Aktualitet

Shkup: Të premten pritet të arrijë grupi i parë i afganëve

Published

on

Autoritetet zyrtare të Maqedonisë së Veriut, kanë bërë të ditur se gjatë ditës së premte (20 gusht), pritet të arrijë grupi i parë i qytetarëve nga Afganistani, duke theksuar se koha e saktë e arritjes së tyre, do të varet nga rrethanat në aeroportin e Kabulit.

“Unë pres, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe informacioneve që kam, nesër të arrijnë qytetarët e parë (nga Afganistani) po edhe gjatë fundjavës, për strehim këtu”, ka bërë të ditur të enjten në një konferencë për media kryeministri, Zoran Zaev.

Ai edhe një herë ka nënvizuar se të gjithë qytetarët duhet të jenë krenarë, pasi Maqedonia e Veriut është nga shtetet e para që iu bashkua Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’iu përgjigjur në thirrjen e tyre për strehim të afganëve, pasi Afganistani ra në duart e talibanëve.

“Pritet të arrijnë më shumë fluturime. Por, ajo që deri më tani e kemi të konfirmuar, pritet të arrijnë rreth 450 afganë, mund të paraqiten edhe 50, 70 a 90 persona të tjerë. Ashtu siç do të marrim konfirmim, këtë informacion do ta ndajmë me opinionin”, ka theksuar për mediat, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Transporti i afganëve drejt Maqedonisë së Veriut, bëhet nën organizimin e SHBA-së dhe organizatave ndërkombëtare, te të cilat këta persona kanë qenë të angazhuar.

Autoritetet qeveritare kanë theksuar se strehimi i afganëve është për një kohë të caktuar, pasi ata, pas përgatitjes së dokumentacionit, do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në vende të tjera si destinacioni i tyre përfundimtar, megjithëse nuk kanë bërë të ditur se për sa kohë saktësisht bëhet fjalë.

Komiteti i Helsinkit apelon të mos përdoret kriza me refugjatët afganë për qëllime politike

Ndërkohë nga Komiteti i Helsinkit në Shkup, apeluan te politikanët, që krizën afgane të mos e përdorin për qëllime të caktuara politike dhe të mos nxisin ndjenja ksenofobe te qytetarët, tani që vendi është në prag të zgjedhjeve lokale.

“U bëjmë thirrje mediave dhe veçanërisht politikanëve që mos të nxisin ndjenja ksenofobie te qytetarët për arritjen e qëllimeve të caktuara”, theksohet veç tjerash në reagimin e Komitetit të Helsinkit, ku nënvizohet që afganët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, si rrjedhojë e kërcënimeve me vdekje për ta dhe familjet e tyre.

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE ka kundërshtuar ashpër vendimin e qeverisë për pranimin e afganëve, jeta e të cilëve është e rrezikuar nga talibanët, pasi kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Strehimi i afganëve nuk paraqet asnjë rrezik për Maqedoninë e Veriut

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov hedh poshtë çdo mundësi që afganët të paraqesin çfarëdo lloj rreziku për sigurinë e Maqedonisë së Veriut si shtet.

Trajanov thotë për Radion Evropa e Lirë se është i pakuptimtë qëndrimi i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE që vendi nuk disponon me kapacitetet e nevojshme për të strehuar afganët, gjersa ata të transferohen në vendet e treta.

“Kërcënim për sigurinë e vendit nuk ka, pra asnjë rrezik nuk paraqet ardhja e afganëve në Maqedoninë e Veriut, pasi ata këtu vijnë përmes rrugëve legale në bazë të një liste me të gjitha të dhënat, me dokumente udhëtimi dhe dokumente të tjera, pra saktë dihet struktura e tyre. Tani a do të ketë ndonjë problem për sa i përket sigurisë, nëse autoritet talibane do të kërkojnë që të kthehet në Afganistan ndonjë nga ata që është strehuar këtu për t’u gjykuar, do të varet nga ajo se si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen”,thotë Trajanov.

Nga ana tjetër, Ismet Ramadani kryetar i Këshillit Veri Atlantik në Shkup thotë se faktori ndërkombëtar i ka të njohura kapacitetet e vendit dhe nuk do ta ngarkojë shtetin me më shumë obligime seç mund të bartë për sa i përket numrit të afganëve që do të strehohen në Maqedoninë e Veriut.

“Unë jam i bindur se NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kërkojnë më shumë nga Maqedonia e Veriut nga kapacitete me të cilat ajo disponon për sa i përket pranimit të refugjatëve afganë. Aq më tepër se roli i Maqedonisë së Veriut është të qenit një vend tranzitor kështu që nuk ka pse mos rreshtohemi përkrah vendeve të aleancës”, thotë Ramadani.

Autoritetet zyrtare të Maqedonisë së Veriut, në vazhdimësi kanë dematur reagimet se vendin e pret valë e re e emigrantëve nga Afganistani, njëherësh kanë theksuar se Maqedonia e Veriut, është pjesë e një operacioni të madh humanitar global, për të shpëtuar popullatën paqësore afgane në rrezik nga strukturat ekstremiste talibane./REL/

Rajoni

Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpiak Vlora Hysenin: Rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Published

on

By

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zbutjen e kësaj mase.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës se nuk ekziston rreziku i largimit nga vendi apo i dëmtimit të provave, togat e zeza në Apel kanë miratuar vendimet e Shkallës së Parë.

Në vendimin e zbardhur theksohet gjithashtu se, në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i plotë i këtij akti deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Pala mbrojtëse ka të drejtë të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. /Top Chanel/

Continue Reading

lajme

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Published

on

By

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Politika pengoi reformat

Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

 

Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

 

Media të lira, por me sfida

Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku mjedisi kufizues nxit autocensurën.

Raporti kërkon miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.

Shqetësime ngrihen edhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë rrënimin e pronave private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, ndërkohë që kundërshtimet gjyqësore ishin ende në shqyrtim.

 

Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/

 

Continue Reading

lajme

U ndaluan punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot: Inspektorati i Punës konstaton parregullsi

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Kllokot, pas konstatimit të parregullsive që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.

Vendimi u mor gjatë inspektimeve të rregullta në terren, ku inspektorët konstatuan se subjektet ndërtuese nuk i kishin plotësuar kushtet ligjore për mbrojtjen e punëtorëve. Ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e plotë të këtyre parregullsive dhe krijimin e një ambienti të sigurt pune.

Me këtë rast, Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet legjislacionin në fuqi, duke paralajmëruar se garantimi i sigurisë dhe i shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i pakompromis. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Pejë për sulm seksual ndaj vajzës së tij të mitur

Published

on

By

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është ndaluar për 48 orë në Pejë, nën dyshimin se ka kryer dy vepra të rënda penale kundër integritetit seksual ndaj vajzës së tij të mitur.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se Prokurori i Shtetit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa viktima po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore.

Sipas të dhënave zyrtare nga raporti i Prokurorit të Shtetit, Departamenti për Të Mitur po e ngarkon të dyshuarin për veprat penale “Sulmi seksual” dhe “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të fëmijëve”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve, organet e rendit kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale, kryesisht pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara