Aktualitet

Shqipëria me pagën më të ulët në Evropë, thellohet diferenca me vendet e rajonit

Paga minimale në Shqipëri ishte 297 euro/muaj.

Published

on

Ndonëse po rritet vazhdimisht, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet më e ulëta në vendet e Evropës, që e zbatojnë një politikë të tillë.

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara të Eurostat, në fillim të vitit 2023, paga minimale në Shqipëri ishte 297 euro/muaj.

Kjo pagë është 17% më e ulët sesa ajo e Maqedonisë së Veriut, që është e dyta në Evropë për nivelin më të ulët, me të dhënat për këtë shtet që janë të disponueshme për fundin e 2021-t.

Paga minimale në Shqipëri është tashmë 45% më e ulët sesa në Serbi, ku asnjë punonjës nuk merr më pak se 460 euro në 2023-n, shkruan OraNews.

Në Mal të Zi, paga minimale është 533 euro.

Në krahasim me fillimin e vitit 2018, më i hershmi që Eurostat raporton të dhënat, diferenca mes pagës minimale të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, që e zbatojnë këtë praktikë, është thelluar ndjeshëm.

Në 6-mujorin e parë 2018, paga minimale në Shqipëri ishte 100 euro më e ulët se në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Ndërsa në fillim të vitit 2023, paga minimale në Serbi është 192 euro më e lartë sesa në Shqipëri. Një punonjës në Mal të Zi merr minimalisht 234 euro më shumë se një i punësuar me pagë minimale në Shqipëri.

Mali i Zi e ka rritur ndjeshëm pagën minimale dy vitet e fundi, nga 331 euro në fund të vitit 2021 në 532 euro aktualisht. Edhe në Serbi, paga minimale është 460 euro, nga 366 euro ishte në fund të 2021-t.

Të njëjtat diferenca janë edhe për pagat mesatare në rajon, sipas një vëzhgimi të mëparshëm të Monitor, ku mesatarisht punonjësit shqiptarë paguhen 40% më pak se në vendet e tjera të rajonit.

Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve.

Më herët, kur në Kuvend diskutohej buxheti 2023, Kryeministri Rama ka deklaruar se paga minimale do të arrijë në 36 mijë lekë në 6 mujorin e parë të këtij viti, ndërsa deri në fund të viti do të shkojë në 38 mijë lekë.

“Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. Do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do e çojmë në 38 mijë lekë të reja”, deklaroi asokohe kryeministri.

Paga minimale u rrit për herë të fundit më shtator të vitit të kaluar.

Sipas Eurostat, më 1 janar 2023, 22 nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së kishin një pagë minimale kombëtare duke përfshirë Qipron (që nga 1 janari 2023).

Vendet e BE-së pa pagë minimale kombëtare ishin: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë shumë në shtetet anëtare, nga 399 euro në Bullgari në 2,387 euro në Luksemburg.

Ndër shtatë vendet kandidate dhe kandidate potenciale, pesë kishin një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Turqia) ndërsa nuk ka Bosnje-Hercegovina (nuk ka të dhëna për Kosovën).

Rajoni

Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpiak Vlora Hysenin: Rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Published

on

By

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zbutjen e kësaj mase.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës se nuk ekziston rreziku i largimit nga vendi apo i dëmtimit të provave, togat e zeza në Apel kanë miratuar vendimet e Shkallës së Parë.

Në vendimin e zbardhur theksohet gjithashtu se, në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i plotë i këtij akti deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Pala mbrojtëse ka të drejtë të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. /Top Chanel/

Continue Reading

lajme

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Published

on

By

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Politika pengoi reformat

Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

 

Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

 

Media të lira, por me sfida

Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku mjedisi kufizues nxit autocensurën.

Raporti kërkon miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.

Shqetësime ngrihen edhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë rrënimin e pronave private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, ndërkohë që kundërshtimet gjyqësore ishin ende në shqyrtim.

 

Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/

 

Continue Reading

lajme

U ndaluan punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot: Inspektorati i Punës konstaton parregullsi

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot, pas konstatimit të parregullsive që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.

Vendimi u mor gjatë inspektimeve të rregullta në terren, ku inspektorët konstatuan se subjektet ndërtuese nuk i kishin plotësuar kushtet ligjore për mbrojtjen e punëtorëve. Ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e plotë të këtyre parregullsive dhe krijimin e një ambienti të sigurt pune.

Me këtë rast, Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet legjislacionin në fuqi, duke paralajmëruar se garantimi i sigurisë dhe i shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i pakompromis. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Pejë për sulm seksual ndaj vajzës së tij të mitur

Published

on

By

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është ndaluar për 48 orë në Pejë, nën dyshimin se ka kryer dy vepra të rënda penale kundër integritetit seksual ndaj vajzës së tij të mitur.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se Prokurori i Shtetit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa viktima po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore.

Sipas të dhënave zyrtare nga raporti i Prokurorit të Shtetit, Departamenti për Të Mitur po e ngarkon të dyshuarin për veprat penale “Sulmi seksual” dhe “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të fëmijëve”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve, organet e rendit kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale, kryesisht pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara