Lajmet

Protestat e dhunshme në Francë, vendoset shtetrrethimi i pjesshëm në Paris dhe disa qytete të tjera

Published

on

Policia e Parisit njoftoi se shtetrrethimi do të zbatohet nga ora 23:00 deri në orën 06:00, sipas orës lokale, në zonën e Place de la République, ku protestuesit ishin mbledhur gjatë fundjavës, si dhe në zonën tregtare Les Halles.

Gjithashtu, në disa zona të tjera të qendrës së qytetit është ndaluar organizimi i tubimeve pa autorizim.

Shtetrrethime të pjesshme, që kufizojnë lëvizjen e të rinjve dhe organizimin e grumbullimeve, janë njoftuar edhe në qytete si Marseja, Bordoja, Nica dhe Lioni, në jug të vendit, si dhe në Lilë dhe qytete të tjera në veri.

Më herët, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, i cili është kritikuar ashpër nga politikanët e opozitës për mungesën e përgatitjes për përballimin e trazirave, pranoi se policia kishte “humbur kontrollin” në disa qytete. Presidenti Emmanuel Macron kishte refuzuar dorëheqjen e tij.

Protestat nisën muajin e kaluar, kur studentët kërkuan përmirësimin e kushteve në shkolla, por më pas u zgjeruan duke përfshirë edhe një sërë shqetësimesh të tjera. Numri i protestuesve gjatë fundjavës u rrit edhe për shkak të pjesëmarrjes së sindikatave dhe grupeve të ndryshme protestuese.

Sipas zyrtarëve, më shumë se 2 500 persona janë arrestuar. Agjencia e lajmeve AFP raportoi se një protestuesi i ishte këputur dora nga shpërthimi i një granate policore për kontrollin e turmave. Ndërkohë, rreth 1 000 efektivë policie janë plagosur.

Pas një mbledhjeje urgjente të hënën, kryeministri tha se kryetarëve të bashkive po u jepej kompetenca për të vendosur shtetrrethim “aty ku është e nevojshme”, pa specifikuar qytetet ku do të zbatohet masa.

Kryeministri Sébastien Lecornu, i cili nuk e përjashtoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, tha se qeveria do të vërë në dispozicion fonde për të ndihmuar zonat e prekura të rikuperohen nga dëmet. Sipas tij, shpenzimet do të mbulohen nga personat përgjegjës për dhunën.

“Do të miratohet një ligj për të gjetur mënyra që ata që kanë dëmtuar pronat të detyrohen të paguajnë”, tha Lecornu.

Ai njoftoi gjithashtu krijimin e një skeme të pjesshme për kompensimin e papunësisë për personat që nuk kanë mundur të punojnë për shkak të trazirave dhe plaçkitjeve.

Ndërkohë, Nuñez tha se 200 hetues po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personat që mund të kenë organizuar trazirat.

Ai kishte tentuar të jepte dorëheqjen të dielën, por Macron e refuzoi atë, duke vlerësuar se ishte i nevojshëm vazhdimi i drejtimit të forcave të rendit, sipas një deklarate të Pallatit Élysée.

Në deklaratë thuhej se Nuñez duhej të ishte transparent lidhur me ato që Macron i cilësoi si “dështime në inteligjencë dhe parashikim”.

Kreu i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Francës (CCI) tha se më shumë se 2 000 dyqane dhe biznese të tjera janë prekur drejtpërdrejt nga dhuna e fundjavës.

Dy ministra të qeverisë franceze thanë se mallrat e plaçkitura ishin publikuar për shitje në disa platforma online. Një zëdhënës i platformës Vinted tha se shitja ose ofrimi për shitje i mallrave të vjedhura është “rreptësisht i ndaluar”.

“Që prej këtij fundjave, ekipet tona kanë ndërmarrë menjëherë veprime për të identifikuar dhe hequr njoftimet e lidhura me plaçkitjet, si dhe kanë shtuar monitorimin e njoftimeve të dyshimta”, thuhet në deklaratë.

Rreth 550 000 protestues dolën në rrugë gjatë fundjavës për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të karburanteve, koston e jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike, përfshirë arsimin.

Grupe protestuesish të dhunshëm, disa të veshur me të zeza dhe me maska, u panë duke u vënë zjarrin makinave dhe ndërtesave, si dhe duke plaçkitur biznese në Paris, Marsejë, qytete të tjera dhe zona më të vogla urbane. /EO/

Continue Reading

Lajmet

Shtetasi turk sulmon fizikisht dy policë në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

Published

on

Një shtetas i Turqisë është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë.

Rasti ka ndodhur më 19 tetor, në rrugën “Bajram Kelmendi”.

Sipas Policisë, si dy zyrtarët policorë, ashtu edhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdes në moshën 39-vjeçare Lua Blanco, ylli i serialit brazilian “Rebelde”

Published

on

Aktorja dhe këngëtarja braziliane Lua Blanco ka ndërruar jetë në moshën 39-vjeçare, pas një beteje me kancerin.

Lajmin për vdekjen e saj e bëri të ditur vëllai i saj, aktori Daniel Blanco, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Me pikëllim të madh ju njoftojmë për vdekjen e motrës sonë të dashur, Lua Maria Blanco. Ajo kishte luftuar me kancerin gjatë muajve të fundit dhe gjatë kësaj periudhe ishte e rrethuar nga dashuria e familjes dhe miqve të saj”, shkroi ai.

Lajmi ka prekur edhe kolegët e saj nga bota e televizionit dhe muzikës. Ngushëllime kanë shprehur aktorët Sophia Abrahão dhe Arthur Aguiar, me të cilët Lua Blanco luajti në serialin brazilian “Rebelde”. Për vdekjen e saj ka reaguar edhe aktorja meksikane Dulce María, e njohur për rolin e Robertës në versionin origjinal të serialit.

E lindur në São Paulo, Lua Blanco u bë e njohur në Brazil përmes rolit të Robertës Messi në versionin brazilian të “Rebelde”. Ajo ishte gjithashtu pjesë e grupit muzikor të krijuar në kuadër të këtij projekti.

Pas suksesit të serialit, ajo vazhdoi karrierën në televizion, duke u paraqitur edhe në produksionet “Pecado Mortal” dhe “A Força do Querer”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë të arteve pamore të aplikojnë me projektet e tyre.

Thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Gjithashtu, pranohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.

Projektet mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë, në bashkëpunim me stafin e saj. Për aplikim janë të ftuara edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore, ndërsa kontratat do të lidhen me individë.

Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës: GKK Qendrore dhe GKK QAFA.

Afati i fundit për aplikim është 30 dhjetor 2026. Informacionet e hollësishme për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit mund të gjenden përmes kanaleve zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Restaurohet Mulliri i Cermjanit në Gjakovë, rikthehet një pjesë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mulliri i Cermjanit në Gjakovë është restauruar, duke rikthyer në jetë një pjesë të trashëgimisë kulturore që dëshmon traditën dhe mënyrën e jetesës së brezave të kaluar.

Përmes këtij restaurimi synohet ruajtja e vlerave historike dhe kulturore, si dhe përcjellja e tyre te brezat e ardhshëm.

Puna për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore vazhdon, me qëllim që monumentet dhe traditat që përbëjnë identitetin tonë të ruhen edhe në të ardhmen./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara