Lajmet

Shërbimet e internetit nuk përfshihen në heqjen e tarifave të roaming-ut

Pula: Operatorët do të krijojnë pako atraktive.

Published

on

Qytetarët e Kosovës gjatë qëndrimit në njërin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga 1 korriku i këtij viti, nuk do të paguajnë asnjë pagesë shtesë për thirrjet e realizuara telefonike dhe mesazhet e pranuara e të dërguara, thotë Nazim Rahimi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Sa i përket shfrytëzimit të internetit, priten pako me çmime të volitshme.

Tarifat e roaming-ut i referohen shërbimeve që qytetarët shfrytëzojnë në një shtet tjetër, nga qendra e operatorit të telefonisë mobile ku janë të regjistruar.

“Roaming-u ka të bëjë me çështjen e zërit. Nuk do të aplikohet tarifë shtesë nëse një qytetar i Republikës se Kosovës, konsumatorë i ndonjërit nga operatorët e telekomunikacionit që operojnë në Kosovë, do të telefonojë nga ndonjë operatorë që vepron në Ballkanin Perëndimor. Me fjalë të tjera, një qytetar i Republikës se Kosovës, që ka kartë të konsumatorit të Vala-s, nga Shqipëria do të telefonojë në Kosovë me pako të njëjtë sikurse që është në Kosovë”, tha Rrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se kjo vlen edhe për operatorët tjerë mobilë në Kosovë.

Sipas tarifave të publikuara në ueb-faqen e Vala-s dhe Telekomit të Kosovës, konsumatorët e kësaj kompanie, për çdo minutë thirrje telefonike brenda operatorit të njëjtë, paguajnë 13 centë, ndërkaq dërgimi i mesazheve kushton 6 centë. Aktualisht, tarifat shtesë për shërbimet roaming për thirrje të realizuara për 1 minutë janë 5 centë, kurse për një mesazh (sms) 2 centë.

Tarifat për roaming do të eliminohen në bazë të marrëveshjes së roaming-ut mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Serbisë). Kjo marrëveshje ishte arritur në prill të vitit 2018, në samitin e parë digjital të mbajtur në Shkup. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është paraparë të bëhet në dy faza.

Pula: Operatorët do të krijojnë pako atraktive

Shqiprim Pula, ish-anëtar i bordit të ARKEP-it, tha se nga dita e enjte (1 korrik), operatorët e telefonisë mobile në gjithë rajonin, mund të paraqesin në treg dy lloje pakosh, pako që mund të përdoren nga përdoruesit vendorë dhe pako roaming-u që mund të përdoren brenda vendeve nënshkruese të marrëveshjes së roaming-ut. Por, sipas tij, është obligative që operatorët të informojnë konsumatorët për përmbajtjen e këtyre pakove.

“Për këtë, operatorët duhet të ndërmarrin një lloj fushate edukuese. Konsumatori duhet të njoftohet në detaje për jetësimin e kësaj marrëveshjeje dhe për të drejtat e tyre që mund të shfrytëzojë pakot që krijohen dhe ofrohen nga operatorët karshi përdoruesve të tyre. Këtë duhet ta kenë obligative sepse shumë konsumatorë nuk janë në dijeni mbi metodologjinë që mund të ofrohet nga ana e operatorëve se si të shfrytëzohet nga ana e tyre”, thekson Pula.

Me marrëveshjen e roaming-ut, Pula thotë se fillimisht do të fitojë qytetari, sidomos ai i cili lëvizë shpesh nga një vend në vendin tjetër për arsye të ndryshme.

Nazim Rrahimi nga ARKEP-i thekson se operatorët e telefonisë mobile do të përgatisin pako atraktive të internetit, me çmime të volitshme.

“Kjo është çështje e operatorëve se çfarë pakosh do të përgatisin ata. Por, ne kemi informacione se ata do përgatisin pako atraktive, që do të jenë në dobi të qytetarëve të cilët do t’i shfrytëzojnë në vende e Ballkanit Perëndimor. Është fjala për pako interneti sepse çështja e telefonisë është zgjidhur”, thekson Rrahimi.

ARKEP-i tashmë ka njoftuar për miratimin e Rregullores për zbatimin e politikës së përdorimit të drejtë dhe metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave të roaming-ut. Në këtë rregullore thuhet se “obligohen operatorët e telefonisë mobile në Republikën e Kosovës që të ofrojnë shërbimet me pakicë të rregulluara të roaming-ut sipas çmimit të aplikuar në nivel kombëtar për parapaguesit e tij, të cilët zakonisht janë rezidentë ose kanë lidhje të qëndrueshme”.

Pikërisht më 1 korrik 2021, kur pritet të eliminohen tarifat për shërbimet e roaming-ut në vendet e Ballkanit Perëndimor, do të nisin bisedimet për të arritur marrëveshje të njëjtë edhe me vendet e Bashkimit Evropian, ka shkruar më herët në Facebook, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Faza e parë e zbatimit të marrëveshjes për roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka filluar në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80 për qind, kurse faza e dytë, apo eliminimi i tërësishëm i tarifave, është paralajmëruar se do të zbatohet më 1 korrik 2021.

Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara