Qeveria holandeze ka marrë nën kontroll prodhuesin e çipave të kompjuterëve Nexperia, i cili është në pronësi kineze, duke shtuar tensionet me Pekinin në mes të një lufte globale për teknologjinë dhe pronën intelektuale — sidomos në sektorin e gjysmëpërçuesve.
Në një deklaratë të publikuar të dielën mbrëma, qeveria holandeze njoftoi ndërhyrjen në kompaninë Nexperia me seli në Holandë, e cila prodhon çipa për industrinë e automobilave dhe për pajisje elektronike të konsumit.
Autoritetet në Amsterdam përdorën për herë të parë fuqitë e tyre sipas një ligji të njohur si “Akti i Disponueshmërisë së Mallrave”, duke përmendur shqetësime për mundësinë e transferimit të teknologjisë te kompania mëmë kineze, Wingtech.
Pas këtij vendimi, aksionet në bursën e Shangait ranë me 10% të hënën. Qeveria holandeze tha se nuk do marrë pronësinë e Nexperia-s, por do të ketë kompetencë të bllokojë apo përmbysë vendime të menaxhmentit që konsiderohen të dëmshme për interesin kombëtar. Aktivitetet e përditshme të prodhimit do të vazhdojnë normalisht.
Kjo lëvizje vjen në një moment kur Donald Trump po forcon presionin ndaj kompanive kineze të teknologjisë, duke paralajmëruar tarifa deri në 100% mbi eksportet kineze si pjesë e luftës tregtare mes dy fuqive.
Edhe pse Amerika dhe Holanda bashkëpunojnë në kontrollin e eksporteve të industrisë së çipave, një zëdhënës i Ministrisë holandeze të Çështjeve Ekonomike deklaroi se vendimi ndaj Nexperia-s është marrë në mënyrë të pavarur dhe “koha është thjesht rastësore”.
Në dhjetor 2024, SHBA e kishte futur Wingtech në “listën e subjekteve” të ndaluara për shkak të rolit të dyshuar në përpjekjet e qeverisë kineze për të blerë kompani me aftësi të ndjeshme në prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Wingtech reagoi ndaj ndërhyrjes së qeverisë holandeze, duke e quajtur atë “një veprim të tepruar të nxitur nga paragjykime gjeopolitike”.
Kompania pretendoi se drejtues jo-kinezë të Nexperia-s kanë tentuar të ndryshojnë strukturën e kapitalit të firmës përmes procedurave ligjore, veprim që e përshkroi si “kapje të fshehtë të pushtetit”. Wingtech njoftoi se po konsultohet me juristë dhe po kërkon mbështetje nga autoritetet kineze për të “mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime”.
Nexperia, e blerë nga Wingtech për 3.63 miliardë dollarë më 2018, theksoi se vepron në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret përkatëse. Në deklaratën e saj, qeveria holandeze përmendi se çështja lidhet me “njohuri thelbësore teknologjike” që kanë rëndësi strategjike për sigurinë ekonomike të Holandës dhe të Evropës.
“Humbja e këtyre aftësive paraqet rrezik për sigurinë ekonomike holandeze dhe evropiane,” – thuhet në deklaratë. /A.Z/UBT News/