Kulturë

Shpenzoni para në eksperienca e jo në gjëra

Eksperiencat bëhen pjesë e identitetit tonë.

Published

on

Kur punoni shumë çdo ditë dhe ju mbesin para për t’i shpenzuar pasi t’i keni paguar të gjitha detyrimet, atëherë padyshim se duhet të siguroheni se do t’i shpenzoni mirë.

Shkenca ju sugjeron që paratë tuaja t’i shpenzoni në atë se çfarë ju bën të lumtur.

Një studim 20-vjeçar i kryer nga dr. Thomas Gilovich, profesor i psikologjisë, ka konstatuar diçka interesante: mos i shpenzoni paratë në gjëra.

Problemi me këtë fenomen është se lumturia të cilën jua sjellin gjërat zhduket shumë shpejt.

Ka tri arsye kritike se përse ndodh kjo:

– Mësohemi me gjërat e reja që i kemi blerë. Pra, gjëja që dikur na u është dukur shumë e nevojshme dhe e mirë, shumë shpejt kthehet në asgjë sepse veç e posedojmë.

– Vazhdojmë t’i rrisim dëshirat. Blerjet e reja shpijnë në pritshmëri të reja. Posa të mësohemi me një gjë të re që e kemi blerë, ne fillojmë të kërkojmë për një gjë tjetër më të mirë.

– Krahasimi… Gjërat, nga vetë natyra e tyre, krijojnë krahasime. Ne e blejmë një veturë të re dhe ndihemi shumë të emocionuar derisa një shok i yni e blen një veturë më të mirë.

“Një nga armiqtë e lumturisë është adaptimi. Ne blejmë gjëra që na bëjnë të lumtur dhe e arrijmë këtë. Por, vetëm për një periudhë të shkurtë. Gjërat e reja që i blejmë janë emocionuese në fillim për ne, por pastaj mësohemi me to”, ka deklaruar Gilovich.

Paradoksi i zotërimit të gjërave është se supozojmë që lumturia të cilën e arrijmë kur blejmë diçka do të zgjatë po aq shumë sa vet ajo gjëja që e blejmë. Por, kjo është gabim.

Gilovich dhe hulumtuesit tjerë kanë zbuluar se eksperiencat ju furnizojnë me lumturi më afatgjate sesa gjërat materiale.

Qe përse:

Eksperiencat bëhen pjesë e identitetit tonë. Ne nuk jemi gjërat që i kemi, por jemi akumulimi i çdo gjëje që e kemi parë, e kemi bërë dhe i vendeve që i kemi vizituar. Të blerit një orë “Apple” nuk do t’ju ndryshojë juve si person; por nëse merrni pushim nga puna për të bërë hiking në një vend shumë të veçantë, padyshim se do t’ju ndryshojë si person.

Eksperiencat janë pjesë më e madhe e vetës sonë sesa të mirat materiale që i kemi. Ne jemi shuma totale e eksperiencave që i kemi.

Krahasimet kanë më pak rëndësi. Ndryshe nga gjërat materialiste, ne nuk i krahasojmë eksperiencat njësoj sikurse gjërat.

Pritja ka rëndësi. Gilovich gjithashtu ka studiuar pritjen dhe ka zbuluar se pritja e një eksperience shkakton kënaqësi dhe emocionet ë mira, ndërkaq pritja për ta blerë një gjë materiale shkakton mos durim. Eksperiencat janë të kënaqshme qysh nga momentet e para të planifikimit e deri te kujtimet që do t’i mbani mend gjithmonë.

Vlen të ceket se Gilovich me kolegët e tij nuk janë të vetmit që besojnë se eksperiencat na bëjnë më të lumtur sesa gjërat. Dr. Elizabeth Dunn gjithashtu e ka studiuar këtë çështje dhe ka treguar se lumturia të cilën e fitojmë kur blejmë gjëra të reja zhduket shpejt dhe na lë duke dëshiruar më shumë.

Gjërat mund të zgjasin më shumë se eksperiencat, por kujtimet që mbesin gjithmonë janë më të rëndësishme.

Continue Reading

Kulturë

Mbrëmje klasike në Prishtinë: Filharmonia e Kosovës ngjitet në skenë më 17 prill

Published

on

Filharmonia e Kosovës do të rikthehet para publikut më 17 prill 2026 me një koncert të radhës, duke sjellë një program të larmishëm me vepra nga kompozitorë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në këtë mbrëmje muzikore do të interpretohen vepra nga Baki Jashari, Francis Poulenc dhe Ludwig van Beethoven, duke ofruar një përvojë artistike që ndërthur traditën dhe klasikën botërore me krijimtarinë vendore.

Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.

Continue Reading

Kulturë

Koncert solemn në Prishtinë për Shën Nënë Terezën dhe Kardinalin Ernest Simoni

Published

on

Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt një koncert solemn, i organizuar në nder të Shën Nënë Terezës, me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të saj, si dhe për të shënuar 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Kardinalit shqiptar Ernest Simoni.

Ky aktivitet u organizua nga Fondacioni “Kardinal Domenico Bartolucci”, në bashkëpunim me Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë, nën patronatin e Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Koncerti u hap nga Kori i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, së bashku me sopranon Arta Jashari, të cilët interpretuan veprën “Rri me ne” të kompozitorit Marco Frisina, nën dirigjimin e motrës Lidvina Marku dhe me shoqërim në organo nga Emanuel Mates.

Në vijim, performoi Kori i Fondacionit “Bartolucci”, nën drejtimin e dirigjentit Adriano Caroletti dhe organistit Josep Solé Coll, duke sjellë një program të pasur me vepra me tematikë pashkore, që u prit me emocione të veçanta nga publiku.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, Kardinali Ernest Simoni, Ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, si dhe përfaqësues institucionalë, diplomatë, artistë dhe besimtarë të shumtë.

Continue Reading

Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Terminal” për herë të parë në Çeki

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës ka prezantuar për herë të parë në Republikën e Çekisë shfaqjen “Terminal”, në qytetin e Trutnovit, duke zgjuar interes të veçantë te publiku vendas.

“Terminal”, me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Roland Petite, solli një rrëfim bashkëkohor, i cili u komunikua fuqishëm me audiencën përmes lëvizjes dhe interpretimit artistik.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Republikën Çeke, Albesjana Iberhysaj Kapitaj, e shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Ilir Tepelena, së bashku me diplomatë dhe dashamirë të artit, të cilët e përjetuan nga afër këtë ngjarje kulturore.

Kjo paraqitje shënon një hap të rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të artit kosovar dhe dëshmon rolin e fuqishëm të diplomacisë kulturore në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe popujve.

Continue Reading

Kulturë

“Nderi” prezantohet në Prishtinë pas rrugëtimit në festivale ndërkombëtare

Published

on

Pas një rrugëtimi të suksesshëm në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe një prezantimi të mëhershëm në Podgoricë, filmi artistik me metrazh të gjatë “Nderi” u shfaq edhe për publikun në Prishtinë në mbrëmjen e së enjtes. Kjo premierë përkoi simbolikisht me shënimin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, vend nga i cili vjen edhe produksioni i filmit.

Me regji të Nikola Vukčević, “Nderi” është rezultat i një pune disavjeçare, që i ka marrë regjisorit rreth tetë vite për ta sjellë në ekran. Filmi ndërton boshtin e tij narrativ mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke trajtuar tema të thella si morali, nderi dhe sakrifica.

Ngjarja bazohet në një histori të vërtetë nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimi ndjek fatin e një fëmije ortodoks që, duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehim te një familje muslimane shqiptare. Pikërisht në këtë raport zhvillohet drama e filmit, duke vënë në pah besën shqiptare dhe vendosmërinë për të mbrojtur jetën e tjetrit, edhe përballë rrezikut ekstrem.

Në rolet kryesore paraqiten aktorët Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski, Elez Adžović dhe emra të tjerë të njohur të skenës.

“Nderi” është propozuar nga Qendra e Filmit të Malit të Zi për çmimin Oscar, megjithatë nuk arriti të përfshihet në listën e ngushtë. Pavarësisht kësaj, filmi ka shënuar suksese të rëndësishme ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmime dhe duke u shfaqur në festivale prestigjioze, përfshirë edhe ato të kategorisë A, si në Kajro, Goa dhe Palm Springs.

 

Continue Reading

Të kërkuara