Botë

​SHBA goditet nga stuhi shkatërrimtare, tornado të fuqishme në disa shtete, 25 viktima

Published

on

Stuhi të fuqishme, erëra shkatërruese dhe breshër në madhësi të topit të golfit goditën pjesën veriore të Teksasit të martën.

Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara u goditën gjatë fundjavës nga stuhi dhe tornado të fuqishme që lanë rreth 25 të vdekur.

Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në shkallë të gjerë në Teksas, ndërsa ky shtet u godit nga një valë e hershme e të nxehtit. Njoftohet se 800,000 abonentë nuk kishin energji elektrike të martën.

Ndërsa zhvillohej një balotazh, disa qendra votimi njoftuan mungesë të energjisë elektrike. Rreth 100 qendra votimi në qarkun e Dallas-it nuk kishin qasje në rrjet.

Gjykatësi i qarkut të Dallas-it, Clay Jenkins, e shpalli atë rajon zonë fatkeqësie ndërsa vuri në dukje se disa shtëpi pleqsh po përdornin gjeneratorët. “Kjo tregon se do të përballemi me një situatë shumë-ditore të ndërprerjes së energjisë elektrike”, tha Jenkins të martën.

Parashikimet tregojnë për një mot të ashpër dhe shira të dendura në zonën e Dallas-it. Edhe qyteti i Hjustonit pritet të përballet me stuhi të forta, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për erëra që kapin shpejtësinë mbi 100 kilometra në orë që mund të shkaktojnë dëme. Rreth dy javë më parë, Hjustoni u përball me uragane që ndërprenë energjinë elektrike për më shumë se 800,000 abonentë.

Stuhitë shkatërruese gjatë fundjavës shkaktuan vdekje në Teksas, Oklahoma, Arkansas, Mizuri, Kentaki, Karolinën e Veriut dhe Virxhinia.

Shtatë persona humbën jetën në kontenë Cooke të Teksasit, nga një tornado që goditi një lagje të varfër, thanë zyrtarët. Shteti Arkansa njoftoi për tetë viktima. Dy të vdekur u raportuan në kontenë Mayes në Oklahoma. Rrëzimi i një peme shkaktoi vdekjen e një burri nga Mizuri të dielën. Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, tha në një konferencë shtypi të hënën se pesë persona kishin vdekur në shtetin e tij.

Një tornado e mundshme dëmtoi një shkollë të mesme dhe disa shtëpi në Pensilvani mbrëmjen e së hënës. Nuk ka njoftime për të lënduar.

Rreth 160.000 shtëpi dhe biznese nuk kishin energji elektrike të martën pas stuhive që goditën Kentakin, Arkansasin, Virxhinian Perëndimore dhe Mizurin.

Javën e kaluar, tornadot në Ajova lanë të paktën pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Gjatë këtij muaji, rreth tetë vetë kanë humbur jetën në Hjuston nga stuhitë. Stuhitë vijnë pasi ndryshimet klimatike në përgjithësi kontribuojnë në ashpërsinë e stuhive në mbarë botën.

Fundi i majit shënon kulmin e sezonit të tornadove, por stuhitë e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të dhunshme, duke prodhuar tornado shumë të forta, tha Victor Gensini, profesor i meteorologjisë në Universitetin e Illinoisit të Veriut.

Gjatë fundjavës kemi pasur ajër shumë të nxehtë dhe të lagësht që i kanë ushqyer këto stuhi”, tha Gensini.

Harold Brooks, shkencëtar në Laboratorin Kombëtar të Stuhive të Rënda në Norman të Oklahomës, tha se ajri i ngrohtë dhe të lagësht është fajtor për tornadot gjatë dy muajve të fundit.

Lajmet

34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi

Published

on

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.

“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.

Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.

“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.

Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.

Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

Published

on

Hamasi ka pranuar një marrëveshje për çarmatimin e plotë të tij dhe të grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës, sipas njoftimeve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump e ka cilësuar marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në disa faza. Sipas tij, pas përfundimit të procesit të çarmatimit, forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga territori palestinez.

Në bazë të planit, Hamasi dhe fraksionet e tjera do t’ia dorëzojnë armët një komiteti kombëtar palestinez, ndërsa procesi do të monitorohet nga një mekanizëm ndërkombëtar verifikimi.

Pas kësaj, një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit dhe një forcë e re policore palestineze pritet të marrin përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë kanë shprehur skepticizëm nëse Hamasi do ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa përfaqësues të grupit palestinez kanë deklaruar se çarmatimi nuk do të nisë pa tërheqjen e ushtrisë izraelite dhe përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes.

Trump ka falënderuar Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për rolin e tyre në ndërmjetësimin e bisedimeve, duke e përshkruar marrëveshjen si një pikë kthese në zbatimin e planit të tij 20-pikësh për paqen në Gaza./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Merz: Mali i Zi duhet të anëtarësohet në BE deri në fund të dekadës

Published

on

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të kësaj dekade, duke vlerësuar se vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret për anëtarësim.

Gjatë një vizite në Dublin, Merz tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të mbetet i besueshëm dhe se vendet që i plotësojnë kushtet nuk duhet të pengohen nga zhvillimet në shtetet e tjera kandidate.

Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e reformave dhe mbetet vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në negociatat për anëtarësim.

“Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të dekadës. Vendi është gati për anëtarësim dhe ka përmbushur në masë të madhe të gjitha kërkesat”, deklaroi Merz.

Kancelari gjerman rikujtoi se Kroacia ishte shteti i fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013 dhe theksoi se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve që përmbushin Kriteret e Kopenhagës.

Sipas tij, deklarata përbën një sinjal të fortë mbështetjeje për integrimin evropian të Malit të Zi, i cili synon të përfundojë negociatat dhe të anëtarësohet në BE para fundit të dekadës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zelensky kërkon 300 raketa Patriot deri në dimër

Published

on

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump një paketë urgjente me interceptorë Patriot për të mbrojtur infrastrukturën energjetike të vendit nga sulmet ruse gjatë dimrit.

Në një intervistë për Axios, Zelensky tha se rezervat ukrainase të raketave Patriot janë pothuajse të shteruara, duke paralajmëruar se pa to Rusia mund të godasë termocentralet dhe të shkaktojë një krizë humanitare.

Ai bëri të ditur se Trump ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Ukrainën edhe me licenca për prodhimin e raketave Patriot, por theksoi se prodhimi do të kërkojë kohë.

“Ne kemi nevojë për raketat Patriot dje”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se Ukraina synon të sigurojë 300 interceptorë deri në dimër.

Presidenti ukrainas tha se vendi është i gatshëm të ndajë teknologji dhe ekspertizë ushtarake me SHBA-në në këmbim të mbështetjes, ndërsa njoftoi se po shqyrtohet edhe mundësia e prodhimit të interceptorëve në bashkëpunim me kompanitë amerikane të mbrojtjes.

Zelensky theksoi se mbetet i interesuar për rifillimin e bisedimeve të paqes me Rusinë, por shtoi se nuk beson se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të ndalë luftën./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara