Aktualitet

SHBA pezullon “Projektin Liri” në Hormuz: Trump sinjalizon marrëveshje me Iranin

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi ndërprerjen e përkohshme të “Projektit Liri”, operacionit ushtarak që synonte nxjerrjen e anijeve të bllokuara në Ngushticën strategjike të Hormuzit. Përmes një mesazhi në platformën Truth Social, Trump sqaroi se ky vendim vjen si pasojë e një progresi domethënës drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin, duke vënë në dukje edhe ndërhyrjen diplomatike të Pakistanit dhe vendeve të tjera.

Ndonëse bllokada mbetet ende në fuqi, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se pezullimi i lëvizjes së anijeve do të shërbejë si një dritare kohore për të parë nëse pakti me Teheranin mund të finalizohet me sukses.

Ky zhvillim pason deklaratat e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili pohoi se faza ofensive e konfliktit ka përfunduar pas arritjes së objektivave fillestare. Megjithatë, këndvështrimet mbi këtë tërheqje mbeten të ndara; ndërsa SHBA-ja e portretizon si një lëvizje strategjike drejt diplomacisë pas sukseseve ushtarake, media shtetërore iraniane e ka cilësuar vendimin si një dështim të Uashingtonit për të mbajtur hapur rrugën ujore jetësore.

Sipas analizave të BBC-së, Irani pritet ta përdorë këtë ndalesë të “Projektit Liri” për ta proklamuar si një fitore të tyren në arenën ndërkombëtare, në një kohë kur fati i rrjedhës globale të naftës varet nga stabiliteti në këtë rajon.

Continue Reading

Lajmet

Ursula von der Leyen sot viziton Kosovën: Takime me krerët e shtetit dhe konferencë për media

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë sot në Kosovë, në kuadër të turneut të saj zyrtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, shefja e ekzekutivit të BE-së do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit:

Në orën 12:30 pritet në takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërsa gjysme ore më vonë do të zhvilloj një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Pas përfundimit të takimit me kryeministrin Kurti, është paralajmëruar edhe mbajtja e një konference të përbashkët për media.

Von der Leyen e nisi vizitën e saj rajonale të mërkurën nga Tirana, ku u takua me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Menjëherë pas Kosovës, po gjatë ditës së enjte, ajo do të udhëtojë drejt Podgoricës, ndërsa më 2 tetor do të qëndrojë në Shkup.

Në këtë agjendë zyrtare bien në sy dy mungesa: Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Ndërsa zyrtarisht është deklaruar se mënjanimi i Beogradit dhe Sarajevës lidhet me fushatat zgjedhore që po zhvillohen në këto dy vende, burime nga BE-ja bëjnë të ditur se në këtë vendim ka ndikuar edhe glorifikimi i fundit i kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.

Gjatë këtij udhëtimi, presidentja e Komisionit Evropian pritet të rikonfirmojë mbështetjen e fuqishme të BE-së për procesin e zgjerimit dhe përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit evropian. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Burnham akuzon Iranin, Trump kundërshton lirimin e të dyshuarve

Published

on

By

Incident i sigurisë pranë bazës ajrore britanike RAF Fairford ka nxitur përplasje diplomatike mes Londrës, Uashingtonit dhe Teheranit. Kryeministri Andy Burnham deklaroi për BBC-në se ekzistojnë “indikacione të fuqishme” se Irani ka gisht në ngjarjen që çoi në arrestimin e pesë personave.

Ngjarja mori një rrjedhë të pazakontë pasi u zbulua se vetë një nga të dyshuarit kishte telefonuar numrin e emergjencës 999 përpara se grupi të prangosej. Megjithatë, të arrestuarit u liruan më pas me kaucion — një vendim që shkaktoi reagime të menjëhershme ndërkombëtare.

Përplasja Uashington – Londër për lirimin e të dyshuarve

Vendimi për lirimin e të arrestuarve u kritikua hapur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

“Do t’ju kisha thënë: ‘Mos i lini të lirë me kaucion’. Jam i surprizuar që i liruan, unë nuk do ta kisha bërë këtë,” u shpreh Trump.

Kryeministri Burnham u përgjigj duke siguruar se të dyshuarit ndodhen nën mbikëqyrje të rreptë dhe nën kushtet më strikte të mundshme të dorëzanisë:

“Autoritetet e kanë këtë situatë nën kontrollin më të fortë dhe më të rreptë. Lirimi me kaucion nuk do të thotë se ata janë thjesht të lirë siç mund të mendojnë njerëzit.”

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi për Fox News se incidenti “përfshin qartë dorën e një aktori të huaj”, duke nënvizuar se Irani ka kërcënuar hapur interesat amerikane në nivel global.

Reagimi i ashpër i Teheranit

Teherani zyrtar i hodhi poshtë me shpejtësi akuzat. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se udhëheqësit britanikë “po trokasin në derë të gabuar”.

“Mund të konfirmoj besimin e Iranit se lirimi i të ashtuquajturve ‘terroristë që punojnë për shtete të huaja’ thotë vërtet gjithçka për këtë situatë,” shkroi Araghchi në rrjetet sociale.

Pavarësisht reagimit nga Teherani, qeveria britanike bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me shërbimet e inteligjencës amerikane për hetimin e kompleksit ushtarak, i cili mbetet një hetim policor aktiv dhe i nivelit të lartë të sigurisë. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

“Liria ka Emër” organizon protestë gjithëpopullore kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Kryeqyteti i Kosovës pritet të jetë sot nikoqir i një prej tubimeve më të mëdha popullore të kohëve të fundit. Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë të gjithëmbarshme që do të nisë nga ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku pritet të mblidhen mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës dhe trojet shqiptare.

Arsyeja e këtij mobilizimi masiv është shprehja e revoltës dhe papajtueshmërisë me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilin organizatorët dhe opinioni publike e konsiderojnë thellësisht të padrejtë.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale shpalli fajtorë dhe dënoi me një total prej 81 vjetësh burgim ish-drejtuesit politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas këtij vendimi:

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet heqje lirie; Jakup Krasniqi u dënua po ashtu me 25 vjet burgim; Kadri Veseli u dënua me 18 vjet heqje lirie; Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim.

Reagimet ndaj këtij aktgjykimi nuk kanë uplotësuar me deklarata politike. Tash e 15 ditë rresht, protesta dhe marshime mbështetëse për ish-krerët e UÇK-së po zhvillohen pa ndërprerë.

Akti i sotëm në Prishtinë vjen pas një varg tubimesh që kanë kapërcyer kufijtë kombëtarë. Përveç aktiviteteve të shumta brenda Kosovës, përkrahja është manifestuar fuqishëm edhe në Shkup, si dhe nga mërgata shqiptare në qytete të ndryshme të SHBA-së, Kanadasë, Zvicrës, Gjermanisë dhe Austrisë.

Ndërkohë, rezistenca qytetare dhe politike nuk do të ndalet me kaq. Organizatorët kanë bërë të ditur se hapi i radhës ndërkombëtar do të jetë Brukseli, ku më 10 tetor është paralajmëruar një tjetër protestë masive përballe institucioneve të Bashkimit Evropian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Të kërkuara