Lajmet

Shifra të frikshme: Për 21 vjet në Kosovë ndodhën 1406 vrasje

Published

on

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të martën, ka mbajtur një tryezë virtuale, në të cilën është prezantuar raporti “Trajtimi i vrasjeve në Kosovë: Politika e ndjekjes dhe gjykimit në rastet e vrasjeve”.

Hulumtuesja e IKD-së, Justina Frrokaj, tha se detyra e shtetit në kuptim të mbrojtjes së jetës nuk përfundon me miratimin e ligjeve, por me mbrojtjen reale dhe aktive të jetës së secilit qytetar nga privimi i kundërligjshëm, qoftë ky privim nga institucionet ose qytetarët e tjera.

Frrokaj, gjatë kësaj tryeze, deklaroi se si gjetje e këtij raporti është mungesa e profesionalizmit të organeve të drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të vrasjeve, duke shtuar se mungesa e profesionalizmit në trajtimin e këtyre rasteve lexohet edhe si mungesë e profesionalizmit në mbrojtjen e jetës, si të drejtën bazë, nga e cila të gjitha të drejtat e tjera marrin kuptim.

Sipas Frrokajt, gjatë monitorimit në rastet e vrasjeve, IKD-ja ka gjetur se problematikë në trajtimin e këtyre rasteve është edhe moskujdesi i duhur ndaj provave, të cilat duhet të përdoren në një procedurë penale.

“Gjatë monitorimit janë hasur raste kur janë asgjësuar mjetet e kryerjes së veprave penale të vrasjeve, gjë që ka pamundësuar edhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme në drejtim të zgjidhjes së rasteve”, ka shtuar Frrokaj.

Ndërsa hulumtuesja e IKD-së, Gzime Hashani, tha se nga ana e gjykatave nuk po zbatohet Udhëzuesi për Politikën Ndëshkimore, i miratuar nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Sipas saj, shkarjet nga politika e drejtë ndëshkimore në rastet e vrasjeve paraqesin pamundësinë e sistemit të drejtësisë për të parandaluar dukurinë e privimit të kundërligjshëm nga jeta të qytetarëve, për arsye se politika ndëshkimore joadekuate nuk arrin qëllimet e dënimit, kryesoret nga të cilat janë parandalimi i shoqërisë dhe parandalimi i individit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.

Hashani tha se, duke u bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, nga viti 2000 e deri në janar të vitit 2021 kanë ndodhur gjithsej 1.406 vrasje, 961 prej të cilave u dihet autori, ndërsa 445 vrasje janë të pazbardhura.

Sipas këtyre të dhënave, Hashani tha se është shqetësues fakti që rreth çdo e treta vrasje që nga ndodhur nga viti 2000 në Kosovë nuk është e zbardhur.

Për shkak të këtyre problematikave në trajtimin e rasteve të vrasjeve dhe rrezikshmërisë së madhe të këtyre veprave penale, Hashani u shpreh se në mënyrë që të ngrihet cilësia e hetimit dhe gjykimit të rasteve të vrasjeve, duhet të ndërmerren reforma organizative brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor.

Kjo reformë, sipas saj, konsiston në nevojën për krijimin e një trupe të veçantë prokuroriale dhe gjyqësore për trajtimin e veprave penale të vrasjeve.

Gjatë kësaj tryeze virtuale prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, deklaroi se raporti i publikuar nga IKD-ja ndihmon të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë për të parë se ku janë gabimet, në mënyrë që të përmirësohen dhe të kemi rezultate të mira.

“Në rast se bëhet ky divizion, atëherë hetuesit duhet të jenë sa më afër prokurorit, në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mira. Në punën tonë kemi sfida te këto raste, sidomos kur dëmtohen provat në vendin e ngjarjes ose kur vrasja është kryer në mënyrë profesionale. Për Prokurorinë është vështirë t’i identifikojë dhe që të marrë të gjitha provat që i pandehuri të zbulohet dhe të përgjigjet para Gjykatës”, tha Hamiti.

Sa u përket vrasjeve që kanë ndodhur në qershor dhe korrik të vitit 1999, që janë me persona të panjohur, prokurori Hamiti tha se Prokuroria Speciale nuk ka pranuar t’i trajtojë këto raste si krime të luftës.

Gjatë kësaj tryeze virtuale avokati Taulant Hodaj deklaroi se raporti ka evidentuar vështirësitë ose të metat për veprat penale të vrasjeve.

“Drejt është evidentuar fakti se në krahasim me veprat e tjera penale, zakonisht vrasjet kanë prioritet dhe trajtohen më shpejt si nga Prokuroria dhe Gjykata, por ka raste që kanë marrë shumë vite dhe kjo nuk është në përputhje me standardin e një gjykimi të drejtë dhe të shpejtë dhe rrjedhimisht shkelet të drejtat e të akuzuarit në një procedurë penale”, deklaroi Hodaj.

Hodaj shtoi se Prokuroria duhet të ketë parasysh që sipas dispozitave ligjore të prezantojë rrethanat fajësuese dhe shfajësuese, e që nga praktika, sipas tij, Prokurorisë nuk i interesojnë provat shfajësuese.

Sa i përket propozimit që të formohet një divizion i posaçëm për rastet e vrasjeve, avokati Hodaj tha se ekzistojnë disa departamente si në gjykatë, ashtu edhe në prokurori dhe se nuk e di sa mund të jetë zgjidhje e drejtë krijimi i një divizioni të kësaj natyre.

Sipas Hodajt, zgjidhja adekuate do të ishte sistemi efektiv i drejtësisë, prokurorët dhe aktorët e tjerë të kenë më shumë profesionalizëm, mbështetje dhe njerëz profesionalë.

“Prokurori duhet të ketë ekipin e tij që të zbardhin rastet e vrasjeve, e që esenciale është që hetuesit duhet të jenë profesionalë, të jenë në bashkëpunim me prokurorinë dhe të mos jetë hallka e shkoqitur ndërmjet tyre në mënyrë që të eliminohet këto problematika që kanë ndodhur ose që janë evidentuar në raportin e IKD-së”, ka përfunduar Hodaj.Më shumë nga interneti

Lajmet

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

Lajmet

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Hapen qendrat e votimit në SHBA: Nis beteja zgjedhore me pjesëmarrje masive

Published

on

By

Procesi i votimit për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fazën më intensive, me hapjen e qendrave të votimit nga Bregu Lindor e deri në pjesën qendrore të vendit. Ndërsa miliona qytetarë po u drejtohen kutive të votimit në shtete kyçe si Pennsylvania, Florida, Georgia, Michigan dhe Ohaio, të dhënat zyrtare tregojnë se procesi ka nisur me një pjesëmarrje masive falë votimit të hershëm.

Mbi 58 milionë amerikanë e kanë ushtruar tashmë të drejtën e tyre të votës përmes postës ose personalisht ditët e fundit, duke reflektuar një interesim të lartë në këto zgjedhje përcaktuese.

Këto zgjedhje mbartin një peshë të jashtëzakonshme politike, pasi rezultati i tyre do të përcaktojë kontrollin e Kongresit Amerikan. Republikanët synojnë të mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në të dyja dhomat për të çuar përpara prioritetet legjislative të administratës, ndërsa Demokratët kërkojnë të përmbysin balances e forcave për të marrë në dorë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Vëmendja kryesore mbetet te shtetet e ashtuquajtura “fushëbetejë”, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë dhe numërimi i votave mund të zgjasë me orë të tëra pas mbylljes së qendrave.

Prirja e garës është shoqëruar edhe me zhvillime të papritura brenda taborëve politikë, veçanërisht në shtetin e Michigan-it. Kongresmenja me përvojë nga radhët e Demokratëve, Haley Stevens, ka shkaktuar reagime të shumta brenda partisë së saj pasi doli publikisht në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers. Stevens e arsyetoi vendimin e saj duke kritikuar fushatën e rivalit demokrat El-Sayed për gjuhë përçarëse dhe qasje përjashtuese. Me qendrat e votimit që vazhdojnë të presin votuesit gjatë gjithë ditës, rezultatet e para zyrtare pritet të fillojnë të rrjedhin vetëm në orët e vona të mbrëmjes. /BBC/ – /REUTERS/ foto

 

Continue Reading

Të kërkuara