Lajmet

​Shpërthimi në Kçiq, Uka: Dy paciente janë të varura nga aparatura

Shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK tha se gjendja e tyre është stabile, por nuk përjashton rrezikun për jetë.

Published

on

Dy nga të lënduarat nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq që po vazhdojnë trajtimin në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë të varura nga aparatura mjekësore, ndërkaq një paciente tjetër është me vetëdije, ndonëse lëndimet janë serioze. Kështu bën të ditur Shaqir Uka, shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, i cila tha se gjendja e tyre është stabile, por që nuk përjashton rrezikun për jetë, meqë sipas tij lëndimet janë serioze.

Uka potencon se të tre pacientët janë të gjinisë femërore, dhe se mosha e tyre është 12 vjeç, 56 dhe 58 vjeç. Ai thekson se pacientët kërkojnë trajtim të gjatë dhe intensiv.

“Për momentin në mjekimin intensiv qendror janë duke marrë trajtimin mjekësor tre nga të lënduarit e shpërthimit të bombolës në regjionin e Mitrovicës. Gjendja e përgjithshme e tyre për momentin paraqitet të jetë stabile, pavarësisht që lëndimet janë mjaftë serioze…Janë plagë të cilat janë fituar me rastin e djegies nga flakët, në regjionin e fytyrës një pacient, një paciente tjetër në regjionin e fytyrës dhe të ekstremiteteve, dhe një paciente tjetër në regjionin e fytyrës dhe në regjionin e dy shuplakave të duarve…Mosha varion, një paciente e kemi 12-vjeçare, një paciente tjetër 56-vjeçare dhe një tjetër 58-vjeçare…Nuk mundemi me thënë që gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë, lëndimet janë mjaftë serioze dhe kërkojnë trajtim të gjatë dhe intensiv. Dy nga to paraqiten të fjetura me barna dhe të varura nga aparatura mjekësore. Kurse, një paciente tjetër fatmirësisht është me frymëmarrje të vetën dhe është e vetëdijshme, por lëndimet janë serioze”, thotë Uka.

Ndërkaq përmes një përgjigje me shkrim, drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi thotë se gjendja e gjashtë pacientëve të shtrirë në këtë klinikë është stabile. Zatriqi tregon se dy nga të hospitalizuarit që ishin shtetas të Gjermanisë, u transferuan atje për të vazhduar mjekimin.

“Gjendja e pacienteve të shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Plastike janë stabile janë gjashtë pacientë të hospitalizuar dy shtetas që ishin të Gjermanisë u transferuan atje ku jetojnë. Vazhdon trajtimi i tyre nesër në sallën operative”, shkruan Zatriqi.

Të shtunën, Policia e Kosovës njoftoi se 14 persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin në Kçiq të Madh të Mitrovicës së Jugut.

Lajmet

AAK: Ejani ta votojmë Ligjin për Specialen

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u ka bërë thirrje publike të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mblidhen urgjentisht për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një konference për media të mbajtur në ambientet e Kuvendit, Tahiri theksoi se kanë mbetur vetëm edhe 13 orë nga afati për të votuar këtë ligj dhe për të përmbyllur procesin.

“Jemi në Kuvend kur kanë mbetur edhe 13 orë deri te mundësia e votimit të Ligjit të Dhomave të Specializuara dhe konstituimit të plotë të vendit. Nga këtu, në emër të GP të Aleancës, u bëjmë thirrje kolegëve deputetë: ejani menjëherë në Kuvend ta votojmë Ligjin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special, të bashkohemi sot gjithmonë në anën e drejtë të historisë rreth UÇK-së, vlerës më të lartë kombëtare. Kosova na thërret”, deklaroi Tahiri. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon sqarim nga Kushtetuesja për kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 6 tetor – në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.

Continue Reading

Lajmet

Gjeneral Jashari pret në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në një takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, me rastin e përmbylljes së misionit të tij ushtarak në Kosovë.

Gjatë takimit, dy krerët ushtarakë diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it. Ata vlerësuan lart nivelin e partneritetit ndërinstitucional, duke theksuar nevojën për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe operacional përmes angazhimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, duke riafirmuar përkushtimin e FSK-së për forcimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe.

Në përmbyllje të takimit, komandanti i FSK-së i uroi gjeneralit Ulutaş shëndet dhe suksese në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të reja ushtarake./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dyshohet se Policia përdori gaz lotsjellës me afat të skaduar mbrëmë: Cilat janë rreziqet dhe efektet e tij shëndetësore?

Published

on

By

Gjatë përplasjeve të mbrëmshme mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës para Kuvendit, ku forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, janë ngritur dyshime mbi specifikat e mjeteve të përdorura. Nga pamjet e siguruara në terren, një nga gëzhojat e gazit lotsjellës të përdorur (e llojit CS POWDER) mban datën e prodhimit qershor 2018 (Mfg Date: 06/2018), çka ngre dyshime se afati i përdorimit të tij ka skaduar prej kohësh.

Sipas raporteve ndërkombëtare mbi pajisjet për kontrollin e turmave nga organizata si Physicians for Human Rights dhe studimeve mjekësore mbi ekspertizën e mjeteve kimike, përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar përbën një rrezik shtesë për shëndetin publik, pasi përbërësit kimikë mund të dekompozohen dhe të shkaktojnë reaksione anormale.

Ndër efektet kryesore të dëmshme të dokumentuara nga gazi i skaduar numërohen:

  • Tolerancë e zvogëluar kimike dhe reaksione më të ashpra: Komponimet e dekompozuara kimike mund të bëhen më toksike ose më irrituese se gazi me afat të rregullt.
  • Dëmtime më të rënda në rrugët e frymëmarrjes: Mund të shkaktojë spazma më të forta bronkiale, djegie intense të fytit e mushkërive dhe vështirësi më të gjata në frymëmarrje.
  • Irritim dhe djegie të theksuar të lëkurës e syve: Në vend të efektit të përkohshëm, gazi i skaduar mund të shkaktojë djegie kimike të lëkurës, skuqje të zgjatur ose dëmtime më serioze në indet e syve.
  • Rrezik për shpërthim ose ndezje anormale: Me kalimin e afatit, mekanizmi i ndezjes dhe lënda djegëse në gëzhojë mund të mos funksionojnë siç duhet, duke rritur rrezikun e djegieve fizike apo lëndimeve nga fragmentet. /E.A/

Foto: Dardan Shala

 

Continue Reading

Të kërkuara