Lajmet

SHBA, Franca, Izraeli: Pse janë zhytur në krizë 3 modele të demokracisë?

Nga Dominique Moïsi.

Published

on

Nga Dominique Moïsi “Worldcrunch”

“Më mirë të jem rus sesa një demokrat!” shkruhet në bluzën e një mbështetësi të Partisë Republikane në SHBA. “Duhet ta gjunjëzojmë ekonominë franceze” thotë kreu i sindikatës franceze Confédération Générale du Travail.

“Le t’i japim fund pushtetit të Gjykatës së Lartë të mbushur me hebrenj të majtë dhe pro-palestinez” thonë ministrat e kabinetit të qeverisë izraelite që po çojnë përpara reformat ekstreme në sistemin gjyqësor. Shtetet e Bashkuara, Franca, Izraeli: 3 vende, 3 kontinente, 3 situata që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Por secili prej tyre duket se është në prag të një krize të rëndë të asaj që deri dje dukej si demokraci solide.

Si mund t’i shpjegojmë këto teprime politike, deklarata të paarsyeshme, madje edhe tendenca vetëvrasëse? Përgjigja duket se është e thjeshtë: në Shtetet e Bashkuara, në Francë, në Izrael – dhe lista është më e gjatë se sa kaq – demokracia po përballet me sfidën e polarizimit gjithnjë e më të madh të shoqërisë.

Ne mund të menaxhojmë konkurrencën e ideve dhe interesave të kundërta. Por si të reagojmë ndaj zemërimit, madje edhe urrejtjes, të lindur nga një ndjenjë padrejtësie dhe poshtërimi? Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti francez Emmanuel Macron nuk kanë asgjë të përbashkët, përveçse ndoshta faktit që të dy preferojnë të përballet me rreziqe në politikë. Por në dëshirën e tyre për ta ndryshuar statuskuonë – institucionale në Izrael, dhe sociale në Francë – ata e kanë izoluar veten nga shumica e bashkëqytetarëve të tyre.

Bastioni i fundit i demokracisë

Ajo që është në rrezik në Izrael është ekzistenciale: mbijetesa e vendit si një shtet demokratik që respekton balancën e pushtetit midis degëve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Elitat tradicionale të vendit – pavarësisht orientimeve të tyre politike – janë ngritur në protestë për të demonstruar indinjatën e tyre ndaj këtij sulmi ndaj pushtetit të gjyqtarëve, të cilin ata e shohin si bastionin e fundit të një vendi demokratik pa kushtetutë.

Mbrëmjen e së hënës, Netanyahu u duk se u tërhoq – të paktën për momentin – duke i lënë reformat në pritje pas refuzimit të disa rezervistëve të ushtrisë izraelite për t’u stërvitur në shenjë proteste ndaj planeve të qeverisë. “Duke pasur përgjegjësi ndaj kombit, vendosa ta shtyj votimin, për t’i dhënë kohë diskutimeve” tha ai.

Izraeli është ende një shtet i vogël në një rajon armiqësor dhe ka nevojë për aleatë. Presidenti izraelit Isaac Herzog i kishte paralajmëruar bashkëqytetarët e tij për atë që ai e sheh si rrezik shumë real të një lufte civile. Është interesante të theksohet se mbështetësit e “revolucionit gjyqësor” – ata që mbështeten në konceptin e mbrojtjes së një shteti hebre kundër “zhvillimit perëndimor” të Izraelit – nuk u referohen kurrë pasojave katastrofike, të përmendura edhe në Bibël, të ndarjeve që ndodhën brenda mbretërisë së Izraelit, gjë që përfundimisht çoi në zhdukjen e saj.

Pavarësisht fuqisë së tij ushtarake, ekonomike dhe teknologjike, Izraeli është ende një shtet i vogël me më pak se 10 milionë banorë. Që të mbijetojë në afatgjatë, në një rajon kryesisht armiqësor, ky vend ka nevojë për aleatë dhe mbështetje.

Ndaj nuk ka luksin të armiqësohet si me Uashingtonin po ashtu edhe komunitetin hebre në SHBA. Kina nuk do të vijë në ndihmë dhe të shpëtojë izraelitët kur ata të kenë nevojë. Në dallim nga Perëndimi, Kina nuk ka ndjenjën e fajit ndaj botës hebraike.

Dimensionet emocionale

Debati në Francë nuk është i një natyre ekzistenciale. Në krahasim me Izraelin, ajo çka është në lojë në krizën aktuale, duket si për të qeshur. Por do të ishte gabim të mendohej se kjo që po shohim nuk është gjë tjetër veçse një përplasje mbi moshën e pensionit.

Çështja nuk është ekzistenciale, por kështu e sheh një pjesë e madhe e shoqërisë. Për shumë njerëz, ajo është një çështje që e vendos punën në kundërshtim me jetën: balancimi i buxhetit dhe peshës së borxhit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, shijimi i byrekut me mollë me nipërit e mbesat në një ditë të javës.

Në një shkrim të kohëve të fundit në gazetën konservatore “Financial Times”, analisti Simon Kuper pyeti nëse francezët kanë të drejtë t’i japin përparësi më shumë jetës sesa punës. Duke mos u integruar në dimensionin emocional të debatit, për shkak të mungesës së konsultimit real me ta, dhe me mbështetjen e forcave tradicionalisht të moderuara (si unike ashtu edhe politike), Macron e pa veten të vetëm dhe të dobësuar, pas fitores së tij të ngushtë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2022.

Ajo që është në rrezik në Francë nuk është mbijetesa e shtetit, ashtu si në Izrael, por e ardhmja e projektit demokratik përballë rritjes së valës së populizmit. Dhe kjo nuk është asgjë me shumë rëndësi.

Një sulmi i ri si ai i 6 janarit 2021?

Në anën tjetër të Atlantikut, shumëkush mund të pyesë me të drejtë nëse Amerika është në prag të një sulmit të ri ndaj Capitol Hill si ai 6 janarit 2021. Kjo sepse Donald Trump po u bën thirrje mbështetësve të tij që të mobilizohen. Ai pretendon se së shpejti mund të arrestohet dhe të akuzohet se i ka paguar një ish aktoreje të filmave pornografikë pë të heshtur për lidhjen midis tyre përpara zgjedhjeve të 2016-ës.

Ironikisht ky është më i vogli nga mëkatet e tij, krahasuar me sulmet sistematike të Trump ndaj demokracisë amerikane. A mund të rifillojë dialogu paqësor midis atyre në pushtet dhe pjesës tjetër të shoqërisë, në një formë apo tjetrën? Ndërsa debati bëhet më i radikalizuar dhe i diktuar nga një zemërim gjithnjë e më i pakontrolluar, si do të munden demokracitë të rikthejnë kushtet që lejojnë, nëse jo konsensus – gjë që është e pamundur – atëherë të paktën dialogun?

Me një dozë të mirë optimizmi, mund të shpresohet se lodhja, nëse jo instinkti për mbijetesë, do të mbizotërojë në fund mbi zemërimin e shfrenuar. Tek e fundit, demokracia përfaqësuese po shfaqet më mirë sesa thjesht të mbrohet, siç e kemi parë së fundmi në Republikën Çeke dhe Gjeorgji.

Dhe në epokën e Vladimir Putin, presidentit kinez Xi Jinping dhe ndryshimeve klimatike, demokracitë duhet të kenë prioritete të tjera përveç vetë-shkatërrimit. Në Izrael, nëse Netanyahu i jep përparësi të ardhmes së vendit mbi të tijën, duhet të tërhiqet nga nismat tij të diskutueshme.

Pushteti i gjyqësori është parësor për një vend. Në Francë, zemërimi i qytetarëve nuk do të ndalet vetvetiu. Por përtej çështjes së pensioneve, a mund të rifillojë dialogu paqësor midis atyre në pushtet dhe pjesës tjetër të shoqërisë, në një formë apo tjetrën? Në SHBA, polarizimi i shoqërisë është shumë i thellë për të qenë vetëm kalimtar. Në demokraci, besimi humbet shpejt, dhe mund të marrë shumë kohë për t’u rifituar.

Rajoni

REL: Emri i shefit të ri të Zyrës ruse në Kosovë figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse

Published

on

By

Radio Evropa e Lirë ka gjetur se emri i Ilia Uvarovit, shefit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, figuron në një databazë të publikuar nga organizata ukrainase Molfar, ku përfshihen persona që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse. REL-i nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin për rolin e saktë të tij.

Në një zyrë që prej vitesh operon pothuajse në heshtje në Prishtinë, Rusia emëroi shef të ri.

Në gusht të vitit 2025, përmes një njoftimi të shkurtër, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) bëri të ditur se përfaqësuesja e atëhershme speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kishte pritur shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Ilia Uvarov.

Takimi u përshkrua si “diskutim i përgjithshëm dhe konstruktiv”.

Përtej këtij njoftimi formal, Uvarov mbeti figurë pak e njohur për publikun në Kosovë.

Madje, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku janë të listuara misionet e huaja diplomatike në vend, ai ende nuk figuron si drejtues i kësaj zyre. Aty vazhdon të jetë i listuar paraardhësi i tij, Andrei Shugurov.

Ndërkohë, emri i Uvarovit, si i emëruar për Kosovën, përmendet në listën e përditësuar të misioneve të huaja në Serbi – një praktikë që lidhet me faktin se Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, ndërsa shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, shpesh i menaxhojnë marrëdhëniet diplomatike përmes Beogradit.

Ajo që e vendos emrin e Uvarovit në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga Molfar Intelligence Institute – një organizatë ukrainase që merret me analiza të burimeve të hapura dhe, në disa raste, edhe me dokumente të rrjedhura nga Rusia.

Në këtë databazë, Ilia (Ilya) Uvarov përshkruhet si “oficer i departamentit RT (Zbulim nga territori) të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)”.

Sipas organizatës, databaza është ndërtuar mbi materiale të siguruara nga një burim i brendshëm në një kompani teknologjike në Moskë dhe përmban emra diplomatësh dhe punonjësish të inteligjencës.

Një pjesë e të dhënave, sipas saj, është verifikuar përmes krahasimit me regjistra shtetërorë, por vetë organizata thekson se konfirmimi i plotë i roleve specifike mbetet i vështirë.

Instituti Molfar i tha REL-it se Departamenti RT “lidhet me operacione të inteligjencës që zhvillohen nga territori rus dhe që shpesh përdorin mbulesa diplomatike apo institucionale për të krijuar kontakte me zyrtarë të huaj, biznesmenë e të tjerë”.

REL-i nuk ka mundur të kontaktojë drejtpërdrejt me Ilia Uvarovin për të marrë një qëndrim lidhur me këto të dhëna.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresën e saj zyrtare të emailit, e as Ambasada ruse në Beograd.

Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka informacione që Uvarov mund të jetë i lidhur me inteligjencën ruse.

Kush është Uvarov?

Karriera diplomatike e Uvarovit, që besohet të ketë nisur qysh në vitin 2000, përfshin disa poste në vende të ndryshme.

Në dokumente zyrtare, ai shfaqet fillimisht në vitin 2011 si pjesë e stafit diplomatik rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, të dhënat më të dukshme për aktivitetin e tij lidhen me misionin diplomatik në Moldavi.

Atje, ai ka shërbyer si konsull në Ambasadën ruse në Moldavi.

Rol të rëndësishëm ka pasur edhe në strukturat e territorit të shkëputur moldavian – kryesisht rusishtfolës dhe prorus – të quajtur Transnitri, që Moldavia e konsideron pjesë të saj.

Në këtë territor ekziston Komisioni i Përbashkët i Kontrollit, i cili mbikëqyr zonën e sigurisë në Transnistri dhe përbëhet nga përfaqësues të Rusisë, Moldavisë dhe Transnistrisë.

Në vitin 2017, Uvarov u zgjodh bashkëkryesues i këtij komisioni si përfaqësues i Rusisë. Këtë post e mbajti deri në vitin 2019.

Komisioni është përgjegjës për monitorimin e zonës së sigurisë përgjatë lumit Dniestër (Nistru) që pas luftës së vitit 1992.

Sipas të dhënave që ka grumbulluar Shërbimi i Moldavisë i Radios Evropa e Lirë, në nëntor të vitit 2017, Uvarov mbështeti rihapjen e një ure mbi Dniestër, pavarësisht kundërshtimit të administratës separatiste të Transnistrisë.

Ura ishte rindërtuar me fonde të Bashkimit Evropian.

Sipas një ish-zyrtari të Qeverisë së Moldavisë, Uvarov është kthyer më vonë në Moskë pikërisht për faktin se ka mbështetur rihapjen e urës dhe mbajtjen e saj të hapur.

Përveç kësaj, sipas mediave në rajonin e Transnistrisë, Uvarov ka punuar më herët edhe në vende të tjera ish-sovjetike, si dhe në Shtetet e Bashkuara.

Çfarë ndodh kur një zyrtar i inteligjencës vepron nën mbulim diplomatik?

Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë thonë se përdorimi i mbulesës diplomatike për aktivitete të inteligjencës, është praktikë e njohur, por se në rastin e Rusisë ajo është “më e përhapur dhe më intensive”.

“Pothuajse nuk ka ambasadë në botë që të mos ketë një rol të caktuar të inteligjencës”, thotë Mark Galeotti, profesor britanik në University College London (UCL) dhe ekspert për krimin transnacional dhe çështjet e sigurisë ruse.

Ai thekson se, shpesh, është e vështirë të bëhet dallimi mes një diplomati dhe një oficeri të inteligjencës, por se karriera mund të japë indikacione.

“Nëse një diplomat ka një numër të madh postesh jashtë vendit, kjo ndonjëherë mund të japë indikacione për një rol në inteligjencë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Galeottit, një mision si ai në Kosovë “duket si një bazë e përsosur për oficerë të inteligjencës, që më pas mund të udhëtojnë nëpër rajon”.

Ai shton se rëndësia e këtij misioni lidhet me kontekstin më të gjerë gjeopolitik.

“Ka rëndësi se çfarë ndodh në Kosovë. Kosova ka marrëdhënie relativisht të mira me Perëndimin… nuk ka të bëjë aq shumë me vetë Kosovën. Ka të bëjë me përdorimin e Kosovës si bazë, për të parë se çfarë mund të zbulohet rreth asaj që NATO-ja dhe vendet e tjera perëndimore po bëjnë dhe po mendojnë”, thotë Galeotti.

Ai paralajmëron edhe për ndryshimet në mënyrën e operimit të shërbimeve ruse pas dëbimit të qindra diplomatëve nga Evropa, pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022.

“Ata po mbështeten gjithnjë e më shumë te ndërmjetësit… njerëz që rekrutohen për të kryer detyra të caktuara, shpesh pa e ditur për kë punojnë”, thotë ai.

Në të njëjtën linjë, eksperti britanik për Rusinë, Keir Giles, thotë se praktika e përdorimit të zyrtarëve të inteligjencës nën mbulim diplomatik, është e përhapur globalisht, por se Rusia dallohet për shkallën e saj.

“Shumë vende vendosin oficerë inteligjence nën mbulesë diplomatike… por në rastin e Rusisë, një përqindje e madhe e diplomatëve janë në fakt oficerë inteligjence”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se vendet përballen me një dilemë kur i identifikojnë këta persona: t’i dëbojnë apo t’i mbajnë nën vëzhgim.

Keir Giles.

“Ka rrethana të caktuara, në të cilat agjencitë vendase të kundërzbulimit do të jenë në dijeni të identitetit të një oficeri të inteligjencës nën mbulesë diplomatike, por do të vendosin të mos veprojnë kundër tij përtej vëzhgimit të aktiviteteve të tij”, thotë Giles.

Sipas tij, në raste si Kosova, ku kontrolli institucional mbi këtë mision diplomatik është i kufizuar, situata bëhet edhe më komplekse.

“Kur një vend nuk kontrollon kush hyn në territorin e tij… kjo paraqet një cenueshmëri potenciale”, thotë ai.

Ndërkohë, në anketat e vazhdueshme në Kosovë, për shumicën e popullatës, Rusia vazhdon të shihet si një faktor me rrezik për vendin.

Një raport i vitit 2024 i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), që analizon narrativin e politikës së jashtme ruse kundrejt Kosovës, thotë se Moska e sheh Kosovën njëkohësisht si simbol të ndërhyrjes perëndimore, si çështje sigurie për Serbinë dhe si precedent në të drejtën ndërkombëtare.

“Në thelb, pozicioni i Rusisë ndaj Kosovës pasqyron rivalitetin e saj gjeopolitik me Perëndimin, i cili nën udhëheqjen e presidentit [Vladimir] Putin është thelluar ndjeshëm, veçanërisht përmes përpjekjeve për të forcuar ndikimin në Ballkanin Perëndimor, duke qëndruar në solidaritet me Serbinë”, thuhej në atë raport.

Edhe raporti “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtar të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, vlerësoi se Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet ndarjen e entitetit serb, Republika Sërspka, nga Bosnja dhe Hercegovina”.

Çfarë bën Zyra ruse në Kosovë?

Në Kosovë, Uvarov drejton një mision që funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatike.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë është themeluar në vitin 2005, në kohën kur Kosova administrohej nga OKB-ja.

Ajo funksionon nën ombrellën e UNMIK-ut dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës.

Stafi i saj nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ.

Edhe ambientet e saj janë të paprekshme nga autoritetet lokale.

Kjo e bën këtë mision një nga më pak transparentët në Kosovë.

Për vite me radhë, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun. Informacionet e pakta që ekzistojnë, lidhen kryesisht me takime me misione ndërkombëtare.

Megjithatë, në vitin 2021, autoritetet e Kosovës shpallën “non grata” dhe dëbuan dy diplomatë rusë të lidhur me këtë zyrë, duke thënë se kishin “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.

Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Zyrës së Rusisë në Kosovë mbajnë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe.

Vetë Kisha Ortodokse Serbe thotë se përfaqësuesit e saj në Kosovë kanë kontakte të rregullta me misionet ndërkombëtare, si KFOR-i, OKB-ja, OSBE-ja, BE-ja dhe vendet e Quint-it, por se këto kontakte lidhen me çështje të sigurisë, jetës së përditshme dhe funksionimit të institucioneve kishtare, e jo me politikë.

Sa i përket Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Kisha tha për REL-in se, viteve të fundit, nuk ka pasur vizita formale, por vetëm vizita të herëpashershme të stafit të saj në objekte fetare, së bashku me familjarë, kryesisht për shërbesa dhe vizita fetare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it as nëse ka komunikim me këtë zyrë dhe diplomatët e saj, as për mënyrën se si funksionon ky mision diplomatik.

Për rolin e saktë të kësaj zyre në Kosovë, nuk foli as UNMIK-u.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OKB-ja tha se “nuk komenton për përbërjen apo aktivitetet e misioneve diplomatike të shteteve anëtare”. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Në UBT nis workshop-i ndërkombëtar në fushën e arkitekturës

Published

on

By

Në UBT ka nisur një workshop i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili po bashkon ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, në kuadër të një bashkëpunimi akademik.

Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, Dekani i Studimeve në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në TU Wien, Thomas Dillinger, si dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës në UBT, Binak Beqaj.

Në fjalimet e tyre u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në periudhën kur vendi po ndërtonte institucionet dhe një sistem modern arsimor.

Rektori Edmond Hajrizi ndau me të pranishmit një nga momentet më domethënëse të rrugëtimit të programit të arkitekturës në UBT: “Ishte një vendim shumë i rëndësishëm për mua që të kthehesha në Kosovë, në një kohë kur vendi po ndërtonte shoqërinë, shtetin, institucionet dhe sistemin e ri arsimor. Në këtë kontekst, e pashë si thelbësore të sillja përvojën time nga Vjena dhe të nisja një program të ri, fillimisht me vetëm shtatë studentë.

Sot, UBT ka mbi 1300 studentë. Me mbështetjen e Universitetit Teknik të Vjenës, hapja e programit të parë master në arkitekturë dhe planifikim hapësinor në vitet 2007–2008 ishte një hap i guximshëm, që ka lënë gjurmë të qëndrueshme”,tregoi rektori Hajrizi Kjo javë pune dhe workshop-i synojnë të forcojnë bashkëpunimin akademik, të nxisin shkëmbimin e përvojave profesionale dhe të avancojnë programet studimore në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Workshop-i ka mbledhur studentë, profesorë dhe ekspertë të fushës së arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, duke krijuar një platformë bashkëpunimi për trajtimin e sfidave urbane dhe zhvillimin e ideve inovative për qytetet.

Në kuadër të aktiviteteve, pjesëmarrësit janë duke punuar në analiza konkrete të hapësirave urbane të Peja, duke propozuar zgjidhje të qëndrueshme dhe moderne në përputhje me standardet evropiane të planifikimit urban. Ky bashkëpunim ndërkombëtar synon të forcojë shkëmbimin e njohurive dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve në Kosovë.

 

 

 

Continue Reading

lajme

Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionëshe me Bankën Botërore

Published

on

By

Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë zyrtarizuar sot dy marrëveshje të rëndësishme në vlerë totale prej 96 milionë eurosh, të cilat synojnë fuqizimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në vend.

Ky investim madhor ndahet në dy projekte kyçe: 49 milionë euro për zhvillimin e sektorit financiar dhe 47 milionë euro për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet një kredi prej 35 milionësh dhe një grant prej 12 milionë eurosh.

Projekti i parë do të fokusohet në funksionalizimin e Bankës Zhvillimore dhe modernizimin e sistemit të pagesave të shpejta, ndërsa projekti i dytë synon digjitalizimin e pikave kufitare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut kosovar sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Këto reforma strukturore pritet të përshpejtojnë integrimin ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për stabilitetin ekonomik.

Këto marrëveshje përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ato përmirësojnë qasjen në financa për bizneset dhe rrisin efikasitetin e tregtisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë sonë, theksoi Murati.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Bankës Botërore, znj. Xiaoqing Yu, riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni për Kosovën. Ajo u shpreh optimiste për zbatimin e shpejtë të këtyre nismave, duke vlerësuar bashkëpunimin efektiv me palën kosovare për realizimin e projekteve që prekin drejtpërdrejt rritjen ekonomike dhe lehtësimin e aktivitetit tregtar.

 

Continue Reading

Lajmet

Aksion i Prokurorisë: Katër të arrestuar për patentë shoferë

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një aksioni të suksesshëm të Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka arrestuar sot katër persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale të ryshfetit dhe falsifikimit.

Nga operacioni, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është arrestuar një ekzaminere të patentë shoferëve në Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me inicialet V.L., si dhe tre persona të tjerë, I.M., A.B. dhe Z.B., drejtues të dy auto-shkollave në Prishtinë.

Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, të dyshuarit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet, të cilat rrodhën nga fondi i simuluar i Policisë së Kosovës.

Hetuesit kanë bastisur objektet e auto-shkollave “A” dhe “I”, ku kanë siguruar prova materiale relevante dhe kanë sekuestruar telefonat mobilë të të pandehurve kryesorë.

“Të pandehurit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet të përdorura nga fondi i Policisë së Kosovës, ndërsa në zbatim të Urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është realizuar kontrolli në dy auto shkollat e cekura më lartë ku janë siguruar provat e nevojshme materiale, ndërsa të pandehurve I.M dhe V.L, u janë sekuestruar telefonat e tyre mobil”, thuhet në njoftimin e Prokurisë.

Katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, i cili brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e masës së sigurisë në Gjykatë.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara