Mustafës, i vrasin Skender Halilin dhe Hanumshahe Mujotën. Vazhduan në drejtim të lagjes ‘Beqaj’, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtie në drejtim të tyre, duke vrarë: Halim Beqirin, Riza Beqirin dhe Zenel Beqirin, kurse mbetën të plagosur: Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri. Në vazhdim të operacionit policor e ushtarak, të akuzuarit hynë në lagjen ‘Emini’, e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit, ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë Ismet Eminin dhe vranë vëllanë e tij, Ajet Eminin, që të dy civilë. Më pas, në vendin e quajtur ‘Çeshma’ i vranë civilët Bajram Mehmeti, vajzën e tij Hanumshahe Mehmetin, ndërsa të plagosur mbetën Elhami Mehmeti, Makfirete Hajrizi, Florije Hajrizi dhe Hasan Bilalli”, tha ai.

Pas leximit të aktakuzës, gjyqtarja Namani-Hajra tha se, për shkak se të akuzuarit gjykohen në mungesë, deklarimet për fajësinë nuk mund të merren në këtë fazë të procedurës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu: Regjistrimi i deputetëve nis më 3 gusht, seanca konstituive më 6 gusht

Published

on

Kryeparlamentarja njëherit ushtruesja e detyrës së presidnetes së vendit Albulena Haxhiu, ka dhënë detaje lidhur me takimin me përfaqësuesit e partive politike, duke konfirmuar hapat e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu bëri të ditur se, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik, është thirrur seanca e parë e Kuvendit në përputhje me Kushtetutën.

“Më 8 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Në bazë të kësaj, Presidenti i Republikës së Kosovës, në kuadër të kësaj, thirri mbledhjen e parë të Kuvendit. Në përputhje me Kushtetutën, seanca konstituive do të mbahet më 6 gusht, në orën 10:00.

Rendi i ditës i seancës konstituive, sipas Rregullores, ka katër pika:  Formimi i Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e e kourumit dhe të mandateve, Shqyrtimi i raportit të tij, Betimi i deputetëve, dhe Zgjedhja e kryetarit apo kryetares së Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Administrata e Kuvendit ka përfunduar përgatitjet për regjistrimin e deputetëve dhe, siç e dini, regjistrimi i deputetëve do të bëhet më: 3 gusht për Lëvizjen Vetëvendosje, 4 gusht për Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe 5 gusht për Aleancën dhe deputetët që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës”, tha Haxhiu./A.K/

 

Continue Reading

Të kërkuara