Qeveria në detyrë sot ka pezulluar nga marrëdhënia e punës në shërbimin civil Besim Kamberajn, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij zyrtare.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se pezullimi nga detyra i nëpunësit civil të kategorisë së lartë drejtuese në institucionet e administratës shtetërore në rast të ngritjes së aktakuzës është obligim ligjor i qeverisë.
“Ky propozim vendim është i bazuar në njoftimin e pranuar nga organet e drejtësisë sipas të cilit, në këtë rast të z. Kamberaj është ngritur aktakuzë për kryerje të veprës penale që lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij zyrtare… Pezullimi nga detyra i nëpunësit civil në rast të ngritjes së aktakuzës është obligim ligjore i qeverisë”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 4 korrik 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ushtruesit të detyrës së Sekretarit të kësaj Ministrie, Besim Kamberaj.
Po ashtu në mbledhjen e sotmë të qeverisë në detyrë, është emëruar Hysen Muzliukaj në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike me mandat katër vjeçar, si dhe është emëruar Shemsi Duriqin në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë me mandat katër vjeçar.