Botë

Sfida e Ukrainës me F-16: Furnizimi me raketa dhe lufta kundër arsenalit rus

Published

on

Pilotët e avionëve F-16 të Ukrainës janë mbështetur shumë te variantet e raketave AIM-9, të njohura si “Limas” dhe “Mikes”, të cilat janë prodhuar në vitet 1970 dhe 1980, thanë burimet e Reuters.

Edhe pse dekada të vjetra, ato raketa i kanë ofruar Ukrainës një mënyrë relativisht të lirë për të asgjësuar dronët dhe raketat ruse të lundrimit (cruise), thanë të tre personat, sic raporton Reuters.

Mungesa u plotësua në dhjetor, kur Ukraina mori raketa ajër-ajër AIM-9 nga partnerët, thanë të tre burimet, pak para një sulmi të madh rus. Ata refuzuan të përmendnin emrin e shtetit ose shteteve pas dërgesës, duke cituar nevojën për fshehtësi.

Reuters nuk mundi të përcaktonte ndikimin e mungesës së përkohshme të raketave. Burimi i parë tha se kjo nuk kishte lidhje me sulmet më të mëdha ruse të dimrit.

Një burim i katërt, i cili gjithashtu kërkoi të mbetet anonim, tha se anëtarët e NATO-s, Gjermania dhe Kanadaja, kishin furnizuar raketa Sidewinder muajt e fundit dhe konfirmoi se kishte pasur një “rënie të lehtë” të furnizimeve më parë, ndonëse nuk pranoi të tregonte arsyen.

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë refuzoi të komentonte mbi dërgesat specifike apo armët për arsye sigurie. Gjermania ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj ushtarakë dhe financiarë të Ukrainës që nga viti 2022.

Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare i Kanadasë i tha Reuters-it se ishte në proces të dhurimit të raketave AIM-9M-8 nga rezervat e Forcave të Armatosura Kanadeze. “Ky donacion i ri do të plotësojë donacionin e kaluar prej qindra raketash kanadeze AIM dhe komponentëve përkatës që po përdoren nga Ukraina për mbrojtjen e saj ajrore.”

Trump prezantoi një sistem për furnizimin me armë amerikane për Ukrainën, duke zëvendësuar ndihmën e drejtpërdrejtë ushtarake të dërguar nën paraardhësin e tij Joe Biden.

Sipas të ashtuquajturit mekanizëm PURL (Lista e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës), Shtetet e Bashkuara u shesin armë aleatëve të NATO-s për t’ia dorëzuar më pas Ukrainës.

I pyetur për të komentuar, një zyrtar i NATO-s tha se PURL po siguronte materiale jetike amerikane dhe, që nga vera, kishte furnizuar rreth 75% të të gjitha raketave për bateritë e mbrojtjes ajrore Patriot të Ukrainës dhe 90% të municioneve për sistemet e tjera të mbrojtjes ajrore.

 

FUSHATA AJRORE MË E ASHPËR E DIMRIT NGA RUSIA

Megjithatë, Ukraina ende përballet me sfidën për të siguruar mjaftueshëm raketa për rrjetin e saj të gjerë të mbrojtjes ajrore.

Rusia lëshon disa qindra dronë sulmi dhe raketa gjatë sulmeve të saj të mëdha, dhe Ukraina përpiqet t’i rrëzojë ato me zjarr nga kamionët, bllokim elektronik, dronë interceptues, si dhe raketa ajër-ajër dhe tokë-ajër.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy lëshoi një thirrje urgjente për mungesën e municioneve në janar, veçanërisht për sistemin Patriot të prodhimit amerikan, mbi të cilin Ukraina mbështetet për të rrëzuar raketat balistike ruse Iskander.

Avionët F-16, të cilët u furnizuan nga partnerët evropianë të Kievit në vitin 2024, janë pjesë e komponentit ajror të rrjetit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës, së bashku me helikopterët dhe avionët e tjerë luftarakë.

Avionët F-16 kanë interceptuar 2,000 dronë dhe raketa gjatë fluturimeve në rol mbrojtës ajror, tha burimi i dytë.

Ukraina dhe partnerët e saj nuk kanë zbuluar se sa F-16 po luftojnë në Ukrainë. Burimi i dytë tha se numri ishte në “dhjetëra”, por refuzoi të jepte detaje të mëtejshme.

Avionët F-16 mund të mbajnë raketa AIM-9, ose raketa më të sofistikuara AIM-120. Ato prodhohen nga Raytheon, një njësi e grupit amerikan të mbrojtjes RTX Corp (RTX.N).

Kur u pyet për komente mbi mungesat, RTX e referoi Reuters-in te qeveria amerikane.

Çdo raketë AIM-120 kushton mbi një milion dollarë, thanë dy nga tre burimet, që do të thotë se ato zakonisht nuk përdoren në masë për të luftuar dronët sulmues rusë të prodhuar me kosto të ulët.

Ato raketa përdoren gjithashtu në sistemet tokë-ajër NASAMS të prodhimit norvegjez në Ukrainë, që do të thotë se gjatë krizës së furnizimit operacionet e tyre u kufizuan, tha burimi i fundit nga të tre.

Ky person tha gjithashtu se kishte pasur një mungesë të raketave RIM-7 të prodhimit amerikan, të cilat Ukraina i ka përdorur në sistemet e modifikuara të mbrojtjes ajrore të epokës sovjetike që nga pushtimi i vitit 2022.

Ministria norvegjeze e mbrojtjes tha se qeveria kishte dorëzuar një “numër të konsiderueshëm” interceptuesish për NASAMS në fillim të këtij dimri… “në mënyrë që sistemi NASAMS të vazhdojë të mbrojë qytetarët ukrainas nga sulmet vdekjeprurëse ajrore.”

/Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Përmbytjet në Stamboll: 14-vjeçari humb jetën nga rryma elektrike, mbi 2.500 raportime për motin e keq

Published

on

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll të Turqisë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë vërshimeve.

Sipas mediave turke, i mituri me inicialet M. I. shkeli në një pellg uji në parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të distriktit Fatih. Ai u dërgua pa ndjenja në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha në qytetin me rreth 16 milionë banorë. Janë raportuar më shumë se 1.200 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe dhjetëra raste të personave të bllokuar nga uji i rrëmbyeshëm.

Shërbimet emergjente kanë pranuar gjithsej 2.518 raportime të lidhura me kushtet e këqija atmosferike.

Sipas të dhënave, reshjet kanë prekur 808 objekte banimi, 280 ambiente biznesi dhe 76 automjete. Shtëpi, dyqane, rrugë dhe nënkalime janë përmbytur, ndërsa shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në ujë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia turke bastis selinë e televizionit pro-opozitar Halk TV dhe ndërpret transmetimet

Published

on

By

Policia turke ka bastisur selinë e televizionit pro-opozitar Halk TV, duke ndërprerë transmetimet e drejtpërdrejta të kanalit.

Sipas raportimeve të BBC-së, punonjësit nuk janë lejuar të futen në objektin e televizionit në Stamboll gjatë mëngjesit të së mërkurës, ndërsa në krye të kanalit është caktuar një menaxher i ri.

Detajet e operacionit dhe arrestimet
Mediat turke bëjnë me dije se në operacion janë përfshirë efektivë të departamentit të krimeve financiare, të cilët kanë kontrolluar imtësisht ndërtesën. Gjatë këtij aksioni, autoritetet policore kanë lëshuar urdhër-arreste për 17 persona.

Halk TV njihet për linjën e saj editoriale të afërt me Partinë Republikane Popullore (CHP), e cila është forca kryesore opozitare dhe një kritike e ashpër e qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta politike. Në muajin maj, një gjykatë në Turqi vendosi t’i hiqte udhëheqjes aktuale të CHP-së të drejtën për të drejtuar partinë, duke shfuqizuar rezultatet e kongresit partiak dhe duke rikthyer në krye ish-kryetarin. Në atë kohë, opozita e quajti vendimin si një tentativë për të forcuar më tej kontrollin e pushtetit të Erdoganit mbi institucionet dhe opozitën.

Continue Reading

Lajmet

Sulm masiv mbi Kievin: Zelensky akuzon Rusinë për shkelje të armëpushimit

Published

on

By

Një objekt kyç i energjisë që furnizon Kievin me ngrohje dhe energji elektrike, si dhe një ndërtesë banimi, janë goditur gjatë një sulmi me raketa balistike ruse. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili theksoi se goditja ndodhi pa asnjë paralajmërim të hershëm nga partnerët ndërkombëtarë.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se nga goditja e bllokut të banimit të martën vonë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur 21 të tjerë. Ai konfirmoi se janë goditur disa objekte energjetike në kryeqytet, ndërsa në orët e para të së mërkurës bëri të ditur se sulmet masive kanë ndërprerë rrymën në disa pjesë të Kievit. Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore pas shpalljes së alarmit të kuq.

Sulmet e reja vijnë vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes Rusisë dhe Ukrainës ishte rënë dakord për një armëpushim energjetik. Lidhur me këtë, Zelensky reagoi ashpër duke u shprehur: “Ukraina mbështeti një armëpushim energjetik. Rusia po synon edhe një central tjetër elektrik dhe jetët e njerëzve tanë. Kjo është plotësisht e padrejtë: kur ata po shkatërrojnë infrastrukturën tonë energjetike, dhe Ukraina nuk po merr as paralajmërime të hershme për lansimin e raketave balistike”.

Presidenti ukrainas shtoi se është me rëndësi që bota të mos heshtë dhe që Shtetet e Bashkuara të shohin qartë se çfarë po ndodh dhe kush është përgjegjës për vazhdimin e luftës. Kjo është nata e dytë rresht që Kievi përballet me sulme të tilla, ndërsa Zelensky po përgatitet të takohet në London me kryeministrin britanik Andy Burnham për të diskutuar përshpejtimin e furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pas sulmeve të së hënës mbrëma, lindi spekulimi se SHBA-ja kishte ndërprerë qasjen e Ukrainës në inteligjencën kyçe për përgjimin e kërcënimeve. Megjithatë, Trump e mohoi këtë duke deklaruar: “Ne po i ndihmojmë ata dhe po ndajmë inteligjencë. Ne duam që lufta të përfundojë.” I pyetur për sulmet ruse mbi energjetikën, Trump përmendi se edhe Ukraina kishte goditur disa objekte një ditë më parë, ndërsa shmangu të konfirmonte nëse Rusia e kishte shkelur armëpushimin, duke shtuar se të dyja palët duan që lufta të përfundojë, por “nuk dinë se si të arrijnë atje”. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara