Botë

SHBA nisin rishikimin e pranisë ushtarake në Evropë, synojnë që kontinenti të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen

Published

on

Shtetet e Bashkuara kanë nisur zyrtarisht rishikimin e pranisë së tyre ushtarake në Evropë, në kuadër të një strategjie që synon t’i japë vendeve evropiane përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e kontinentit.

Lajmin e bëri të ditur Elbridge Colby, zyrtar i lartë në Departamentin amerikan të Mbrojtjes, i cili përmes një postimi në platformën X e cilësoi procesin si një “rishikim të vërtetë”. Sipas tij, synimi është që NATO të përshpejtojë përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës, në mënyrë që aleatët evropianë të marrin barrën kryesore për mbrojtjen konvencionale.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar prej vitesh nivelin e ulët të shpenzimeve për mbrojtje nga vendet evropiane të NATO-s. Megjithatë, gjatë muajve të fundit, disa shtete, përfshirë Gjermaninë, kanë rritur ndjeshëm buxhetet ushtarake për t’iu përgjigjur kërkesave të aleancës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte paralajmëruar këtë rishikim gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel në muajin qershor. Ai deklaroi se procesi pritet të zgjasë rreth gjashtë muaj.

“NATO ka qenë për shumë kohë një tigër letre dhe një rrugë me një drejtim, por kjo periudhë ka përfunduar”, ishte një nga deklaratat më të forta të Hegseth, i cili, megjithatë, pranoi se aleatët evropianë kanë bërë përparim në forcimin e kapaciteteve të tyre ushtarake.

Sipas tij, disa shtete të NATO-s nuk kanë përmbushur pritshmëritë e Uashingtonit, duke aluduar edhe për mungesën e mbështetjes ndaj operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit. SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, ndërsa shumica e aleatëve të NATO-s nuk u përfshinë në operacion. Veprimi amerikan është kritikuar nga një pjesë e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, të cilët e konsiderojnë atë të diskutueshëm nga pikëpamja ligjore.

Colby nuk dha detaje konkrete se cilat elemente të pranisë ushtarake amerikane do të preken nga rishikimi. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave amerikane, në shqyrtim janë numri i trupave të stacionuara në Evropë, si dhe reduktimi i avionëve luftarakë, dronëve, avionëve cisternë për furnizim me karburant në ajër dhe njësive detare.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 80 mijë trupa të dislokuara në Evropë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes thekson se rishikimi synon të përshtatë praninë ushtarake me strategjinë e re të sigurisë kombëtare dhe realitetet aktuale gjeopolitike. Strategjia e administratës Trump, e prezantuar në fillim të vitit, e vendos theksin te mbrojtja e territorit amerikan dhe frenimi i ndikimit të Kinës, duke ruajtur njëkohësisht angazhimin ndaj NATO-s.

Më herët këtë vit, administrata amerikane kishte paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së një pjese të trupave nga Evropa, përfshirë Gjermaninë, duke shkaktuar reagime të forta në rajonet ku ndodhen bazat ushtarake amerikane.

Raportimet për shkallën e reduktimit kanë qenë të ndryshme. Disa media kanë përmendur mundësinë e tërheqjes së të paktën 5.000 ushtarëve nga Gjermania brenda gjashtë deri në dymbëdhjetë muajve. Gjithashtu, Uashingtoni ka pezulluar planet për vendosjen e raketave lundruese me rreze të gjatë në territorin gjerman.

Rishikimi i pranisë ushtarake amerikane pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO.

/DW//D.L/

Continue Reading

Lajmet

Merz: Mali i Zi duhet të anëtarësohet në BE deri në fund të dekadës

Published

on

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të kësaj dekade, duke vlerësuar se vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret për anëtarësim.

Gjatë një vizite në Dublin, Merz tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të mbetet i besueshëm dhe se vendet që i plotësojnë kushtet nuk duhet të pengohen nga zhvillimet në shtetet e tjera kandidate.

Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e reformave dhe mbetet vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në negociatat për anëtarësim.

“Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të dekadës. Vendi është gati për anëtarësim dhe ka përmbushur në masë të madhe të gjitha kërkesat”, deklaroi Merz.

Kancelari gjerman rikujtoi se Kroacia ishte shteti i fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013 dhe theksoi se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve që përmbushin Kriteret e Kopenhagës.

Sipas tij, deklarata përbën një sinjal të fortë mbështetjeje për integrimin evropian të Malit të Zi, i cili synon të përfundojë negociatat dhe të anëtarësohet në BE para fundit të dekadës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zelensky kërkon 300 raketa Patriot deri në dimër

Published

on

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump një paketë urgjente me interceptorë Patriot për të mbrojtur infrastrukturën energjetike të vendit nga sulmet ruse gjatë dimrit.

Në një intervistë për Axios, Zelensky tha se rezervat ukrainase të raketave Patriot janë pothuajse të shteruara, duke paralajmëruar se pa to Rusia mund të godasë termocentralet dhe të shkaktojë një krizë humanitare.

Ai bëri të ditur se Trump ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Ukrainën edhe me licenca për prodhimin e raketave Patriot, por theksoi se prodhimi do të kërkojë kohë.

“Ne kemi nevojë për raketat Patriot dje”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se Ukraina synon të sigurojë 300 interceptorë deri në dimër.

Presidenti ukrainas tha se vendi është i gatshëm të ndajë teknologji dhe ekspertizë ushtarake me SHBA-në në këmbim të mbështetjes, ndërsa njoftoi se po shqyrtohet edhe mundësia e prodhimit të interceptorëve në bashkëpunim me kompanitë amerikane të mbrojtjes.

Zelensky theksoi se mbetet i interesuar për rifillimin e bisedimeve të paqes me Rusinë, por shtoi se nuk beson se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të ndalë luftën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sulm me dron në qytetin rus Ryazan, raportohet për zjarr dhe të lënduar

Published

on

Qyteti rus i Ryazanit është sulmuar me dronë, ku sipas autoriteteve lokale një nga objektivat e mundshëm ka qenë një qendër logjistike e kompanisë Wildberries, shitësi më i madh online në Rusi.

Guvernatori i rajonit të Ryazanit, Pavel Malkov, ka bërë të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë reaguar ndaj sulmit, ndërsa në një objekt biznesi ka shpërthyer zjarr.

“Një sulm në shkallë të gjerë me dronë po zmbrapset në Ryazan. Sistemet e mbrojtjes ajrore po i përgjigjen. Një zjarr ka shpërthyer në ambientet e një kompanie”, ka shkruar Malkov.

Ai u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda dhe larg dritareve, ndërsa shërbimet emergjente kanë dalë në vendngjarje.

Sipas tij, gjashtë persona janë dërguar në spital pas sulmit, ndërsa janë raportuar edhe zjarre në disa zona industriale, të shkaktuara nga rënia e mbetjeve të dronëve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Evropa e Lirë: Kush janë kandidatët për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së?

Published

on

By

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë një adresimi në selinë e OKB-së në Nju Jork. Prill, 2026.

Sekretari i 10-të i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të zgjidhet këtë vit për një mandat pesëvjeçar, që nis më 1 janar 2027.

Më poshtë janë kandidatët që deri më tani kanë shpallur kandidaturën për të pasuar sekretarin e përgjithshëm në largim të OKB-së, Antonio Guterres.

 

RAFAEL GROSSI

Rafael Grossi, 65 vjeç, diplomat karriere nga Argjentina, ka qenë gjatë gjashtë vjetëve të fundit drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) – organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së.

Grossi udhëhoqi negociatat për të ruajtur pjesë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Teheranin, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga ajo marrëveshje në vitin 2018.

Kritikët e tij thonë se ai ka bërë lëshime të tepërta, në përpjekje për të arritur marrëveshje me Iranin.

Rafael Grossi

Baba i tetë fëmijëve, që flet disa gjuhë, Grossi ka rritur profilin e tij dhe të IAEA-s përmes angazhimit diplomatik në krizat ndërkombëtare.

Një nga arritjet e tij më të rëndësishme konsiderohet vendosja e një ekipi të vogël të IAEA-s në termocentralin bërthamor të Zaporizhjës në Ukrainë, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse.

Shumë diplomatë e shohin Grossin si favorit për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, pasi për vite me radhë ka ruajtur marrëdhënie të mira me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbështetja e të cilëve është vendimtare për zgjedhjen në këtë post.

 

REBECA GRYNSPAN

Rebeca Grynspan, 70 vjeçe, e paraqet veten si një mbështetëse të reformave në sistemin shumëpalësh, e cila gjatë karrierës së saj ka sfiduar pengesat gjinore dhe ka ruajtur besimin te Kombet e Bashkuara dhe misioni i tyre për paqe, zhvillim dhe të drejta të njeriut.

Ish-nënpresidente e Kosta Rikës dhe drejtoreshë e Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), Grynspan tha se është tërhequr përkohësisht nga detyrat e saj deri në shtator, për të shmangur konfliktin e interesit gjatë fushatës.

Rebeca Grynspan

Nëse zgjidhet, ajo do të bëhej gruaja e parë në historinë e OKB-së që do të mbante postin e sekretares së përgjithshme.

Sipas saj, edhe pse gjatë drejtimit të UNCTAD-së është detyruar të bëjë kompromise mes jetës familjare dhe shërbimit publik, përvoja si gruaja e parë në krye të këtij institucioni ka ndikuar në mënyrën e saj të udhëheqjes.

“Nuk pres trajtim të veçantë. Dua trajtim të barabartë”, tha ajo për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ekonomiste me profesion, Grynspan e përshkruan veten si një “udhëheqëse me përvojë”, e cila do ta drejtonte OKB-në në mënyrë më fleksibile, përmes bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm, duke mbrojtur njëkohësisht vlerat themelore të organizatës.

 

MICHELLE BACHELET

Michelle Bachelet, 74 vjeçe, ka qenë dy herë presidente e Kilit dhe ish-komisionare e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Ajo ka drejtuar gjithashtu, nga viti 2010 deri në vitin 2013, agjencinë e OKB-së për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, UN Women.

Edhe pse kandidatura e saj mbështetej nga Brazili dhe Meksika, në mars Kili e tërhoqi mbështetjen për Bacheletin, pas zhvendosjes së Qeverisë së vendit drejt së djathtës.

Michelle Bachelet

Bachelet është përballur me kritika nga konservatorët amerikanë për qëndrimin e saj në mbështetje të së drejtës për abort.

Në prill, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Mike Waltz, duke iu bashkuar shqetësimeve të një senatori amerikan, la të kuptohej se nuk e konsideron atë të përshtatshme për postin.

Senatori republican, Pete Ricketts, deklaroi se Bachelet, gjatë mandatit si komisionare e lartë për të Drejtat e Njeriut, nuk bëri mjaftueshëm për t’i cilësuar si gjenocid veprimet e Kinës ndaj myslimanëve ujgurë.

Pekini, nga ana tjetër, nuk ka bërë publik qëndrimin e tij për kandidaturën e saj.

 

MACKY SALL

Macky Sall, 64 vjeç, gjeolog me profesion, ishte president i Senegalit për 12 vjet, deri në vitin 2024.

Sall është zotuar se do t’i mbështesë vendet në zhvillim që përballen me borxhe të mëdha dhe ka bërë thirrje për reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që vendet në zhvillim të kenë poste të përhershme në organin më të fuqishëm të organizatës.

“Më shumë se kurrë, një multilateralizëm i ripërtërirë mbetet mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur sfidave të një bote që po kalon transformime të thella”, ka shkruar ai në rrjetin social X.

Sall është nominuar nga Burundi.

Macky Sall

Nëse zgjidhet, ai do të bëhej sekretari i tretë i përgjithshëm afrikan i OKB-së, pas Boutros Boutros Ghalit dhe Kofi Annanit.

 

MARIA FERNANDA ESPINOSA

Maria Fernanda Espinosa, 61 vjeçe, ka qenë ministre e Punëve të Jashtme dhe ministre e Mbrojtjes në Ekuador, gjatë qeverisjes së ish-presidentit Rafael Correa.

Kandidatura e saj është paraqitur nga Antigua dhe Barbuda.

Espinosa ka këshilluar gjithashtu Kombet e Bashkuara dhe organizata joqeveritare për çështje që lidhen me biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe politikat për popujt indigjenë.

Maria Fernanda Espinosa

Ajo thotë se përvoja si ambasadore e Ekuadorit në OKB dhe si presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së i ka dhënë njohuri të thella për funksionimin e organizatës.

“Ofroj një kandidaturë të mbështetur në një bindje të thjeshtë: OKB-ja duhet ta rifitojë guximin për të përcaktuar prioritetet, disiplinën për t’i zbatuar ato dhe besimin politik për të vepruar me vendosmëri”, ka deklaruar ajo në dokumentin ku paraqet vizionin e saj.

 

CAROLYN ALLISON FARIDA RODRIGUES BIRKETT

Carolyn Allison Farida Rodrigues Birkett është diplomate karriere dhe ish-politikane.

Që nga viti 2020, ajo shërben si përfaqësuese e përhershme e Guajanës në Kombet e Bashkuara.

Më herët, ajo është bërë gruaja e parë dhe personi i parë nga komunitetet indigjene që ka mbajtur postin e ministres së Punëve të Jashtme të Guajanës.

Ajo ka mbajtur, gjithashtu, poste të larta në Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Carolyn Allison Farida Rodrigues Birkett

Nëse zgjidhet, Rodrigues Birkett do të bëhej gruaja e parë dhe përfaqësuesja e parë e Karaibeve në krye të Kombeve të Bashkuara.

Në platformën e saj, Rodrigues Birkett është zotuar ta bëjë OKB-në më efektive, duke forcuar parandalimin e konflikteve dhe duke avancuar veprimet kundër ndryshimeve klimatike.

 

OLARA OTUNNU

Olara Otunnu, diplomat dhe ish-nënsekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, është nominuar nga Uganda.

Në moshën 75-vjeçare, ai është kandidati më i moshuar në garën për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Olara Otunnu

Në dokumentin ku paraqet vizionin e tij, Otunnu thekson nevojën për të vazhduar reformat institucionale të OKB-së dhe thotë se prioriteti i tij i menjëhershëm do të ishte intensifikimi i përpjekjeve për t’u dhënë fund konflikteve të mëdha ndërkombëtare.

Ai është zotuar, gjithashtu, se do të punojë për krijimin e një organi që do të mbikëqyrte punën e OKB-së në fushën e inteligjencës artificiale dhe ka theksuar se lufta kundër ndryshimeve klimatike duhet të ecë përpara pa penguar zhvillimin ekonomik.

Continue Reading

Të kërkuara