Lajmet

Shëndeti mendor në pandemi, ekspertët kritikojnë institucionet për qasje joprofesionale

Published

on

Vendi për rreth 10 muaj po përballet me pandeminë COVID-19, e pasojat që po lë pas kjo sëmundje janë të mëdha.

Viti i shkuar po konsiderohet si më sfiduesi në trajtimin e shëndetit mendor. Të shumtë janë personat të cilët kanë kërkuar ndihmë pranë Qendrave të Shëndetit Mendor dhe Klinikës së Psikiatrisë, pas infektimeve me koronavirus në Kosovë dhe masave të vendosura për të parandaluar përhapjen.

Ekspertët po shprehën kritikë ndaj institucioneve, meqë të njëjtit nuk patën qasje të veçantë në aspektin profesional të shëndetit mendor. Të njëjtit thonë se masat që u morën ishin administrative, ndërkohë paralajmërojnë se pasojat më të mëdha psikologjike do të vërehen te moshat e shtyra dhe fëmijët.

Ka gati rreth 40 vjet përvojë si profesionist i shëndetit mendor, por vitin 2020 po e karakterizon si më të vështirin në aspektin profesional. Neuropsikiatri Sami Rexhepi për tërë këto vite ka trajtuar personat me sëmundje të shëndetit mendor, por nuk kujton që ka pasur acarim më të madh të sëmundjes te pacientët.

“Përveç se ka ardhur deri te riacarimi i sëmundjes te një numër i madh i klientëve, problemi është se është rritur edhe numri i popullatës që kanë manifestuar shqetësime të ndryshme emocionale. Sido që të jetë prej marsit-dhjetori janë nëntë muaj në pyetje edhe për të kuptuar më mirë si ka ndikuar pandemia në popullatën, është si me pas marrë një saq të madh edhe me i shti në saq popullatën në një presion të tillë kanë funksionuar. Një pjesë ka mujt një periudhë kohore me i bo ballë, por me kohën ato forca kanë filluar të zbehen edhe kanë filluar gradualisht të manifestohen edhe shenjat”, thekson ai.

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor, Sami Rexhepi shton se ende popullata është në fazën akute të stresit, por që sipas tij ka pasur presion të madh të popullatës, ngjashëm si në vitet e ’90-ta.

“Tërë kohën një e metë e madhe gjatë kësaj lufte të pandemisë, ka qenë se nuk ka pasur një qasje të veçantë në aspektin profesional të shëndetit mendor. Është bërë një strategji, është punuar se si do të reagojnë, por shumë pak ka pasur. Gjatë kohës së karantinimit, edhe aty shumë vonë jemi organizuar për të ofruar atë pjesën tonë profesionale të shëndetit mendor. Një e metë e madhe është se ende nuk jemi duke menduar për një qasje shumë specifike në aspektin e shëndetit mendor të popullatës, edhe kur kalon pandemia. Se jemi në fazën akute të stresit. Në një kohëzgjatje prej nëntë muajve, në një presion shumë të madh, është shumë normale me prit edhe çrregullime kronike të stresit traumatik”, shton Rexhepi.

Rexhepi i konsideron administrative masat anti-COVID që janë vendosur gjatë dhjetë muajve, për çka siç thotë ai ka pasur edhe rebelim të popullatës. Tutje, ai thekson se ka pasur shumë kërkesa për shërbime në këtë qendër.

“Kemi pasur riacarime të klientëve tanë që i mbikëqyrim, mirëpo ka pasur edhe nevojë të popullatës për shkak të çrregullimit të ankthit, çrregullimit të gjumit, frikës intensive, të gjitha janë këto elemente që janë pasojë e pandemisë”, thotë ai.

Rritje të numrit të rasteve ka pasur edhe në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK. Doktor Faton Kutllovci thekson se të shumtë kanë qenë personat të cilët kanë manifestuar ankth, depresion e stres.

“Kemi pasur numër të madh të rasteve që kanë kërkuar ndihmë. Por, ajo që mund të them është që më tepër një entitet i caktuar ose edhe një tjetër që kanë kërkuar shërbimet e caktuara psikiatrike. Kemi pasur shtim të rasteve që kanë kërkuar ndihmë profesionale të shëndetit mendor, personat të cilët kanë manifestuar ankth, depresion, gjendje të reagimit akut, stres. E që kanë pasur për pasojë frikën, gjumin, ankesa të shumta somatike”, thekson ai.

Kutllovci shton se pandemia ka ndikuar që të shtohet numri i rasteve për vizita psikiatrike, ndërkohë thekson se kjo ka ndikuar shumë në ndryshimin e stilit të jetës.

“Ka pasur raste kur na janë bërë pyetjet nga më thjeshtat. Për shembull ‘a guxoj t’i dezinfektoj frutat’, ‘a guxoj ta prek kuletën’, ‘a guxoj të prek drurin, metalin’, bilës edhe ‘a guxoj t’i përqafoj fëmijët e mi’. Dhe kjo mandej ka ndikuar që njerëzit të kërkojnë pastaj informata e shpeshherë tendenca për të siguruar informata të bollshme në lidhje me koronavirusin dhe pasojat e mundshme ka ndikuar që njerëzit të marrin informata të gabueshme gjë që ka ndikuar në rritjen e nivelit të frikës. Mund të them që në përgjithësi simptomalogji kanë përjetuar të gjithë, por më shumë ata që para pandemisë kanë pasur probleme psikologjike, dhe tani niveli i simptomave është më i madh”, njofton ai.

Kjo periudhë ka ndikuar edhe në rritjen e abuzimit të përdoruesve me duhan, pije alkoolike dhe substanca narkotike. Kutllovci thekson për KosovaPress se pritjet janë të mëdha që pasoja të ketë te fëmijët dhe moshat e shtyra.

“Kur një person i ekspozohet një situate që mund të jetë e përjetuar potencialisht në mënyrë traumatike, ai do të manifestojë simptomatologjinë e cila mund të jetë prezentë për një periudhë të caktuar. Por, në qoftë se nuk është trajtuar, ajo mund të zgjatet dhe mbi këtë bazë unë mendoj që pasojat për shkak të pandemisë me koronavirusin në aspektin e shëndetit mendor do të jenë prezente edhe gjatë vitit tjetër, por ndoshta edhe gjatë viteve tjera. Sepse, përveç që do të ndërrojë qasjen tonë për jetën, do të ketë komplikime psikologjike sidomos tek moshat e shtyra, por edhe te fëmijët”, shton Kutllovci.

Sami Rexhepi e Faton Kutllovci shprehën kritikë ndaj institucioneve, meqë sipas tyre nuk patën prioritet shëndetin mendor. Për këtë bëjnë thirrje që gjatë këtij viti, të kenë për bazë rekomandimet e tyre.

Lajmet

Kurti pret komandantin e KFOR-it: Diskutohet siguria dhe bashkëpunimi

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komandantin e misionit të NATO-s, gjeneralmajorin Özkan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon.

Gjatë këtij takimi, komandanti Ulutaş e ka uruar kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Fokusi kryesor i bisedës ishte stabiliteti i sigurisë në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha globale, të cilat mund të sjellin sfida të reja.

Kryeministri Kurti vlerësoi komunikimin e vazhdueshëm me misionin e NATO-s dhe falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në krye të KFOR-it.

Kurti dhe  Ulutas rikonfirmuan përkushtimin për të mbajtur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Prizren: Arrestohen dy persona për fajde, tentuan t’i zhvasin pronat 1 milionëshe

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion në qytetin e Prizrenit, që ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale të fajdesë.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi u vërtetua se të dyshuarit kishin ushtruar presion të vazhdueshëm mbi një viktimë.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit me inicialet E.K. dhe A.K., e kishin detyruar viktimën në vazhdimësi që të paguante shuma të mëdha parash në emër të kamatave të fajdesë.

Presioni kishte arritur deri në atë pikë sa të dyshuarit po tentonin t’ia merrnin viktimës pronat e tij në Prizren – një shtëpi dhe dy lokale afariste – vlera e të cilave vlerësohet të jetë rreth 1 milion euro.

Arrestimi i dy personave u bë në flagrancë, pikërisht në momentin kur ata po e detyronin viktimën të rregullonte dokumentacionin e nevojshëm për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe lokaleve në emër të tyre. Pas arrestimit, me urdhëresë të gjykatës, Policia ka bastisur vendbanimet e të dyshuarve, ku ka gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të shërbejnë për procedurën penale.

Prokurori i Shtetit në Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast të rëndë të zhvatjes dhe krimit ekonomik.

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

Published

on

By

Disa studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë protestuar të mërkurën kundër shkrirjes së sistemit të tyre të arsimit në atë kosovar.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, ata u mblodhën në qendër të qytetit për ta kundërshtuar synimin e autoriteteve kosovare për një sistem të vetëm arsimor.

Universiteti në Mitrovicën e Veriut punon në sistemin e Serbisë.

Studenti i Fakultetit Filologjik në këtë universitet, Lluka Peçenkoviq, tha se “jemi lënë në mëshirë të fatit”, dhe se autoritetet po heshtin sepse “kështu janë urdhëruar”.

Ai tha gjithashtu se protesta e së mërkurës u mbajt pa mbështetjen e rektoratit dhe se themeluesi i universitetit, pra Qeveria e Serbisë, “na e ka kthyer shpinën”.

“Profesorë, të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës, nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tuaj dhe tonin, interesin e përbashkët”, tha Peçenkoviq.

Profesoresha Mitra Reliq u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’u lëshojnë “vërtetim për jetë”, për arsimim dhe për ruajtjen e identitetit, ndërsa Beogradin zyrtar e ftoi të qëndrojë përkrah Universitetit që e ka themeluar.

Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti theksoi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se është e nevojshme shkrirja e tyre në një.

Ai tha asokohe se për integrimin do të punohej së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që ua përcolli përsëri ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) në dy raste që nga fillimi i vitit.

Megjithatë, deri më tani nuk është saktësuar qartë se cilat modele të integrimit po shqyrtohen.

Bashkimi Evropian, në një përgjigje më herët për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që në Kosovë mbështeten nga Serbia do të zgjidhet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me ligjet e Kosovës.

Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ngul këmbë edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e pushtetit të tanishëm në Serbi.

Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës më 10 shkurt i dha afat prej 30 ditësh Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit në Mitrovicën e Veriut që të largohet nga hapësirat që përdor ose të fillojë të paguajë qira.

Serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar” është dërguar në bazë të ligjeve në fuqi dhe procedurave të Kosovës.

Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Arsiq, kishte thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon në sistemin juridik të Kosovës dhe se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej kërkesës në mënyrë institucionale, por se në lidhje me hapat e mëtejshëm “pret udhëzime”.  /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Von der Leyen: 10 ditë luftë në Iran i kushtuan Evropës 3 miliardë euro shtesë në energj

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë alarmin të mërkurën para ligjvënësve në Strasburg, duke bërë të ditur se përshkallëzimi i luftës në Iran ka goditur rëndë ekonominë e bllokut.

Sipas saj, tronditja e tregjeve ka bërë që çmimet e gazit të rriten me 50% dhe ato të naftës me 27%.

“Nëse e përktheni këtë në euro, 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë tre miliardë euro shtesë në importe të lëndëve djegëse fosile”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar me prerje se “ky është çmimi i varësisë sonë”.

Gjatë fjalimit të saj, ajo vuri në dukje se për dallim nga tregjet e jashtme, çmimi i energjisë së rinovueshme dhe asaj bërthamore evropiane ka mbetur i qëndrueshëm, duke dëshmuar rëndësinë e pavarësisë energjetike.

Presidentja e KE-së ishte e prerë në qëndrimin e saj kundër thirrjeve për t’u rikthyer te burimet ruse të energjisë si zgjidhje për krizën aktuale, duke e cilësuar këtë si një rrezik për sigurinë e bllokut.

“Ky do të ishte një gabim strategjik. Do të na bënte më të varur, më të prekshëm dhe më të dobët”, ka thënë ajo, duke hedhur poshtë çdo mundësi që BE-ja të thyejë sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus.

Von der Leyen e përfundoi fjalimin duke insistuar se Evropa duhet t’i rezistojë çdo tundimi për t’u kthyer pas, pasi rruga e vetme drejt stabilitetit është forcimi i burimeve të veta dhe largimi i plotë nga lëndët djegëse fosile të importuara nga zonat e konfliktit.

Continue Reading

Të kërkuara