Në kuadër të forumit akademik për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbajtur në Kampusin Inovativ të UBT-së, dy krerët e organizatave të njohura amerikane për veteranët dhe familjet ushtarake, Besa Tafilaj Pinchotti dhe Mario Marquez, ndanë lidhjet e tyre personale me Kosovën dhe ndikimin që ky vend pati në rrugëtimet e tyre profesionale.

Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake në SHBA (NMFA), Besa Tafilaj Pinchotti, tregoi se si përvojat e saj fëmijërore në Kosovë dhe përjetimi i luftës nga distanca e shtynë drejt angazhimit për ushtrinë amerikane. Ajo potencoi rëndësinë e mjedisit akademik për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe.
“Nuk mund të mendoj asnjë vend më të mirë për të festuar 250-vjetorin e Amerikës se sa Kosova, sepse nuk njoh askënd që e do Amerikën më shumë se populli i saj. Njerëzit më të mirë për të zgjidhur problemet janë ata që janë më afër tyre, prandaj është kaq e rëndësishme të jemi në këtë mjedis akademik me këto mendje të shkëlqyera, sepse ju jeni njerëzit që do ta çoni këtë marrëdhënie përpara,” u shpreh Tafilaj Pinchotti.
Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv për Çështjet Qeveritare në “The American Legion”, organizata më e madhe e veteranëve në SHBA, Mario Marquez, evokoi kujtimet e tij nga viti 2002, periudhë kur kishte shërbyer në kuadër të misionit ushtarak në Kosovë. Ai përshkroi përvojat nga terreni dhe bashkëpunimin me banorët vendas për rindërtimin e infrastrukturës së ujësjellësit nëpër zona rurale, duke e cilësuar qëndrueshmërinë e popullit kosovar si frymëzim.
“Trashëgimia e Kosovës jeton dhe ka jetuar brenda meje gjatë gjithë jetës sime që nga viti 2002, që ishte hera e fundit që isha këtu. Ajo që njësiti ynë bëri së bashku me ata fshatarë është përkufizimi i një partneriteti të vërtetë, ku kapaciteti teknik takoi vullnetin e pandalshëm njerëzor; ne nuk u solli atyre vetëm ujin e rrjedhshëm për herë të parë, por ndërtuam një linjë jete së bashku,” deklaroi Marquez.
Të dy panelistët nënvizuan se vlerat e përbashkëta dhe partneriteti i ngushtë mes dy kombeve mbeten shtylla të fuqishme, mbi të cilat po edukohen edhe gjeneratat e reja në institucionet si UBT.
/E.A/