Aktualitet

ShSKUK pa punëtorë të rinj që nga viti 2019

Vetëm gjatë katër muajve të fundit kanë ikur jashtë vendit katër pediatër.

Published

on

Për herë të fundit si drejtor i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Gjatë ditës së sotme, është shqyrtuar raporti i auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar gjatë vitit 2021.

Vonesa në pagesa të faturave dhe vazhdim i mandatit të anëtarëve të bordit në kundërshtim me ligjin, janë vetëm disa nga shkeljet që janë evidentuar nga auditori. Ndërkaq, Krasniqi ka deklaruar se Kosova është në krizë për staf shëndetësor.

Derisa është kritikuar puna e bordit të këtij institucioni, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka përmendur mocionin për shkarkimin e Qeverisë Kurti.
Sot nëse vjen votëbesimi i qeverisë Kurti, bashkë me ministrin Latifi dhe të gjithë vartësit e tij dhe bordin e ShSKUK-së, me kënaqësi do të kisha votuar për shkarkimin e tyre. Sepse konsideroj që janë duke bërë një dëm për vendin… Dhe jam optimist që këtë kënaqësi do ta kem shumë shpejtë“, tha Beqa.

Kështu ka deklaruar Beqa derisa janë shqyrtuar shkeljet që janë gjetur në raportin e auditimit për pasqyrat financiare në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të vitit 2021, ku mes tjerash është përmendur shkelja e ligjit nga bordi aktual, i cili ia ka vazhduar në mënyrë të kundërligjshme kontratën një anëtari të bordit.

Në prezantimin e këtij raporti, deputeti Rashit Qalaj theksoi se ka pasur vonesa në pagesa të faturave dhe vazhdim të mandatit në kundërshtim me ligjin.

Mungesë e raporteve të pranimit të mallit të përgatitur nga menaxherët e kontratave, te kontratat me vlerë prej 7 milionë e 864 e 454 euro. Vonesa nga tetë ditë deri në gjashtë muaj në pagesën e faturave në vlerë prej dy milionë e 448 mijë e 184 euro. Dhe vazhdim i kontratës së punës për anëtarin e shtatë të bordit drejtues-drejtorit financiar, ekspertin e ekonomisë në mungesë të konkursit publik”, ka njoftuar Qalaj.

Po ashtu deputetë të komisionit kanë përmendur edhe numrin e madh të ikjeve jashtë vendit të punëtorëve shëndetësorë. Për çka, Krasniqi shtoi se që nga viti 2019 nuk ka asnjë rritje të numrit të stafit shëndetësor.

Nga viti 2019, që katër vjet në nivel të ShSKUK-së, numri i të punësuarve nuk është rritur për asnjë punëtor. 7438 i kemi në sistem në vitin 2019, njësoj në vitin 2020, njësoj në 2021, njësoj në vitin 2022. Madje, qarkorja e parë buxhetore për vitin 2023 parasheh numër të njëjtë të stafit në nivel të ShSKUK-së. ShSKUK përballet para një krize serioze për sa i përket mungesës së stafit shëndetësorë”, ka deklaruar ai.

Derisa u diskutua për ikjen e mjekëve jashtë vendit, Krasniqi gjatë së martës u shpreh se vetëm gjatë katër muajve të fundit kanë ikur jashtë vendit katër pediatër.

Na duhet urgjentisht që të bëjmë diçka që punëtorët shëndetësor t’i motivojmë, t’i mbajmë në institucionet tona publike. Kemi spitale të përgjithshme të cilat rrezikohet mbyllja e reparteve të caktuara në ato spitale. Vetëm në këtë kohën e fundit nga Klinika e Pediatrisë janë larguar së paku katër pediatre dhe jo të sapo diplomuar, por me përvojë pune”, ka shtuar ai.

Gjatë ditës, është bërë e ditur se bordi drejtues i ShSKUK-së ka miratuar dorëheqjen e Valbon Krasniqit.

Në anën tjetër, për shkak të mungesës së ministrit të Shëndetësisë, ka dështuar të shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat financiare të MSh-së. Opozita në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike nuk është pajtuar të shqyrtojë këtë raport pa prezencën e ministrit Rifat Latifi.

Komisioni ka vendosur që ky raport të shqyrtohet në seancë plenare.

Lajmet

PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë i shërbejnë narrativës së rreme serbe

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke i cilësuar ato si devijim nga e vërteta dhe drejtësia, dhe si shërbim ndaj narrativës serbe për luftën në Kosovë.

PDK vlerëson se që nga dita e parë e fazës përmbyllëse të gjykimit është bërë e qartë se procesi nuk po zhvillohet si një procedurë e zakonshme gjyqësore, por si përpjekje për deformim të së vërtetës historike.

“Kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj themelor për të sjellë drejtësi dhe po tenton të ndërtojë një narrativë të rreme, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës paraqitet si projekt kriminal”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas kësaj partie, faktet historike dhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë kanë dëshmuar se Serbia ishte agresore, ndërsa populli i Kosovës viktimë e krimeve të rënda, përfshirë spastrimin etnik dhe gjenocidin.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë një regjimi shtypës dhe gjenocidal”, thekson PDK.

PDK vlerëson se ish-krerët e UÇK-së nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës dhe shtetformimit të Kosovës, ndërsa kërkesat për dënime i cilëson si politike dhe selektive.

“Hashim Thaqi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individ të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës, të çlirimit dhe të shtetformimit të Kosovës. Kjo qasje synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri”, thuhet në deklaratë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Në fund, PDK-ja rikonfirmon qëndrimin e saj për legjitimitetin e luftës së UÇK-së dhe pafajësinë e ish-krerëve të saj, duke kundërshtuar çdo përpjekje për rishkrim të historisë.

“Liria nuk është krim dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon reagimi.

 

 

Continue Reading

Lajmet

VV: Kërkesa për dënime ndaj ish-krerëve të UÇK-së synon përmbysjen e së vërtetës historike

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje politike dhe jo si kërkim të drejtësisë.

Sipas VV-së, “kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie, por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës”.

E vërteta sipas LVV-së është se “Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion.

Në reagim thuhet se procesi gjyqësor po e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima, duke kriminalizuar rezistencën çlirimtare.

“Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit”, thuhet në deklaratë.

VV-ja thekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë plane për krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se “krimet kundër njerëzimit kërkojnë aparat shtetëror dhe mekanizma sistematikë dhune, të cilat UÇK-ja kurrë nuk i ka pasur”.

“Kjo gjykatë nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv. Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë proces që nga fillimi e madje edhe para fillimit, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, njëetnike dhe e ndërtuar mbi shtrembërimin e historisë. Një drejtësi e tillë nuk shëron plagë, por i thellon ato”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Më tej, në reagim thuhet se Serbia ishte pushtuesja dhe ushtruesja e dhunës shtetërore, ndërsa populli shqiptar viktimë e saj.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje rithekson qëndrimin e saj se “çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit”.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e pastër, historia nuk rishkruhet

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një deklarate ka rikujtuar se shtetësia e Kosovës është rezultat i vullnetit të patjetërsueshëm të popullit dhe luftës heroike për liri.

Deklarata e Osmanit vjen pas seancës që po vazhdon ende në Gjykatën Speciale, ku nga Kryeprokurorja Kimberly West nga Prokuroria është kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e UÇK-së.

Sipas Presidentes Osmani, pavarësia e vendit erdhi si pasojë e një sakrifice shekullore, ku humbën jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm. Ajo vuri në dukje se në këtë rrugëtim, roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte vendimtar dhe i shenjtë.

“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës,” u shpreh Presidentja.

Tutje Osmani është shprehur se çdo tentative për ta barazuar luftën e UÇK-së me krimet serbe minon drejtësin dhe dëmton paqen.

“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, shkruan Osmani.

Continue Reading

Aktualitet

Këshilltari i Liderit Suprem të Iranit viziton Omanin të martën pas bisedimeve SHBA-Iran

Published

on

By

Ali Larijani, këshilltar i Liderit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe sekretar i këshillit të tij të sigurisë kombëtare, do të vizitojë Omanin të martën (10.02.2026) pas bisedimeve indirekte midis SHBA-së dhe Iranit që u mbajtën atje, njoftoi agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve Tasnim, raporton Reuters.

Diplomatët amerikanë dhe iranianë u angazhuan përmes ndërmjetësimit të Omanit në shtetin e Gjirit Arab javën e kaluar, në një përpjekje për të ringjallur diplomacinë mes një grumbullimi detar të SHBA-së pranë Iranit dhe zotimeve të Teheranit për një përgjigje të ashpër nëse sulmohet. “Gjatë këtij udhëtimi, (Larijani) do të takohet me zyrtarë të lartë të Sulltanatit të Omanit dhe do të diskutojë zhvillimet e fundit rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimin dypalësh në nivele të ndryshme,” tha Tasnim raporton Reuters.

Data dhe vendi i raundit të ardhshëm të bisedimeve ende nuk janë bërë të ditura.

Irani dhe SHBA mbajtën pesë raunde bisedimesh vitin e kaluar për kufizimin e programit bërthamor të Teheranit, proces ky që dështoi kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pasurimin e uraniumit brenda Iranit. Në qershor, SHBA sulmoi objektet bërthamore iraniane në mbyllje të një fushate 12-ditore bombardimesh izraelite.

Teherani që atëherë ka deklaruar se ka ndërprerë aktivitetin e pasurimit, të cilin SHBA e sheh si një rrugë të mundshme drejt bombave bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara