Lajmet

​Shoqëria civile: Nga 400 milionë euro të ndara për bujqit, vetëm 186 milionë u implementuan

Kështu u tha në konferencë për media nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Published

on

Mbi 50 për qind e tokës në Kosovë është kualifikuar të jetë tokë bujqësore, megjithatë sektori formal bujqësor mbulon vetëm 3.9 për qind të fuqisë punëtore të përgjithshme. Ndërkaq, inflacioni në Kosovë është rritur mbi 12 për qind.

Kështu u tha në konferencë për media nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), i cili në në konsorcium me Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) dhe Institutin GAP, prezantoi raportin tematik me temën “Bujqësia në fokus: roli, impakti dhe keqpërdorimet e fondeve mbështetëse”.

“Disa prej atyre që janë ndihmuar nga persona të caktuar, kanë abuzuar me paranë publike duke I mbyllur fermat, duke mashtruar ministrinë ose duke mos i implementuar ato deri në fund… Ka fermerë që nuk kanë ku t’i mbajnë lopët dhe detyrohen t’i sheshin ato”, thuhet në këtë raport.

Hulumtuesja dhe koordinatorja e projektit, Laura Nushi tha se gjatë pesë viteve të fundit rreth 400 milionë euro janë ndarë nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në mbështetje të fermerëve dhe bujqve, derisa shtoi se rreth 200 milionë euro prej tyre janë implementuar. Ajo shtoi se pavarësisht kësaj, numri i popullsisë që jeton në varfëri në Kosovë mund të arrijë deri në 26 për qind.

“Përkundër faktit që gjatë pesë viteve të fundit buxheti i ndarë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Kosovën ka arritur në 396.100 milionë euro aq sa kemi mundur ne të mbledhim nga raportet që ata i kanë publikuar. Fatkeqësisht vetëm 186.300 milionë euro janë implementuar. Për dy vitet e fundit, për vitin 2021/2022, raportet ende nuk janë të publikuara. Ndërkaq, për vitin 2023 ende nuk është publikuar vetë programi për zhvillim rural që ka për qëllim ndarjen e granteve nëpërmjet kritereve të përcaktuara. Edhe pse është ndarë ky buxhet kaq shumë i madh, afërsisht rreth 400 milionë, fatkeqësisht numri i popullsisë që jeton në varfëri në Kosovë mund të arrijë nën apo në kufi 26 për qind, ku prej tyre 23 për qind nuk mund as të përballen me rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore, primare dhe esenciale që janë për jetesë”, tha Nushi.

Nushi tha se inflacioni në Kosovë është rritur për 12.7 për qind, derisa potencoi se vetëm muajt e fundit ky inflacion është rritur për 4.2 për qind.

“Ku është më të vërtetë efikasiteti apo impakti i granteve apo subvencioneve në bujqësi, nëse ne hasim në rritje të çmimeve në treg, duke marrë parasysh që vetë ato para të granteve dhe subvencioneve janë parat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, para publike… Inflacioni në Kosovë është rritur për 12.7 për qind gjatë viteve të fundit, ndërkaq vetëm muajt e fundit inflacioni në Kosovë është rritur për 4.2 për qind në bazë të statistikave të mbledhura nga ASK. Rreth 54.23 për qind e Kosovës të jetë tokë bujqësore vetëm 3.9 për qind të fuqisë punëtore të përgjithshme i mbulon ky sektor, gjë që hasim në migrimin e popullsisë dhe mungesën e personave apo bujqve dhe fermerëve të cilët edhe dëshirojnë të punojnë në tokat tona bujqësore”, tha Nushi.

Ajo shtoi se është evidente që bujqësia në Kosovë përkundër parakushteve të favorshme për të qenë një vend i vyer bujqësor, vazhdon të përballet me sfida të mëdha të cilat e pengojnë zhvillimin e tij si një sektor me vlerë të shtuar, sipas saj për shkak të politikave të gabuara dhe mungesës së vizionit për të promovuar zbatimin e strategjive efektive në shumë nën sektorë të saj.

Ndërsa, në raportin “Bujqësia në fokus” janë dhënë disa rekomandime të cilat përfshijnë uljen e kriterit për subvencione dhe grante, të përditësohet lista e zezë që përmban emrat e bujqve që kanë qenë të përfshirë në korrupsion dhe të kryhen studime rreth mundësive të përshtatshmërisë për kultivimin e kulturave bujqësore.

Rekomandime këto, për të cilat hulumtuesi në INDEP, Liron Gjocaj bëri thirrje që të merren për bazë për shkak se janë në të mirë të të gjithë vendit.

“Shpresojmë që të gjitha rekomandimet e punimit dhe thirrjet tona të hasin në një derë të hapur dhe këto rekomandime të merren për bazë për shkak se nuk janë rekomandimet më të mira të shoqërisë civile apo të një target grupi, por janë në të mirë të gjithë vendit”, potencoi Gjocaj.

Ndër të tjera në këtë raport thuhet se ‘grantet iu jepen njerëzve të fuqishëm dhe në vend se ato t’i jepen atyre që kanë nevojë dhe që mbajnë bagëtitë e tyre në stalla dhe kushte mjerueshëm ministria u jep grante atyre që kanë para dhe janë milionerë’.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara