Lajmet

SHBA: Gjykata rrëzon nismën për vaksinimin e detyruar në sipërmarrjet e mëdha

Qeveria e presidentit Joe Biden donte që ta vendoste këtë rregull për sipërmarrjet e mëdha.

Published

on

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do që të punësuarit në firmat e mëdha të vaksinohen ose të kryejnë rregullisht teste. Gjykata Supreme e hodhi poshtë këtë.

Detyrimi për vaksinim ose test do të vlente për rreth 80 milionë të punësuar në SHBA. Qeveria e presidentit Joe Biden donte që ta vendoste këtë rregull për sipërmarrjet e mëdha. Por këto plane tani u hodhën poshtë nga Supreme Court në Uashington, që e ndali nismën në fjalë. Në argumentim thuhet, se një rregullore e tillë e nxjerrë jo nga parlamenti, por në rrugë adiministrative i tejkalon kompetencat e autoritetit përgjegjës.

Kësisoj firmat me mbi 100 të punësuar tani për tani nuk kanë nevojë të kujdesen, që punonjësit e tyre të vaksinohen ose të testohen ndaj COVID-19. Edhe detyrimi për mbajtjen e maskës tani për tani bie.

Qeveria e konsideronte këtë rregull si një mjet presioni të rëndësishëm ndaj sipërmarrjeve, që në sfondin e ngarkesës që krijohet nga testimet rregullisht t’i vinin  në lëvizje punonjësit e tyre për t’u vaksinuar, në mënyrë që të rritej kuota e vaksinimit në SHBA.Deri tani në SHBA janë vaksinuar plotësisht ndaj koronavirusit 63 përqind e popullsisë – ose rreth 208 milionë vetë. Prej tyre rreth 77 milionë, ose 37 përqind kanë marrë edhe dozën përforcuese të vaksinës.

Detyrimi për vaksinim për sipërmarrjet e mëdha në fakt do të duhej të kishte nisur qysh këtë javë, por disa shtete të drejtuara nga republikanët dhe biznesmenë ngritën padi kundër kësaj rregulloreje. Tani rregullorja do të kthehet për verifikim përfundimtar në një instancë më të ulët.

USA | PK Joe Biden

Vendimi i Supreme Courts ka të bëjë me mazhorancën konservatore të gjykatës së përbërë nga nëntë gjyqtarë. Tre gjyqtarët liberalë në një qendrim të tyre shkruajnë, se autoriteti përkatës për sigurinë dhe kujdesin shëndetësor në punë  (OSHA) nisur nga rreziku i madh, që vjen prej pandemisë, kishte të drejtë me vendosjen e rregullores për detyrimin për vaksinim dhe për test. Detyra e këtij autoriteti është, që të mbrojë të punësuarit nga “rreziqet e rënda”.OSHA parashikon që kjo rregullore mund të parandalojë në gjashtë mujorin e ardhshëm rreth 6.500 raste vdekjesh dhe 250.000 shtrime në spital. “Nuk ka asnjë arsye, për ta kundërshtuar këtë”, shkruajnë gjyqtarët.

“Ne nuk jemi autoritet shëndetësor”

Gjyqtarët konservatorë theksojnë në argumentimin e tyre, se ata nuk kanë gjykuar në thelb mbi legjitimitetin e detyrimit për vaksinim, por lidhur me atë se cili është organi kompetent për ta marrë këtë vendim: A ishte urdhëresa legjitime dhe a është ky autoritet federal përgjegjës për këtë? “Kjo gjykatë nuk është autoritet shëndetësor”, nënvizojnë gjyqtarët. Problemet e kujdesit shëndetësor janë nën kompetencën e shteteve federale dhe të komunave.

Pandemia po vazhdon prej dy vjetësh, por kongresi në Uashington nuk ka votuar që t’ia kalojë OSHA-së ose një tjetër autoriteti federal kompetencën për të urdhëruar detyrimin për vaksinë, shpjegojnë gjyqtarët. “Ajo që na u parashtrua ne për zgjidhje nuk ishte reagimi ndaj pandemisë, por kush i ka kompetencat për të vendosur mbi këtë”, shkruajnë gjyqtarët. Në një rast të tillë përgjigja është e qartë: në bazë të së drejtës aktuale kompetencën e kanë shtetet federale dhe kongresi, jo OSHA-ja.”

USA Corona-Pandemie Reisebeschränkung

Detyrimi për vaksinim i personelit mjekësor

Në një vendim tjetër për detyrimin për vaksinim të personelit mjekësor në spitale dhe shtëpitë e kujdesit, që mbështetet financiarisht nga federata, Gjykata Supreme i dha të drejtë qeverisë. Bazuar në situatën ligjore në fuqi qeveria ka kompetencën, të kujdeset për shendetin dhe sigurinë e pacientëve në programet e shërbimit dhe asistencës mjekësore. Kësisoj për shumicën e institucioneve të shëndetësisë vlen detyrimi për vaksinim ndaj koronavirusit.DW

Continue Reading

Lajmet

Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë

Published

on

By

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.

Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.

“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.

Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.

Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.

Continue Reading

Lajmet

UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës ‘Modernizmi në Kaçanik 1945–1990’

Published

on

By

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i kushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike.

Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne. Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve

Published

on

By

Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

Kosova, plotësisht e varur nga importi

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbishkrime nacionaliste serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Published

on

By

Mbishkrime me përmbajtje fyese dhe shoviniste në gjuhën serbe janë vendosur në objektin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Për këto veprime ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si ‘Nuk ka dorëzim’, ‘Kosova është Serbi’ dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD njofton se, pas identifikimit të këtij akti, janë informuar autoritetet gjermane.

“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, bën të ditur Ministria.

Gjithashtu, MPJD ka dënuar këtë akt vandalizmi dhe çdo përpjekje tjetër për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara