Lajmet

SHBA kërkon që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”

Published

on

Shtetet e Bashkuara kanë thënë të hënën se kërkojnë që lufta Izrael-Hezbollah të përfundojë “sa më shpejt që është e mundur”, teksa shtyjnë përpara një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, që i kërkon grupit të armatosur të tërhiqet prej jugut të Libanit.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

I dërguari amerikan, Amos Hochstein, ka zhvilluar bisedime me kryetarin e Parlamentit të Libanit, Nabih Berri – aleat i Hezbollahut – në Bejrut, teksa tenton t’i japë fund luftës së nisur që gati një muaj, e cila ka vrarë më shumë se 1.470 njerëz në Liban.

Lidhja e të ardhmes së Libanit me konflikte tjera në rajon, nuk ka qenë, dhe as nuk është në interesin e njerëzve të Libanit”, ka thënë Hochstein, duke iu referuar kërkesës kryesore të Hezbollahut, që secili armëpushim në Liban të jetë i lidhur me dhënien fund të luftës në Gazë.

Hochstein ka thënë , po ashtu, se derisa Rezoluta e OKB-së, 1701, e cila u ka dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut më 2006, duhet të jetë bazë për një armëpushim të ri, palët nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta zbatuar atë.

Sipas Rezolutës 1701, vetëm ushtria e Libanit dhe forca paqeruajtëse e OKB-së, UNIFIL, mund të pozicionohen në zonat në jug të lumit Litani të Libanit, që gjendet afër kufirit me Izraelin.

Pavarësisht rezolutës, Hezbollahu ka pasur prezencë në jug të Libanit dhe në tetor të vitit të kaluar ka nisur të gjuajë raketa drejt Izraelit, si shenjë mbështetjeje për aleatin palestinez Hamasin, grup i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe fuqive tjera.

Javën e kaluar, kryeministri i Libanit, Najib Mikati, ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP, se Qeveria e tij është e gatshme të forcojë prezencën e ushtrisë në jug të Libanit, nëse arrihet armëpushimi.

Mirëpo Hezbollahu, grup që mbështet nga Irani, refuzon të çarmatoset qysh prej luftës civile të periudhës 1975-1990, dhe ka sasi të konsiderueshme të armëve në këtë shtet me ndasi të mëdha politike dhe ushtri të dobët.

Shkëmbimet e sulmeve raketore në kufirin e Libanit kanë nisur pas nisjes së luftës së Izraelit në Gazë, më 7 tetor të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, duke lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë 240 pengje tjera.

Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, kryesisht civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Në shtator, Izraeli e ka zgjeruar luftën edhe në Liban, me qëllim të shkatërrimit të kapaciteteve të Hezbollahut në zonën kufitare.

Hezbollahu, në anën tjetër, është zotuar se do ta vazhdojë luftën, derisa të arrihet një armëpushim në Gazë./REL/

Lajmet

​UEFA shtyn vendimin për përjashtimin e Izraelit

Published

on

UEFA ka vendosur të tërhiqet nga planet për ta përjashtuar Izraelin nga garat evropiane, pas prezantimit të planit të paqes nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Organi qeverisës i futbollit evropian kishte parashikuar një mbledhje urgjente të Komitetit Ekzekutiv, mes raportimeve se shumica e anëtarëve mbështesnin ndalimin e ekipeve izraelite.

Mirëpo, iniciativa e Trump, e cila përfshin një plan 20-pikësh me proces demilitarizimi dhe rindërtimi, ka bërë që UEFA të mbajë një qëndrim pritës.

Plani është pranuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe gëzon mbështetjen e tetë shteteve, ndërsa ish-kryeministri britanik Tony Blair është emëruar anëtar i parë i “Bordit të Paqes” që do të mbikëqyrë përkohësisht Gazën nëse propozimi miratohet.

Izraeli është anëtar i UEFA-s që nga viti 1984, por përfshirja e tij shpesh ka shkaktuar polemika.

Një vendim për përjashtim do të kishte ndërlikuar edhe kualifikimet e Kupës së Botës, të cilat zhvillohen nën organizimin e FIFA-s.

Ky zhvillim pritet të lehtësojë presionin ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili shihet si aleat i afërt i Trump./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Anulohet Superkupa e Kosovës në basketboll

Published

on

Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar dje se Superkupa e Meshkujve për edicionin 2025/26 është anuluar dhe nuk do të zhvillohet.

Ky vendim është marrë me qëllim që të mos tejzgjatet vijimi i kampionatit të ProCredit Superligës dhe për të siguruar zhvillimin e garave sipas kalendarit të paraparë.

Federata ka theksuar se vendimi synon të ruajë ritmin e normalitetit në garat e basketbollit dhe të garantojë zhvillimin e ndeshjeve sipas datave të parashikuara/S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Trajneri i Sllovenisë: Duhet ta mposhtim Kosovën nëse duam të shkojmë më larg

Published

on

Trajneri i kombëtares së Sllovenisë, Matjaž Kek, ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kosovës dhe Zvicrës. Sfida e parë zhvillohet më 10 tetor në Prishtinë, ndërsa më 13 tetor sllovenët presin Zvicrën në Stožice.

Pas një barazimi ndaj Suedisë dhe një humbjeje të thellë nga Zvicra në shtator, Kek e sheh përballjen në Kosovë si përcaktuese.

“Jemi të vetëdijshëm për atë që na pret në Prishtinë. Me gjithë respektin për Kosovën dhe Zvicrën, por duhet t’i fitojmë këto ndeshje nëse duam diçka më shumë”, tha ai në konferencën për shtyp në Brdo.

Tekniku paralajmëroi se skuadra duhet të tregojë fytyrën e vërtetë të saj në fushë.

“Në Bazel ishim shumë të dobët, por treguam çfarë jemi të aftë kundër Suedisë. Nëse nuk e bëjmë tani, nuk kemi të drejtë të mendojmë për Kupën e Botës. Unë besoj te kjo skuadër.”. tha ai.

Në listën e tij mungojnë për shkak lëndimesh Andraž Šporar, Jan Mlakar dhe portieri Martin Turk, ndërsa janë rikthyer Jon Gorenc Stankovič, Blaž Kramer dhe Nejc Gradišar. Po ashtu, për herë të parë është ftuar edhe portieri i Celjes, Žan Luk Leban./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​FIFA e dënon sërish Federatën Shqiptare të Futbollit

Published

on

Komisioni i Disiplinës i FIFA-s ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 10 mijë franga zvicerane, për incidente të ndodhura jashtë stadiumit “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri-Letoni.

Kjo ndeshje u zhvillua më 9 shtator 2025, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2026.

FSHF bën me dije se do ta apelojë këtë vendim në instancat përkatëse të FIFA-s dhe ka nisur procedurat ligjore.

Me këtë rast, FSHF u ka bërë thirrje tifozëve që në ndeshjet e ardhshme të tregojnë qytetari dhe të mbështesin Kombëtaren pa shkaktuar situata që dëmtojnë imazhin dhe interesat e saj./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara