Sport

Shpalosen detaje nga strategjia e re e FFK-së për futbollin e vajzave

Shefja e edukimit në Federatën e Futbollit të Kosovës, Sanije Krasniqi ka thënë se në këtë strategji është punuar për më shumë se një vit.

Published

on

Masovizimi, fuqizimi dhe zhvillimi i futbollit të vajzave është objektivi kryesor që synon të arrihet përmes strategjisë së re të futbollit të Kosovës të hartuar në fund të vitit të kaluar. Kjo strategji ka marrë mbështetjen e plotë të FIFA-s dhe UEFA-s duke u dhënë kështu një fuqi edhe më të madhe.

Shefja e edukimit në Federatën e Futbollit të Kosovës, Sanije Krasniqi ka thënë se në këtë strategji është punuar për më shumë se një vit, me fokus të veçantë për masivizimin e futbollit për femra.

“Ne si Federatë e Futbollit të Kosovës, Departamenti teknik, kemi punuar rreth një vit rreth zhvillimit të futbollit dhe strategjisë së femrave ku fokus i veçantë është participimi i ekipeve nacionale, është lidershipi i femrave, gjithashtu i kemi edhe edukimin e trajnerëve, refereve të reja, kështu që është njëfarë fokusi ynë se ku do të fokusohemi në vitet e ardhshme në zhvillim… Kjo strategji ka qenë në bashkëpunim me FIFA-në, mirëpo ka qenë e mbështetur pjesërisht edhe nga UEFA… Kështu që ka qenë një punë mjaft e gjatë, e vështirë, mirëpo besoj që kemi arritur ta krijojmë një strategji mjaft të pritshme për vitet e ardhshme dhe frytdhënëse që do të jep fryte në vitet e ardhshme në futbollin e femrave”, tha Krasniqi.

Në përpjekjet për masivizimin e futbollit te të gjitha gjeneratat, Krasniqi bëri të ditur se po vazhdon të punohet me projektin “Futbolli në shkolla”, i cili u mundëson fëmijëve të merren me futboll qysh në moshën e tyre të re.

“Projekti “Futbolli në shkolla” është nga viti 2020 edhe zakonisht janë të përfshira të gjitha regjionet e Kosovës, ku nxënësit e shkollave fillore, klasa e tretë kanë dy herë në muaj aktivitete të futbollit me arsimtarin e edukatës fizike dhe një trajner që është i licencuar në Federatën e Futbollit të Kosovës, do të thotë i kanë dy orë shtesë gjatë muajit. Kemi edhe aktivitete në kuadër të projektit ‘Grassrots’ me fëmijët me nevoja të veçanta nëpër të gjitha regjionet e Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Krahas punës për masivizimin e futbollit dhe shtrirjes te grup-moshat e reja, Krasniqi tha se zhvillim të hovshëm ka edhe te Superliga e Kosovës në futbollin e femrave.

“Ka nevojë për përmirësime, mirëpo çdoherë e më shumë po shihet edhe zhvillimi i ligës dhe futbollit, klubeve, njerëzve që punojnë nëpër klube ku vetë fakti që në ekipet nacionale kemi shumë vajza prej ligës sonë, edhe sukseset që ishin gjatë këtij viti me ekipet e futbollit të femrave, tregon për një rritje dhe një zhvillim të futbollit të femrave. Siç e dini, në ekipin A kemi shumë vajza prej ekipeve të Kosovës, gjithashtu ekipi U19 është gati 80 për qind me vajza nga Kosova, siç është edhe U17 ku i kemi kaluar nga liga B në A, ndërsa ekipi nacional A është e para në Ligën C”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi u shpreh e kënaqur me rezultatet e arritura gjatë vitit 2023 me Kombëtaren A të femrave, por që synimet janë për t’u kualifikuar në ndonjë kampionat të rëndësishëm evropian.

“Unë mendoj që 2023-ta ka qenë vit shumë i mirë i Kombëtares A, ku prej grumbullimit të parë në shkurt 2023 kemi zhvilluar 11 ndeshje, miqësore dhe kualifikuese, ku prej tyre kanë qenë dhjetë fitore dhe një barazim. Kështu që ka qenë pa humbje, do të thotë është sukses i dëshiruar. Mirëpo, ne kërkojmë edhe më shumë dhe shpresoj që tani në Ligën B të kemi rezultate të mira dhe pse jo ndonjë kualifikim eventual”, tha Krasniqi.

Duke qenë edhe shefe e edukimit të trajnerëve në FFK, Krasniqi zbuloi se nga ky vit do të nisin me dhënien edhe të licencës UEFA-A për trajnerët në Kosovë.

“Në vitin 2024 do të fillojmë me licencën UEFA-A për trajner, me licencën UEFA-B për portierë për herë të parë dhe licencën B për trajnerë të fitnesit. Edukimi është në nivel shumë të lartë në futbollin e Kosovës, e them me plot vetëdije dhe meritë. Në bazë të mbështetjes dhe monitorimeve që kemi nga UEFA, mendoj që vetëm në Ligën e Parë po shihen sukseset e disa trajnerëve që kanë përfunduar në Kosovë dhe shumë shpejt ata do t’i shohim në Superligë dhe besoj edhe në Evropë”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi shtoi se volumi i punëve brenda Federatës së Futbollit të Kosovës është jashtëzakonisht i madh, por që ky institucion kritikohet nga njerëzit jashtë saj pasi ata, sipas saj, nuk janë në dijeni për zhvillimet e përditshme që ndodhin brenda kësaj fushe sportive.

Sport

Zhegrova “E dua Juventusin dhe dua të bëj gjëra të mëdha me këtë klub”

Published

on

By

Edon Zhegrova luajti vetëm rreth 15 minuta në fund të ndeshjes së Kosovës ndaj Izraelit, e cila përfundoi me rezultat 0-0 në kuadër të Ligës së Kombeve. Në një intervistë ekskluzive për “Sportmediaset”, anësori kosovar foli për përballjen e fundit me Dardanët, të ardhmen e tij te Juventusi dhe objektivat e klubit italian.

“Fakti që nisa nga stoli ishte vendim i trajnerit. Mezi pres ndeshjen tjetër, shpresoj të startoj dhe të luaj”, deklaroi Zhegrova për “Sportmediaset”.

Kosova në ndeshjen e radhës do të përballet me Austrinë, e cila aktualisht kryeson grupin.

“Unë besoj te kombëtarja ime. Kemi lojtarë cilësorë, do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi një shans të mirë për të fituar. E njëjta gjë vlen edhe për grupin. Do të bëjmë gjithçka për të përfunduar të parët”, u shpreh ai.

Zhegrova foli edhe për eksperiencën e tij te Juventusi, duke theksuar se ndihet shumë i lumtur që është pjesë e klubit torinez.

“Jam shumë i lumtur që jam te Juventusi. Është një klub i shkëlqyer dhe nuk mund të mos jem i lumtur me shokët e mi të skuadrës, trajnerin, stafin dhe të gjithë ekipin. Është një privilegj për mua të jem pjesë e këtij klubi dhe do të jap më të mirën time sa herë që të zgjidhem për të luajtur”, tha Zhegrova.

Gjatë verës, emri i tij ishte lidhur me një largim të mundshëm nga Juventusi, por kosovari vendosi të qëndrojë në Torino.

“Qëndrova sepse e dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe me të. Kur më blenë, isha vërtet i lumtur dhe nuk doja të largohesha nga Juventusi në këtë mënyrë, pa lënë gjurmën time. Kështu që doja të qëndroja dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha për këtë klub”, deklaroi ai për “Sportmediaset”.

Zhegrova nuk është përfshirë në listën e Juventusit për Europa League, një vendim që sipas tij i takon trajnerit Luciano Spalletti.

“Është zgjedhja e Spallettit. Çfarëdo që të vendoset, unë do të bëj më të mirën time për klubin dhe respektoj çdo vendim”, u shpreh reprezentuesi i Kosovës.

I pyetur nëse Juventusi mund ta fitojë Scudetton, Zhegrova u shfaq optimist për potencialin e skuadrës.

“Kemi një ekip të shkëlqyer dhe një skuadër shumë të mirë. Do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje, me synimin për të fituar çdo ndeshje që luajmë. Mendoj se kemi cilësinë e nevojshme. Në fund do t’i nxjerrim përfundimet”, tha ai.

Në fund, Zhegrova u pyet edhe për rivalitetin me Interin, kampionin në fuqi të Italisë, duke e mbyllur intervistën me një përgjigje me humor.

“A jemi më të fortë se ata? Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”, tha Zhegrova me buzëqeshje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Deputetët e PDK-së lëshojnë mbledhjen e Komisionit: Ligji për Specialen të jetë prioritet absolut

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Kjo lëvizje vjen si pjesë e bojkotit të PDK-së në komisionet parlamentare, e cila kërkon që Kuvendi të mos vazhdojë me punë rutinore pa u proceduar paraprakisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Deputetja Musliu theksoi se Kuvendi nuk guxon të jetë indiferent ndaj kërkesave të qytetarëve në të gjithë vendin dhe në mërgatë, duke nëvizuar se asnjë çështje tjetër nuk duhet të ketë përparësi para këtij ligji.

Këtë qëndrim e mbështeti edhe deputeti Demaku, i cili u shpreh se projektligji për Dhomat e Specializuara është prioriteti numër një dhe se të gjitha temat e tjera mund të presin. /E.A/

Continue Reading

Sport

Muric ende në dyshim për ndeshjen ndaj Milanit, Sassuolo pret rikthimin e tij

Published

on

By

Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes te Sassuolo, me klubin italian që po e përcjell me shqetësim gjendjen e tij fizike dhe rikthimin në dispozicion.

Muric u dëmtua në minutën e 65-të të ndeshjes mes Kosovës dhe Austrisë, të cilën Dardanët e humbën me rezultat 3-1. Që nga atëherë, gjendja e tij është monitoruar vazhdimisht nga stafi mjekësor i Kosovës.

Sipas “SassuoloNews”, portieri kosovar ende nuk është rikuperuar plotësisht, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i gatshëm për ndeshjet e ardhshme.

Për gjendjen e Muricit kishte folur edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, para ndeshjes ndaj Izraelit.

“Ai pësoi një goditje në ndeshjen kundër Austrisë. Nuk mendoj se do të jetë në gjendje të luajë kundër Izraelit, por do të shohim se si është për momentin”, kishte deklaruar Foda.

Muric më pas nuk ishte në formacion për përballjen ndaj Izraelit, ndërsa tani vëmendja është kthyer te rikthimi i tij në kampionat.

Sassuolo do të përballet me Milanin të dielën, më 11 tetor, në një ndeshje që nis nga ora 18:00. Megjithatë, Muric aktualisht mbetet në dyshim për këtë sfidë.

Trajneri Alberto Aquilani po e përcjell nga afër situatën dhe, nëse portieri kosovar nuk arrin të rikuperohet në kohë, në portë pritet të aktivizohet Turati.

Për Sassuolon, rikthimi i Muricit do të ishte i rëndësishëm para një përballjeje të vështirë ndaj Milanit. Ditët në vijim pritet të sjellin më shumë qartësi për gjendjen e portierit të Kosovës dhe mundësinë e aktivizimit të tij.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Zhegrova pas barazimit me Izraelin: Shpresoj të luaj nga minuta e parë ndaj Austrisë

Published

on

By

Edon Zhegrova ka komentuar barazimin pa gola të Kosovës kundër Izraelit, duke shprehur hapur dëshirën për të qenë titullar në sfidën e ardhshme. Sulmuesi kosovar u inkuadrua në fushë vetëm në minutën e 77-të, por në minutat e pakta në dispozicion nuk arriti të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes që përfundoi 0-0.

Në një deklaratë për mediumin italian SportMediaset, Zhegrova theksoi se aktivizimi nga stoli matcheshte vendim i trajnerit, ndërsa vëmendjen e ka kthyer nga përballja e radhës.

“Të nisja nga stoli ishte vendim i trajnerit. Mezi pres ndeshjen tjetër, shpresoj të filloj dhe të luaj,” u shpreh ai.

Kosova do të përballet me Austrinë, e cila aktualisht udhëheq grupin. Pavarësisht sfidës së vështirë, 25-vjeçari ka besim të plotë te forca e “Dardanëve” për të kërkuar tre pikët në shtëpi.

“Unë besoj te kombëtarja ime, kemi lojtarë cilësorë. Do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi një shans të mirë për të fituar. Do të bëjmë gjithçka edhe për të përfunduar të parët në grup,” shtoi sulmuesi.

Zhegrova kishte shënuar gol nga pika e bardhë në përballjen e kaluar ndaj austriakëve në Vjenë, ku Kosova u mposht me rezultatin 3-1. /D.L/

Continue Reading

Të kërkuara